Shkruan:Eugen SHEHU/
Si rrallëkund në historinë e kombeve të tjerë,tek ne,përbri emrave të luftëtarëve të shquar,jetojnë ende legjendat e trimëreshave po kaq trime e të paepura.Ato kanë qenë e mbeten në breza, bashkëudhëtare të eposit shqiptar.Ato e mëkuan këtë epos sa me qumshtin e gjirit,aq edhe me gjakun e derdhur.Qumështi dhe gjaku u ngjizën përjetësisht në shkëndijat trimërore duke ngritur gur pas guri,ate që mund ta quajmë ndryshe edhe vetëdije nacionale.
Emri i vërtetë e Shotës është Qerime ! Ajo ka ardhur në jetë prej prindërve Halim dhe Sala nga Radisheva e Drenicës,në nëntorin e vitit 1895.Pakkush e di por në lindjen e Shotës kanë shkrehur pushkë.Nuk është prish zakoni i vjetër i shqiptarëve,që qisnin pushkë vetëm kur lindin djem,ngase Qerimja e vogël ishte motra e gjashtë vëllezërve dhe në Radishevë duhej ta dinin për këtë lindje të gazmuar.Sidoqoftë,këto të shtëna armësh mbeten një simbolikë e përjetshme midis Qerimes dhe vetëdijes së vet nacionale.Ato krisma dukej se paralajmëronin që kjo bijë e Radishevës,jo vetëm do të fisnikëronte gjashtë vëllezërit e saj,por tek e mbramja do të kthehej në një simbol të shpirtit kryengritës të popullit të vet.Qerimja e vogël nuk do të mund të shkollohej në Radishevën e Drenicës. I jati s’mund ta çonte diku larg ngase kanuni nuk lejonte me nxjerr vajzën prej shtëpie, veç ate ditë kur do të hingëllonin kujat e krushqisë tek dera.Por bija e Radishevës u rrit duke pirë në gurën e pashtershme të urtësisë dhe trimërisë popullore.Mes kujtimeve bubulluese të luftërave të Drenicës,Qerimja e vogël u rrit sa me trimërinë e të parëve të vet,aq edhe me urretjen për armikun shekullor serbin.Veçmas i jati Halili e donte shumë vajzën e vogël.E merrte në krahë,e nxirte në luginat e bukura të Radishevës,i bënte vend në odën e zjarrit.Qerimja ishte e shëndetshme,e bardhë si bora e malit,e qeshur,ndaj dhe i jati,me përkdhelje quajti Shote.Dhe ç’prej asaj kohe e deri në ditën kur u shua ajo dritë e bukur e syve,ate e thirrën vetëm Shote.Kështu e thirri Azemi,kështu e thirri Hasan Prishtina,Bajram Curri,Sadik Rama,Sadik Bardhi i Rugovës,Ram Rexha e qindra trima e bashkëluftëtarë të saj.Kështu e thirrën vëllezërit e saj e të Azemit.Kështu e thirrën gurrat e pashtershme të bjeshkëve dhe zogjtë e maleve.Ajo mbeti në kujtesë të një kombi si Shote e maleve.
Janë të njohura tashmë,kryengritjet në Kosovë të viteve 1908-1909.Në rrafsh të vetëdijes nacionale,këto kryengritje masive me armë në dorë,shërbyen si piketa të para,prej nga orientohej kryengritja e përgjithshme shqiptare,për të flakur tutje errësirën e padijen,për t’u bashkuar në rrugën e ardhmërisë si krejt popujt e tjerë evropian.Ka qenë pikërisht vera e vitit 1909 kur në fshatin Radishëvë erdhën hordhi të armatosura të Xhavit Pashës në ndjekje të Isa Boletinit.Ngase luftëtarët e Radishevës,Shushicës dhe Strellcës u vunë pushkën ushtarëve Osman,edhe zemërimi i pashait famëkeq ishte pa fre.Ai u vuri zjarrin krejt shtëpive duke detyruar pleq,gra e fëmijë të mirrnin malet.Mes tyre ishte edhe Shota.Ajo betohej,duke parë kullat e Radishevës,tek digjeshin,se do të rrëmbente armët e do t’i mbante në jetën e saj.Ishte vetëm 14 vjeç.Me gërshteta të bukur,të zeza me sy që i shkëlqenin,dhe me betimin e mbajtur deri në çastn e mbramë.
