Nga GUIDO SANTEVECCHI – “Corriere della Sera”, 24 dhjetor 2021 Përktheu: Eugjen Merlika/
Kanë hyrë natën në sheshin e Universitetit të Hong Kongut: një skuadër puntorësh me helmeta të verdha, doreza e mbulesa fytyre. Kanë rrethuar zonën për rreth “Shtyllës së Turpit” që kujtonte plojën e Tienanmenit me pengesa të larta prej plastike, jo për arsye sigurie, por për të mos patur dëshmitarë: në “skenën e krimit” polizia kishte marrë urdhër të mbante larg studentët dhe shtypin. Por pamjet, të marra fshehtas nga një ballkon, kanë depërtuar njëlloj, duke sfiduar edhe Ligjin mbi sigurinë kombëtare kineze që, nga korriku 2020, ka shuar protestën demokratike në ish koloninë britanike.
Kështu në social network ndërkombëtare tani vrapojnë skenat e heqjes së shtatores: një shtyllë bakri 8 m. e lartë, e përbërë nga pesëdhjetë trupa të zhveshur, të sgërlaqur nga një fuqi shtypëse si ajo e tankseve kinezë që, më 4 qershor 1989, kishin spastruar nga sheshi Tienanmen i Pekinit studentët që kërkonin një qeveri të hijëshme. Një njollë e turpëshme e Partisë-Shtet , prandaj shtatorja ishte quajtur “Pillar of Shame”, Shtylla e Turpit. E dhuruar nga artisti danez Jens Galschiot, piramida përkujtimore kishte arritur në Hong Kong më 1997, pak javë më parë se sa qyteti t‘i kthehej Republikës popullore kineze nga kolonizuesit britanikë.
Për njëzetekatër vite skulptura kishte qënë e vetmja përkujtesë në territorin kinez e flijimit të mijra të rinjve kinezë, të vrarë në një natë në Pekin. Në Hong Kong ishte në fuqi parimi “Një Vënd dy sisteme” që, formalisht është ende , por në të vërtetë është fshirë nga Ligji mbi sigurinë kombëtare kineze dhe nga përsëritja e arrestimeve për subversion e ndarje që në dy vitet e fundit kanë bërë të heshti opozita kundër-komuniste. Pak ditë më parë një Gjykatë e Hong Kongut ka dënuar me të tjerë 13 muaj burg, jimmy Lai-n, botuesin e të përditëshmes së lirë Apple Daily, të mbytur e të mbyllur në verë: faji i tij, pse kishte marrë pjesë më 4 qershor2020, në përgjimin e fundit në kujtim të Tienanmenit. Jimmy Lai nga qelia ka shkruajtur: “Nëse të kujtohen ata të vdekur është një krim, jam krenar të bashkëndaj lavdinë e atyre të rinjve që kanë derdhur gjakun e tyre”.
Mbetej ende statuja në sheshin e universutetit më të vjetër të qytetit edhe ende studentët bënin fotografi përpara saj në rastet e rëndësishme si diplomat. I papranueshëm për kursin e ri “patriotik” të imponuar në Hong Kong. Që në tetor kishte ardhur urdhëri t’a hiqnin. Pa klimën e frikës që kishte pllakosur Hong Kongun, mijra studentë do të kishin vërshuar në shesh për të mbrojtur simbolin. Ndërsa tani askush nuk ka sfiduar urdhërat e rinj shtypës: për kujdes puntorët janë dërguar në zemrën e natës. Rektorati ka njoftuar se “vendimi për të shkulur statujën e vjetër ishte marrë mbi bazën e këshillës ligjore e duke vlerësuar rrezikun për universitetin. Ishim edhe të shqetësuar për brishtësinë e veprës”. Një arsyetim hipokrit. “Pillar of Shame”, i prerë dhe i mbështjellë me një mushama të bardhë, u tërhoq zvarrë si një kufomë. “Një fund i keq, jam i çatrafilluar”. Ka thënë skulptori Galschiot.
“Corriere della Sera”, 24 dhjetor 2021 Përktheu: Eugjen Merlika