Shkruan: Adil FETAHU/
Vetë lavdërohemi, por edhe studjues e historianë të huaj e pranojnë se Shqiptarët, si pasardhës të pellazgëve, ilirëve e arbënorëve, janë raca dhe populli më i lashtë në Ballkan dhe në Europë, që dikur kishte një shtrirje të gjërë. Përkundër kësaj, në historinë më të re kemi ngelur ndër popujt më të prapambetur në Europë, në pikëpamje ekonomike, sociale, arsimore, shkencore e kulturore. Kjo prapambetje jona është pasojë e pushtimeve të perandorive dhe fuqive të huaja pas rënies së Mbretërisë Ilire, tkurrjes së hapësirës jetësore dhe zhvillimit të vonshëm të shkollimit dhe arsimit në gjuhën amtare, shqipe.Në kohën e Perandorisë Osmane, hapësira etnolinguistike homogjene shqiptare shtrihej nga Sutomore dhe Pazari i Ri deri në Gjirin e Prevezës (në vijën veri-jug), dhe nga deti Adriatik dhe Joni deri në Preshevë (në vijen perëndim-lindje). Në këtë hapësirë etnolinguistike bënë pjesë edhe Çamëria dhe i tërë Epiri, deri në Artë e Prevezë, i banuar me shqiptarë autoktonë. Gjuha shqipe e popullit të Çamërisë dhe Epirit është një dialekt i shqipës që ka ruajtur format arkaike qysh prej gjuhës ilire, të cilën poeti ynë i madh Naim Frashëri e quanë “gjuhë e perëndive”: “Eni vjen pej Çamërie/, me ato milëra fjalë/e me gjuhë Perëndie”.
Sami Frashëri, në Enciklopedinë e tij (1889), kur bënë fjalë për Shqipërinë, në zërin “Arnavutlluk”, shkruan: “Bregu jugperëndimor i Shqipërisë thirret Çamëri. Ka pamje parajse, me ullinj, portokalle, limona e kullota të bukura dimërore. Në brendi ka lugina shumë të bukura midis maleve, pllaja e fusha të larta, siajo e Janinës”. Ndër të tjera, Samiu thotë: “Viset më të begatshe të Shqipërisë janë fushat e Myzeqesë (1000 km/katrore), ndërsa më e bukura është Çamëria (5000 km/katrore)”.
Historia e Çamërisë është e dhembshme, por edhe krenare, me personalitete të shquara që kanë dritësuar dhe i kanë dhënë lavdi vendit dhe kombit, prej historisë së lashtë e deri në historinë më të re. Nuk ka një vend tjetër në botë kaq i vogël, që i t’i ketë dhënë njerëzimit aqë shumë figura të shquara, të përmasave botërore, e të profileve të ndryshme, sikur ka dhënë Çamëria në tremijë vjetët e fundit të historisë.
Çamëria, i tërë Epiri dhe pjesa më e madhe e territorit shqiptar ra nën pushtimin e Perandorisë Osmane në vitin 1449. Pushtimi osman shkaktoi valë të migrimit të popullsisë së Çamërisë dhe gjithë Epirit, në drejtim të ishujve të Greqisë dhe në Itali (Arbëreshët). Megjithatë, Çamëria deri në vitin 1944 është dominuar nga popullsia autoktone shqiptare, veçse pa të drejta elementare kombëtare për gjuhën, arsimin dhe kulturën e vet, e shtypur nga regjimet fashiste të Greqisë. Sipas statistikës turke, në vitin 1910 Sanxhaku i Çamërisë kishte 72999 banorë, prej të cilëve 60897 ishin Myslimanë dhe 29593 Ortodoks (A.Baltuçi). Ndërsa sipas statistikës greke, në vitin 1937 Çamëria kshte 279 fshatra, me 112619 banorë, nga të cilët vetëm 20200 ishin grekofonë.