Vitet që rrodhën më pas,ishin tejet të trishtueshme.Duke ngarendur drejt dritës së madhe,populli i Kosovës (si dhe krejt vilejeteve shqiptare) duhej të kapërcente malet e vuajtjeve.Kullat e djegura duheshin ringritur nga themeli,malet dhe fushat e vogla duheshin mbjellë,jeta duhej të rilindëte përmes dhimbjesh të mëdha.Shotja u ndihmonte prindërve e vëllezërve.Por tashmë,ajo u lutet atyre që ta mësojnë të qesë me pushkë.“Herët po don me msue me qitë ,oj motër !“ i thoshin vëllezërit. „Ani ma mirë njeriu me msue herët të hidhtat.Të amblat vijnë ma ndejna!“ u përgjigjej ajo vëllezërve.Por pushkën asesi,Shota nuk do ta ndate nga çiftelia.Zëri i saj i ëmbël bashkohej me tingujt e butë të çiftelisë dhe këngët e bukura duket se qetësonin sadopak shpirtërat e zhuritur të luftëtarëve të Drenicës.Në livadhet e Drenicës,në verën e vitit 1912,atëherë kur thirrjes së Hasan Prishtinës dhe Isa Boletinit,iu përgjegjën 2000 burra nga Drenica,u mblodhën edhe mjaft gra e vajza për t’i furnizuar me ushqime e për t’i përcjellë trimat.Aty Shota pat shkuar të përcjellë baban e katër vëllezërit,natyrisht duke iu lutur të ishte me ta.Por zakoni e desh që çikat të mos rreshtoheshin ende në krah trimave dhe Shota diçka u trishtua natyrisht.Ajo takon aty,në ate përcjellje,edhe trimin Azem Galica,e ndjen t’i,rrahe fort zemra në krahëror.Përcjellja ishte e dhimbshme.Trimat shkonin të rrethuar prej dashurive ngase ardhja e tyre nuk dihej.Serbët donin të mbysnin ende pa ardhur në jetë,foshnjën që quhej liri.Ata i tmerronte kjo lindje ndaj nisën drejt Drenicës,Gjakovës, Prizërenit, Tetovës e Strugës,e Kumanovës mijëra çetnikë serb.
Kuvendi historik i Vlorës,ky akt madhor i shqiptarëve,u realizua tek e mbramja prej trimërisë dhe grykave të armëve të mijëra kryengritësve në beteja të përgjithshme në trojet e pushtuara nga serbo-sllavët.Qindra prej këtyre luftëtarëve japin jetën e tyre të njomë,pa ditur se disa muaj më pas diplomacitë evropiane do t’ua „dhuronin“ këto vise Serbisë duke mos njohur jo vetëm të drejtat natyrore,por as gjakun e derdhur për lirin shqiptare.Lidhur me këtë shtypi i kohës do të shkruante ;
„Të drejtat diplomatike ! Gjdo me thnë kjo ? Për të vrafnit e të pafuqishmit përalla e gënjeshtra… vise tanësisht shqiptare u japin serbëve të cilët,si u kurdisën brenda zunë të përdorojnë mbi ate popull,masa barbarizmi,i vrasjeve,djegje,plaçkina,dhune e gjithë lloje poshtërsina që mund të mendohen“. ( Gazeta „Shqypnija e Re „ më tetor 1913 ).
