Shkruan: Astrit Lulushi/
Dalja nga një regjim, në vitet ‘90, ku çdo gjë kishte marrë ngjyrën e një partie të vetme, pamja përpara për shqiptarët shfaqej si ëndërr, tokë e ndaluar. Shpresat e tyre ishin për një demokraci plotësisht jo partiake, demokraci laike, që zhvendoste nga froni fenë komuniste.
Por regjimi u tregua tinzar. Pushteti i tyre nuk dorëzohej, por kalonte në duar më të sigurta. Para se të “rrëzohej” regjimi u mblodh dhe caktoi profetët e tij, i përhapi në mbarë vendin, që turma e verbër do t’u besonte. Ishin këta “baballarë” të cilë caktuan agjentët e tyre politikë, dhe bënë që gjendja të dukej shumë-partish, si e parë me kaledeoskop.
Profetët ofruan edhe një llogari të re të asaj se si Shqipëria do të bëhej. Karakteristika më e çuditëshme e historisë së shkruar shqiptare është sekularizmi i saj i plotë. Në të kaluarën, shumica e ngjarjeve që kanë nxitur kombet në projekte të vetë-përmirësimit kanë qenë histori për detyrimet e njerëzve ndaj një ose më shumë perëndive. Për pjesën më të madhe të historisë, kombet kanë pyetur veten se si paraqiten në sytë e Zotit.
Shqiptarët zakonisht kishin pasur një besim të veçantë, komunizmin. Kur kjo “fe” u përmbys ata përqafuan “shqiptarizmin” dhe vazhdojnë të mendojnë për veten e tyre si të jashtëzakonshëm a ndryshe nga çdo komb. Në portale e TV, kronikat e lajmeve i paraqesin ata herë të zemëruar, herë të vëllazëruar, plot mirësi, dashuri, durim, por kurrë të gjunjëzuar e mëkatarë. Njeriu krenar nuk e bën këtë për vete dhe as për kombin, por sepse ndjehet i braktisur, sepse nëse nuk kujdesesh për secilin nuk kujdesesh për asgjë.
Idealistë të vërtetë shqiptarë ishin ata atdhetarë që jetuan në shek 18-19, kur vetë Shqipëria s’ishte gjë tjetër veçsa një ide. Ata mendonin për një qëndrim tradicional midis fesë (për të pasur frikë nga diçka më e madhe se vetvetja), dhe nevojës për siguri (për të ruajtur kohën e për të hedhur poshtë rastësinë). Ata donin të krijonin shpresën për një Shqipëri pa elita, pa klasa, ku të evokuohej a ringjallej historia e kohës së shkuar – që kjo Shqipëri utopike të respektonte Zotin si objekt të pakushtëzuar të dëshirës dhe drejtësia shoqërore të ishte parimi i gjallë i vendit, shpirti i kombit. Fakti që ide të tilla atëherë nuk fituan ishte se ato lindën nga atdhetarë jashtë, ndërsa koncepti për një Shqipëri të pavarur nuk gjente dot tokë pjellore ku të hidhej.