1.Politika arsimore e Perandorisë Osmane Pas reformave të Tanzimatit, me një Rregulloren për Arsimin e Përgjithshëm (1869), arsimi u fut në mbrojtje të shtetit, do të thotë se shkollat themelohen, financohen dhe mbikqyren nga shteti, ndonësese lejoheshin edhe shkolla private. Rregullorja përcaktonte që në çdo fshat të ketë shkollë fillore të ciklit të ulët, katër klasëshe (“Iptidayie Mektebi”); çdo fshat, vendbanim apo qytet me mbi 500 familje, ta ketë shkollën fillore të ciklit të lartë (“Rushtiye Mektebi”), e cila zgjaste 6 vjet dhe pas saj mund të vazhdohej shkolla e mesme; çdo qytet me mbi 1000 familje, një shkollë të mesme (“Idadiye Mektebi”), ndërsa në qendrat e mëdha nga një shkollë e lartë (“Sulltaniye”). Për mësuesit dhe arsimtarët parashihej të kishin kualifikimin “Darulmualim”, që nënkuptonte të kenë të kryer universitetin. Rregullorja kishte paraparë edhe shkolla profesionale (industriale) dhe shkolla ushtarake. Mirëpo, shqiptarët, përveçse të shkolloheshin në shkolla të huaja e në gjuhë të huaj (turqisht, greqisht, gjermanisht, italisht), nuk përfituan nga ajo Rregullore, ngase atyre nuk iu lejohej hapja e shkollave në gjuhën shqipe. Nga ajo Rregullore përfituan “miletet” tjera: greke, bullgare, serbe, rumune, po edhe Austrohungaria dhe Italia, të cilat, për interesa të veta e me synime djallëzore, zgjëruan rrjetin e shkollave të tyre edhe në tokat shqiptare. Që prej shekullit 15, me islamizimin e një pjese të popullsisë, shqiptarët ishin të ndarë në tri fe, dhe ata vetëm gjuhën e kishin të përbashkët. Ndërsa Perandoria osmane bazohej në sistemin e “mileteve” e jo të kombeve. Milet quhej kombi i përkufizuar sipas besimit fetar (myslimanë ose të krishterë: ortodoksë e katolikë). Dhe me qenë se shqiptarët ishin shpërndarë në tri fe, ata nuk ishin një “milet”, prandaj mund të ndiqnin shkollat në gjuhë turke (me alfabetin arab), në gjuhën greke, sllave ose latine, me alfabetet e tyre. Në fund të shekullit 19, në katër vilajetet shqiptare, kishte 1187 shkolla turke (1125 shkolla fillore, 57 shkolla “plotore”- fillore të ciklit të lartë, dhe 5 të mesme), kishte më se 1000 shkolla greke dhe mbi 300 në gjuhën serbe e bullgare, si dhe disa tjera në gjuhën italiane ose gjermane (austriake). Kështu, Perandoria otomane ua kishte mohuar shqiptarëve jo vetëm lirinë dhe pavarësinë kombëtare, por edhe gjuhën, pasi nuk iu lejonte shkolla, administratë as aktivitete kulturore në gjuhën shqipe. Edhepse shkollat e hueja iu shërbenin qëllimeve dhe interesave tjera, shqiptarët që u shkolluan në to përfituan dije e kulturë. Disa sish punonin në shkollat ose administratat e hueja, dhe ata që kishin ndjenja kombëare, dijen e tyre e shfrtyëzonin për t’i ndihmuar popullit të vet; ata fshehtas ua mësonin gjuhën shqipe fëmijëve e të rriturve. Këtë e bënë veçmas në periudhën e Rilindjes kombëtare.