Anipse përmes tymit e flakëve,përmes brengave e halleve,populli i Kosovës luftoi pa u epur.Mandej ai dëshmoi mbijetesën,dëshirën dhe besimin për një të ardhme akoma më të mirë.Këtë e dëshmuan edhe Shota me Azemin,këta trima të Drenicës,me martesën e tyre,në vjeshtën e vitit 1915.Ngase Azem Galica ndiqej prej serbëve,tok me vëllezërit e tij dasma ishte tepër e thjeshtë e jo sipas traditave të atyre anëve.Shota nuk hodhi duvak sipas zakonit por së bashku me vëllezërit e Azemit,u nis për në Galicë e rrethuar veç prej dashurisë së prindërve dhe vëllezërve të vet.Kjo darsëm pas disa ditësh u kthye në betejë e duke shtënë pa u friguar mbi serbët,duke çarë rrethimin tok me Azemin,duke u ngjitur lugjeve e majave të Drenicës,ç’prej atij momenti,Shote Galicës i thonë ndryshe,edhe nusja e maleve.Ajo hynte kështu në histori me trimërinë e saj.Kjo trimëri,u kalli datën kurdoherë çetnikëve serb,ashtu sikundër shkeli mbi një zakon shqiptar që nuk lejonte çikën të dilte në mal me burra.Shote Galica,në këtë kuptim,është kalorësja e parë fisnike e atyre qindra e mijëra grave shqiptare,që më pas luftuan trimërisht në krah të burrave e vëllezërve të tyre. Tashmë rreth Azem e Shotë Galicës,janë tubuar një grusht trimash të Drenicës.Ata kërkohen me ngulm prej pushtuesve serb,ndaj edhe kalojnë një jetë tejet të vështirë,në ilegalitet të plotë.Ngatëresat e Ballkanit në Luftën e parë Botërore,do të ishin të mëdha.Drenica do të ndahej midis dy zonave të influencës,të austrohungarezëve dhe bullgarëve.Në vetëdijen e Azemit dhe Shotës,ishte ngjizur mendimi se të dy këta pushtues kishin ardhur këtu për pjesët e tyre,ndaj duheshin luftuar pa më të voglin dallim.Ata kryejnë në vitet 1916-1917 një varg betejash e përleshjes të cilat sidoqoftë kishin përmasa të vogla,lokale,ngase ishin të pakët në numër dhe të armatosur keq.Ndër këto luftime,natyrisht,nuk mund të lihet në haresë ai në rrethinat e Mikushnicës.Një pritë (që ende sot mund të shërbejë si model i luftës popullore) u ideua nga Azemi në rrugën që të nxjerr nga Mikushnica.Me dhjetra forca të xhandarmërisë,u befasuan prej zjarrit të armëve Shqiptare.Falë terrenit,por edhe trimërisë,Shota dhe Azemi qëndruan në vijë të parë të pozicioneve duke sjellë panik të pa shoq në radhët e xhandarmëve.Lufta vazhdoi rreth katër orë dhe në tërheqjen e sipër,xhandarmët lanë 11 të vrarë e të plagosur ndërsa çeta e trimave,pasi mori armë e municione u ngjit sërish në mal.Luftëtarët drenicarë,ç’prej luftës së Mikushnikut, e kuptuan se Azemi dhe shota,do të ishin kurdoherë në ballë të tyre,në sakrifica e mundime.Lidhur me këtë betejë,por edhe të kapedanëve të tjerë shqiptarë,do të mbante pos të tjerave,një qëndrim tejet krenar,shtypi shqiptar i asaj kohe ; „Ata janë atdhetarë të ndershëm që e kanë shkuar jetën me ëndrrën e ëmbël që ta shofin atdheun e tyre të lirë“.(Gazeta „Dielli e Flamuri“ Boston-Mars-Tetor – 1916).
