Nga Dalip Greca/
Gazeta “Dielli” është njoftuar nga Bostoni se të Dielën, 18 Shtator 2016, në Kryekishën Orthodokse Shqiptare të Bostonit, Katedralen”Shen Gjergji”, që njihet ndryshe edhe si Kisha e Nolit, do të organizohet një ceremoni me praninë e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë z. Ditmir Bushati dhe ambasadores shqiptare në Washington Znj. Floreta Faber, ku do të dorëzohet origjinali i Shtampës së njohur të Faik Konicës. Kjo shtampë është ruajtur në arkivin e Kishës së Nolit prej vitesh. Shtampa ka shoqëruar të gjitha publikimet e Konicës, përfshi revistën”Albania”. Nuk dihen ende arsyet përse kjo Shtampë po dorëzohet tani në Tiranë, ku shteti shqiptar nuk ka ndërmend që të organizojë ndonjë aktivitet për Faik Konicën. Kureshtja të con tek pyetja:Përse nuk u riatdhesua së bashku me Faik Konicën kjo Shtampë në prill 1995, ku Vatra se bashku me Komunitetin shqiptar ne SHBA ne bashkepunim me Qeverine Shqiptare ne drejtimin e Aleksander Meksi kthyen eshtrat e Konices ? Natyrisht qe shtampa aty ka qene, jo e fshehur!
Le të shpresojmë se Shtampa do të ruhet dhe nuk do të pësojë fatin e varrit, ku prehen eshtrat e Faik Konicës, që është dëmtuar nga keqdashës dhe shteti është treguar i pazoti për ta ruajtë.
Përse tani?
Ka mundësi që “ndërmjetësi” i dorëzimit të Shtampës të Faik Konicës këto diët në Tiranë të jetë ndikuar nga fakti se Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, vitin 2016 e ka shpallë vitin e Faik Konicës. Veprimtaritë një vjecare të Vatrës do të mbyllen me një simpozium shkencor kushtuar Faik Konicës, një ekspozitë me rreth 50 fotografi si dhe promovimin e dy romaneve misterioze të Faik Konicës” “Martesa e Lejlës” dhe dhe “Sotiri e Mitka” që mbajnë pseudonimin Jean de Kroïa (Gjoni i Krujës) dhe që sillen në gjuhën shqipe nga studiuesi Fotaq Andrea dhe janë të sponsorizuara nga Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA”.
Por le të kthehemi tek Shtampa me inicialet e Faik Konicës që do të riatdhesohet të Dielën: Cfarë përfaqëson ajo, në c’rrethana u krijua, prej cfarë materiali është bërë, kur u shfaq për here të parë, cili ishte artisti që e realizoi atë, si dhe ku e kur u përdor?
Për të marrë përgjigje për këto pyetje unë iu drejtova studiuesit të njohur të Faik Konicës, z. Fotaq Andrea.
Ja përgjigja e tij:
***
I dashur Dalip,
Ishte një surprize tepër e këndshme që më emocionoi thellë lajmi që shtampa e Faik Konicës do të vijë këto ditë në Tiranë që nga Katedralja e Bostonit. Është një ngjarje madhore sepse kemi të bëjmë simbolikisht me një “riatdhesim të ri të Rilindasit erudit Faik Konica” që e donte Shqipërinë moderne, me mentalitet të përparuar perëndimor, në gjirin e familjes së bashkuar evropiane.
Shtampa Faik Konica, e njohur ndryshe si “EX LIBRIS F. K.”, është pjesë e pandashme e personalitetit të tij të lartë,të cilën ai nuk e ndau në asnjë çast të jetës, ashtu sikurse nuk ndau kurrë nga dora librin, apo gramafonin. Krejt biblioteka e tij e pasur përmbante këtë vulë të tij, një shtampë e realizuar bukur artistikisht me germat e veta speciale prej platini, që përbënin artin e tipografisë koniciane të Albania-s dhe të librave të tjerë që ai shtypi me ato germa.
EX LIBRIS ka qenë vazhdimisht në modë tek personalitete të larta të Letrave dhe zakonisht shprehin grafikisht një simbolikë apo moto ideali të personit që e përdor, ose pastaj një formulë filozofike, etj.
Tek Albania, në tetor 1899, viti III, shfaqen për herë të parë germat e veçanta të platinit apo letrinat me zbukurime florale e ravijëzime, krahas një morie vinjetash nga fauna dhe flora e sidomos simboli i shqiponjës. Po ashtu në fund të Albania-s nga tetori 1899 Konica jep emrin e shtypshkruesit të tij kryesor me adresën: F. Donnay Imprimeur 398, Chaussée de Ëaterloo.
Mendoj se shtampa EX LIBRIS F.K. është realizuar nga skulptori belg Paul Nocquet, mik i ngushtë i Konicës, me të cilin ai u ushtrua në sportin e skermës gjatë kohës së qëndrimit në Bruksel. “Kam thyer kushedi sa shpata me të”, i shkruan Konica Apolinerit.
Shtampa, përbëhet pra nga dy germa platini F.K. (Konica bleu shumë shtrenjtë disa familje germash platini që përbëjnë bukurinë e artit tipografik të Albania-s) dhe nga dhjetë gjarpërinj që rrethojnë inicialet e emrit të tij, si dhe këtë logo poshtë tyre në greqisht:
“Flasin keq e do vazhdojnë të më përgojojnë, por mua aq më bën”.
Është kjo një moto koniciane me theks tepër aktual, kur edhe sot e kësaj dite po shfaqen në shtyp antikonicianë të tërbuar që e deformojnë mendimin e tij, duke luajtur me citate të shkëputura nga konteksti dhe nga vetë fryma e kohës kur janë shkruar.
Që shtampa konciane vjen më në fund në Tiranë, që një pjesë identitare e gjeniut Faik Konica vjen në Atdhe, në këtë vit jubilar shpallur nga VATRA VITI FAIK KONICA – ja një gjest fisnik dhe një dhuratë e bukur e shqiptarëve të Amerikës dhe e Kishës shqiptare të Bostonit për gjithë shqiptarët e vërtetë që e duan me zemër Shqipërinë, Kosovën dhe kombin shqiptar, që e duan të përparuar e të ndriçuar, ashtu siç e donte me shpirt edhe vetë Konica kur shkruante : “PARANDJEJ NJË SHQIPËR TË LULËZUAR DHE INTELEKTUALE”.
Pershendetje të ngrohta
Fotaq Andrea
Shenim: Bashkengjitur EX Libris F.K. realizuar nga une artistikisht, si dhe nje pjese e vogel e artit tipografik te Albanias, ku shfaqet germa “K” (rrshti i parafundit) me ravijëzime që Konicës i dhanë idenë e gjarpërinjve, te gjithe ata qe e sulmonin eger,sidomos ne jeten personale.