2.Roli i rilindasve në përhapjen e arsimit shqip
Rilindja kombëtare shqiptare, si një lëvizje e përgjithshme, që veproi prej vitit 1931-1912, e sidomos pas Lidhjes së Prizrenit (1878), të cilën Engelsi e quante se ishte lëvizja më përparimtare në Ballkan, në programin e saj politik kishte çlirimin nga pushtuesi otoman, pavarësinë dhe bashkimin trojeve shqiptare, ndërsa në fushën ideologjike e sociale kishte – hapjen e shkollave, zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare. Rilindasit e njohur,si: Naum Veqilharxhi, Konstantin Kristoforidhi, Anastas Kullurioti, Dhaskal Thodri, Abdyl, Naim e Sami Frashëri, Hoxhë Tahsini,Pashko Vasa, Jani Vreto, Zef Jubani, Koto Hoxhi, Thimi Mitko, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Pandeli Sotiri, Nuçi Naçi, Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji e shumë të tjerë, përkundër vështirësive, pengesave dhe rreziqeve që iu kanoseshin, bënë punë të mëdha në formimin e klubeve dhe shoqërive kulturore, hapjën e shkollave, botimin dhe përhapjën e librave e gazetave në gjuhën shqipe. Porta e Lartë dhe kisha greke merrnin të gjitha masat dhe bënin çmos për të mos lënë shkolla në gjuhën shqipe. Në vitin 1867, një delegacion i popullit shqiptar, i përbërë nga K.Kristoforidhi,Pashko Vasa, Hasan Tahsini dhe Ismail Qemali, i kërkoi perandorit osman çeljen e shkollave shqipe, por Porta e lartë jo se lejoi ato, veçse ndërmori masa më të rrepta për ndalimin e tyre. Edhe në ato kushte, fshehurazi mësohej shkrim-këndimi i gjuhës shqipe.
Një frymëmarrje më e lehtë për të hapjen e shkollave dhe zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe u krijua pas “Hyrjetit” ( korrik, 1908) kur, me ndihmën e shqiptarëve, xhonturqit erdhën në pushtet, dhe filloi çelja e shkollave gjithandej nëpër Shqipëri, veçse ajo periudhë nuk zgjati. Sepse, programi politik i xhonturqëve ishte i kundërt me ineresat kombëtare shqiptare. Haki Pasha, në mbledhjen e parë të qeverisë së tij (1911), pasi u bë kryeministër, kishte deklaruar: “Rreziku më i madh nga të gjitha kombet që rrojnë nën imperatorinë tonë janë shqiptarët; ky komb mos zgjohet nga gjumi i rëndë dhe mos përkëmbet, mos marrë diturinë dhe gjuhën e vet, se atëherë e mori lumi Turqinë Evropjane, madje shqiptarët që kanë zënë të hedhin temelet e kombësisë me anë të shkrimit e këndimit shqip, një ditë mund të vënë tërë Turqinë në dorë”!
3.Hapja e shkollave dhe mësuesit në Çamëri
Si të gjitha viset shqiptare nën pushtimin otoman, edhe krahina e Çamërisë ishte në situatë të vështirë, sa i përket shkollimit dhe arsimimit të popullit në gjuhën amtare. Bile ishte në pozitë edhe më të keqe, për shkak se përveç pushtetit turk, gjuhën shqipe e urrenin akoma më tepër kisha dhe shteti i Greqisë. Në të vërtetë në Çamëri asnjëherë nuk pati një sistem të mirëfillt të shkollimit dhe arsimimit në gjuhën shqipe. U bënë disa përpjekje, fshehtas e herë-herë edhe haptas për të mësuar shkrim-lexim e për të çelur shkolla në gjuhën shqipe, por përndiqeshin me ashpërsi, arrestoheshin, persekutoheshin ose likuidoheshin aktivistët, mësuesit, shpërndarësit e librave dhe përkrahësit e përhapjes së gjuhës shqipe.
