Nga Fritz RADOVANI/
Ne Foto: AT PJETER MËSHKALLA S.J.
(25 Shtator 1901 – 28 Korrik 1988)/
(Portret me lapsë, nga F.Radovani)/
Me datën 28 korrik 1988, populli i Shkodrës, pa dallim Feje, përcolli për në banesën e fundit AT PJETËR MËSHKALLËN, Atdhetarin e flaktë dhe të vendosun në Idealin e Tij… Dijetarin mendjendritun e punëtorin e palodhun për unitetin e Atdheut, Misionarin e vërtetë, Ushtarin e zdathun të Krishtit, Luftëtarin e paepun të Demokracisë dhe të të Drejtave Njerëzore në Shqipni, Mësuesin e pavdekshëm të Rinisë Shqiptare dhe kundërshtarin e papërkulun e të pathyeshëm përballë Gjenocidit komunist.
Shqipja me kthetrat e Saja, atë ditë… ka skalitë në një shkamb:
“Edhe një Hero ma pak!”…
●Plot 60 vjetë perpara At Pjeter Mëshkalla, në vitin 1954, kur ishte në Burgun e Burrelit i dënuem që në vitin 1947 ka shkrue këte poezi, e cila asht nxjerrë si shumë të tjera nga djelmët e rij që ma vonë… dolën të plakun nga burgu…
●Autori i Pavdekshem i saj, si gjithmonë, me optimizmin e Tij, kje frymzues i idealeve të nalta tek Rinia Shqiptare!
JETË E RÉ
Në kthesën e një djali të ri:
“Kaq i vogël fëmi e kaq i madh mëkatar!”
Sh’ Augustini
Në zemrën teme lindi jeta,
shpirti asht mbushun me dëshirë,
me ndriti mendjën e vërteta,
vuejtjet më duken gurrë me hirë.
Lindi Krishti në zemrën téme,
më pruni paqë e dashuni,
më rreshi forcë e ngushëllime,
zhduku errësinën e burgut të zi.
Unë dikur me mburrje shkojshe
për pusina, kurtha e léqe;
krime n’ têrr unë farkëtojshe:
holla vrapin për rrugë të kéqe…
Epshi e faji janë veriga
që tue lëmue, të skllavënojnë;
shpirti s’ka qetësi në punë të liga,
që veç rrathët ma fort shterngojnë.
Mallkue kjoftë për jetë mbrapshtia,
rruga e turpit sot kjoftë pré!
U thyen prangat, ktheu liria ,
shtegu u hap për J E T Ë TË R É !
BB(Burgu Burrel) 1954.
●Shenim nga FR: Poezia asht botue pa asnjë ndryshim nga origjinali.
Melbourne, 26 Korrik 2014.