Marsi i vitit 1917,do të sillte të tjera ngjarje ku natyrshëm do të spikatnin guximi dhe trimëria e Shotës dhe Azemit.Të ndjekur këmba këmbës prej serbëve,Shotë dhe Azemi patën bujtur disa kohë, në pranverën e vitit 1917,në fshatin Obrij,në shtëpinë e një mikut të tyre.Forca të shumta të milicisë bullgare e rrethojnë shtëpinë duke zënë pozicione dominuese edhe në fshat.Pas kësaj,ata i bëjnë thirrje Azemit të dorëzohet por ky i përgjigjet si kurdoherë me flakën e pushkës.Dikur pas disa ore luftimesh,atëherë kur Azemi është i plagosur,lufton vetë sa në frengji të sajën,po aq edhe aty ku pat luftuar Azemi.Të ndihmuar edhe prej vëllaut të Shotës,Rexhepit,si edhe disa trimave të Obrijës,pas disa orë luftimesh milicia bullgare tërhiqet në turp e humbje. Dhe sërish në verën e vitit 1918,çeta e Shotës dhe Azemit,do të kryente disa aksione të guximshme.Duket se trazirave ballkanike po u vinte fundi dhe austrohungaria kish perenduar së bashku me ëndrrën e imperatorisë së madhe.Të informuar se në një granizon austriak,në rrugën Pejë – Mitrovicë,ndodheshin pasuri të mëdha në armatim,municione e ushqime,çeta e trimave të Drenicës organizoi një sulm të rrufeshëm ku veprimet më me rëndësi i mori mbi vete Shote Galica ngase Azemi ende ishte me plagë në trup.Hipur mbi një kalë të madh,të bardhë (rrëmbyer austrohungarezëve) Shota mundi të çaje rethimet e garnizonit armik duke krijuar pështjellime të mëdha në formacionet armike.E mbështetur edhe prej vëllezërve të saj,si edhe një grushti trimesh të Drenicës,ajo bëri që në goditjen e parë,të vriten disa ushtarë e oficerë ndërsa qindra të tjerë të marrin arratinë duke hedhur deri edhe pushkët e tyre.Dy ditë pas sulmit të këtij garnizoni,në rrugën Pejë – Mitrovicë,ishin me mijëra kokë bagëti,ushqime,armë e municione që iu zunë austrohungarezëve dhe iu dha falas popullit të atyre trevave.Tashmë,emri i Shotes,hipur në kalë,po arrinte në kufijtë e legjendës.Në verën e po këtij viti, çeta e Shote dhe Azem Galicës,kishte më tepër nga 400 luftëtarë trima dhe të armatosur.
Është i njohur tanimë rreziku me të cilin u përball Shqipëria,në mbarim të Luftës së Parë Botërore,në vjeshtën e vitit 1918.Ushtritë Italiane që ndodheshin në Vlorë,nisën të zënë pozicione të reja duke synuar tashmë jo vetëm Vlorën,Fierin dhe Himarën por deri edhe Durrësin,Korçën, Kolonjën e Pogradeci ishin nën protektoratin Francez dhe kurdoherë të kërcënuar prej synimeve shovene greke.Ndërsa trupat serbe pasi patën shkelur kufijtë e vendosur në Londër më 1913,marrëshonin drejt Tiranës.Shtypi shoven serb në atë kohë,nuk reshtete së propaganduari se ushtritë serbe,po marshonin drejt Tiranës për të luftuar kundër austrohungarezëve,por kjo demagogji kursesi nuk mund të vinte në gjumë shqiptarët.Ata e dinin se pas kësaj „lufte vëllazërore“ do të vinte pushtimi i plotë i trojeve shqiptare,ndaj ngritën armët në mbrojtje të tërësisë toksore,duke dëshmuar se janë jo vetëm trima por edhe syçelë ndaj rrezikut sllav,kësisoj çeta e Shote dhe e Azem Galicës,në vitet 1918-1920,do të kryente një varg aksionesh në krejt Drenicën duke vënë kësisoj në mendime jo vetëm Beogradin por krejt kancelaritë diplomatike të Evropës.Ky varg betejash,do të ndirisnin kurdoherë nën një shkëlqim të paçmuar,në krejt kostelacionin e përpjekjeve shqiptare për t’u çliruar prej zgjedhes serbe.E vërteta është se qeveria serbe e asaj kohe,mori masa të mëdha shtrenguese ndaj fshatrave të kosovës.Një ligj i detyrueshëm,merrte nën armë fëmijë të moshës mbi 16 vjeç dhe këta rekrute degdiseshin në veriun e serbisë për mos t’u kthyer askurrë në vatrat atërore.Njëkohësisht propaganda çetnike e atyre viteve,nuk rreshti së predikuari paqë,nën kishën serbe,duke dashur të shuaje në vetëdijen tonë kombëtare shkëndijat e lirisë.Këtë fakt e pat vënë re,pos të tjerave Komiteti Kombëtar i Kosovës i cili porosiste të mbahej i ndezur prushi i shqiptarizmës ngase „administrata serbe po bën përpjekje për të mashtruar shqiptarët e Kosovës“(Arkivi Qendror i shtetit, fondi Mbrojtja Kombëtare e Kosovës,dosja 13, dokumenti 345).
