Nga Astrit Lulushi/
Mendja (intelekti), është jomateriale. Ajo është e aftë të ekzistojë pa trup, si rrjedhim, është e pavdekshme. Ky argument i shtruar nga Aristoteli rreth 350 vjet pes, ka qenë burim debatesh mes dijetarëve ndër shekuj. Një argument për ekzistencën jomateriale të mendjes shkon kështu: nëse mendja do të ishte materie, atëherë do të duhej të kishte një organ korrespondues të mendimit. Dhe meqenëse të gjitha shqisat kanë organet e tyre përkatëse në trup, atëherë mendimi do të konsiderohej si ndjenjë. Por ndjesia nuk mund të jetë kurrë e rreme, prandaj mendimi nuk mund të jetë kurrë i rremë. Dhe kjo sigurisht është e pavërtetë. Prandaj, mendja është jomateriale.
Ndoshta argumenti më i rëndësishëm është demonstrimi i Aristotelit për pavdekësinë e kësaj pjese të shpirtit a psikikës njerëzore. Ai argumenton se meqenëse mendja vepron pa organ, ajo ekziston pa trup. Dhe nëse ekziston pavarësisht nga materia, ajo nuk mund të korruptohet. Sa herë njeriu mendon se ka bërë gabim, por nuk e pranon?
Aristoteli pohon se shpirti është forma ose thelbi i çdo gjallese, dhe se nocioni i një trupi pa shpirt, ose një shpirti në trup të gabuar, është thjesht i pakuptueshëm. Duket se me termin “shpirt” Aristoteli ka dashur të thotë “fuqi jetësore”. Duke e ndarë substancën në tre kuptimet e saj (materie, formë dhe atë që përbëhet nga të dyja), Aristoteli thotë se shpirti duhet të jetë pjesa e kryesore e trupit, dhe se nuk mund të jetë materie, por prej tij materia merr jetë.