

Aktivisti i komunitetit shqiptar në diasporën shqiptare të Greqisë z.Lulzim Cina në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dielli” organ i Federatës Vatra në New York, shpjegon në detaje organizimin e diasporës së Greqisë, punën e shoqatave shqiptare në Kretë, aktivitetet komunitare e atdhetare në ndihmë të shkollës shqipe të Kretës dhe peticionin drejtuar qeverisë shqiptare në ridimensionimin e politikave në ndihmë të shqiptarëve në Greqi.
Me z.Lulzim Cina bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.
SHQIPTARËT E GREQISË KËRKOJNË VOTËN E DIASPORËS
Lidhja Shqiptare e Kretës me gjithë Shoqatat e saj ka mbledhur mbi 10.000 firma në një peticion drejtuar të gjitha instancave shtetërore dhe diplomatike ku është kërkuar disa pika bazike që shqetësojnë jo vetëm jetën e bashkatdhetarëve por dhe mbarëvajtjen dhe funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Pikat kryesore të peticionit janë :
1-Të drejtën legjitime të votës së Diasporës Shqiptare në zgjedhjet Parlamentare dhe lokale në Shqipëri. Një e drejtë e pa realizuar për 30-vite.
2-Garantimin e mësidhënies së gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në Diasporë nën kujdesin dhe financimin nga Qeveria Shqiptare.
3-Lehtësimin e procedurave që shqetësojnë emigrantët në lejet e qëndrimit në Greqi.
4-Marrëveshjen midis dy qeverive për pensionet e emigrantëve shqiptarë në Greqi.
5-Mosndërhyrjen dhe pavarësinë e çdo organizimi shqiptarë në Greqi nga sekserë apo “paterica diplomatike” për qëllime partiake dhe elektorale, të cilat mbajnë peng Shqipërinë por dhe integrimin e shqiptarëve në Greqi dhe në vëndet tjera të Bashkimit Europian. Këto janë disa nga problemet dhe pikat e panegociushme të Lidhjes Shqiptare të Kretës dhe këto do jenë busulla orientuese në të ardhmen e Diasporës Shqiptare në Greqi.
ORGANIZIMI I DIASPORËS SHQIPTARE TË GREQISË
Si e bekuar nga Zoti lindi dhe ideja e krijimit përfundimtar të organizimit të “Diasporës Shqiptare të Greqisë”. Kur qëllimi i qartë dhe i kthjellët takon burra të urtë por të vëndosur si Lulzim Cina, Klement Osmanllari, Angjel Alizoti, Kristo Dule, Petrit Jushi, Vangjel Halili, Flober Baholli, Eleni Ikonomi dhe Elvir Belbaj ku suksesi dhe lartësimi shqiptarë është i pathyshëm dhe i sukseshëm madje edhe në një vënd skeptik ballkanik si Greqia. Mrekullia gjithë -shqiptare ndodhi në gjithë Greqinë me dt 21-Prill -2024 në Athinë duke themeluar de-fakto dhe de_juro” Diaspora Shqiptare e Greqisë” ku u mblodh për herë të parë Kuvendi i -I- i Diasporës me një pjesmarrje nga shumica e gjithë shoqatave shqiptare e Greqisë, por dhe përfaqësusë të Parlamentit Grek dhe Partive politike Greke dhe Ambasadës Shqiptare në Athinë dhe intelektualë shqiptarë. Nën drejtimin e pesë intelektualëve dhe supër aktivistave shqiptarë dhe drejtues të Organizimeve të shkallës dytë Shqiptare ato janë:
1-Dr. Luan Zyka (Komuniteti Shqiptar Selanik).
2- Z. Lulzim Cina (Kryetari i Lidhjes së Kretës)
3-Z. Edmond Guri (Ish-kryetari Federatës Shqiptare në Greqi)
4-z.Ardian Daullja (Unioni Shqiptarë Greqi).
5-z.Iliaz Bobaj (Studiues, profesor dhe aktivist i hershëm në Komunitetin Shqiptar Patra).
