*Promovim i suksesshëm i librit “Shqiptarët Ortodoks në Maqedoni” në “Orion Palace” në Brooklyn në Nju Jork/
*Takim me dyer të mbyllura i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane me prof.Branislav Sinadinovski/
Nga Dalip GRECA/
Të shtunën në mesditë, në “Orion Palace” të qytetit të Brooklyny-it në Nju Jork u organizua nga shoqata Dibrane promovimi i librave “Shqiptarët Ortodoks në Maqedoni” i shkruar nga profesori me origjinë e gjak shqiptar, Branislav Sinadinovski dhe “Rilindasit Shqiptarë”, të autores Gordana Sinadinovska, bashkëshorte e Branislav Sinadinovski. Veprimtari u sponsorizua nga biznesmeni shqiptaro-amerikan nga Nju Jorku Ylber Pilku.
Kësaj veprimtarie iu bashkëngjitën edhe organizatat të tjera shqiptaro-amerikane si Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, e përfaqësuar nga Marjan Cubi, anëtar i Kryesisë, Zef Balaj anëtar i Këshillit, Dr. Skënder Murtezani, kryetar i degës së Vatrës në Queens dhe anëtar i Këshillit të Federatës Vatra, si dhe editori i Gazetes Diellit dhe anëtar i Kryesisë së Vatrës. Të pranishëm ishin edhe organizata e shoqata të komunitetit shqiptar si Shoqata Çamëria, Ana e Malit, Rrënjët Shqiptare, Akademia Shqiptare e Nju Jorkut etj.
Ishte e pranishme edhe media shqiptare në Nju Jork, si Gazeta Dielli, Televizioni Kultura Shqiptare, Gazeta Illyria, Bota Sot, Agjensia INA, Televizioni Alba Life etj.
Të pranishëm ishin autorët e librave: Prof. Dr.Branislav Sinadinovski dhe Gordana Sinadinovska, të shoqëruar nga veprimtari dhe biznesmeni nga Chikago z. Fanol Cami.
Kjo veprimtari u moderua nga gazetari i komunitetit Shqiptar në SHBA Beqir Sina, i cili në hapje të ceremonisë prmovuese u uroi mirëseardhjen mysafirëve, pronarit të lokalit, që e lëshoi pa pagesë lokalin si dhe sponsorit Ylber Pilku.
Më pas moderatori ftoi të pranishmit që të përcillnin së bashku Hymnin Kombëtar Shqiptar dhe atë Amerikan. Me një minut heshtje u nderua Kujtimi dhe kontributi i heronjve të Kombit dhe patriotve, duke veçuar rilindasit shqiptar ortodoks si :Naum Veqilharxhi, Petro Nini Luarasi, Josif Bageri, At Stathi Konomi e të tjerë.
Në fjalën e tij hapse,ndër të tjera gazetari Sina tha :“është nder i veçantë që në mesin e komunitetit shqiptar në SHBA ndodhet profesori i nderuar shqiptar Branislav Sinadinovski, i cili sjell veprën e tij kolosale “Shqiptarët Ortodoks në Maqedoni”.
Z. Sina theksoi se ky libër monumental zbardh të vërtetën e komunitetit ortodoks shqiptar, të harruar dhe të persekutuar në Maqedoni gjatë shumë dekadave të golgotës shqiptare, me synimin dhe zhbërjen dhe asimilimin total të tyre. Moderatori tha fjalë lavdëruese për profesor Branislav Sinadinovski, i cili ka guxuar që të shpallë publikisht të vërteta të fshehura deri më tani.
Kryetari i Shoqatës Atdhetare “Dibra”, Musa Paçuku në fjalën e tij theksoi se është një nder i veçantë që profesori Sinadinovski ka sjellë këtë faqe të re të historisë shqiptare në Maqedoni.
“Duke përshëndetur këtë promovim kaq të rëndësishëm dhe kaq të veçantë, tha Paçuku. Ai tha se dëshiroj të përgëzoj Branislav Sinadinovskin dhe bashkëshorten e tij Gordana Sinadinovska për interesimin dhe guximin, sa shkencor po aq edhe njerëzor për t’iu qasë dhe për të trajtuar një temë dhe një çështje, e cila tanimë mëse një shekull ka qenë objekt debatimi në mes të shkencëtarëve, por edhe objekt i politikave ditore, për fat të keq në këto anë, të ngarkuar me shumë paragjykime dhe me inate ballkanike, të cilat i tejkalojnë kufijtë e mirësjelljes e tolerancës në mes të njerëzve”.
