Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se task-forca për koronavirus e Shtëpisë së Bardhë do të shpërbëhet.
“Ne po e rikthejmë vendin tonë”, tha Trump gjatë vizitës që i bëri një fabrike për prodhimin e maskave në Arizonë.
Task-forca për koronavirus udhëhiqet nga nënpresidenti amerikan, Mike Pence.
“Mike Pence dhe task-forca kanë bërë një punë të shkëlqyeshme, por tani do të shohim për një formë tjetër dhe kjo formë është siguria dhe hapja [e ekonomisë]. Do të kemi një grup tjetër që do të krijohet ndoshta për këtë çështje”, tha Trump.
Numri i të infektuarve me koronavirus në SHBA çdo ditë arrin në 20,000, ndërsa ai i viktimave e kalon 1,000.
Në total, numri i të infektuarve atje është mbi 1.2 milion, ndërsa i viktimave mbi 70,000.Zyrtarët shëndetësorë paralajmërojnë se virusi mund të përhapet më shumë kur bizneset të fillojnë të rihapen.
Sipas kritikëve, Trump po e sakrifikon shëndetin publik të amerikanëve duke këmbëngulur në rihapjen e ekonomisë, përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Duke folur në Arizonë, Trump tha se demokratët shpresojnë se politika e tij për koronavirusin do të dështojë dhe se “ata mund t’i fitojnë zgjedhjet”.(RFL)