Nga Herman Bernstein/ The New York Times/
28 Janar 1934: Me çeshtjet e saja në krizë, ajo vështron me shumë vëmendje lëvizjet e ndryshme të bëra prej blloqeve të udhëhequr prej Francës dhe Italisë.
Shqipëria gjykohet si një nga zonat më të rrezikshme në Europë. Një luftë e re mund të fillojë atje në qoftë se interesat politike dhe ushtarake të vendeve të tjera në Shqipëri vazhdojnë të përplasen njëri me tjetrin. Për shkak të pozitës gjeografike, ky vend i vogël mban çelësat e Adriatikut dhe ka qenë për shekuj shkaku i zënkës midis vendeve të ndryshme.
Nga pikëpamja strategjike, bregu i saj do të kishtë një vlerë të paçmueshme për Italinë në rast lufte. Italia është duke derdhur për disa vjet shuma të mëdha parash në Shqipëri me synim të ndihmojë organizimin e ushtrisë, të ndërtojë rrugë, ura dhe fortifikime. Në Ballkan besohet se përpjekja e Italisë për të forcuar ushtarakisht Shqipërinë është pjesë e programit imperialist të Musolinit për t’u futur thellë në Ballkan, për të ripushtuar rrugën e famshme romake Egnatia e cila shkon nga Shqipëria e Jugosllavia drejt Selanikut e Stambollit. Çdo lëvizje e Italisë në Shqipëri vëzhgohet me dyshim e ankth prej Francës, prej Ententes së Vogël [Çekosllovakia, Rumania, Jugosllavia] dhe veçanërisht prej Jugosllavisë. Gjatë viteve të fundit, ndihma financiare dhe drejtimi ushtarak dhënë Shqipërisë prej Italisë ka nxehur nervat në Ballkan dhe ka nxitur Jugosllavinë të bëjë përgatitje të ethshme ushtarake për të përballuar futjen Italiane që mendohet në Ballkan.
Një Peng i Fuqive. Shqipëria e vogël është bërë kështu një peng në lojën e dy blloqeve kundërshtarë në diplomacinë Europiane, njëri kryesohet nga Italia e tjetri nga Franca. Ajo ka përfituar deri diku nga këto interesa kundërshtare dhe ia ka dalë të fuqizojë bashkimin e saj kombëtar, së pari me ndihmën e Jugosllavisë dhe pastaj me ndihmën e Italisë. Çfardo mund të kenë qenë shtysat e fshehta të këtyre vendeve, Shqipëria ka ruajtur me zotësi dhe guxim pavarësinë e saj, megjithëse ajo ishte e detyruar të bënte sakrifica, lëshime dhe pranime të shumta në kthim të ndihmës materiale që ajo përftoi që nga mbarimi i luftës. Edhe sikur rrugët dhe urat e ndërtuara me ndihmën financiare italiane ishin synuar për skemat ushtarake italiane, ato tani shërbejnë për qëllime të dobishme ekonomike për Shqipërinë duke krijuar ndërlidhje midis pjesëve të ndryshme të këtij vendi malor të vogël.
E pushtuar gjatë Luftës I Botërore. Gjatë Luftës I Botërore, Shqipëria ishte skenë e shumë pushtimeve. Ushtritë greke, serbe, franceze, austriake dhe italiane luftuan njëra tjetrën në Shqipëri dhe kjo tokë e vogël u nda në disa copëza nën ndikim të huaj, kurse njerëzit iu nënshtruan mjerimit dhe kufizimeve të parrëfyeshme. Ahmet Zogu, mbreti i tanishëm, u mbajt në Vjenë gjatë periudhës së luftës. Pavarësia e Shqipërisë, e arritur më 1912, u ndërpre. Në Konferencën e Paqes në Paris, kërkesat e saja fillimisht u mohuan plotësisht. Delegatët shqiptarë të kryesuar nga Mehmet Konica, vëllai i ambasadorit të tanishëm shqiptar në SHBA [Faik Konicës], varën shpresën e tyre tek Presidenti Wilson dhe iu lutën delegacionit amerikan që SHBA, si një fuqi e pa interesuar, të merrte komandën për Shqipërinë. Jugosllavia, Greqia dhe Italia ishin në ethe për të siguruar “sferat e tyre të ndikimit”. Më 1919, një marrëveshje u arrit nga Clemenceau, Lloyd Geroge dhe Nitti [përkatësisht, kryeministri francez, britanik dhe italian], në mungesë të përfaqësuesit amerikan, e cila i jepte Italisë komandën mbi Shqipërinë dhe Jugosllavisë toka të Shqipërisë veriore. Shqiptarët e kundërshtuan këtë marrëveshje, e cila iu hiqte atyre pavarësinë dhe iu cungonte vendin.
