Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA ndjek me shqetësim të thellë situatën e rëndë të zjarreve në Shqipëri dhe bën apel të fortë për autoritetet shtetërore, pushtetin vendor, Emergjencat Civile dhe banorëve të zonave të prekura për më shumë bashkëpunim në kalimin e kësaj emergjence të rëndë. Në Shqipëri zjarret janë përhapur pothuajse në të gjithë territorin e vendit të favorizuar nga temperaturat e larta, terreni malor, erërat e forta në disa zona, pamjaftueshmëria e mjeteve dhe kapaciteteve të strukturave të emergjencave civile në përballimin e fatkeqësive, emergjencave apo zjarreve masive. Kapacitetet e shtetit dhe strukturave të qeverisjes vendore për përballimin e situates së frikshme shkaktuar nga zjarret janë modeste ndaj VATRA i bën thirrje autoritetetve shqiptare që të kërkojnë ndihmë nga partnerët strategjikë, miqtë e Shqipërisë dhe çdo organizatë që të ndihmojë në kapërcimin e kësaj fatkeqësie me pasoja të rënda për vendin. Situata e krijuar le ti shërbejë institucioneve që të rrisin masat dhe kapacitetet që emergjenca kombëtare si kjo e zjarreve të mos përsëriten më në të ardhmen. Prej ditësh nga veriu në jug të Shqipërisë pyje, kullota dhe prona private në disa fshatra në 13 rrethe të Shqipërisë si Shkodër, Lezhë, Pukë, Elbasan, Fier, Skrapar, Durrës, Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë, janë përfshirë nga flakët që kanë përpirë gjithçka pa mëshirë. VATRA shpreh ngushëllime për jetën e humbur të Andrea Haxhiaj në fshatin “Asim Zeneli” në zonën e Lunxherisë në Gjirokastër dhe lutet për të dëmtuarit nga zjarret. VATRA i bën thirrje faktorit politik në Shqipëri, institucioneve, banorëve të prekur dhe të gjithë faktorëve që të bashkëpunojnë më shumë në kapërcimin e kësaj situatë të krijuar.