Sokol Paja/
Mërgata shqiptare e Italisë është një potencial i shkëlqyer i kombit shqiptar në vendin mikpritës e shumë të dashur për shqiptarët. Ishte Italia ajo që hapi zemrat dhe dyert për shqiptarët e dalë nga ferri komunist 3 dekada më parë e sot këta shqiptarë bëjnë krenarë atdheun e tyre e vendin që u dha gjithçka. Janë këta shqiptarë të suksesshëm që në Itali me veprimtarinë e tyre e sukseset e tyre shpërblehen me respekt dhe janë shembuj e modele të shkëlqyera edhe për vetë vendasit. Shqiptarët gëzojnë respekt të veçantë dhe vlerësim të lartë në Itali. Shqiptarët në shekuj kanë pasur lidhje të fuqishme me Italinë çka reflekton një marrëdhënie të shkëlqyer popujsh, shtetesh e kulturash. Shqiptarët në qytetet e Italisë janë protagonistë në aktivitetet komunitare e kombëtare. Më 2 Korrik 2023 në Macerata të Italisë u zhvillua një mbrëmje dedikuar shëndetit të popullsisë dhe posaçërisht në mbështetje të të prekurve nga Skleroza e shumëfishtë që është një sëmundje inflamatore kronike dhe progresive e sistemit nervor qëndror. Artistët shqiptarë të bashkuar në një performancë dhe përqafim artistik në mbështetje të kauzës që prek njerëz të shumë. Aktiviteti u ideuar nga Denada Merkuri-hair style, Olta Shehu -balerinë, koreografe dhe Blerdi Fatusha-fotograf. Artistët shqiptarë kontribuojnë për komunitetin shqiptar dhe shoqërinë italiane prej 20 vitesh. Një tjetër aktivitet mbresëlënës ku sheh si protagoniste balerinën dhe koreografen Olta Shehu në Macerata ku ishte mbrëmja gala në sensibilizimin të mjekësisë familjare organizuar me mjekë italianë ku të ardhurat u dhuruan për bamirësi. Shqiptarët në Macerata përmbyllën me sukses të veçantë vitin shkollor të gjuhës shqipe organizuar nga Shoqata Iliria ku Shkolla Shqipe “Naim Frasheri” është model suksesi dhe krenarie në mbarë shkollat shqipe në diasporë. Koreografe Olta Shehu nëpërmjet “OltaAkademi” dhe “Olta’s Summer Camp” prej vitesh zhvillon e promovon talentet shqiptare në fushën e kërcimit e valleve shqiptare duke kultivuar e promovuar traditën shqip të identitetit kulturor shqiptar.