-I shndërruan shtëpitë në strehimore të shpëtimit për hebrenjtë që iknin nga persekutimi/
-Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit/
PRISHTINË, 27 Janar 2016/ Shqiptarët, të rritur me kultin e besës e të mikpritjes, i shndërruan shtëpitë e tyre në strehimore të shpëtimit për hebrenjtë që iknin nga persekutimi, tha kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit, organizuar nga Bashkësia Hebreje Bet Israel Kosova, në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës.
Në fjalën e tij të rastit, kryeparlamentari Veseli e konsideroi holokaustin një nga ngjarjet më të errëta dhe më barbare, që simbolizon urrejtjen e njeriut ndaj njeriut.
Duke e cilësuar atë si pikën më të zezë dhe tragjedinë më e rëndë në kontekstin e luftës së racave, Veseli shtoi se nazizmi, në emër të kësaj lufte, ndërtoi kampet e shfarosjes dhe zhyti gjithë botën në Luftën e Dytë Botërore, e cila u mori jetën rreth 60 milionë njerëzve.
“Në ato ditë të errëta për njerëzimin, derisa trenat nga e gjithë Evropa dërgonin hebrenj drejt kampeve të shfarosjes, në periferi të Evropës po ndodhte një mrekulli: mrekullia e humanizmit! Një popull i vogël dhe i lashtë, duke bartur mbi vete një kod të nderit dhe besës, po i refuzonte trenat e industrisë naziste të vdekjes. Ky ishte populli shqiptar”, tha në vazhdim të fjalës së tij Veseli.
Shqiptarët, shtoi kryetari i Kuvendit, të rritur me kultin e besës e të mikpritjes, i shndërruan shtëpitë e tyre në strehimore të shpëtimit për hebrenjtë që iknin nga persekutimi, sikur ta dinin që një ditë treni do të bartë edhe pasardhësit e tyre dhe historia e errët do të përsëritet në fundin e shekullit XX për shqiptarët e Kosovës, nga një sistem po aq i egër sa ai nazist.
“Zhurma e trenit të Bllacës është ende e freskët për ne, që na bën të bashkëndjejmë edhe më tepër me fatkeqësinë e miliona viktimave të Holokaustit.
Sot, kur ne përkulemi para këtij kujtimi dhe njëkohësisht, përkulemi me respekt para veprës së qindra familjeve shqiptare që strehuan në vatrat e tyre hebrenjtë e ikur. Ne sot ndihemi krenarë se jemi pasardhës të këtyre familjeve”, theksoi kryeparlamentari Veseli, duke treguar për takimin e disa muajve më parë me zonjën Stela Levi, një qytetare hebreje e lindur në Kosovë dhe e mbijetuar e Holokaustit, e cila ka rrëfyer për humanizmin heroik të shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve nga terrori nazist.
“Zonja Levi më tregoi edhe për jetën e komunitetit hebre në Kosovë. Rrëfimi i saj përputhej me sa e sa rrëfime që kam dëgjuar gjithandej Kosovës nga Familja e Asllan Rezniqit, Familja Sharri, Familja e Hysni Domit, Familja Lleshi, Familja e Hasan Remë Xërxës, Halim Spahiut e shumë familje të tjera. Komuniteti hebre në Kosovë është një komunitet i respektuar. Vetëm pak metra nga këtu ishte sinagoga e cila përballë kishte xhaminë dhe pak më tutje edhe kishën katolike. Një simbolikë e fuqishme e bashkëjetesës fetare”, tha Veseli.
Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi se përkujtimi i Holokaustit është mësimi më i madh nga historia për njerëzimin, që ideologjitë e urrejtjes të mos kenë mundësi të kthehen. Kur kujtohet Holokausti, shtoi kryetari Veseli, kuptohet se sa shumë duhet të punohet në forcimin e demokracisë, në forcimin e lirive e të drejtave të njeriut, në kultivimin e vlerave të tolerancës, mirëkuptimit e bashkëjetesës mes kulturave, religjioneve dhe shteteve.
Në këtë ceremoni përkujtimore ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve qendrore dhe lokale të vendit, përfaqësues të misioneve diplomatike të akredituara në Kosovë, të konfesioneve fetare etj./b.j/