Intervistë me këngëtaren SHKURTE FEJZA: Pavarësia e Kosovës, është kulmi i një ngjarje që më ka sjellur jeta t’a përjetojë–
Këngëtarja e cila ka bërë epokë në muzikën popullore shqiptare, pamëdyshje është Mbretëresha e muzikës popullore Shkurte Fejza.
E vlerësuar me çmimet më të larta nga institucionet e trojeve shqiptare, me shumë e qindra koncerte Shkurte Fejza. vazhdon të jetë shumë aktive në skenë me projekte muzikore dhe tejet e pëlqyer nga publiku shqiptar brenda dhe jashtë vendit.
Në një intervistë ekskluzive, këngëtarja përgjigjet në shumë pyetje rreth jetës dhe karrierës së saj.
Cila është historia e hitit kombëtar “Xhamadani vija vija”, Për cilën ngjarje të fëmijërisë ka nostalgji, A ka këngë më të realizuar se “Mora Fjalë” e cila i dedikohet Komandantit legjendar Adem Jashari, për këto dhe shumë gjëra tjera, ju ftoj t’i lexoni gjatë intervistës në vijim me këngëtaren e mirënjohur Shkurte Fejza.
Këtë vit keni publikuar disa këngë si: “Të dy kemi qenë me fat”, ”Telefoni”, por dueti i fundit me Gresa Behlulin “Nuse, mësuese”, bëri bujë në media, duke u kritikuar për përmbajtjen e tekstit, sa jeni ndarë e kënaqur me realizimin e këngëve, kush janë autorët dhe a po mundohen disa individë ta njollisin karrierën tuaj të krijuar me përkushtim?
Shkurte Fejza: Edhe pse ky vit ishte pa aktivitete publike, në krijimtari artisti nuk ndalet dhe si fryt i kësaj dolën disa këngë të realizuara si këto që i përmendet dhe disa që janë në fazën e përfundimit. Artisti përmes këngës pasqyron jetën e vetë si te kënga “Të dy kemi qenë me fat” tekstin e së cilës e kam shkruar vetë.
Kur kënga pasqyron realitetin në rrethin e tij te kënga “Telefoni” që tekstin e ka shkruar gazetari dhe këngëtari i mirënjohur z.Refki Reshitaj, dhe e treta Pasqyrimi realitetit të shoqërisë ku jeton te kënga “Nuse mësuese” që tekstin dhe muzikën e ka shkruar z. Ilir Berani. Kënga është argëtim dhe mbanë në vete pos mesazhit edhe nganjëherë humor, ironi, sarkazmë, kritikë apo edhe një formë debati në mes të personazheve dhe kështu duhet kuptuar. Mua më vjen mirë dhe jam e lumtur që publiku i gjerë dhe adhuruesit e mi e kanë kuptuar drejtë sarkazmën, përmbajtjen dhe mesazhin e kënges ashtu si e ka paraqitur autori në këngë. Të tjerat nuk kanë rëndësi për mua. Dua t’i falenderojë nga zemra të gjithë dashamirët e këngëve të mia kudo që janë për mbështetjen e pakursyer që kanë shprehur gjatë gjithë karrierës sime deri më tani.
Ndër vite popullit shqiptar i keni dhuruar këngë perla, duke i frymëzuar edhe në kohët më të vështira, dua të ndalem te historia e këngës “Xhamadani vija vija”, e cila tanimë është shndërruar në një himn kombëtar?