Në fillim të viteve 20 , çeta e Shote dhe e Azem Galicës,bashkërendojnë veprimet luftarake edhe me çetat e tjera që komnadoheshin prej trimave Abaz Kurrumeli,Met Delia,Ajet Dervina,Adem Myftari etj.Trevat shqiptarë të Kopiliqit,Rakinicës,Bukoshit,Likoshanit e Drenicës, gjëmonin herëpashere prej pushkëve të trimave duke kënduar këngë trimërie në ruajtje të kufijve etnike shqiptare.Me vlerë është të kujtohet se këtë çeta trimash askurrë nuk rendën në luftime për të marrë gjaqe apo të etur për të zbatuar zakone të verbëra.Ata kapërcyen mbi këto realitete tragjike shqiptare dhe u përpoqën të jepnin shembullin e pastërt të flijimit në emër të lirisë.Në krejt këto beteja të zhvilluara,këto çeta u udhëhoqën prej programit të shpallur të Komitetit të Kosovës i cili përndryshe mund të emërohet si kodi zakonor e shpirtëror i krejt trimave të Kosovës.Në një prej neneve të kësaj rregulloreje mabrëkombëtare,pikërisht në ate me numër 8 thuhej tekstualisht ; „çeta ose komita shqiptare,tue mos e humb kohën nëpër qytete ose katunde,duhet të ndjeke animukn këmba-këmbës“. (Arkivi Qendror i shtetit,Fondi Komiteti Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës,dosja 52,fleta 7 ).
Parë në këtë rrafsh,çeta trime e Shote dhe Azem Galicës,do të shërbente për komitetin e Kosovës,si ai ylli i ndritshëm i cili u tregonte dikur udhën karvaneve të muharxhirëve.Shote Galica,anipse me burrin e palgosur disa herë,nuk trembej të ndërmerte veprime veshur si djalë,me ate zërin-furtunë ; O prite Azem Galicën ! ajo do të triumfonte në sa e sa beteja duke ftuar edhe bashkëluftëtarët e vet për heroizma. Tashmë çmimet për kokat e Shotës dhe të Azemit,janë të mëdha.Beogradi kërkon vdekjen e tyre me çdo kusht ngase shkëndijat e zemrave të tyre po ndiznin zjarre të mëdhenj,anë më anë të Kosovës.Një muzg të datës 9 gusht,Azem Galica mëson se drejt fhsatit të tij,do të niseshin formacione luftarake serbe-çetnike për të djegur fshatin dhe masakruar banorët e tij.Burrit të maleve iu dhimbsen krejt shtëpitë e fshatit,ato që e patën mbajt si birin e tyre.Ju dhimbs edhe nëna e vetë e vetmuar, e cila rriste në varfëri jetimët,djemt e vajzat e dy vëllezërve të vet,të vrarë nga pushtuesit serb.Ai bisedon me bashkëluftëtaren e vet,trimëreshën Shote dhe kjo sakaq niset e hipur në kalë,si në baladat e lashta shqiptare,çika trimëreshë udhëton përmes shtigjeve të rrezikshme,pa u ndalur, e vetme pas 48 ore mbërin në Galicë.Pothuaj se në ag,troket në derë dhe nuk shmallet dot me vjerrën,trimen tjetër të Galicës.Por ende pa zbardhur drita,kur qepallat e bukur të Shotes sapo i kish mbyllur gjumi,u dëgjuan thirrje tek porta.Ishin çetnikët-serb.Vinin të armatosur deri në dhëmbë,të ndërsyer si një lukuni ujqish të cilët duan vetëm gjak.Po nënë e bijë kanë thënë fjalën një herë dhe asaj fjale do t’i vënë deri në çastin e mbramë të tyre.Pushka e Shotës ka shtënë e para.Nëna e Azemit ka vrapuar,me pushkë në dorë e disa breza fishekësh duke zënë një dritare tjetër nga ana e pasme e shtëpisë.Ajo e ka kuptuar se duhet bërë disa çaste një mbrojtje e fuqishme me zjarr, ngase më pas po aty mund të ndërhyjnë në luftime burrat e Galicës.Beteja fillon e ashpër dhe Shote Galica qetësohet shkon nga njëra frengji e kullës tek tjetra,duke shënuar mbi çetnikët serb.Hera herës,nëna e Azemit e këshillon nusen të bëje kujdes se çikë e re dhe jetën e ka përpara.Shota i përgjigjet :
„Mos bre nanë,çka je kah flet ?
