NGA HASAN KOSTRECI/ New York/
Është pak për t’u habitur, sepse ashtu siç edhe diktatura komuniste tek ne ishte krejt ndryshe nga vëndet e tjera të lindjes, d.m. thënë brutale, e egër dhe mjaft primitive, ashtu edhe demokracia siç po duket në këto njëzet e pesë vjet jo vetëm që nuk ngjan si e tillë, por nga dita në ditë e më shumë komplikohet, sa ka vënë në siklet jo vetëm neve si popull, por edhe të huajt, të cilët megjithëse mundohen e bëjnë çmos për të na prurë në binarë, është e pa mundur. Pra, vazhdojmë me modelin tonë ‘alla shqiptarçe”, ku mashtrimi, hipokrizia dhe konfuziteti janë si në politikë, ashtu dhe në popull.
Komentet për këtë situatë të krijuar, janë të ndryshme, por jo të gjitha qëndrojnë. Një pjesë, përshëmbull, na fajsojnë neve si komb, që nuk jemi të zotë apo të aftë të bëjmë shtet dhe duke përmëndur një shprehje të Konicës thënë në periudhën mbas Shpalljes së Pavarësisë, se “Shqipërinë e bëmë, po hajde të bëjmë shqiptarët”, duan të justifikojnë bëmat e diktaturës dhe të idhullit të tyre, Enverit, që nuk ishte ai që e prishi këtë popull, por kështu ngahera kemi qënë, po në realitet ata harrojnë se kombi ka vetëm një elitë, e cila do kohë që të krijohet, por kur ai e vrau dhe e azgjësoi atë deri në rrënjë, turma e mbetur, si atëhere, ashtu edhe sot, sigurisht, nuk bën dot shtet.
Po pse kjo situatë mbeti e njëjtë edhe mbas rënies së komunizmit? Sepse ikja në nëntëdhjetën e një pjese të mirë të shqiptarëve, pasojë edhe kjo e atij regjimi, për kombin tonë të vogël, ishte e dëmshme, sepse u largua rinia, por edhe pjesa më antikomuniste e shoqërisë dhe vëndi i mbetur, tashmë jo vetëm i varfër dhe i përgjysmuar, por edhe pa një forcë të mjaftueshme për t’u përballur me elementin pasardhës të diktaturës, të cilët edhe pse të rinj dhe të shkolluar brënda apo jashtë vëndit, për prejardhjen dhe genia nga vinin, trashëgonin të njëjtin mentalitet dhe duke u eleminuar edhe ato pak pjesmarrës prej ish familjeve të persekutuara, apo të porsa liruarit nga internimet e gjata dhe burgjet komuniste, demokracia mbeti në duart e po asaj klase ose të pasardhësve të tyre dhe si rjedhim atë që populli shqiptar kishte vite e dekada me radhë që priste, nuk erdhi.
Kanë kaluar, megjithatë shumë vite nga atëhere, janë bërë disa herë zgjedhje parlamentare, lokale apo presidenciale dhe ne vazhdojmë të jemi indiferentë në këtë proces, një ves i mbetur nga koha e komunizmit, sa që në periudhë votimesh nuk impenjohemi fare të dallojmë intelektualin nga injoranti; të ndershmin nga matrapazi dhe demokratin nga ai që shtiret si i tillë e deri sa ky fenomen do vazhdojë kështu e nuk do ndryshojë, e keqja asnjëherë nuk do na ndahet dhe bashkë me të edhe korrupsioni, vjedhjet (një herë thesari dhe njëherë tjetër banka e shtetit) apo të tjera skandale si këto.
Të dyja partitë e mëdhaja, por edhe të tjerat, duke mos patur kontradita ideollogjike, luftën që bëjnë, është vetëm për pushtet dhe kush të pasurohet më shumë dhe 97 ta, që na çoi në atë luftë civile dhe vëlla vrasëse, e cila na kushtoi qindëra të vrarë dhe disa vjet të kthyer mbrapa; 21 Janari i 2011 tës përsëri mbas katër vjetësh apo të tjera si këto; grindjet, mosmarrveshjet që shohim në parlament çdo ditë; akuzat dhe fjalori i pistë që përdoret, kanë po njëjtin motiv, por duke u bërë të padurueshme dhe të bezdisëshme, popullit i ka ardhur aq shumë në majë të hundës, sa jo vetëm që ka hequr dorë nga politika, por edhe të shprehet se “Shqipëria kurrë nuk ka për t’u bërë”, por kjo është e gabuar, sepse në këtë mënyrë neve përsëritim të njëjtin gabim që bëmë në nëntëdhjetën, kur ndërruam vetëm sistemin, por jo edhe elementin.
Në pamje të parë, duket sikur këtë shtresë s’e lidh asgjë me të kaluarën, por në realitet nuk është kështu, sepse edhe historinë e gënjeshtërt të shkruar në atë kohë, e ruajnë me fanatizëm dhe nuk duan ta ndryshojnë, por edhe çdo datë përkujtimore që ka lidhje me atë periudhë, përpiqen ta festojnë, duke mos harruar edhe portretin e diktatorit, këtë vit, bile edhe i bashkëshortes së tij dhe të gjitha këto e të tjera, të bëjnë të dyshosh për rrugën që kemi filluar dhe ku po shkojmë, sepse një popull të varfëruar, ashtu si dhe në komunizëm, nuk është e vështirë ta manipulosh e ta përdorësh si të duash.
Akuzojmë Europën që s’do të na pranojë në gjirin e saj dhe nuk akuzojmë veten për drogën që ka mbytur vëndin nga jugu në veri dhe çudia, kur në lajmet e mbrëmjes mburremi për mijrat e rrënjëve të kanabisit të shkulura, sikur këto të ishin duaj me grurë apo misër. Themi që Europa s’na pranon, po a nuk janë më shumë se një miljon shqiptarë që jetojnë dhe punojnë atje dhe nga që vazhdohet akoma të ikin, tregon se edhe këtë pjesë të mbetur, qeveria dhe Shteti Shqiptar nuk është në gjëndje t’i mbajë.
Tendenca, në zgjedhjet lokale që kaluan, për të nominuar edhe ndonjë person të ndershëm dhe me reputacion, dështoi dhe kjo, sepse ashtu si dikur, nuk vlerësohet edhe aq personaliteti i njeriut dhe ndershmëria, por disa ‘cilësi’të veçanta, të cilat kërkoheshin edhe në komunizëm.
Për gati pesëdhjet vjet shpresuam se ajo diktaturë një ditë do binte dhe ra, por a do vazhdojmë po aq gjatë të presim edhe për një demokraci të vërtetë! Atë sistem, ç’është e vërteta, fillimisht e shëmbën të tjerët, ndërsa ne vetëm se i ndoqëm nga pas, ndërsa për situatën e krijuar, është vetëm detyrë e jonë dhe s’ka kush tjetër të na ndihmojë.