Shkurte Fejza: Në vitin 1992, unë realizoj ëndërren time jetësore dhe vizitojë për herë të parë Shqipërinë. Gjatë tërë rrugës bisedonim me Hajrushin për realizimin e ëndrrës tonë për kete vizitë. Morëm rrugën për Shqipëri na percjellë ky Drini i zi, sepse ne shkuam nga Struga dhe u nisëm për me ardhë por si vala e Drinit të bardhë, ashtu si ishte deshira e jonë e që e kishim të ndaluar. Kështu e krijuam nje tregim për këtë udhëtim. E takojmë regjisoren Vera Grabocka dhe kërkon që të shkoj mysafirë në një emision të saj dhe Hajrushi i premton po do të vjen Shkurta me një këngë të re. Kështu vendosëm t’a bëjmë këngen nga ky tregim. Të nesërmen do të shkonim për Shkodër, se donim ta takonim kompozitorin Pjetër Gaci. Ja tregojmë idenë Pjetrit por nuk mund t’a realizimin sepse ai nga hallet e kishte shitur pianon për të realizuar vijen melodike qe do ta inçizonim si demo për ta realizuar pastaj ne ndonjë studio. Ai na drejtoj te një mik i tij kompozitor, te Zef Qoba, ai ka piano dhe punon nëeRadio Shkodra. Shkuam te Zefi dhe i tregojmë për këtë ide. Ishte pasdite vonë dhe nuk kishim shumë kohë. Për disa orë me Zefin e bëmë një melodi. Zefi na propozojë mikun e tij poet që do ta rregullonte tekstin në poezi sepse duhej rimuar dhe strofuar dhe bërë tamam për këngë dhe ashtu ishte sepse duhej një dorë profesionisti. Natën shkuam te Alfred Çapaliku. Ai e kompletojë edhe me vargje të reja dhe aty brenda asaj nate, u rrumbullakua edhe teksti edhe muzika. Në mëngjes, u nisem për Tiranë dhe me propozimin e Zefit, shkuam në Radio Tirana e takuam Shpetim Saraqin, te i cili e realizuam këngën “Xhamadani vija vija”. Është interesante se atë ditë ai ishte fejuar me këngëtaren Mira Konçi. Premiera e këngës u bë në emisionin e Vera Grabockes “12 javë në Holivood”. Pra kjo këngë ka një histori interesante dhe shumë domethënëse për mua. Është e shkruar si një këngë-rrëfim (biografi), për udhetimin e parë drejtë Shqipërisë por tani është shëndërruar në vijë melodike të çdo eventi kombëtarë dhe këtë fakt e përjetojë jashtëzakonisht mirë
Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje, për të cilën edhe sot ke nostalgji?
Shkurte Fejza: Koha e fëmijërisë, është përplotë ngjarje dhe momente që shpesh i kujtojë. Zakonisht kur bëhesha me shoqe të lagjës, më kërkonin të këndoja dhe gjithmonë kisha siklet dhe i ikja rastit. Por kur shkoja te dajtë edhe atje kisha të njejtat kërkesa. Dajtë e mi kanë qenë nga Karaçica një vend malor mbi malet e Berishës, por kishin zbritur në Magurë të Lipjanit. E kam pas gjyshen time një grua tipike shqiptare dhe këndonte shumë bukur, aq bukur sa nuk besojë se kam takuar një zë ashtu të paster dhe të kthjellët.Është mëkat që femrat shqiptare nuk kanë pasur mundësi të shfaqin talentin e tyre në ato kohëra dhe kjo ka ndikuar të shuhen talente për mungesë të kushteve për emancipimin e tyre. Kur më kërkonin të këndoja unë gjithmonë ju thoja pa këndue gjyshja as unë nuk këndojë. Kështu që ajo në fillim këndonte një këngë, pastaj unë një e kështu me radhë dëri natën vonë. Edhe tani më mungojnë ato mbrëmje magjike.
A ju ka ndodhur ndonjëherë, ta refuzosh ndonjë këngë, për arsye se nuk ju ka përshtatur karakterit tënd?