Lidhja Kombëtare Shqipatare i kishte dy qendra kryesore patriotike në Çamëri: Preveza (në jug) dhe Filati (në veri), nëpërmes të cilave zhvilloi aktivitetin e vet, si në pikëpamje të luftës për liri e pavarësi, ashtu edhe në përpjekjet për ruajtjen, mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Përhapja e mësimit të shkrim-leximit dhe të librave në gjuhën shqipe bëhej kryesisht nga klubet dhe shoqëritë atdhetare, të mëdha e të vogla, që ekzistonin ose formoheshin asokohe: në Stamboll, Sofje, Bukuresht, Selanik, Shkup,Manastir,Janinë, Elbasan, Korçë, Berat, Delvinë, Gjirokastër, Filat, Prevezë, etj. Dhe ky aktivitet mori hov pas Revolucionit xhonturk (1908). Në Prevezë, Sheh Sabri Preveza, formoi shoqërinë “Dituria” dhe në teqën e tij çeli “shkollën” shqipe. Në Filat, atdhetari Rexhep Demi mbante lidhje të dendura me klubet dhe shoqëritë shqiptare të Stambollit, Bukureshtit, Sofjes, Janinës, Aleksandrisë etj, dhe menjëherë pas Hyrjetit (korrik 1908), formoi klubin “Vëllazëria”, duke mundësuar kështu që përmes klubit të përhapte aktivitetin e mësimit të gjuhës shqipe. Ai edhe vet punoi si mësues në Konispol, Gjirokastër, Libohovë etj. Veç kësaj, u angazhua kundër shpërnguljes së çamëve për në Turqi. Shkolla e parë në Filat u çel më 7 shtator 1908, ku mësues të parë ishin Qamil Izet Çami dhe Hamit Demi. Pas kësaj, deri më 1910 u çelën edhe disa shkolla tjera, në Luros, Mallakastër, Konispol, Ninat, Koskë, Janjar, Konicë, Mazarek, etj. Qamil Çami bëri përpjekje edhe për hapjen e një shkolle të mesme në Filat, për të përgatitë mësues për shkollat shqipe. Përveç mësimit të fëmijëve gjatë ditës në shkollë, mësuesit mbanin edhe kurse të natës, për të mësuar edhe të rriturit shkrim e lexim shqip. Me insistimin e aktivistëve dhe të popullit të Çamërisë, gjuha shqipe nisi të mësohej edhe në shkollat turke dhe në ato greke, ndonëse me fond të vogël orësh dhe e nënçmuar nga udhëheqësit e atyre shkollave. Një formë të mësimit të shkrim-leximit në gjuhën shqipe e ndihmuan edhe “mësuesit shetitës”. Shkollat shqipe (1908-1912) i ndihmuan me libra e financa klubet dhe shoqëritë atdhetare brënda e jashtë atdheut, ndërsa populli i lëshoi shtëpitë për shkolla. Ndihmë të veçantë asokohe dha Dervish Hima, doktori Asaf Çami-Ajdonati po edhe shumë të tjerë. Rasih Dino mbante me financat e tij katër shkolla dhe paguante nga 350 grosh në muaj tre mësues “shetitës”, për t’ua mësuar njerëzve shkrim-këndimin, dhe kishte filluar ndërtimin e një godine shkollore në Filat. Rexhep Demi, në moshën 62 vjeçare kreu kurse për mësues. Dhe këta mësues e aktivistë, sa bënin luftë për gjuhën, poaq bënin për alfabetin latin, pasiqë xhonturqit ua impononin alfabetin arab, ndërsa kisha greke alfabetin grek.
Duke vlerësuar punën në mësimin e gjuhës shqipe në periudhën prej Lidhjes së Prizrenit, Sami Frashëri në librin e tij: “Shqipëra ç’ka qenë, ç’është, e ç’do të bëhet”(1899), shkruan:“Shkollat nuk u shtuan e të vinin mbarë si duheshe, po shkronjat shqip u përhapnë nëpër gjithë anët e Shqipërisë, edhe burra e gra, djem e vasha, gjithë mësuanë në pak kohë të shkruajn’ e të këndojnë gjuhënë shqip. Më njizet vjet shkronjatë shqip lëshuanë aqë rrënjë të shëndosha e zun’ aq themele të fortë, sa s’mund të çkulet e të rrëzohet kurrë. Ky dru q’u vu njizet vjet më parë, u lulëzua edhe dha pemë fort t’ëmbla e të bukura”.
