NGA AJET NURO/
Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Ottawa, shkëlqesia e Saj zonja Elida Petoshati dhe një pritje me rastin e 102-vjerorit të Pavarësisë dhe 70-vjetorit të çlirimit të vendit.
Në pritjen e organizuar nga shkëlqesia e saj znj. Petoshati, ditën e martë, më 25 nëntor 2014, merrnin pjesë anëtarë të të dy dhomave të parlamentit kanadez, zyrtarë të institucioneve federale, përfaqësues të trupit diplomatik, miq kanadezë si dhe shqiptarë nga Ottawa, Toronto, Hamiltoni dhe Montreali. Ndodhej edhe Sekretari Parlamentar pranë Ministrit të Punëve të Jashtme dhe për të Drejtat e Njeriut të Kanadasë, z. Deepak Obhrai, si edhe Kryetari i Grupit të Miqësisë në Parlamentin kanadez, z. Leon Benoit. Pritja u mbajt në Hollin “Jean Pigott” të Bashkisë së Otavës në rrugën Laurier.
Pas himneve të Kanadasë dhe atij kombëtar shqiptar intepretuar nga këngëtarja shqiptare me banim në Montreal, Suela Mero, fjalën e mori ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Kanada, shkëlqesia e Saj, Elida Petoshati. Në fjalën e saj, e cila iu drejtua të pranishmëve në dy gjuhët zyrtare të Kanadasë dhe në gjuhën shqipe ajo fillimisht, pasi i falenderoi të pranishmit, theksoi rëndësinë e këtyre dy ngjarjeve kryesore në historinë e shqiptarëve siç ishte shpallja e pavarësisë dhe ajo e çlirimit të vendit nga nazi-fashizmi.
Znj. Petoshati theksoi dinamikat kryesore të zhvillimit, arritjet kryesore dhe statusin e ri ndërkombëtar që Shqipëria ka fituar e gëzon në botë në këtë 102 vjetor të Pavarësisë. Ajo u ndal në veçanti në procesin e integrimit europian të vendit, si një objektiv kombëtar, në funksion të demokratizimit dhe transformimit të mëtejshëm të shoqërisë shqiptare dhe progresin e shënuar në këtë drejtim, pas marrjes së statusit të vendit kandidat, më 24 qershor. Ajo u ndal, gjithashtu, në disa nga përparësitë e politikës së jashtme, duke nënvizuar rolin kyç, stabilizues dhe aktiv të Qeverisë shqiptare për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, paqen, sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajonin e Europës Juglindore.
Ambasadorja solli në vëmendje të të pranishmëve trashëgiminë e vyer dhe unike të bashkëjetesës ndërfetare, çka u përcoll me admirimin më të madh nga Papa Francesku si një shembull i shkëlqyer vëllazërie për epokën e sotme, gjatë vizitës që zhvilloi në Tiranë, më datë 21 shtator.
Në fjalën e saj, Ambasadorja Petoshati i kushtoi një vëmendje të posaçme stadit të ri që kanë njohur marrëdhëniet shqiptaro-kanadeze. Ajo veçoi vizitën e Ministrit John Baird në Tiranë, gjatë shtatorit të kaluar, si vizita e parë e një ministri të jashtëm të Kanadasë në Shqipëri dhe një tregues i vullnetit të përbashkët për forcimin e marrëdhënieve, në interes të ndërsjellë. Ndërsa Kanadaja vijon të renditet në vend të parë për investime të huaja në Shqipëri, ka një interes në rritje të kompanive kanadeze për tregun shqiptar, njëherësh me rritjen e atraktivitetit të tregut kanadez për bizneset shqiptare, u shpreh znj. Petoshati.
Në fund, ajo vlerësoi rolin historik dhe atë aktual të diasporës së vjetër dhe të re të shqiptarëve të Kanadasë, që e cilësoi një pjesë të pandashme të potencialit të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe urë e patjetërsueshme për miqësinë shqiptaro-kanadaze.
Pas ambasadores shqiptare, fjalën në këtë pritje solemne e mori z. Leon Benoit, Kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë në parlamentin e Kanadasë.
Miku i nderuar foli me respekt për Shqipërinë dhe mundësitë që ajo u ofron bizneseve kanadeze për të investuar. Ai, jo pa krenari, tha se ndoshta Kanadaja ndodhet shumë larg Shqipërisë, por ajo sot përbën vendin kryesor investues në Shqipëri. Z. Benoit vlerësoi gjithashtu rolin e Grupit të Miqësisë në nxitjen e marrëdhënieve dypalëshe dhe aktivizimin e mekanizmave për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Në fund ai ftoi ambasadoren, zonjën Petoshati për të ngritur një dolli për Shqipërinë me rastin e dy festave të mëdha.
aburo@albemigrant.com
Montreal, më 27 nëntor 2014