Shkurte Fejza: Unë gjatë tërë karrierës time, vetë jam kujdesur për përzgjedhjen e temave dhe gjithmonë kam kërkuar nga tekstshkruesit çka të shkruajnë. Kështu që gati gjithmonë jam bashkëpjesmarrëse e teksteve, pastaj i kompletojë derisa i plotëson kërkesat e mia. Ashtu ndodhë edhe te melodia dhe mund të them se krejtë në fund me orkestruesin në studio kënga e merr formën që e degjon publiku. Jam tip kërkuesi dhe kam shumë vetëkritikë si të them gati asnjëherë nuk kënaqem me ato që realizojë. Më kujtohet, përpara përgatitnim albume me nga dhjetë këngë dhe derisa e përfundoja me siguri merresha me nja 15 apo 20 këngë dhe nga ato i zgjedhja ato që më pelqenin. Ma tepër me dilte punë kur bëja bashkpunime, dmth duete apo në grup më ka ndodhur me refuzue për arësye se nuk më konvenonin këngët sidomos kur kisha kërkesa për këngë që i përshtateshin tregut por nuk më përshtateshin mua dhe kritereve të mia.
Si e gjithë bota edhe Kosova po përballet me luftën kundrejt koronavirusit (COVID-19), si i kalojë këta muaj zonja Shkurte, duke marrë për bazë se gjatë vitit 2020 mbrëmjet muzikore dhe dasmat u anuluan nga Qeveria?
Shkurte Fejza: Ky vit si thotë populli shkoftë e mos u ktheftë. Vit me shumë pasoja në aspektin ekonomik për të gjithë popullin por edhe për ne në veçanti. Unë lirisht mund të them ishe viti zero sepse u anuluan të gjitha aktivitetet dhe na ka dëmtuar shumë materialisht por prap me rëndësi është shëndeti. Pandemia na ka penguar në punë me publikun, por jo edhe në krijimtari sepse kam realizuar disa këngë. Në fillim kam qendruar në Prishtinë dhe pas një muaji kam shkuar në fshat në Mushtisht dhe atje kam qëndruar gjatë gjithë Verës deri në Vjeshtë. Tani jam prapë në Prishtinë sepse duhej realizuar këngët por edhe punët tjera dhe bashkimi me femijet. Urojë që të kalojë më në fund dhe t’i kthehemi normalitetit.
Shumë këngëtarë i kanë kënduar Komandantit legjendar Adem Jashari, por kënga “Mora Fjalë mbetet interpretimi më i realizuar në të gjitha komponentë, si ndiheni kur vlerësoheni me premisa të larta për këtë këngë?
Shkurte Fejza: “Mora fjalë”, është një kushtim për legjendarin Adem Jashari që ngjanë në këngët antike që u këndoheshin heronjëve me përmasa hyjnore. Është një thirrje që qëllimshëm s’i përfillë kufizimet e realitetit e as dimensionet kohore. Kjo këngë duke i kënduar pavdekësisë historike ka përfituar pavdekësinë artistike.
Unë jam shumë e lumtur, që ia kam arritur t’a ngrisë në këtë nivel por gjithmonë duke iu falenderuar autorit të tekstit dhe kompozitorit të kësaj kënge z.Naim Gjoshit dhe aranzhuesin dhe realizuesin në studio z. Xhevdet Gashi.
Cila është dita më e lumtur e jetës tënde?
Shkurte Fejza: Është e vështirë të ndashë një ditë të vetme, sepse jeta të jepë shumë kënaqësi p.sh rasti i të bërit nënë, sukseset në jetë, realizimi i këngëve, koncerteve të mëdha, liria e Kosovës të gjitha këto të japin kënaqësinë e vetë. Do t’a veçoja shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, është kulmi i një ngjarje që më ka sjellur jeta t’a përjetojë, kur dihet se sa gjenerata janë sakrifikuar për këtë ditë.
Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtar/e të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtar/e, i/e pëlqyer sot pa provokime?
Shkurte Fejza: E nevojshme kurrësesi, por ja që ndodhin këto gjëra që i bëjnë disa në mungesë të cilësisë dhe talentit që nuk e kanë. Kjo është edhe një krizë identiteti dhe mundohen të përfitojnë nga kriza morale që e ka pllakosur shoqerinë tonë.
