ROMË- Shqiptarët në Itali janë shumë të kënaqur nga vizita që papa Françesku do të zhvillojë në Tiranë më 21 shtator, thotë don Pasquale Ferraro i organizatës ”Italian Bishops Conference” (CEI), e ngarkuar për imigracionin, në një intervistë dhënë sot agjencisë italiane të lajmeve, ANSA.
”Shqiptarët janë shumë të lumtur që një papë, veçanërisht një papë i suksesshëm, ka zgjedhur për të vizituar vendin e tyre të vogël në udhëtimin e parë apostolik në Evropë”, thotë don Pasquale Ferraro. Ferraro është posaçërisht i ngarkuar për komunitetin shqiptar që prej 13 vitesh. Famullitar i ”San Giovanni della Malva” në Trastevere, ku komuniteti shqiptar mblidhet masivisht, që nga viti 2001 Ferraro udhëton në të gjithë Italinë për të siguruar asistencë pastorale për të gjithë komunitetin.
Pjesa më e madhe e rreth 400 mijë shqiptarëve jetojnë në rajonet veriore, ku edhe mundësitë për punësim janë më të mëdha. Disa shpresojnë në një jetë të re në Itali, ndërkohë që shumë të tjerë janë edne shumë të lidhur me vendin e tyre ku, sipas Ferraros ”shkojnë për t’u martuar. Shumë prej tyre shkojnë në verë, martohen dhe kthehen në Itali me familjet e tyre”. Shqiptarët e parë e lanë vendin e tyre në mes të viteve ’90 pas një tranzicioni shumë të vështirë financiar të regjimit të Enver Hoxhës, kur vendi renditej i treti në botë për nga varfëria. ”Varfëria e atyre viteve ishte e papërshkrueshme”, thotë Ferraro. ”Unë kam qenë atje por nuk i lejova vetes as që të bëja fotografi, megjithatë kujtimet e asaj kohe janë të gjalla”, thekson Ferraro.
”Shqiptarët që lanë shtëpitë e tyre e kanë ende në shpirt këtë trashëgimi, këtë mungesë lirie, kanë izolimin dhe privimin ekonomik. Do të duhen breza për ta kaluar këtë vuajtje. Qenia në qendër të vëmendjes, falë vizitës së papës, i mbush ata me krenari”, shton Ferraro. Shqiptarë që jetojnë në Itali do të shkojnë në Shqipëri me rastin e vizitës së papës atje.
”Shumë prej tyre më kanë pyetur dhe unë u kam thënë se ne e kemi papën kurdoherë që ta kërkojmë, vetëm pesë munita më këmbë, distanca mes kishës shqiptare në Romë dhe sheshit ‘Shën Pjetri”, thekson famullitari. ”Shumë prej tyre do të jenë në audiencën e përgjithshme më 14 shtator në këtë shesh për të falenderuar papë për vëmendjen e treguar”, shton ai.
Don Pasquale Ferraro thotë se ai është me origjinë shqiptare dhe se shqipja e vjetër flitej gjithmonë në shtëpinë e tij. ”Trembëdhjetë vjet më parë shqiptarët më zgjodhën mua, pasi regjimi kishte eliminuar të gjithë hierarkinë kishtare dhe nuk kishte asnjë prift shqiptar. Pas vizitës së papa Gjon Palit II në vitin 1993, u rihapën edhe seminaret. Tani kam disa priftërinj të rinj që më ndihmojnë”, thotë Ferraro.
Ka nevojë për asistencë pasi shumë shqiptarë kërkojnë të pagëzohen për të hyrë në Kishën Katolike. ”Nga të gjithë emigrantët në Itali, 56 për qind e atyre që duan t’i bashkohen besimit katolik janë shqiptarë”, shton famullitari. Ngjarja më e rëndësishme e vitit është pelegrinazhi i së dielës së fundit të majit te piktura e ”Zojës së Këshillit të Mirë” në Genazzano, e njohur për mrekullitë e saj.
”Për shqiptarët është një festë. Atje vijnë edhe ortodoksë dhe myslimanë, jo vetëm katolikë”, përfundon don Pasquale Ferraro i organizatës ”Italian Bishops Conference” (CEI), e ngarkuar për imigracionin, në një intervistë dhënë ANSA-s.(Kortezi-Arjan Jorgaqi-ATSH)