-Ministri Bushati: Hapja e Konsullatës së Parë të Nderit në Kosovë, ka një domethënie të dyfishtë/
-Ministrja Tahiri: Kjo konsullatë do jetë promovuese e bashkëpunimit në të gjitha sferat e jetës/
Nga Behlul Jashari/ GJAKOVË, 20 Tetor 2015/ Është zhvilluar sot ceremonia e inaugurimit të konsullatës së nderit të Shqipërisë në Gjakovë, konsullatë kjo e cila ka për qëllim forcimin e lidhjeve kombëtare dhe promovimin e bashkëpunimit në gjitha sferat mes dy shteteve.
Në këtë ceremoni në Gjakovë organizuar nga kryetarja e komunës Mimoza Kusari-Lila, morën pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ministrja kosovare, Edita Tahiri, ambasadorët në dyja vendet Qemal Minxhozi dhe Ramiz Lladrovci, konsulli i nderit akademik Tahir Emra dhe shumë personalitete tjera nga jeta politike e kulturore nga Kosova dhe Shqipëria.
Gjatë ceremonisë, ministri Bushati u shpreh se, “hapja e Konsullatës së Parë të Nderit në Kosovë, ka një domethënie të dyfishtë, nga njëra anë është tregues konkret i thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror midis dy vendeve dhe nga ana tjetër, kjo Konsullatë, e para në llojin e saj, hapet në qytetin me tradita të Gjakovës, që ka lindur disa nga figurat më të shquara të kombit shqiptar, nga Ali Podrimja, Bajram Curri, Sulejman Vokshi, Esat Stavileci, Pajazit Nushi, Elton Zherka e deri tek kapiteni Kuq e Zi – Lorik Cana. Bijtë e Gjakovës na kanë bërë të ndjehemi krenarë para vetes dhe para botës”.
Më tej, ministri Bushati shtoi se, “është kënaqësi për mua të emëroj Konsullin e nderit të Shqipërisë në Gjakovë, z. Tahir Emra, anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”.
Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, falënderoi ministrin Bushati për këtë iniciativë me rëndësi dhe vlerësimin e veçantë që i bën zonës së Gjakovës. “Hapja e Konsullatës përben një detyrim për ne për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e Gjakovës me institucionet e Shqipërisë”, u shpreh ajo.
Ministrja Tahiri në fjalën e saj shprehu përgëzimet e qeverisë së Kosovës për hapjen e kësaj konsullate të Shqipërisë në Gjakovë duke uruar të gjithë që kanë kontribuar për këtë vepër vizionare. Ajo tha se kjo konsullatë do të forcojë lidhjet e kombit, lidhjet që na i këputi historia duke na lënë të ndarë dhe që është detyrë e jona dhe brezave të ri që ta rilidhim fuqishëm kombin shqiptar. “Kjo konsullatë do jetë promovuese e bashkëpunimit në të gjitha sferat e jetës, e ruajtjes dhe kultivimit të vlerave kombëtare, do të prek në hapësirat ku kombi ka nevojë për të punuar bashkë për të mirën tonë”, tha Tahiri.
Ajo më pastaj tha se zëvendëskryeministri dhe ministri Jashtëm, Hashim Thaçi, nuk ka mundur të marrë pjesë në këtë ngjarje sepse ka udhëtuar për Paris për të lobuar për Kosovën në UNESCO dhe ne kemi pritje dhe përkrahje që Kosova do të anëtarësohet në UNESCO dhe në vijim edhe në gjithë organizatat tjera ndërkombëtare.
“Kur mora ftesën për këtë ngjarje, së pari mendova pse kjo konsullatë në Gjakovë dhe jo në Prizren. E analizova historinë dhe i dhashë të drejt këtij vendimi, sepse Gjakova ia dha Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sylejman Vokshin, një komandant të shquar që së bashku me udhëheqësit tjerë të Lidhjes na e lanë një amanet, ta bashkojmë kombin shqiptar. Dhe ne po e bëjmë realitet misionin tonë që të bashkojmë kombin shqiptar, se a do ta bëjmë përmes integrimeve evropiane apo rrugë tjetër, e rëndësishme është që do të vendosim vet”, theksoi ministrja Tahiri.
Po ashtu, vijoi ajo, mendoj se Gjakova e meriton këtë konsullatë nderi sepse ishte qyteti ku gjenocidi serb shkaktoi humbje të mëdha në njerëz dhe në shpirtrat tonë. “Por, ne gjithnjë kemi qenë dhe jemi të fortë në luftën tonë për pavarësi dhe prosperitet, këtë po e dëshmon edhe Shqipëria edhe Kosova dhe gjithë shqiptarët anë e kënd”, tha Tahiri.
Gjatë kësaj ceremonie, ministrja Tahiri bisedoi me ministrin Bushati për rëndësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe zbatimin e vendimeve të dala nga mbledhja e dy qeverive në Tiranë këtë vit, e në Prizren vitin e kaluar.
Në mbledhjen e qeverive Shqipëri-Kosovë, në 23 mars të këtij viti, u nënshkrua një marrëveshje e veçantë për thellimin e bashkëpunimit të zonës ndërkufitare midis Komunës së Gjakovës dhe Malësisë së Gjakovës.
Hapja e kësaj konsullate do të shërbejë në strukturimin e bashkëpunimit mes bashkive veriore të Republikës së Shqipërisë me Komunën e Gjakovës në sferën e zhvillimit të përbashkët ekonomik, shkëmbimeve tregtare, kulturore, turistike dhe realizimit të projekteve ndërkufitare mes dy vendeve.