Por ai proces, ai aktivitet dhe ai enthusiazëm i popullit të Çamërisë e gjithë Shqipërisë për mësimin e gjuhës dhe për shkollën shqipe, u ndërpre me shpërthimin e kryengritjeve të armatosura për çlirimin e vendit dhe me Luftën Ballkanike, me ndarjen e Çamërisë nga Shqipëria, të cilën Konferenca e Londrës (1913) ia dha Greqisë, e cila jo se nuk lejoi shkolla shqipe, por bëri terror mbi popullsinë myslimane të Çamërisë, duke i detyruar të shpërngulën për në Turqi, Shqipëri e deri në Amerikë, ndërsa shqiptarët e krishterë duke i asimiluar në grekë.
4.Periudha mes dy luftërave botërore
Gjatë Luftës së Parë Botërore, në vitin 1917 Çamëria ishte nën pushtimin e ushtrisë italiane. Për ta joshur e qetësuar popullin, Komesariati i Përgjithshëm Italian lejoi përdorimin e Flamurit kombëtar shqiptar dhe hapjen e shkollave shqipe. Menjëherë u çelën shkollat në Filat dhe Gallbaç, por kjo situatë nuk zgjati, pasiqë Greqia iu bashkua fuqive të Antantës, ashtu që ushtria italiane e la Çamërinë përsëri në zotërim të ushtrisë e të pushtetit të egër fashist grek. Me politikën raciste e fashiste, Greqia bëri gjithçka që myslimanët e Çamërisë të shpërngulën prej vendit të tyre, ndërsa orthodoksët të asimilohen. Për shkolla shqipe as që mund të bëhej fjalë më.
Pas shpalljes së Republikës së Shqipërisë (21 janar 1925), po edhe pas shpalljes së Mbretërisë Shqiptare (1 shtator 1928), qeveria shqiptare shumë herë paraqiti ankesa në Lidhjen e Kombeve, për diskriminimin e shqiptarëve të Çamërisë nga sheti grek. Pas shumë ankesave, në vitin 1926, u arri një marrëveshje reciproke midis qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë, për mësimin e gjuhës shqipe për minoritetin shqiptar në Greqi dhe minoritetin grek në Shqipëri, por edhe ajo sabotohej nga regjimi i Greqisë. Në vitin shkollor 1936/37, në Çamëri u hapën 6 shkolla, me 10 mësues, për mësimin e gjuhës shqipe, por kjo bëhej në shkollat greke, dhe nga mësues grekofonë! Megjithatë, prej vitit 1929 deri më 1939, në disa qytete e fshatra të rrethit të Pramithisë dhe të Filatit, në Çamëri, funksionuan disa shkolla fillore për nxënës dhe kopështe për fëmijë, diku të ndara veçmas për myslimanë, e diku të përziera. Kështu, bie fjala, në vitin shkollor 1937/38, në shkollat e Çamërisë mësonin gjuhën shqipe 387 nxënës,në: Filat (85), Lopës (75), Smartë (14), Nistë (40), Solloëi (27), Gurrës (16), Mazarek (80), Grikohor (50), ndërsa për shkollat në Karbunara dhe Vrohona nuk kishte mësues. Edhepse ai nuk ishte një sistem i shkollimit kombëtar, sadopak e mbajti gjallë gjuhën shqipe. Asokohe, nxënës nga Çamëria u shkolluan edhe në shkollat në Shqipëri. Në këtë drejtim, një kontribut të veçantë të shkollimit të çamëve e dha Konvikti ”Çamëria”, në Sarandë, i cili funksionoi prej vitit 1928 – 1941, dhe gjatë asaj kohe shumë nxënës nga Çamëria, me shpenzimet e shtetit shqiptar, kryen shkollimin cilësor në shtetin amë. Shqipëria e asaj kohe i kishte kushtuar vëmendje të posaçme shkollimit të popullit, duke përfshirë edhe shqiptarët jashtë Shqipërisë (Kosovë, Çamëri e vise tjera). Shteti investonte në shkollimin brënda dhe jashtë vendit. Në periudhën 1925-1939, në gjithë Shqipërinë ishin çelur 643 shkolla fillore dhe 18 shkolla të mesme, të cilat i kryen mbi 60000 nxënës. Se sa ishte e lartë cilësia e mësimit në shkollat shqiptare të asaj kohe, tregon fakti se me diplomën e shkollës së mesme të Shqipërisë, pranoheshin pa konkurs në studime kudo në shtetet e Europës: Itali, Austri, Francë, Angli, Gjermani, Turqi, Rumani, Greqi. Sheti shqiptar i paguante mirë mësuesit dhe oficerët e ushtrisë. Në pyetjen e një gazetari të huaj, përse shteti i stimulon veçmas këto dy kategori, Ahmet Zogu ishte përgjigjur: “Mësuesi e ndriçon mendjen e kombit, ndërsa oficeri i ruan kujftë e atdheut”.