Kush s’ka rrnue,treqind vjet.
Fort po ban Shota gajret
Sa herë qet,ka nji po vret „.
Është dashur vetëm një orë beteje dhe pas kësaj,kullat e Galicës kanë nisur zjarrin të gjithë.Brenda tyre,valonte jo vetëm hakmarrja për shkijet por edhe dashuria e madhe që krejt fshati ruante për Shotën,nusen e maleve,dhe trimëreshën nënë Sherifen.Tashmë batalioni i xhandarmërisë serbe,i ndodhur midis dhjetra zjarreve, e ka të vështirë të vazhdojë betejën.Me shpejtësi ai i organizon tërheqjen e të vrarëve dhe të plagosurve dhe merr udhët teposhtë Galicës,i trembur se mos në ndihmë të fshatit vjen vetë Azemi.Kur armët kanë heshtur gratë e burrat e Galicës,mësyjnë me respekt drejt kullës së Azem Galicës.Ata takohen me nusen e fshatit të tyre Shoten,i gëzohen trimërisë së saj, e pyesin për Azemin dhe i afrojnë bujarisht disa bijë të tyre që t’i marre me vete në luftë.Dy tri ditë më pas,ngjarja do të merrte dhenë dhe emri i Shote Galicës do të artikulohej deri në ministrinë e luftës së beogradit shoven. Ndërsa shtypi shqiptar do të shkruante ;
„Gati çdo ditë po bahen të ndjeshme e të përgjakshme,ndeshjet midis serbëve e shqiptarëve.Në Drenicë një batalion serb,e pat rrethue me të pabesë shpinë, e Azem Galicës.Ky i mrami nuk u gjet aty.Por nana e Azemit hapi luftën… Gruaja e Azemit i çau serbet me pushkë në dorë e shpëtoi nderen e shtëpisë“.( Gazeta „Populli“ 14 gusht 1920 ).
Është gjithashtu i njohur prej historiografisë sonë,fakti që në qershorin e vitit 1920,në Kukës u organizua një sulm i përgjithshëm ndaj formacioneve luftarake serbe në këtë trevë.Ky sulm,u ideua dhe udhëhoq prej Hasan Prishtinës,Bajram Currit,Shote dhe Azem Galicës,si edhe Sadik Ramës.Anipse Hasan Prishtina u tregua i vëmendshëm që në drejtimin kryesor të vinte forcat e tija, Shota e maleve propozoi të godiste ajo e para,duke u kthyer kësisoj në protagoniste të kësaj beteje.Duke luftuar në udhëheqje të dhjetra luftëtarëve,Shote Galica grishte këta për heroizma të mëdha.Disa ditë luftimesh të ashpra,të ndihmuara edhe prej çetave vullnetare të Hasit e Krumës, bënë që kufijt veriorë të shtetit amë të ishin të lirë.Ky shpirt i madh i Shote Galicës,ajo trimëri e saj,këkonin me ngulm që të shkatëroheshin themelet e atij muri të madh që donte të ndante shqiptarët,vëllezër të një gjaku në shekuj.Duke parë se pusitë dhe dredhitë,nuk po e frigonin aspak çetën e luftëtarëve të Shote dhe Azem galicës,shtabi ushtarak i Beogradit,mendoi të ndërrmerte bisedime me këta luftëtarë,duke u përpjekur të mësojë sadopak jo vetëm mbi qëllimet por edhe organizimin e burimet e kësaj rezistence me përmasa epokale.Kështu,me ndërmjetsimin e një shqiptari,u realizua një takim në ledinat e Pollacit në gushtin e vitit 1923,midis këtyre luftëtarëve dhe Mihaillo Ceroviqit,dikur prefekt i Mitrovicës.Shote Galica për të krijuar idenë se nuk ishte gruaja e vetme që luftonte në malet e kosovës,zgjodhi edhe disa gra e vajza nga Drenica,i veshi ato me tirqe,i armatosi dhe i solli aty në kuvend të burrave.Biseda në fakt nisi e ashpër dhe mjerani ceroviq,duke parë se Azem galica nuk lëkundej aspak prej ideve,u mundua të ofroje disa dhurata të beogradit.Kjo e keqësoj më tej bisedën dhe për më tej ai iu drejtua Shotës ;“ç’asht nevoja që edhe gratë me ba një jetë të egërsume si kjo ?Shota iu përgjigj ; „nuk ashtë egërsia jonë por e juaja,që nuk na leni me jetue të qeta si nana fëmijësh,por silleni si ushtarë malesh për me krye detyrën ndaj atdheut… Krali asht gjakësi e ndrydhësi ma dinak,prandaj na nuk i kemi besue e nuk i besojmë kurrë.Le të tërbohet sa të doje,si krali edhe Pashiçi i Serbisë.Këtu jena.Nuk ikim.Burra e gra kena me luftue,rropatemi por s’dorzohemi.Dhe ka me ardh dita,që mbi gjakun tonë të derdhun,ka me mbi liria“.(A.Haxhiu , „Shote dhe Azem Galica“ faqe 205).
