NGA ANTON NIKË BERISHA*/
Në punimin “Poezia si formë e mbijetimit dhe e pasurimit shpirtëror”, të shkruar në qershorin e vitit 2003, që është parathënie e vëllimit Fjalë në vargoj të muzgëttë Anton Çefës[1], kam ndriçuar disa nga qenësitë kryesore të poezisë së tij. Në mënyrë të veçantë kam folur për Fjalën poetike si art, si kumtimësi, dhe mundësi komunikimi dhe ndikimi estetik[2]. Po ashtu kam theksuar se poezia për poetin Çefa paraqet një mjet të rëndësishëm të mbijetimit e të komunikimit me veten e me të tjerët, domethënë paraqet një përbërës të qenësishëm të gjallimit shpirtëror.
Edhe në vëllimin e ri “Bardhsi me zdritje bore” Çefa përligj vijimësinë e shqiptimit të botës e të dukurive të saj përmes një strukture tekstore poetike të përftuar me përkushtim dhe dije.
Derisa sa në poezitë e mëparshme ai i vështron dhe i shqipton dukuritë që e rrethojnë, që kanë ndikuar në të dhe në njeriun e tij, sidomos ato që i kanë shkaktuar shqetësime, vuajtje dhe pësime në jetë, pra gjërat kryesisht jashtë tij, në poezitë e këtij vëllimi ai ballafaqohet para së gjithash me veten, me botën e tij të brendshme, me atë që i peshon më shumë, që e shqetëson dhe e bën edhe të vuajë. Këtë e përligjin dhe fjalët dhe shprehjet që ai përdor në tekstet e poezive, ku mbizotërojnë ato si: malli, dashuria, bukuria, etja shpirtërore, ëndrra, toka ime e dhimbshme, (poezia) qiri i pashuar, dega e mallit, shtegtimi, kthimi, vetja ime e zhveshur, mantel gri pendimi etj.
Vëllimi “Bardhsi me zdritje bore” hapet me dy krijesa poetike për shumëçka të rëndësishme, që cilësohen me një kuptimësi sa të gjerë dhe aq të thellë: “Poeti” dhe “Poezia ime”. Ato janë të lidhura ngushtë midis tyre dhe paraqesin përbërës të qenësishëm të konceptit poetik të Çefës si krijues dhe të qenësisë së vetë vëllimit.
Poeti dhe poezia shprehen si një binom i pandarë, një njësim shpirtëror i veçantë dhe i vijueshëm. Çefa është i lidhur ngushtë me poezinë që në nismë (krye) të stinëve të tij dhe kjo ka vazhduar pandërprerë; është shndërruar në qiri të pashuar, në flakë që i ka shkaktuar e do t’i shkaktojë – deri në sosje të frymës – kënaqësi e lumturi, shqetësime e brenga.
Gjithë ajo që krijon poeti – me çka i jep jetës një kuptim prej ëndrre – nuk është tjetër pos një shtegtim brenda tij, shtegtim nëpër shpirtin e trazuar dhe të përshkuar nga vuajtja, që nuk mbetet vetëm në rrafshin vetjak, po shtrihet dhe bashkohet edhe me fatin dhe me dhimbjen e të tjerëve, të njeriut të tij dhe të njeriut në përgjithësi.
Poeti i bën objekt vështrimi poetik kryesisht tri dukuri: jetën dhe fatin e njeriut, mallin për atdheun, për vendlindjen (rrjedhojë e mërgimit dhe e jetës larg tyre), dhe dashurinë.
Shtresime shumëkuptimore të mallit
Në poezitë e Çefës fjala mall ka një domethënie të gjerë: nënkupton gjakimin, dashurinë, kënaqësinë, prehjen, po edhe vuajtjen, dhembjen, pësimin, ashtu siç ngjet edhe në jetën konkrete: brenda kënaqësisë, ngushëllimit, prehjes dhe ngazëllimit, përligjen shqetësimi, dhembja dhe vuajtja.
Shqiptimi i mallit në këtë poezi zë fill me qëndrimin ndaj jetës: pezull jeta varet mbi greminë; me vështirësitë dhe të papriturat që duhet përballuar vijimisht, me pasojat që lënë ato në shpirt, rrjedhojë “e dallgëve të lumit”, siç shprehet poeti. Pra, jeta e njeriut është më tepër si një rrjedhë çasti e përshkuar me vështirësi, që në fund lë përshtypjen e përfytyrimit ose të një ëndërrimi; koha që kalon bëhet në qenësi e paqenë, jeton vetëm përmes kujtimeve, qoftë për të mirat ose për të këqijat që e kanë cilësuar.
Një dallgë lumi
dhe lumi nji andrrim
që shkon drejt grykderdhjes
e humb.