Kundërshtimi i wilsonit. Presidenti Wilson e kundërshtoi me forcë këtë marrëveshje duke thënë se ajo ishte arritur në mungesë të përfaqsuesit amerikan dhe se ajo synonte “t’i ndante Shqiptarët, kundër dëshirës së tyre të zjarrtë, midis tre fuqive të huaja të ndryshme”. Pavarësia e Shqipërisë u shpëtua kur qevera amerikane bëri të ditur se “çeshtjet shqiptare nuk duhet të përfshihen në bisedimet midis Italisë e Jugosllavisë, dhe Presidenti duhet të ripohojë se ai nuk mund të pranojë plane që i japin Jugosllavisë toka të Shqipërisë veriore si dëmshpërblim për çka ajo kërkon diku tjetër”. Dhe se “Italia dhe Jugosllavia lihen bashkë t’i sheshojnë çeshtjet e tyre, nëse ato munden, nëpërmjet bisedimeve të veçanta dhe me kushtin që ata nuk duhet të arrijnë në marrëveshje duke përfituar prej Shqipërisë”. Shqipëria u pranua anëtare e Lidhjes së Kombeve me të drejta të plota në Dhjetor 1920, pas një kërkese këmbëngulëse në emër të pavarësisë shqiptare të bërë nga Lordi Robert Cecil [në Konferencën e Paqes më 1919, ai ishte përfaqësuesi britanik në bisedimet për krijimin e Lidhjes së Kombeve] përballë kundërshtimeve nga disa shtete ballkanike.
Nje vit më vonë, ambasadorët e Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Japonisë “duke pranuar se cënimi i këtyre kufinjve dhe i pavarësisë së Shqipërisë mund të përbëjë një rrezik për sigurinë strategjike të Italisë”, arritën një marrëveshje sipas të cilës “në çdo kohë, nëse Shqipëria e ka të pamundur të ruajë tërësinë territoriale të saj, ajo është e lirë t’i kërkojë Këshillit të Lidhjes së Kombeve ndihmë të jashtme”; dhe se “qeveritë e Perandorisë Britanike, Francës, Italisë dhe Japonisë marrin vendime në raste të tilla që t’i udhëzojnë përfaqësuesit e tyre në Këshillin e Lidhjes së Kombeve të këshillojnë që rivendosja e kufinjve territorialë të Shqipërisë t’i besohet Italisë”. Megjithëse tashmë një anëtare e Lidhjes së Kombeve, Shqipëria nuk u këshillua për këtë marrëveshje. Ajo e kundërshtoi atë duke bërë të ditur se nuk do ta njihte vlefshmërinë e saj. Deri në ditët e stome, Italia e quan Marrëveshjen e Ambasadorëve si një instrument lidhës ndërshtetëror, i cili i njeh asaj interesa të veçanta në Shqipëri, megjithëse kjo marrëveshje shihet me dyshime dhe frikë nga fqinjët e Shqipërisë në Ballkan. Pra, marrëveshja ka shërbyer që në fillim si një shkak fërkimesh dhe e ka bërë Shqipërinë një zonë të ndjeshme siç është sot.
Më 1920, italianët mbanin të pushtuar Valonën në Shqipërinë e Jugut. Udhëheqësit shqiptarë, të vendosur që ta çlirojnë vendin e tyre nga pushtimi i huaj, e detyruan ushtrinë italiane të tërhiqej. Pastaj, ata filluan të organizojnë shtetin dhe të vendosin rendin në vend. Ahmet Zogu ishte një nga udhëheqësit e rinj të dalluar dhe qeveria, në të cilën ai ishte Ministër i Brendshëm dhe më pas Kryeministër, u dallua prej emrit të tij. Më 1924, regjimi i Zogut u përmbys prej një kryengritje të udhëhequr nga peshkopi shqiptar Fan Noli. Ahmet Zogu me disa kolegë të tij u largua me nxitim në Beograd për strehë dhe ndihmë. Qeveria kryengritëse e Fan Nolit zgjati nga Qershori deri në Dhjetor 1924, kur Zogu, të cilin ajo e kishte dënuar me vdekje, u rikthye fitimtar në Tiranë në krye të një ushtrie të vogël që ai e kishte organizuar në Jugosllavi. Brenda një muaji nga kthimi i tij, Zogu u zgjodh President i Republikës Shqiptare për shtatë vjet. Qeveria e tij filloi të riorganizojë dhe të përmirësojë vendin, megjithëse shpërthimet e pakënaqësive vazhduan të ndodhnin herë pas here. Jugosllavët, duke e bërë mik Ahmet Zogun dhe duke e ndihmuar atë të rifitonte pushtetin, pritën që ai të merrte një drejtim të fortë që anonte nga Jugosllavia ose kundra Italisë. Duke e kuptuar rrezikun e madh për vendin e tij nëse ndiqte këtë politikë, Presidenti Zog u përpoq ta ngiste timonin në mes, të mbante anën e Shqipërisë.
