*Në Tiranë mbahet Konferenca Ndërkombëtare “Shqipëria & Evropa, 25 vite nga rënia e komunizmit” nën kujdesin e veçantë të Presidentit Nishani/
* Merrnin pjese: ish-presidentin kroat Stipe Mesiç, ish-zv/kryeministrin Theodoros Pangalos, europarlamentaria Doris Pack, Presidentia e Kosovës, Atifete Jahjaga, personalitetet më të larta të vendit, Kryeministri Edi Rama, ish-kryeministri Berisha, zyrtarë të lartë të shtetit si dhe ish-studentë të Lëvizjes së Dhjetorit ’90, etj./
*Konferencën e nderuan me video- mesazhet përshëndetëse kancelarja gjermane Angela Merkel, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry si dhe Ati i Shenjtë, Papa Françesku/
Tirane, 8 dhjetor 2015/
Nën kujdesin e Presidentit të Republikës, SH.T.Z Bujar Nishani u mbajt sot në Hotel Sheraton Konferenca Ndërkombëtare “Shqipëria & Evropa, 25 vite nga rënia e komunizmit”, e cila shënoi edhe kulmin e veprimtarive të organizuara nga Institucioni i Presidentit të Republikës me rastin e 25-vjetorit të rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri, ku po përkujtohen dhe festohen ndryshimet e mëdha demokratike, politike dhe shoqërore që kanë ndodhur gjatë këtij çerekshekulli liri.
Kreu i Shtetit mikpriti në këtë organizim të veçantë udhëheqës politikë e figura historike ndërkombëtare të kohës: ish-presidentin kroat Stipe Mesiç, ish-zv/kryeministrin Theodoros Pangalos, europarlamentaren Doris Pack, Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, personalitetet më të larta të vendit, Kryeministrin e Edi Rama, ish-kryeministrin Berisha, zyrtarë të lartë të shtetit si dhe ish-studentë të Lëvizjes së Dhjetorit ’90, etj.
Konferencën e nderuan me video- mesazhet përshëndetëse kancelarja gjermane Angela Merkel, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry si dhe Ati i Shenjtë, Papa Françesku, në thelb të të cilave qëndronte vlerësimi për hapat e bëra nga Shqipëria në drejtim të integrimit euro-atlantik të vendit.
Në video-mesazhin e saj kancelaria gjermane Angela Merkel, u shpreh se Shqipëria çon impulse për bashkëpunim në rajon. Ndërsa në emër të Presidentit Obama dhe popullit amerikan, Sekretari i Shtetit, John Kerry në përshëndetjen e tij vlerësoi ngjarjet e 25 viteve më parë si historike në krye të së cilave qëndruan “udhëheqësit e guximshëm të lëvizjes studentore të mbështetur nga qytetarët e zakonshëm të cilët marshuan dhe demonstruan kundër diktaturës, dhe të ndihmuar nga ish anëtarë kurajozë të partisë që ndihmuan në vendosjen e një regjimi përfaqësues”.
“Shqipëria ka shënuar përparime të rëndësishme gjatë këtyre 25 vjetëve. Sot, Shqipëria është një aleat i përkushtuar i NATO-s që jep ndihmesën e saj për paqe dhe stabilitet në botë. Shqipëria është në rrugën e integrimit të plotë Euro-Atlantik, duke kryer reformat e nevojshme për të forcuar institucionet demokratike dhe për të zhvilluar një ekonomi konkurruese të tregu të lirë. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë miqësinë e ngrohtë me qeverinë dhe popullin shqiptar dhe dëshirojnë thellimin e partneritetit mes dy vendeve në të ardhmen”, theksoi mesazhi i Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry.
Në qendër të vëmendjes erdhi për të pranishmit edhe mesazhi i Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, i cili e konsideroi Lëvizjen Studentore si “Përpjekje për përparim në zhvillimin shoqëror”.
Më pas Konferenca vijoi sipas agjendës se planifikuar e ndarë në tre sesione plenare. Në sesionin e parë plenar me tematikën: “Rënia e Perdes së Hekurt – Ndryshimet e sistemit në Evropën Lindore” mbajtën fjalën udhëheqës politike dhe figura historike të kohës si Stipe Mesiç, Theodoros Pangalos, Sali Berisha, Edi Rama, Mevlut Cavusoglu, Doris Pack, Nam Hee Kim, Man Hee Lee.
Konferenca vazhdoi në sesionin e dytë plenar me tematikën “Lëvizja Studentore Shqiptare – 8 dhjetor 1990” në të cilën mbajtën fjalën e tyre personalitete të njohura të shoqërisë shqiptare si Preç Zogaj, Afrim Krasniqi, Blendi Gonxhe, Bislim Ahmetaj, Elsa Ballauri, Kujtim Çashku, Edith Harxhi, Forenc Poka, Werner Daum. Folësit në këtë panel theksuan rolin e kësaj lëvizje si paraprijëse e ndryshimeve demokratike në Shqipëri, e pluralizmit politik, medias së lirë, dhe lindjes së shoqërisë civile.
Konferenca u mbyll me sesionin e tretë plenar me tematikën “Rënia e komunizmit në kronikat e kohës”, e cila përcolli mbresa dhe kujtime nga gazetarë dhe analistë të ‘Zërit i Amerikës’, BBC, Radio Evropa e Lirë, AFP, Radio Vatikan, dhe nga Shqipëria të mirënjohurit Besnik Mustafaj, Wolfgang Grossruck, Elez Biberaj, Nicola Miletich, Paolo Foresti, Bernd Fischer, Frrok Çupi.