Nga Qemal Zylo/
Në mjediset lluksoze të Graycliff i cili është një vend dasmash dhe eventesh të ndyshme i vendosur në Moonachie, New Jersey Shoqata Shqiptaro Amerikane, Organizata e Punonjësve të Policisë për gjithë Amerikën organizoi aktivitetin vjetor të radhës.
Elton Shametaj një nga themeluesit dhe kryetar i kësaj organizate së bashku me të gjithë stafin dhe anëtarët kishin marrë masat në mënyrë perfekte për ta organizuar këtë aktivitet të rëndësishëm.
Vlen të theksohet se kjo organizatë është kthyer në një institucion të rëndësishëm dhe ka shumë lidhje me shtetin amë. Ajo ka lidhje të forta me Shqipërinë dhe Kosovën dhe ka realizuar binjakëzimin mes Policisë Shqiptare, Emergjencës Civile dhe Ushtrisë në Shqipëri.
Kryesia dhe anëtarë të saj janë të edukuar në Amerikë dhe janë forcë aktive e Departamentit të Policisë së Amerikës. Kjo organizatë ka mbi 200 anëtarë oficerë policie të cilët janë të përkushtuar për zbatimin e ligjit dhe në gadishmëri të plotë për mbrojtjen e jetës së popullit nga kriminelët dhe njerëzit e papërgjegjshëm. Janë disa oficerë të policisë që kanë detyra të larta në departamentet ku ata punojnë dhe ushtrojnë detyrën e tyre.
Ata me përunjësi dhe dashurinë për rrënjët e tyre punojne fort per të mbajtur gjallë traditën, kulturën dhe historinë e lavdishme shqiptare.
Nderoi me pjesëmarrjen e tij dhe përshëndeti Imam Tahir Kukaj i cili është përfaqësuesi kryesor i detyrave Islame në policinë e Nju Jorkut ose siç njihet ndryshe NYPD Muslim Chaplin.
Në këtë aktivitet të rëndësishëm mori pjesë gjithashtu Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në NY, Ambasadori Blerim Reka.
Ajo që më bëri përshtypje në këtë aktivitet ishte dhurimi që bëri një anëtar i Organizatës të punonjësve të policisë i cili heshturazi dhuroi 10. 000 dollar për një familje të një Heroi të policise në Shqipëri rënë në krye të detyrës, emrin e të cilit nuk donte ta identifikonte.
Gjesti i tij prej fisniku të kujton që jemi pasardhës të shenjtores Nënë Tereza e cila na ka msëuar se: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.
Ndonëse nuk ka shumë vite, e themeluar në vitin 2019, ajo sot është bërë shumë e njohur në mbarë Diasporën, në Shqipëri dhe Kosovë për shkak të pjesëmarrjes së saj aktive në shumë ngjarje të komunitetit tone në Diasporë.
Bordi drejtues dhe gjithë veprimtarët e kësaj organizate shumë të njohur po punojnë ngushtë dhe profesionalisht për t’u degjuar dhe më shumë zëri shqiptar, në bashkëpunim me policinë amerikane.
Programi i kësaj Shoqate Shqiptaro-Amerikane të Zbatimit të Ligjit, ose shkurtimisht si AALEA, ka nje program shume të pasur dhe mjaft frymëzues.
Në këtë aktivitet pjesëmarrësit u argëtuan nga intepretimet e artistit të mirënjohur Edmond Nikolla nën tingujt e DJ Dritan Papa.
Aktiviteti do të transmetohet së shpejti në kanalin 27 në paketën digitale, TV ALB nga TV “Alba Life”, New York.
31 Janar, 2023
New Jersey, USA