Marrëveshja e Tiranës. Papritur, më 1926, një kryengritje serioze ndodhi në Shqipërinë veriore. Ahmet Zogu ishte i bindur se ajo ishte ndezur prej Jugosllavëve. Edhe Italia edhe Jugosllavia i patën parashtruar atij një marrëveshje miqësie dhe sigurimi. Ajo kryengritje e nxiti atë të merrte një vendim të shpejtë në anën italiane, dhe më 27 Nëndor 1926, ai nënshkroi një marrëveshje pesë-vjeçare miqësie e sigurimi midis Shqipërisë dhe Italisë. Ky dokument, i njohur si Marrëveshja e Tiranës, bënte të ditur se Italia dhe Shqipëria, “me qëllim që të forcojnë marrëdhëniet e tyre të dyanshme të miqësisë dhe sigurisë, pranojnë se çdo shqetësim i drejtuar kundër gjendjes së tanishme politike, ligjore dhe territoriale të Shqipërisë është në kundërshtim me interesat e tyre të ndërsjellta”. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Tiranës i hodhi fqinjët e Shqipërisë në gjendje dëshpërimi dhe kushtrimi. Një vit më vonë, menjëherë pas nënshkrimit të Traktatit Franko-Jugosllav, një traktat bashkëpunimi u arrit ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë për një periudhë 20 vjeçare. Një hua prej 50 milion frangash ari iu dha Shqipërisë prej Italisë nëpërmjet një grupi financiar të njohur me emrin SVEA. Banka Kombëtare e Shqipërisë u themela nën mbikqyrjen e këtij grupi. Një program i madh punimesh botore u fillua dhe u financua nga kjo hua. Organizues ekonomikë, inxhinierë, specialistë punimesh dhe stërvitës ushtarakë italianë erdhën në Shqipëri. Rrugë, ura dhe ndërtesa popullore u ndërtuan. Çdo lëvizje në Ballkan analizohet me mikroskop. Jugosllavët vëzhgonin përpjekjet e italianëve në Shqipëri me dyshim. Ato i gjykonin traktatet Italo-Shqiptare, huanë dhe futjen e organizuesve dhe stërvitësve italianë si pjesë të një skeme politike dhe ushtarake për të siguruar një bazë të fortë në Adriatik me synim futjen thellë në Ballkan. Beogradi e vlersoi një program të tillë si një sfidë të drejtpërdrejtë kundrejt Jugosllavisë. Situata ishte e rrezikshme.
Më 1 Shtator 1928, Presidenti Zog u quajt Mbreti i Shqiptarëve nga një Kuvend Kushtetues dhe republika u kthye në mbretëri. Gjenerali italian Alberto Pariani ndihmoi të organizonte dhe të stërviste ushtrinë shqiptare. Xhandarmëria u organizua dhe u drejtua nga gjenerali britanik Sir Jocelyn Percy. Gjykatat e drejtësisë u riorganizuan. Shkolla të reja u hapën. Një ritëm më i shpejtë hyri në këtë vend të vogël ku në të kaluarën “gjërat mund të kryheshin vetëm nëse kishe duhan të mjaftë dhe durim”. Kur periudha pesë vjeçare e Paktit të Miqësisë dhe Sigurimit mbaroi, Mbreti Zog nuk pranoi ta ripërtërinte atë, me gjithë shtytjen e njohur të ushtruar prej Musolinit. Mbreti Zog theksoi se traktati nuk ishtë më i nevojshëm dhe ai nuk kërkonte fuqi të huaja për ta mbrojtur atë. Ai gjithashtu vuri në dukje se trakti i tij i bashkëpunimit më Italinë, i cili do të mbeste në fuqi për vite të tjera, mbulonte gjithë pikat e bashkëpunimit miqësor midis dy vendeve.
Situatë financiare kritike. Në të njëjtën kohë, kushtet ekonomike dhe financiare të Shqipërisë kishin arritur një pikë kritike. Italia afroi të jepte ndihmë përsëri për Shqipërinë duke dhënë dhjetë hua vjetore prej 10 milion frangash ari sejcila. Fqinjëve të Shqipërisë iu shtua kushtrimi duke besuar se ndihma italiane s’do ishte gjë tjetër veçse për qëllime ushtarake. Huatë vjetore pritej të shpenzoheshin nën mbikqyrjen e një komisioni të përzjerë italo-shqiptar. Shqipëria pranoi dhe dy huatë e para u dhanë, megjithëse jo të plota. Huaja e tretë, e këtij viti, është mbajtur duke arsyetuar se Shqipëria nuk po plotëson kushtet marrëveshjes për të qenë një “bashkëpunim miqësor”.