Pra Diaspora shqiptare udhëhiqet e sigurtë drejt sfidave të reja të kohës nga “Pentagoni shqiptar” që simbolizon qëndresën dhe pathyshmërinë shqiptare në Greqi. Modeli i bashkimit shqiptarë në Kretë dhe shtrirja e saj në gjithë Greqinë nga Lidhja Shqiptare e Kretës kërkon një qasje të vazhdimësisë në këtë rrugë, duke patur parasysh sfidat e reja që kërkojnë një vizion të ri në projektimin e shqiptarit bashkohor në një shoqëri hibride europiane greke dhe padyshim me rrënjë shqiptare të origjinës. Nga Lidhja shqiptare e Kretës ka lindur binomi i dy sfidave që ballafaqohen shqiptarët jo vetëm në Greqi por dhe në Europë: integrimi dhe mos-asimilim. Këto janë të ndërlidhura me njëra -tjetrën në ekzistencën tonë jashtë kufijvë Arbnorë duke sjellë një “risi” të re edhe në marrëdhëniet midis shtetit amë dhe vëndeve fqinjë por dhe Integrimin Europian të Shqipërisë në EU.
QEVERIA SHQIPTARE TË NDËRTOJË POLITIKA REALE PËR EMIGRACIONIN
Do ti kërkohet dhe do ti propozohet qeverive shqiptare të ndërtojnë politika reale për Emigracionin shqiptar në Greqi, pasi deri tani kemi një jo politikë, një inekzistencë të shtetitt shqiptarë për sa i përket kujdesit të saj për emigracionin shqiptar në Greqi. Nuk është aspak produktive, prezenca patetike dhe folklorike, biles sporadike dhe pa asnjë “bereqet” e disa deklarata të politikës së vjetër të shtetit Amë vetëm për përdorur Diasporën si shportë elektorale të radhës. Nga kjo bisedë u bëjmë thirrje Tiranës zyrtare; mos u frikësoni nga votat e Diasporës Shqiptare dhe vota jonë do jetë në të mirën e Mëmëdheut dhe vëndlinjes tone, Shqipëri.
SHQIPTARËT NË ISHULLIN E KRETËS
Ishulli i Kretës është një ndër ishujt më të mëdhenj të Greqisë me një sipërfaqe prej mbi 15,000 km katror dhe laget nga tre dete kryesore të mesdheut, nga deti Egje, nga deti Libik që e lidh me Afrikën e veriut dhe deti Jon. Mbas viteve 1990 dhe në vazhdimësi filluan zbarkimet e para të emigrantëve Shqiptarë në ishullin e Kretës. Ishulli i Kretës lidhet me pjesën tjetër të Greqisë, me Athinën nëpërmjet rrugëve detare dhe Aeroportet e saj në Iraklio, dhe Hania. Ishulli ka një Qeverisje lokale në shkallë Qarku (Periferia) dhe nga qeveria Greke, kështu dhe shqiptarët janë të vëndosur në gjithë qytetet kryesore të saj Iraklio, Rethimno, Hanja dhe Agio Nikolao dhe Irapetra, Mesara dhe Paliohora. Në gjithë këto qytete të Kretës llogaritet të jetojnë rreth 33.000 shqiptarë të cilët janë të punësuar në turizëm, ndërtim dhe bujqësi. Fillimet e para të organizimeve shqiptarë fillojnë pas viteve 1998 dhe krijimi i organizimit të parë shqiptarë filloi në Hanja në kontributin e tim ku arritëm të hapim shkollën e parë të gjuhës shqipe në Hania të vitit 2000. Gjithashtu kam ndihmuar e kontribuar edhe në vendlindjen time në Pukë për njerëzit në nevojë e vështirësi ekstreme. Do vazhdoj ta bëj pasi ndjej kënaqësi shpirtërore kur dikujt ia lehtësoj një hall apo ia kaloj një vështirësi.