Më pas z. Sina ua dha fjalën ligjërusëve të këtij promovimi. Këngëtari Haxhi Maqellara solli kumtesën e përgatitur nga drejtori i Agjensisë së Lajmeve INA, gazetari Naser Pajaziti. Në këtë kumtesë, autori, pasi përëgzon komunitetin shqiptar të Nju Jorkut për këtë promovim, përshkruan veprën e shkruar me guxim e kurajo shkencore nga profesori Sinadinovski.
-Ju, shkruan Pajaziti”,- jeni pjesë e trungut tonë kombëtar që po qëndroni në ballë të të gjitha sfidave të Kombit tonë, sidomos në kohërat kur e do nevoja dhe solidariteti. Ju këtë po e dëshmoni në vazhdimsi. Po e dëshmoni dhe vulosni edhe sot duke organizuar këtë aktivitet patriotik e Kombëtar me rastin e pritjes vllazërore për profesorin tonë të nderuar Branislav Sinadinovski.
”Shqiptarët Ortodoksë të Maqedonisë” i profesorit Branislav Sinadinovski është një vepër madhështore dhe një pasuri e çmuar Kombëtare, që do të lerë gjurmë të pashlyeshme në historinë Kombëtare, shkruan gazetari Pajaziti. Më pas ai tregon rrethanat në të cilat e ka njohur profesorin Branislav Sinadinovskin, gjatë një emisioni televiziv në gjuhën maqedonase, ku ai si një intelektual i vërtetë, me argumenta dhe gjuhë diplomatike, mposhti gazetarin inferior maqedonas, i cili kishte marrë detyrën për të determinuar emisionin e ndriçimit të së vërtetës të shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni. Profesori përveçse i tregoi vendin atij gazetari, çoi porosi edhe tek promotorët e tij se nuk ka asnjë fuqi që mund ta heshtë dhe ta fusë nën dhe’ çështjen e shqiptarisë në trevat shqiptare të Rekës në Republikën e Maqedonisë.
Apeli i gazetarit Pajaziti përmes kumtesës së tij ishte:”Ne duhet të qëndrojmë pas dhe të mbështesim në çdo hap e çdo moment këtë rrugëtim të profesorit tonë të nderuar…Ky komunitet do përkrahje, do mishërim kombëtar, solidarizim dhe bashkëveprim, duke siguruar të gjithë parakushtet e nevojshme.Këtij misioni i duhet dhënë një përkrahje e fuqishme institucionale, që do të garantonte lirinë e shprehjes dhe të drejtën e vetëdeklarimit të çdo qytetari që ka gjak shqiptar. O Sot, o kurrë, përcjell mesazhin e tij gazetar Pajaziti.
Shpend Koleci, në kumtesën e tij, ndër të tjera, tha se fati dhe golgota e vëllezërve tanë të krahinës së Rekës është përcjellë me gjak e lot, që asnëjherë nuk do të shuhen.
Duke ju drejtuar autorve të librave, çiftit Sinadinovski, kumtusi tha:Ne jemi krenar që ju kemi ju, por do të ishim më të gëzuar nëse inkurajohen edhe vëllezrit dhe motrat e këtij religjioni që me kurajo që të deklarojnë të vërtetën.
Artisti Xhevat Limani përcolli mesazhe shqiptarie në diskutimin e tij duke veçuar kontributin e shqiptarve të Amerikës. Ai e përgëzoi profesor Sinadinvski për kurajon shkencore në publikimin e të vërtetave shqiptarve përmes librit të tij”Shqiptarët Ortodoks të Maqedonisë”. Më pas përmes vargjeve poetike ai e ka ngritur sallën në këmbë duke rritur krenarinë e të qenurit shqiptar.
Me duartrokitje të zgajtura janë pritur përshëndetjet e mysafirëve amerikanë, avokatit të njohur Stiv Kaufman dhe profesor Paulo Polombo.
Kryetari i Degës së Vatrës, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, dr. Skënder Murtezani, i lindur në Tetovë, e përgëzoi profesorin Sinadinovski për librin e të vëretatave shkencore dhe përcolli mesazhe vlerësuese nga Federata Vatra dhe kryetari Gjon Buçaj. Dr. Murtezani tregoi një kujtim nga rinia e tij, kur ai ishte kampion në pingpong. Shoku i tij i skuadrës Filip Sinadinovski, që në publik nuk shfaqej si shqiptar si shumë ortodoksë të tjerë shqiptar, i kishte treguar në mirëbesim se në familje flisnin shqip, por nuk mund ta bënin këtë hapur në publik. Para dy vitesh, kur dr. Murtezani e kishte takuar Profesor Sinadinovskin, ia kishte treguar këtë ngjarje. Profesori kishte qeshur dhe kishte pohuar se Filipi ishte pjesë e fisit të tij.
