-“Nëse opozita përcaktohet për variantin e vazhdimit të bllokadës dhe provokimit të konfliktit, kjo atëherë çon drejt ndeshjes me forcën e shtetit. Si pasojë, do ta kemi rrezikun e shpërthimit të një lloj lufte civile ose, të paktën, të gjendjes së anarkisë, gjë që do ta komprometonte aftësinë e Kosovës që të krijojë shtet stabil”./
Analistët politikë Shkëlzen Maliqi dhe Nexhmedin Spahiu, duke e komentuar situatën e fundit ndërmjet pozitës dhe opozitës, kanë paralajmëruar se mund të ketë veprime edhe më radikale në seancën e radhës të Kuvendit, në rast se nuk ndërmerren hapa për ta qetësuar situatën.
Njohësi i proceseve politike, Shkëlzen Maliqi, ka thënë se zgjidhja më e mirë për tejkalimin e krizës është dialogu dhe tërheqja e opozitës nga qëndrimet ultimative. Në të kundërtën, ai ka thënë se ka rrezik për shpërthimin e një lloj lufte civile. “Nëse opozita përcaktohet për variantin e vazhdimit të bllokadës dhe provokimit të konfliktit, kjo atëherë çon drejt ndeshjes me forcën e shtetit. Si pasojë, do ta kemi rrezikun e shpërthimit të një lloj lufte civile ose, të paktën, të gjendjes së anarkisë, gjë që do ta komprometonte aftësinë e Kosovës që të krijojë shtet stabil. Zgjidhja më premtuese do të ishte nëse do të vendosej kanali i dialogut, pra që opozita të heqë dorë nga ultimatumet, duke kërkuar nga pushteti garancitë se marrëveshjet nuk çojnë drejt pasojave që ajo i alarmon”, ka deklaruar Maliqi për “Epokën e re”, duke shtuar se, nëse partitë opozitare nuk do të ndalen atëherë, sipas tij, kemi të bëjmë me një shembull tipik të dhunës interpretative. “Opozita e kushtëzon Qeverinë të heqë dorë nga marrëveshjet ndërkombëtare që i ka nënshkruar, atë për asociacionin e komunave serbe dhe atë për demarkacionin me Malin e Zi. Opozita thotë: Hiqni dorë nga nënshkrimet dhe ne do ta zhbllokojmë Kuvendin! Por, në të vërtetë, ajo nuk ndalet tek kjo. Në esencë kërkon edhe më shumë, skajshmërisht shumë. Kemi të bëjmë me një shembull tipik të asaj që unë do ta quaja dhunë interpretative, kur një subjekt politik pretendon se qëndrimet e saj janë të drejta, alfa dhe omega e situatës dhe se nuk mund të ketë qëndrime të tjera. Pastaj opozita kërcënon se do të kalojë në protesta publike derisa pushteti aktual nuk dorëzohet dhe nuk anulohen marrëveshjet”, ka thënë Maliqi.
Ai ka vlerësuar se kjo nuk është pikënisje e duhur për ta zgjidhur çështjen, pasi shumica e koalicionit në pushtet, e përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare, nuk ka ndërmend të tërhiqet nga marrëveshjet, as nga pushteti që e ka falë votës së fituar vitin e kaluar dhe, sipas Maliqit, kjo krijon atë situatë të tensionuar që mund të çojë drejt konfliktit të hapur. “Opozita sikur synon që pushtetin ta përmbysë me dhunë, ndërkaq që pushteti i kontrollon forcat e rendit dhe sigurisë dhe mund të intervenojë kundër ambicieve puçiste të opozitës militante”, ka theksuar Maliqi. Sipas tij, një prej arsyeve për radikalizimin e opozitës është frika e disa drejtuesve të saj nga ndërhyrja tashmë e legalizuar e faktorit ndërkombëtar, sepse së shpejti do ta kemi të instaluar Gjykatën Speciale. “Edhe te Vetëvendosja!, tek AAK-ja dhe Nisma kemi disa figura politike të spikatura dhe mujshare, që do të mund të gjykoheshin nga Specialja. Për dallim nga mujsharët e pozitës, kandidatë për Specialen, që bashkëpunimin me ndërkombëtarët e shohin si mundësi për ‘amnistim’ nga ndjekja penale, mujsharët e opozitës përcaktohen për radikalizim të qëndrimeve dhe veprimeve, për të krijuar idenë se janë faktorë me fuqi destabilizues: mos na prekni, mund të sjellim anarki dhe kaos në Kosovë!”, është shprehur Maliqi.
Duke folur për mundësinë e intervenimit të faktorit ndërkombëtar, ai ka thënë se tashmë ndërkombëtarët mbajnë qëndrimin e prerë në favor të Qeverisë dhe e kritikojnë ashpër opozitën. “Kjo ia jep mazhorancës fuqinë ta mbrojë kushtetutshmërinë me të gjitha mjetet, ndërkaq përpjekja e opozitës që të imponohet me dhunë do të ishte aventurë e rrezikshme, sepse nuk do ta ketë përkrahjen as të ndërkombëtarëve, as të shumicës së popullit”, ka vlerësuar Maliqi.
Edhe analisti tjetër politik, Nexhmedin Spahiu, duke folur për zhvillimet e fundit, ka thënë se klasa politike e Kosovës është duke luajtur me zjarr. Ai ka thënë për “Epokën e re” se Kosova ka nevojë për formimin e një qeverie teknike me mandat njëvjeçar. “Nëse nuk ndërmerren masa të menjëhershme, situata rrezikon të përshkallëzojë. Ajo çfarë i duhet Kosovës aktualisht është formimi i një qeverie teknike, ku do të përfshiheshin të gjitha partitë politike parlamentare me një mandat njëvjeçar derisa të qetësohet situata. Përndryshe, ndezja e gjakrave, që veç ka filluar, mund të dërgojë në një situatë tepër të rrezikshme edhe për fatin e Kosovës. Prandaj, është koha që pozita dhe opozita të ulen, të bisedojnë dhe të formojnë një qeveri teknike gjithëpërfshirëse dhe të përgatiten për zgjedhje pas një viti”, është shprehur Spahiu. Në këtë kontekst, ai ka thënë se është e domosdoshme ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar që, sipas tij, duhet të ndodhë sa më shpejt. “Mendoj se ambasadorët e vendeve të Quintit duhet të takohen me të gjithë liderët politikë dhe të bëjnë një zgjidhje, pra qeverinë teknike. Nuk ka zgjidhje tjetër e cila do të mund ta evitonte përshkallëzimin e mëtutjeshëm të dhunës që veç ka filluar. Po ashtu, mund të ketë veprime edhe më radikale në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës në rast se nuk ndërmerren hapa për ta qetësuar situatën”, ka deklaruar Spahiu.