Ka mbërritur në atdhe trupi i pajetë i ikonës së këngës shqiptare Vaçe Zela, e cila ndërroi jetë dje në Basel të Zvicrës pas një sëmundjeje të gjatë dhe të mundimshme.
Trupi i pajetë i artistes Vaçe Zela ka mbërritur në orën 14:00 në aeroportin e Prishtinës, ku është pritur nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit të Kosovës.
Më pas nëpërmjet “Rrugës së Kombit”, trupi i pajetë i këngëtares së madhe shqiptare, Vaçe Zela, ka mbërritur rreth orës 18:10 në shtëpinë e saj në kryeqytet, ku është pritur nga familjarë por edhe shumë qytetarë.
Ndërkohë homazhe në nderim të artistes Vaçe Zela do të zhvillohen nesër nga ora 10:00-12:00 në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Gjatë homazheve Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Lushnjës në nderim të veprës së artistes së madhe, Vaçe Zela do të ulin flamurin në gjysmështizë.
Pas homazheve ikona e këngës shqiptare do të përcillet për në banesën e fundit duke u nisur nga TKOB për tu prehur në varrezat e Sharrës.
Ceremonia në nderim të artistes do të organizohet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe në vëmendjen e Kryeministrit, Edi Rama.
Vaçe Zela mbetet idhulli dhe frymëzimi për breza të tërë, emocioni dhe krenaria e të qenit shqiptar. Kënga e saj do të jetojë shumë gjatë bashkë me zërin e saj magjik, të kulluar, do të vazhdojë të jetë bashkudhëtare e historisë sonë shqiptare.