Dr. Fatime Berisha Imeri nga Zvicra rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e Covid-19 dhe shqiptarët që jetojnë në Zvicër. Sipas Dr. Fatime Berisha Imeri, efekti i Covid-19 në shëndetin mendor është i pamohueshmëm dhe përmasat e vërteta do të shihen më vonë. Ndikimi negativ në zhvillimin psikosocial të fëmijëve do të vërtetohet pas shumë viteve. Me Dr. Fatime Berisha Imeri bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.
ZVICRA PËRBALLË COVID-19
Aktualisht vërehet rritje e numrit të të infekturave por stagnim i numrit të vdekjeve nga Covid-19 krahasuar me fazën e fillimit. Lëvizjet më të mëdha të njerëzve dhe udhëtimet në vende me numër më të lartë të rasteve me Covid-19 mendohet se janë shkaku kryesor i rritjes së numrit të të infektuarve. Autoritetet zvicerane kanë zgjeruar listën e shteteve nga të cilat udhëtarët duhet t`i nënshtrohen karantinës 10 ditëshe. Nga 14 shtatori qeveria zvicerane perveç zgjerimit të listës së shteteve nga të cilat udhëtarët duhet t`i nënshtrohen karantinës, ka futur edhe rajone të ndryshme të shteteve me të cilat kufizohet, siç është Franca. Një test negativ për RT-PCR nuk mjafton që individi të lirohet nga karantina. Qeveria ka vendosur qe një kohë të gjatë edhe të ashtuquajturin „Contact Tracing“ ku bëhet identifikimi i të gjithë atyre individëve që kanë pasur kontakt me një person pozitiv për Covid-19. Varësisht nga intensiteti dhe kohëzgjatja e kontaktit përcaktohet edhe për ata individë karantina ose testi RT-PCR. Në konferencën për media në fillim të shtatorit, qeveria zvicerane dhe ministri i shëndetësisë kanë deklaruar se me çdo kusht do të parandalohet një Lockdoën i nivelit të marsit 2020. Tash për tash maskat janë të obliguara në shitore dhe ambienete publike të mbyllura kurse në rrugë njerëzit nuk janë të obliguar të vejnë maska. Dua të permend faktin se Zvicra nuk e ka kufizuar lirinë e lëvizjes në asnjë fazë të Covid-it . Njerëzit kanë mundur të dalin dhe të lëvizin lirshëm edhe në kohën e Lockdown-it, atëherë kur nuk kanë punuar shitoret e mëdha të tekstilit dhe produkteve ndërtimore, restoranet, muzetë dhe kompanitë e tjera jashtë sektorit shëndetësor. Shumica kanë punuar nga shtëpia (home-ofice) apo nuk kanë punuar fare dhe kanë qëndruar në shtëpi. Për këtë arsye numri i njërzve në rrugë ka qenë shumë më i ulët se zakonisht edhepse nuk e kanë pasur të ndaluar të dalin.
PASOJAT E COVID-19 NË SHOQËRINË ZVICERIANE
Statistika zyrtare nga qeveria zvicerane ende nuk kemi, por raportet e një studimi nga SRG Corona-Monitors thonë:
1. Nevoja e shtuar për kujdesin ndaj fëmijëve kishte efekte të ndryshme në punësim, sidomos në atë të gjinisë femrore.
2. Të anketuarit me të ardhura të larta dhe një nivel më të lartë arsimimi, treguan që kishin veshtirësi në punë dhe detyrimet e tyre familjare për kujdesin ndaj fëmijëve.
3. Puna nga shtëpia për kategoritë e caktuara, duke u kujdesur njëkohësisht për fëmijët e tyre: këto kategori deklaruan që ishin mjaft të mundimshme dhe kanë ndikuar negativisht në psikologjinë e tyre.