SHKOLLA E PARË SHQIPE NË KRETË MË 2000
Kështu filloi “Odiseja “ e bukur e organizimeve shqiptare në Kretë pas viteve 2000 dhe në saj të përpjekjeve të mia e miqve të mi u arrit shfaqja e parë artistike e Ansamblit Kombëtarë Shqiptarë në qytetin e hanijas dhe pastaj në Kalanë Forteza Rethimno në vitin 2003 në saj edhe të ndihmës së sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë Kulturës Shqipërisë dhe me ndihmën e z. Luan Zyka (sot Kryetar i Diasporës Shqiptare Selanik). Në çdo qytet të Kretës funksionojnë Shoqata të Ligjëruar dhe me një aktivitet të fuqishëm kulturor dhe kombëtar dhe me kurse të gjuhës Shqipe pranë çdo Shoqate Shqiptare. Konsolidimi i vazhdueshëm i Shoqatave Shqiptare në qytetet e Kretës dhe problematikave të njëjta të tyre lindi ideja e bashkëveprimit të ndërsjelltë midis tyre. Harmonizimi i përbashkët të shoqatave bëri që bashkërisht në bashkëpunim me shoqatën e Hanijas që është një nga më aktivet në diasporë z.Klement Osmanllari, Angjel Alizoti, Kristo Dule dhe shumë bashkatdhetarë dhe aktivistë të tjerë e udhëhoqëm në një Lidhje të përbashkët duke themelur një organizim të shkallës së dytë dhe të fundit në Kretë.
“LIDHJA E SHOQATAVE SHQIPTARE TË KRETËS”
Me lindjen e diellit në mëngjesin e ditës 1 nëntor 2020 lindi dhe u themelua “Lidhja e Shoqatave Shqiptare të Kretës” ku morën pjesë katër shoqata të ligjëruara deri në atë ditë në Hania të Kretës: Bashkimi Shqiptar Iraklio me kryetar z.Vangjel Halili, Shoqata Shqiptare Hania me kryetarë z.Klement Osmanllari, Shoqata Shqiptare Rethimno dhe Shoqata Shqiptare Kasteli. Jehona dhe përçafimi i problematikave shqiptare në Kretë në fillimet e saj i dha zgjidhje shumë problemeve akute që shqetësoni bashkatdhetarët në ishull. Lidhja Shqiptare e Kretës arriti që për herë të parë të sjellë në Kretë një ekip konsullor nga Ambasada Shqiptare në Athinë për të bërë aplikimet për pasaporta dhe karta identiteti në Kretë dhe në Rodos duke vazhduar për çdo vit në Projekt për Kretën dhe Ishujt. Kështu shqiptarët në kretë nuk duhet të udhëtojnë me tragete dhe duke kursuer jo pak të holla për të udhëtzar drejt Athinës vetëm për tu paisur me një Pasaportë biometrike. Lidhja e Kretës arriti të bëjë kontakte të vazhdushme me të gjithë kryebashkiakët e qyteteve të Kretës duke hapur rrugën e kurseve të gjuhës shqipe pranë çdo shoqate dhe çdo qyteti, kjo edhe në saj të bashkëpunimit me Ambasadën Shqiptare.
MËSIMI DHE HAPJA E KURSEVE TË GJUHËS SHQIPE
Mësimi dhe hapja e kurseve të gjuhës shqipe është prioriteti kryesor për Lidhjen Shqiptare të Kretës. E gjithë Isomorfia pozitive e Lidhjes Shqiptare u pa me një dashamirësi dhe përtej Detit në pjesën tjetër të Greqisë nga Shoqatat motra në Athinë, Patra dhe Selanik. Kështu kryetari i Lidhjes Kretës me këshillin drejtus krijojë kontakte dhe takime me faktorin gjithë-shqiptarë në Greqi. Nuk do të ndalemi asnjëherë në shërbim të kombit e çështjes kombetare duke ndihmuar bashkëvendasit tanë, bashkëqytetarët tanë e çdo shqiptar në Greqi.
MIRËNJOHJE PËR “VATRËN” E “DIELLIN”
Më lejoni në emër të bashkatdhetarëve në Kretë dhe Lidhjes Shoqatave Shqiptare të Kretës të përcjellim ngrohtësisht dhe vëllazërisht bekimet tona hyjnore për të gjithë vëllezërit tanë shqiptarë në SHBA. Falenderimet tona e mirënjohja jonë shkon veçanërisht për Federatën Pan-Shqiptare VATRA në Amerikë dhe gazetën “Dielli” për punën e jashtëzakonshme në të mirë të popullit e kombit shqiptar. Jeni frymëzim për çdo shqiptar anëkënd botës. Ju jemi mirënjohës përjetë që historikisht i keni qëndruar kaq pranë kombit dhe atdheut.