5.Periudha 1941-1944
Gjatë Luftës së Dytë Botëtore, shqiptarët jashtë Shqipërisë londineze pushtimin Italian dhe gjerman (1941-1944) e përjetuan si çlirim nga regjimet fashiste serbo-malazeze dhe greke. Sepse pushtuesit e ri lejuan bashkimin e trojeve shqiptare, hapjen e shkollave shqipe dhe përdorimin e simboleve kombëtare. Ministri i arsimit në qeverinë e Shqipërisë, Ernest Koliqi, ndërmori masa të menjëhershme për hapjen e shkollave dhe dërgimin e mësuesve në “trojet e çliruara”, në Kosovë, Çamëri e Maqedoni. Në Çamëri u hapën shkollat shqipe në rrethin e Filatit, Gumenicës, Margëlliqit e Paramithisë. Pa patur të dhëna tjera, për numrin e shkollave e të nxënësve dhe funksionimin e atyre shkollave, për to po shënojmë vetëm emrat e 24 mësuesve veteranë të asaj periudhe, që punuan në Çamëri, e të cilët presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, i dekoroi në vitin 1994, me motivacion: se hapën dhe shërbyen në shkollat shqipe të Çamërisë, gjatë periudhës 1941-1944. Ata mësues të dekoruar janë (për rrethin e Filatit): Dino Aqif Abedin, Zeqiraj Mehmet Abdyl, Sejko (Zelfo) Mahmut Abdul, Sejko (Adem) Jakup Shefqet, Sejko Beqir Fejzi, Duçe Mete Ilaz, Demi Avdi Isa, Feçi Ismail, Çumani Sulo Jakup, Sejko Rahmi, Husa (Niza) Riza, Muharremi Alush Sami, Muharremi Halim Sadik, Vëllazërori Nikollë Spiro, Dino Vesel, Çomi Hamza Zenel; (për rrethin e Margëlliçit): Çeço Hasan, Dauti Jahja, Mehmet Halil Jasin; (për rrethin e Gumenicës): Rusi Kasi Musa, Sejko Abdul Qamil, Beqo (Meço) Duro Shaban; dhe (për rrethin e Paramithisë): Saliko Hasim Sadik (*emrat e mëspipërm për të dekoruarit, janë marrë nga libri i Tahir Z.Berishës: “Emra që nuk harrohën III”, Prishtinë, 2005).
Dhe vëtetë, emrat e atyre rilindasve, atyre atdhetarëve që luftuan me pushkë e me penë, për çlirimin e atdheut e për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të ndjenjave kombëtare, qoftë në cilësi të udhëheqësve të klubeve e të shoqërive atdhetare, atyre mësuesve, atyre që dhanë pa kursim për mësimin e gjuhës dhe arsimimin e popullit, atyre që lëshuan shtëpitë për shkolla, atyre që përhapën librin shqip, duke sakrifikuar e rrezikuar jetën e vet e të familjeve të tyre, duhet të kujtohen e të mos harrohën kurrë, të shkruhen e të ruhen për brezat e ardhshëm.