TIRANË, 7 Tetor/nga Arbi Fortuzi/-. Policia e Shtetit është e gjitha në gadishmëri të plotë për të ruajtur rendin dhe sigurinë gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, kur dhe do të luhet sfida mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Në një konferencë për mediat, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri bëri të ditur masat e marra pë ndeshjen duke theksuar se “pikat kufitare janë në gatishmëri të plotë për të ndaluar hyrjen e personave të cilët rezultojnë me precedent”.
Tahiri tha se “bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit me partnerë rajonal e Europian ka qenë në nivel maksimal, për të përpiluar një listë të plotë emrash me personat problematik që nuk do të lejohen të hyjnë në vend gjatë kësaj kohe”. Ai shtoi gjithashtu se edhe për persona të tjerë problematikë që ndodhen në Shqipëri, do të ndalohet prezenca e tyre fizikisht në dhe pranë stadiumit në Elbasan.
Tahiri apeloi që ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë duhet të jetë një festë për të gjithë e cila duhet të nxjerrë në pah qytetarinë që karakterizon vendin tonë.
“Ndeshja nesër duhet të jetë një provë e madhe për të gjithë ne, e jo vetëm për kuqezinjtë që do zbresin në fushë”, tha Tahiri, në fillim të deklaratës për shtyp.
Sipas tij, Policia e Shtetit dhe të gjitha institucionet janë të angazhuara që ndeshja e nesërme, të përjetohet si një festë për qytetarin dhe mbi të gjithë për kombëtaren tonë.
“Në këtë kuadër pikat kufitare kanë marrë masa për monitorimin e të gjithë shtetasve. Është shkëmbyer informacion me partnerë rajonal dhe Europian. Ashtu siç është shkëmbyer informacion me UEFA-n dhe FIFA-n për hartimin e listës me emra të personave problematik. Kjo listë është në dispozicion të policisë kufitare, për mos lejimin e hyrjes në vendin tonë dhe në rast se kanë hyrë më parë dhe janë në vend, për t’i mbatjur sa më larg stadiumit”, garantoi Tahiri.
Ministri i Brendshëm, bëri të ditur se “strukturat e anti-krimit dhe forcat RENEA janë të angazhuara në të gjithë vendin dhe veçanërisht në qytetet e Tiranës dhe Elbasan, për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë. Agjent civil do të jenë në ambientet ku do të ketë grupime tifozësh”.
Nga krahu tjetër, vijoi Tahiri, policia është tërësisht e angazhuar për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike në të gjithë vendin, por veçanërisht në të githa akset që të çojnë në “Elbasan Arena”.
“RENEA është e angazhuar që prej ditës së sotme në monitorimin e situatës në dy qytetet në fjalë, por jo vetëm, pasi “syri” i tyre do të vëzhgojë situatën në të gjithë vendin”, vijoi Ministri i Brendshëm, duke garantuar se këto struktura do të jenë në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme.
“Policia e Shtetit ka marrë masa maksimale. Garantimi i ndeshjes nesër do të mbulohet nga 2 300 forca policie të angazhuara në Tiranë e Elbasan dhe në gatishmëri të gjitha mjetet dhe infrastruktura që disponon Policia e Shtetit”, shtoi ai.
Sfida më e madhe, nënvizoi Tahiri, është angazhimi i të gjithë ne, të gjithë bashkë, për të treguar mikëpritje të denjë. Ndeshja e nesërme është thjesht një ndeshje futbolli, por ndeshja më e rëndësishme është ajo jashtë fushe, ku të gjithë qytetarët së bashku, duhet të nxjerrim në pah vlerat e vendit tonë, mikëpritjen dhe kulturën që na karakterizon, ku përmes së cilës kemi shkruar historinë tonë”, përfundoi Ministri Tahiri deklaratën e tij për mediat./