Kur Italia një vit më parë i hodhi mbretit Zog idenë që një bashkim doganor ndërmjet Italisë e Shqipërisë do të ishte i pranueshëm për Italinë dhe do t’i jepte përparësi Shqipërisë, mbreti Zog e hodhi poshtë atë ide duke kuptuar se një marrëveshje e tillë jo vetëm do të ngacmonte fqinjët e tij ballkanikë por ajo mund të krijontë një trazim në tërë Europën. Më pas Italia u shqetësua nga një ndryshim në Kushtetutën e Shqipërisë, i cili shkaktoi mbylljen e disa shkollave të huaja dhe fetare. Qeveria shqiptare spjegoi se kjo masë ishte tani e nevojshme me qëllim që të forconte bashkimin kombëtar nëpërmjet një sistemi shkollor të përbashkët dhe të ndalonte propagandën e huaj kundra kombit. Italianët nuk pranuan drejtime të tilla administrative në shkollat e tyre dhe si rrjedhim i mbyllën dhe kthyen mësuesit e tyre në Itali. Urtësia e ligjit të ri shqiptar në lidhje me sistemin shkollor ishte i diskutueshën nga pikëpamja e mungesës së tanishme të mësuesve shqiptarë.
S’ka më ndihmë prej Italisë. Qeveria italiane, duke njohur mirë kushtet e dëshpëruara financiare të Shqipërisë, kaloi në politikën e pritmënisë vëzhguese dhe njëkohësisht ndaloi ndihmat e mëtejshme financiare. Importet e Italisë nga Shqipëria filluan të zvoglohen. Italianët mohuan që ata donin lejime të reja në Shqipëri, që ata donin kontroll të ushtrisë, xhandarmërisë dhe degëve të tjera të qeverisë. Ata thanë se e gjitha që ato donin ishte miqësia, bashkëpunimi miqësor dhe ndikimi kulturor. Mbreti Zog nuk pranoi t’i rihapi shkollat e huaja, por bëri një veprim të vullnetit të mirë duke urdhëruar që gjuha italiane të bëhej e detyrueshme në shkollat e mesme. Kjo nuk i kënaqi plotësisht italianët dhe ato vazhduan ta vonojnë huanë e premtuar vjetore. Atëhere mbreti Zog urdhëroi një tkurrje të madhe të buxhetit të vitit 1934. Ai pakësoi përgjysëm shpenzimet ushtarake. Ai gjithashtu i bëri rrogat shtetërore dhe shpenzimet e shtëpisë mbretërore sa një e katërta e vlerave të mëparshme. Të gjitha këto ndihmuan në rritjen e popullaritetit të mbretit Zog mdis shqiptarëve, por Roma akoma mbetej e paqetë.
Problemi i tanishëm. Shqipëria, duke ditur mirë se shpresa e vetme e saj për ripërtëritje qëndron në zhvillimin paqësor, është duke u munduar ta shmangë vetveten nga ngatarresat politike të cilat rrezikojnë marrëdhëniet miqësore me fqinjët ballkanikë. Italia, Jugosllavia dhe Greqia kanë bërë vazhdimisht të ditur se ato janë kundër cënimit të pavarësisë së Shqipërisë. Ndërkohë, beteja e zgjuar diplomatike ndërmjet kryeministrit Musolini dhe mbretit Zog është duke vazhduar. Deri më tani, mbreti Zog duket se ka qenë fitues për arësyen se fuqia e Shqipërisë qëndron në dobësinë e saj. Kohët e fundit, ajo ka arritur një traktat tregtar të pëlqyeshëm me Greqinë dhe është duke biseduar një traktat të ri tregtar me Jugosllavinë. Këto janë shenja të pagabueshme të një bashkëpunimi më të ngushtë midis Shqipërisë dhe fqinjëve të saj ballkanikë. Nëse Shqipëria arrin të krijojë marrëdhënie miqësore me fqinjët e saj ballkanikë pa armiqësuar Musolinin, vendi i vogël në Adriatik, i quajtur “toka e harruar e Europës”, do të mundë të zhvillojë në paqe dhe mbarë burimet e saja bujqësore dhe ekonomike.
Herman Bernstein
Ish-ambasdor i ShBA në Shqipëri
Gazeta The New York Times
28 Janar 1934
Shënim shoqërues. Herman Bernstein (1876-1935) qe ambasador i SHBA në Shqipëri në periudhën Shkurt 1930 – Shtator 1933. Ai ishte njëkohësisht një gazetar, shkrimtar, përkthyes, botues e diplomat i famshëm me origjinë hebraike. Albert Einstein ishte mik dhe bashkëpunëtor i tij. Herman Bernstein ishte një veprimtar i spikatur për të drejtat e hebrenjve dhe redaktor i dy gazetave hebraike.
(Përgatiti: Saimir Lolja)