Duke folur për librin Dr. Murtezani tha se “Libri i Profesor Sinandinovski ka nxjerr në dritë të diellit të vërteta të hidhura për maqedonsit, që më kot përpiqen të mbulojnë ende atë që sot nuk mund të fshihet.”
Dr. Murtezani përcolli ide të qarta të bashkimit shpirtëror Kombëtar dhe kritikoi partitë politike shqiptare që në vend të bashkimit, vazhdojnë e mbjellin përçarje.
Veprimtari i Çamërisë z. Sali Bollati, ka përshëndetur organizatorët dhe ka përgëzuar autorët e librave për kurajon shkencore të publikimit të të vërtetave të fshehura.
Kryetari i Akademisë Shqiptare të Nju Jorkut z. Skënder Kodra, ka përgëzuar autorët për librat e shkruar, duke e konsideruar zbardhjen e të vërtetave, kontribut të rëndësishëm për çështjen kombëtare. Në fund e kanë marrë fjalën autorët e librave. Studiuesja Gordana Sinandinovska ka folur për librin e saj Rilindasit Shqiptar, duek evidentuar kontributin e tyre të jashtzakoshëm kombëtar. Ndërsa profesori Branislav Sinadinovski foli rreth librit të tij “Ortodoksit shqiptar në Maqedoni”duke i mëshuar faktit se ky libër ishte realizim i I një amanet të babait të tij, profesorit të ndjerë Jakim Sinadinovski, i cili kishte lënë si amanet , që kurrë të mos harrohet e vërteta e origjinës së shqiptarëve të Rekës së Gostivarit dhe të Dibrës.
Profesor Sinadinovski përshkroi me emocion rrugëtimin dhe golgotën e shqiptarëve ortodoks të Maqedonisë drejt asimilimit misterioz, heshtjen dhe heqjen dorë nga origjina dhe identiteti kombëtar si dhe shqetësime të tjera. Më pas ai foli për tendencën e rikthimit tek identieti dhe guximi i brezave për t’u deklaruar shqiptarë etnik.
Profesor Sinadinovski argumentoi se zona e Rekës së Gostivarit dhe Dibrës është një rajon i heshtur sot, i populluar shumë pak nga banorë që janë shqiptarë etnik, të cilët nga asimilimi dhe frika, nuk duan të flasin për historinë e tyre.Gjithësesi ai tha se së shpejti në Kishën Ortodkse të fshatit të tij të lindjes do të meshohet në gjuhën shqipe.
Gazetari Sina e ka mbyllur veprimtarinë duke vlerësuar miqësinë shqiptaro – amerikane dhe përkrahjen e Amerikës ndaj kombit shqiptar edhe në çastet më të vështira historike. Ai përmendi kontributet e presidentëve Wilson, George Bush i vjetër me vijën e kuqe’ në prag të Krishtëlindjeve, në 1991, deri tek roli i presidentit Klinton gjatë luftës në Kosovë, roli vendimtar i Presidentit George W. Bush në pavarësinë e Kosovës, dhe rruga që ndoqi administrate aktuale me Presidentin Obama”.
Të pranishmit shijuan ushqimet dhe pijet e sponsorizuara nga biznesmeni Ylber Pilku.
TAKIMI ME DYER TE MBYLLURA ME LIGËN QYTETARE SHQIPTARO AMERIKANE
Në mbrëmjen e së shtunës, në mjediset e restorantit” Giovanni’s Pizza” , pronë e bashkatdhetarit Gjergj Dedvukaj, prof.dr.Branislav Sinadinovski dhe bashkshortja e tij, të shoqëruar nga veprimtari i komunitetit të Çikago Fannol Cami, u pritën nga presidenti i LQSH Joe DioGuardi dhe zonja Shirley Cloyes DioGuardi, Këshilltare e LQSHA për Çështjet Ballkanike.
Gazetarët ishin të pranishëm vetëm në çastet e shkëmbimit të urimeve të mirëseardhjes. Biseda ishte me dyer të mbyllura, pa praninë e shtypit.