Gjatë vitit 2020 u shuan fizikisht artistët që lanë gjurmë në muzikën shqipe si: Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja e Shahindere Bërjalolli, a është momenti i fundit që shteti t’i kushtojë vëmendje më shumë artistëve?
Shkurte Fejza: Ky vit për shumëçka i mbrapshtë por edhe në këtë aspekt i rëndë, sepse na i mori edhe shumë personalitete të mëdha që i dhanë shumë kulturës sonë. Nexhmije Pagarusha, Ismet Peja, Shahindere Bërlajolli, Isë Llapqeva por edhe Leze Qena e Adem Mikullovci. Poashtu edhe në Shqiperi janë shuar artistë të medhenjë që na krijuan një boshllëk në mozaikun e artit shqiptarë. Do t’i kujtojmë me shumë respekt dhe do të jetojnë veprat e tyre. Artisti krijuesi gjithmonë ka nevojë për mbështetje institucionale. Uroj që Kosova të stabilizohet dhe artistët ta ndjejnë dorën e shtetit.Shpresoj që të ndryshohet kjo gjendje e mjerë dhe të del dikush që mendon, vepron dhe e ka preokupim kulturën dhe artin.
Si ishte viti 2020 për zonjen Shkurte?
Shkurte Fejza: Falë Zotit, që veprojnë ligjet e Universit dhe kalendari ecë dhe shkojë ky vit i mbrapshtë me frikë dhe zymtësi, pa aktivitete dhe pa punë por në krijimtari kam punuar mjaftë dhe kam realizuar disa këngë që i kam publikuar dhe të tjerat që janë në proces.
A keni planifikuar ndonjë këngë të re, pse jo edhe ndonjë album gjatë 2021 – të’s?
Shkurte Fejza: Po i kam dy këngë thuaja të përfunduara dhe pres t’i xhiroj edhe si videoklipe vitin që po vjen. Besoj se do të pëlqehen se janë edhe tema interesante dhe me peshë, poashtu edhe disa të tjera që i kam filluar dhe shpresoj t’i realizojë. Çështja e albumeve është punë që nuk ka kuptim të bëhen sepse nuk ke kujt dhe si të ia ofrosh sepse ka ndryshuar forma e komunikimit me publikun.
Cilat janë tri gjërat që ëndërron t’i ralizosh deri në fund të jetës?
Shkurte Fejza: Hahaha (Qeshet), është një kufizim i vrazhdë për mua në tri gjëra sepse kam plane e plane për të realizuar dhe secila për natyrën e vetë është mjaftë e rëndësishme. Asnjëherë nuk e harrojë një mendim se “Njerëzit bëjnë plane e Zoti qesh se nuk varen krejt nga njeriu”. Por gjithmonë duke shpresuar se do të kemi kohë për të realizuar ëndrrat tona.
Natyra e punës sonë është punë në kontinuitet në hulumtimin e temave, gjetjet më të mira, bashkpunimi me profesionist të mirë dhe realizimi i këngëve dhe kjo punë zakonisht zgjatë shumë. Për shumë njerëz kjo duket e lehtë por për mua jo sepse nuk guxoj të eksperimentoj për shkak të karrierës sime dhe kritereve që i vë vetës.
Për fund, cila është motoja e Shkurte Fejzes, për vitin 2021?
Shkurte Fejza: Punë, punë natë e ditë që të shofim pakëz dritë. Shumë mirë e ka thënë Naimi i madh dhe mendoj se ende vlenë. Mendoj se secili në profesionin e vetë dhe duke shfrytëzuar talentin e vetë të jepë kontribut për të mirën e vendit dhe njerëzve të vetë. Uroj që në Vitin e ri 2021, të marrim mësim nga kjo moto dhe të mbizotërojë një unitet i domosdoshëm në mes të shqiptarëve që të mos vendnumrojmë edhe më tutje dhe të mos na përsëritet historia e gjërtanishme.
Intervistoi: Armend Preteni