4. Dhuna në familje kishte një rritje prej 0.9%.
5. Divorcet kishin një rënje prej 0.5% sipas ketij studimi, ndoshta edhe për arsye se gjyqet kanë punuar me orar të reduktuar. Mendohet se numri i kërkesave për divorc do të rritet, gjë që është parë edhe në shumë shtete tjera por nuk janë publikuar ende statistika të sakta zyrtare.
Mediat raportojnë shpesh për ndikimet negative të Covidit në shoqëri. Efekti në shëndetin mendor është i pamohueshmëm dhe përmasat e vërteta do të shihen ende më vonë. Se çfarë ndikimi afatgjatë do të ketë në zhvillimin psikosocial të fëmijëve do të vërtetohet pas shumë viteve. Për shkak të krizës ekonomike që do të ashpërsohet si pasojë e Lockdoën-it, ekziston frikë e bazuar që numri i vetëvrasjeve do të rritet në mënyre masive viteve në vijim.
NDIKIMI I COVID-19 NË EKONOMI DHE TURIZËM NË ZVICËR
Ndikimi është i përmasave të papara deri më sot por ende nuk dihet shifra e vërtetë e dëmit ekonomik. Shumë kompani janë të rrezikuara dhe kanë probleme serioze të mbijetesës. Turizmi është një ndër sekoret më të prekura edhe për vetë faktin se liria e udhëtimit është ende shumë e kufizuar. Shumë pak njerëz kanë shkuar në pushime dhe shumë pak turistë kanë ardhur të kalojnë pushimin në Zvicër. Kjo ndikon negativisht në hotelieri, agjensionet turistike, kompanitë ajrore, aeroportet, restoranet, vendet e vizituara turistike dhe në shumë sektore tjera.
SHQIPTARËT NË ZVICËR
Jam pak e njoftuar me situatën e individëve mirëpo e di që sivjet shumica pushimin e kanë kaluar këtu dhe nuk kanë shkuar në Kosovë. Nga kriza ekonomike më së shumti janë të prekur pronarët e restoraneve dhe kompanive të vogla. Nëse dilni sot në vende publike nuk do të vëreni dallime të mëdha në krahasim me periudhën para Coronës. As në kohën e Lockdown-it rrugët dhe sheshet nuk kanë qenë plotësisht të boshatisura siç i kemi në kujtime pamjet nga Kina, Italia dhe shumë shtete tjera që kanë aplikuar masat e rrepta të orës policore. Sot njerëzit mundohen të mbajnë distancën e referuar, kurse në mjetet e transportit publik mbajnë maska dhe mundësisht nuk ulen afër njëri tjetrit. Mbajtja e distancës sociale vërehet sidomos në ambientet publike të mbyllura ku maskat janë të obliguara. Pikat kryesore të qytetit janë të përmbushura si zakonisht, kurse në restorane ka më pak mysafirë si pasojë e rregullave mbi distancën minimale mes dy tavolinave në restoran.
MESAZHI JUAJ PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN SHQIPTARE NË USA
Njerëzimi ka përjetuar shumë epidemi dhe pandemi dhe të gjitha i ka mbijetuar. Kjo pandemi dallon nga të tjerat shkaku i masave rigoroze të cilat i ka vendosur politika, gjë që bota asnjëherë më parë nuk e ka përjetuar. Mirëpo, edhe kjo gjendje patjetër do të kalojë. Në njërën anë shpresojmë që virusi të lë imunitet një kohë të gjatë. Në anën tjetër përvoja më e madhe në trajtimin medikamentoz të duhr do të ulë shkallën e vdekshmërisë. Kurse një vaksinë efikase dhe e sigurtë do të ndihmojë më së shumti në zhdukjen e virusit. I përshëndes të gjithë shqiptarët kudo që që janë dhe ata që jetojnë në SHBA, në mesin e të cilëve kam edhe familjarë me të cilët dëgjohem rregullisht dhe jam e e informuar për së afërmi me situatën atje. Ju dëshiroj të gjithëve mbarësi dhe shëndet!