Sigurisht,ajo çka do të trishtonte së tepërmi,zemrën e Shote Galicës,do të ishin ngjarjet e verës së vitit 1924,çetat e luftëtarëve në kosovë,kësaj vere numëronin në rradhët e tyre me mijëra vetë.Ndërkaq patën nisur bashkërendimet midis këtyre çetave,me formacionet e rregullta të ushtrisë kombëtare shqiptare.Atdhetari prej Prishtine Ali Riza Kosova,në krye të formacioneve kufitare të shtetit amë,pat parashikuar jo vetëm lëvdata për trimat Azem e Shote Galica,por sidomos bashkëpunimi konkret antiserb.Ky bashkëpunim nuk mund të kish tjetër strategji,pos përfitimit të kufijve etnike të shqipërisë,që qenë coptuar padrejtësisht në Londrën e vitit 1913.Këtij bashkëpunimi tejet të sinqertë,do t’u kundërviheshin me planet dhe veprimet e tyre,qeveria dhe shtabi ushtarak i beogradit të cilët sigurisht parandjenin rrezikimin e kufijve të përfituar me dhunë.Është kjo arsyeja që në qershorin e vitit 1924,në drejtim të Drenicës,nisen mijëra ushtarë serbo-sllavomaqedonas të Armatës së tretë të Shkupit,të drejtuar nga kriminelei Bozhidar Terziq.Të përforcuar me reparte artilerie,synimi i trupave të kësaj armate ishte tek e fundit,jo vetëm goditja e rezistencës por sidomos bombardimi dhe kallja në zjarr e krejt fshatrave të kësaj treve e cila ishte kthyer në simbol të heroizmit mabrë kombëtar shqiptar.Arbania e Vogël,përndryshe zona e lirë e Kosovës,u mësy në mëngjezin e 12 korrikut të vitit 1924 nga mijëra ushtarë.Ndërsa pozicionet e trimave i duken,artileria nisi të godiste aq fort sa ato shkrepa kurrë s’patën gjëmuar,në kujtesën e viteve.Mbi trimijë gryka zjari,donin të vinin në grykën e Drenicës,litarin e rrobërisë.Dhe përgjigjja erdhi si rrufeja :O prite Azem Galicën ! Kish qenë Shota,nusja e maleve,ajo vetëtima e parë,kushtrimi i parë i asaj beteje që zgjati plot tri ditë e tri netë.Më pas ç’ka ndodhi,veç kujtesa e gurëve të Arbanës së Vogël,mund të dëftejnë.Një plumb e plagos rëndë Azemin.I është dëmtuar shtylla kurizore dhe gjaku s’ka të pushuar.Shokët e marrin në krah.Vështirë të çahet rrethimi.Shota ndjek me vëmendje çdo lëvizje të burrit të saj dhe mendon të tërheqe vëmendjen duke dalë prej kulle ku luftonte.Dhjetra batare plumbash e ndjekin por si në legjenda ajo çan rrethimin.Trimi është shtrirë në vig,për mos t’u çuar dot më.Në shpëtim të jetës së tij,janë tani jo vetëm bashkëluftëtarët e Galicës por edhe trima të tjerë si Shaban Polluzha „Mbahu he burrneshe,i pat thënë Shaban Polluzha,kujdes Azemin,paj Drenicën e ruajm na „.
