Leonora Laçi/
Shqipëria që duam, Bashkia që duam, partia që duam, gënjeshtra që duam, kryetari që duam, media që duam, policia që duam!!!
Por vërtetë a e duam atë që qeveria do për ne, a i vjen përshtat ajo interesave tona apo interesave të veta?!
Slogane të tilla që nuk i beson dot as ai që i promovon.
Shqipëria që s’duam!
Është një vend që ngjarjet tragjike harrohen me të ndodhur, e skandalet politike mbyllen me të tretat, por keq qeverisja zgjatë përtej parashikimeve.
Shqipëria që s’duam!
Është një vend ku vrasjet e femrave nuk të bëjnë më përshtypje, grushtat e dheut i hidhen me shpejtësi viktimave sikur secili do të mbulojë mekatet e veta.
Shqipëria që s’duam!
Një vend që vakia dhe dasma bëhen një, përcjellja është kryefjalë e ngjarjeve të tilla.
Shqipëria që s’duam!
Është një vend që emigrantët e viteve të fundit janë elita intelektuale.Truri vrapon në skutat e botës për të shpëtuar sa më parë dhe ai.
Shqipëria që s’duam!
Një vend ku në burg shkojnë të varfrit që nuk e blejnë dot lirinë, e krimineli vertetë i kryen shërbime partisë. Sa më i madh krimi, aq më lart ngjitesh në rangje pushteti.
Shqipëria që s’duam!
Vendi ku opozita si e tillë me mungesën e saj në kuvend nuk sjellë asnjë dëm a dobi.
Shqipëria që s’duam!
Vendi ku miti i këmbëve të shkurtra të genjeshtrës bie.
Një vend ku realiteti prodhon gënjeshtra apo anasjelltas, gënjeshtra që riprodhohet me shpejtësi duke iu veshur a ngjeshur fakti si vërtetësi. Një vend ku demokracia është tradhtuar që në gjenezë.
Shqipëria që s’duam!
Një vend ku qeveria është e papërmbajtshme në hajni e llomotitje deri në shpërfytyrim.
Në një vend ku gënjeshtrat elektorale po na i quajnë premtime, gënjeshtrat për të ardhmen quhen besimdhënie, gënjeshtrat e së kaluarës po na i quajnë histori.
Gënjeshtra është ulur këmbëkryq në këtë qyqe Shqipëri, e leksione mbanë free.
Shpesh herë na kanë gënjyer, kemi dashur të gënjehemi, kemi gënjyer, gënjeshtra dashamirëse apo dashakeqëse, gënjeshtra që kanë qenë një domosdoshmëri, ashtu siç i thuhen atij që është në prag të vdekjes, do jetosh, do të jetosh edhe ti.
Gjithçka po na bëhet fakt i kryer, e ne spektatorë kalimtarë ! Edhe sikur mos ta duam ne, e do pushteti, e merr pushteti pushtetin, e merr pushti shtetin.
Kjo është Shqipëria që s’duam sot as nesër!