(Jeta)
Malli dhe dashuria shprehen sidomos ndaj atdheut, ndaj tokës së poetit dhe ndaj vendlindjes: një pjesë të madhe të jetës ai e ka kaluar larg tyre, në mërgim, gjë që ka kushtëzuar që malli për to të shtohet, madje të shndërrohet në vuajtje shpirtërore. Atdheu dhe vendlindja shprehen dhe si ngushëllim dhe prehje e pafund, që e kanë mbajtur gjallë, i kanë dhënë fuqinë që t’i përballojë vuajtjet. Atdheu – misteri më i madh, siç e cilëson poeti, është etje e mall, dashuri e dhimbje. Edhe në kohën kur sistemi komunist e solli atdheun e tij (natyrisht edhe njerëzit) në zgrip të rrënimit, poeti e deshi dhe e mbrojti atë përmes vargut poetik, që shprehet si kundërvënie e protestë:
Kortezhi i frikës
dhe i dhimbjes
përcjell Atdheun n’varreza.
(Një grusht dhé)
Në shpirtin e poetit atdheu dhe toka e tij gjallojnë si dashuri, që përmes tekstit shndërrohet në bukuri.
Te ti çelin agimet lule drite
e errën muzgjet në piklime yjzish
(Kangë për tokën time)
Ngjashëm ndodh edhe me qytetin e lindjes së tij, Shkodrën. Brenda dashurisë për këtë qyteti frymon shpirti i poetit, brenda këtij qyteti përkundet zemra e tij e përvuajtur dhe e lënduar.
Shkodër,
në degëz të mallit tand,
luhatet e varun zemra ime
(Mall agimesh)
Nisja në mërgim – shkuarja jashtë atdheut, tokës dhe vendlindjes: U nisa si një yll që shkëputet në muzg (Mërgim) nënkuptonte fillimin e vuajtjeve shpirtërore, pa marrë parasysh se kushtet e jetesës mund të kenë qenë më të mira, kënaqësitë e rastit më të mëdha. Pra, njohja me një botë të lirë, siç është ajo e Amerikës, i kanë ofruar Çefës pa dyshim edhe çaste të lumtura. Mirëpo, të gjitha këto nuk i kanë mjaftuar për ngushëllim dhe kënaqësi shpirtërore të mirëfilltë. Ai është bërë i vetëdijshëm se Lumtuninë kot e kërkojmë jashtë nesh; është pasuria shpirtërore ajo që heq peshë dhe jetës i jep kuptim dhe bukuri të njëmendtë.
Kështu, duke jetuar jashtë atdheut dhe vendlindjes, duke u ndjerë se edhe nga vetja / jam i zhveshun (Autoportret), poeti i drejtohet lejlekut që t’ia mësojë artin e kthimit:
Lejlek, o shpend i urtë,
me shpirt prej bore,
mësoma, të lutem,
artin e kthimit!
(Lejleku)
Shkëlqen shpirti në syrin tënd
Pjesën më cilësore të këtij vëllimi të Çefës e bëjnë poezitë që vështrojnë dashurinë, e cila (siç ngjet edhe me mallin) ngërthen disa kuptime. Poeti i qaset asaj në mënyrë të mëvetësishme duke e shqiptuar në një rrafsh të ngritur poetik. Veçimi i aspekteve dhe i nuancave të ndryshme të dashurisë, i mënyrës së perceptimit dhe të të shprehurit poetik, i japin veprës një vlerë të veçantë. Për shumëçka poeti shkëputet nga mënyra tradicionale e qasjen që i bën dashurisë dhe gjuhës poetike përmes së cilës e shpreh atë.
Poeti e ka pritur të dashurën te dera e jetës, e cila është në të njëjtën kohë Evë dhe Afërditë, ku “çdo gja asht shpirt / dashuria ime!” e ku matet e përligjet gjithë madhështia e dashurisë dhe e veprimit, kënaqësia dhe vuajtja, pësimi dhe fati tragjik. Në ndonjë rast Çefa niset nga një krahasim – metaforikë tradicionale “A je brymë moj a je borë?” për të kaluar në një krahasim – metaforë të ndërliqshme e të lartësuar:
Brishtsi me pah prej bryme
bardhsi me zdritje bore.
(Brymë e borë)
Në këto poezi nuk shprehet vetëm dashuria, e dashurën, po edhe bukuria: “Brymë e borë / Ti bukuria!”
Poeti ynë s’ka asnjë dyshim në vërtetësinë e asaj që thotë e shpreh; as nuk i bën pyetje të rëndomta të dashurës; qëllimi i tij është të përftojë tablo poetikisht sa më të pasura e sa më të veçanta, të përftojë diçka që do ta dallojë nga krijuesit e tjerë:
Te dera ku brenga e mallit rri zgjuem
e ernat përkdhelin gjijtë e andjes njerzore,
jemi takue,
njerëzorja Evë,
hyjnorja Afërditë!
(Te dera e jetës të kam pritë)
[1]Shih Anton Çefa, Fjalë në vargoj të muzgët. Camaj&Pipa, Shkodër 2003.
[2] Shih për këtë dukuri më gjersisht punimin Rëndësia e estetikës receptive dhe e ndikimit në veprën time “Çështje teorike të letërsisë”. Faik Konica 2006, f. 184 – 195. Shih dhe Jurij M. Lotman, Ogledi iz tipologije kulture. Në “Treći program Radio Beograda”, Jesen 1974, f. 443.
*Pjese nga parathenia e librit me poezi” Bardhesi me Zdritje Bore” i autorit Anton Çefa
(Lexojeni te plote en Diellin e printuar)