Tri ditë e tri netë,vigu me trupin e Azem Galicës,kapërceu pyet e livadhet e Galicës, Verbovcit,Rrezallës e Gjurgjevikut.Të katërtën,në shkëmbijtë e Përçevës,u mbyllën sytë e trimit.Shotë Galica jetoi deri në çastin e mbramë me trimin e saj.Anipse e dinte fatin e burrit,zëri i saj askurrë nuk u ligështua.U betua mbi trupin e tij,mbi sytë e mbyllur të trimit,duke iu thënë bashkëluftëtarëve „Kosova jonë asht e papërkulun.Ajo i ka rrënjët në zemrën dhe në trupin e heronjëve“.Thirrja :O prite Azem galicën , do të jehonte tashmë ç’prej Krume e deri në Drenicë.Së bashku me Met Delinë,Sadri Vitakun, Miftar Llaushën e dhjetra trima të tjerë,nusja e maleve do të ndërrmerte aksione mjaftë të guximshme të ideuara dhe drejtuara personalisht prej saj.Aq të befta e trimërore ishin këta sulme,saqë për mjaft kohë,shtabi ushtarak serb nuk ishte në gjendje të përcaktonte nëse Azemi ishte gjallë apo vdekur.Tashmë legjenda përsëritej në dimensionin e saj kulmor.Kësisoj për të ardhur deri në vjeshtën e vitit 1926.Ndjekjet e qeverisë serbe vazhdonin pothuaj çmendurisht.Ato kulla që spiunoheshin se patën ruajtur Shote Galicën,digjeshin me krejt ç’kishin brenda pa u paralajmëruar.Betejat e shumta,patën rralluar mjaft trima e bashkëluftëtarë të Shotës,ashtu siç rrallon mëngjezi yjet në qiell.
Një muzg vjeshte,ndërsa ishte duke ndejtur në një kullë,në rrethinat e Gjakovës,disa trima të Kosovës martire bisedojnë me motrën e tyre.Ajo është e lodhur,ajo është e sakatuar shpirtërisht e për më tej ndiqet nga çetnikët serb.E këshillojnë të marrë me vete disa fëmijë jetima të Kosovës, e të shkoje në shtetin amë në Shqipëri.Atëhrë vetëm atëherë,burrat e Drenicës kanë parë lot trishtimi në sytë e saj.E pat kuptuar se po ndahej përgjithmonë nga zhurma e luftërave për liri,nga zjarri i betejave të ashpra që i dhanë ate emër të madh,Qerimes së vogël,të dikurshme.Ashtu e përlotur,udhë pa udhë,me bukë e pa bukë,duke u kujdesur për jetimat e mjerë shkon në Shqipëri e vendoset në një fshat të Krujës.E vobekët,pa ndihma,për të ushqyer jetimat,dikur shet kalin e madh e të bukur,të vetmin që e lidhte me kujtesën e ndritshme të luftërave që pat bërë,ajo zonjë krenare, ajo prijëse dikur e dhjetra trimave të Kosovës,tani dergjet në mjerim.Jo rrallë,bijve të denjë të shqipes,fati u paracaktoi një fund të tillë.
Më 7 korrik të vitit 1927,Shote Galica mbyllte sytë.Brenda drites së tyre,mbyllej përgjithmonë imazhi i Drenicës së lirë,pa serb, e bullgarë,pa malazez e austrohungarezë.Dhe kjo i sillte lumturi. Duke e përcjellë për në varrin e thjeshtë,mijëra shqiptarë pyesnin veten të çuditur : Si mund ta nxjer një varr,këtë klithmë lirie,këte Nuse të Maleve ?Përjetësisht, pranë atij varri të thjeshtë,përkulen me respekt gjeneratat e reja shqiptare,dhe ato çika që rrokën armët dje në fundshekull për ti prurë lirinë kosovës në Mileniumin e rij.Shota e Drenicës ishte mesazhere e këmbimit të duvakut për pushkë.
Bern-Zvicër