
Ajet Delaj/
Kombi shqiptar i ka mbijetuar dallgëve përgjatë historisë dhe ka arritur të mbijetojë me gjithë humbjet e mëdha që kemi pasur herë për fajin tonë e herë prej armiqve tanë që nuk kanë qenë të pakët. E dua Atdheun tim megjithëse nuk më ka afruar asgjë e për më tej akoma shtetarët e pushtetarët në 34 vitet e fundit na kanë mohuar trashëgiminë dhe të drejtën e votës. Problemi nuk qendron tek ne pasi lavdi Zotit edhe pse kemi arritur të integrohemi në perëndim prapë nuk e harrojmë apo më keq akoma nuk e mohojnë Atdheun, por tek kalamajtë tanë e besoj edhe tek tërë fëmijët e emigrantëve këtu në Shtetet e Bashkuara e pse jo edhe në Europë pasi nuk kemi asgjë për tu thënë që ta ndiejnë veten shqiptarë kur Atdhe kanë Amerikën apo Europën. Fëmijët tanë po arsimohen në universitetet më presigjoze të këtij vendi të madh e po punësohen në nivelet më të larta të këtij shteti demokratik gjë që nuk kanë asnjë nevojë për asgjë nga ai vend prapë ne si prindër mundohemi herë pas here që t’ua theksojmë se janë shqiptarë. Na dëgjojnë për respekt si prindër që jemi e kur vijmë në Atdhe e blejnë nga një shqiponjë suvenir për ta vendosur në qafë më shumë për t’na e bërë qefin neve sesa e kuptojnë domethënien e sajë.
Fëmijët tanë po rriten në Atdheun e tyre që ju ka dhënë të gjitha mundësitë dhe po arrijnë majat e shoqërisë amerikane por nëse nuk na kanë pyetur gjer tani jam i sigurtë që nesër me siguri kanë për t’na pyetur: Çfarë ju ka afruar Atdheu juaj juve që nuk keni reshtur së thëni që kur keni lindur se ne duhet të jemi e të ndihemi shqiptarë. Pyetje boll e vështirë mbas tërë atij patriotizmi folklorik e patetik që kemi bërë ndër vite me fëmijët tanë që lindën e po rriten në perendim. Fatkeqësisht asgjë. Po çfarë po kërkojmë ne të ikurit që mbase jemi egoist e Atdheu nuk ka mundësi e nuk mundet të na e afrojë si pikë apo si sadisfaksion këtu në Atdheun e ri.
Në masën më të madhe diaspora shqiptare po të doni e 200 viteve të fundit jemi të dëbuar nga Atdheu e për fatkeqësinë e Atdheut në disa hapësira shqiptare në Ballkan të kërcënuar me jetë e bukë nga pushtuesit e për faqen e zezë të shqiptarëve diaspora e Shqipërisë zyrtare në 112 vitet e fundit shqiptarët janë dëbuar nga Atdheu nga shqiptarët me të njëjtat metoda që pushtuesit i kanë dëbuar shqiptarët nga trojet e tyre në hapësirat shqiptare në Ballkanin perëndimorë apo me sakte Gadishullin Ilirik. Në krejt hapësirat shqiptare të ish-Jugosllavisë diaspora shqiptare e atyre hapësirave e gëzojnë të drejtën e votës e të pronës kurse për turpin e faqen e zeze të shtetit shqiptar 112 vjeçar, diaspora e Shqipërisë zyrtare nuk i gëzojnë këto tëe drejta themelore.
Po çfarë është Atdheu nëse na mohojnë tokën e të parëve, pra trashëgiminë e vullnetin për tu shprehur me votë për të ardhmen e atij vendi që quhet Shqipëri. Pra na mohojnë të shkuarën dhe të ardhmen që duhej të na lidhte shpirtërisht e materialisht me atë që duhet të ishte Atdheu ynë e Atdheu i fëmijëve tanë. Vetë jeta është interes e politikanet natyrshem i shohim njerëzit, fenomenet , zhvillimet shoqërore e politike nga këndëvështrimi i interesave të tyre . Rrekem të kuptoj interesin e politikës shqiptare të këtyre 34 viteve të fundit që në tërë veprimtarinë e tyre kanë prodhuar braktisje masive të Atdheut pra shkombëtarizim e pse jo edhe varfëri për pjesën dërrmuese të popullsisë.
Varfëria do ishte shumë herë më e madhe nëse nuk do ishte kontributi i diasporës , i kësaj diaspore që pushteti i votuar apo lejuar nga familjarët e tyre në Atdhe ju ka mohuar trashëgiminë e paluajtshme dhe ardhmërinë e shprehur me votë. Me dashamirësinë më të madhe ndaj pushtetit përgjatë 34 viteve të fundit në Shqipëri nuk arrij të kuptoj interesin e kësaj politike në raport të drejtë me interesin kombëtar të Shqipërisë e shqiptarëve. Nuk mendoj se duhet të mundohem shumë për të gjetur jo një por një mori faktesh e argumentash që lehtësisht e klasifikojnë pushtetin politik e shtetëror të 34 viteve të fundit si pushtet anti shqiptar. Për ta mbyllur aty ku e nisa, unë nuk gjej asnjë argument për t’u thënë fëmijëve të mi që të ndihen e deklarohen krenarë se janë shqiptarë pasi Atdheu i prindërve të tyre përveç atyre që shkruajta më lart për rreth 50 vite ishte një shtet vasal nën sllavo-komunistet e në 34 vitet e fundit sundohet nga anti-shqiptarët dasha edhe më keq.
Bashkatdhetarë të nderuar në Atdhe e diasporë nëse unë kam të drejtë në këto që po shkruaj atëherë ju duhet të ngriheni në këmbë se Atdheu jo vetëm është në rrezik por po shuhet nëse kemi sy në ballë për të shikuar e mend në kokë për të kuptuar. Një gjë e them me bindje të plotë se kombi shqiptar ka prodhuar burra e gra me emër të madh në sytë e Europës dhe botës e jam po kaq i bindur së kombi Shqiptar ka edhe sot burra e gra që janë të zot me i dalë zot Atdheut mjafton ti dëgjoni e ndiqni pas në mbrojtje të interesave tuaja. Mjaft votuat sharlatanët e injorantet e radhës që po e groposin Atdheun tonë së bashku me ne fizikisht apo emocionalisht.