Nga Peter R. PRIFTI*/
Shqiptarët etnikë në Shtetet e Bashkuara janë duke mbushur njëqindvjeçarin e parë që kur patën arritur këtu në një numër të madh në fillim të këtij shekulli. Shtypi i tyre në këtë vend gjithashtu nuk është më pak i vjetër. Jetëgjatësia e tij shkon pothuajse parale me periudhën që ata ndodhen në këtë vend. Duke filluar nga viti 1906 e deri në ditët tona kjo periudhë mbulon saktësisht 86 vjet, me fjalë të tjera, shtypi shqiptar ka arritur një moshë të respektuar dhe madje fort të nderuar të një tetëdhjetëvjeçari: flokëbardhë dhe solemn, por akoma luftarak.
Natyra e shtypit shqiptar
Duke folur për shtypin shqiptar në Amerikë, ne kemi parasysh dy lloje botimesh: gazeta dhe revista dhe jo fletushka dhe botime të tjera të këtij lloji. Natyrisht, sdhtypi shqiptar ka qenë pjesë e një familjeje mjaft të gjerë të shtypit etnik në Shtetet e Bashkuara: gjerman, irlandez, italian, izraelit, rus e kështu me radhë. Një pjesë e qenësishme e këtij shtypi etnikhistorikisht ka qenë radikal dhe madje revolucionar. Në anën tjetër, një pjesë e mirë e shtypit etnik që identifikuar kaq ngushtë me shtypin amerikan sa që, përsa u përket të gjitha qëllimeve praktike, nuk mund të dallohet prej tij. Ai është joideologjik, jomisionar dhe i orientuar nga biznesi.
Sikundër shtypi i grupeve të tjera etnike, shtypi shqiptar në përgjithësi aspironte të përmirësonte kushtet sociale, ekonomike, edukative dhe politike të shqiptarëve. Por ndryshe nga një pjesë e madhe e shtypit të emigrantëve, ai i rezistoi asimilimit nga shoqëria amerikane dhe në anën tjetër qe i përmbajtur përsa i përket bashkimit me rrymat radikale dhe revolucionare të shtypit të emigrantëve. Shkurt, ai i mënjanoi të dyja këto ekstreme.
Nëse duhet përdorur një fjalë mbi të gjitha për të karakterizuar apo përkufizuar shtypin shqiptar në Amerikë, kjo është fjala NACIONALIZËM. Nacionalizmi, që nënkupton formimin dhe ruajtjen e shtetit shqiptar, ka qenë preokupimi qendror i shqiptarëve të Amerikës dhe si rrjedhojë tema dominante e aktivitetit të shtypit të tyre. motivi patriotik, i diktuar nga nevojat urgjente të kombit shqiptar, përgjithësisht ka dhënë tonin, ka përcaktuar programin dhe, ka plazmuar aktivitetin e shtypit.
Nuk është pa rëndësi fakti që gazeta e parë shqiptare e botuar në Amerikë u quajt Kombi. Kjo ndodhi në vitin 1906. Po ashtu, programi i shpallur në vitin 1909 nga pasardhësja e Kombit – Dielli, u përshkrua nga gazeta si “krejtësisht kombëtar”, domethënë me orientim nga Shqipëria. Programi me gjashtë pika diskutonte kombësinë shqiptare, gjuhën dhe shkollat, si dhe zhvillimin e ekonomisë së Shqipërisë, por nuk thoshte asnjë fjalë për gjendjen apo shqetësimet e shqiptarëve në Amerikë.
Pionierët e shtypit shqiptar në këtë vend kishin arsyet e tyre, natyrisht, për t’i kthyer sytë nga toka që ata kishin lënë prapa. Vala e parë e emigrantëve erdhi nga një vend i varfër, i prapambetur, që ishte akoma nën sundimin turk. Thellësisht koshientë për atdheun e shtypur dhe të varfëruar, ata organizuan jetën e komunitetit të tyre në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë shtypin e vet, duke patur Shqipërinë si fokus të vëmendjes së tyre.
Arritja e parë e shënuar në këtë pikëpamje ishte themelimi në vitin 1908 i Kishës Ortodokse Shqiptare, motivi i së cilës ishte më tepër kombëtar se sa fetar. Institucioni i dytë i rëndësishëm, gjithashtu i frymëzuar nga dashuria dhe qëllimet kombëtare, ishte Federata Pan-Shqiptare Vatra e Amerikës – Vatra, që u themelua në vitin 1912. Ideali kombëtar ishte më i rëndësishmi në mëndjen e themeluesve të këtyre dy institucioneve historike. Dhe ky ideal, sikurse e thamë më parë, ishte që Shqipëria të bëhej një vend i pavarur, si dhe të modelohej në stilin modern perëndimor të demokracisë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Falë kushteve të veçanta që mbisundonin në Shqipëri në pjesën e parë të shekullit, sidomos në dy dekadat e para, shtypi shqiptar në Amerikë u angazhua thellë në politikë. Diskutimet e zjarrta politike që ndizeshin në kafenetë e shqiptarëve nga mëngjesi deri në mbrëmje u reflektuan në botimet e tyre dhe ajo që botohej në shtyp ishte ushqim për komente plot pasion, analiza dhe argumentime në klubet dhe kafenetë e tyre.
Në përgjithësi, gazetat dhe revistat shqiptare në këtë kohë, që e konsideronin si detyrë të luftonin nga njëra anë kundër strukturës sociale ekzistuese në Shqipëri, e cila ishte kryesisht një sistem i aristokracisë së tokës dhe i prijsave të fiseve, dhe në anën tjetër të shprehnin përkrahje për bujqërit, dyqanxhinjtë dhe mësuesët, që së bashku formonin të ashtuquajturin segment opinga të popullsisë. Ata konsideroheshin si një element i rëndësishëm, punëtorë dhe i pakorruptueshëm i popullsisë, të cilit mund t’i bësohej ndërtimi i një kombi shqiptar të lirë dhe përparimtar.
Një vështrim statistikor i shtypit
Nëse shqyrtojmë historinë e gjatë 86 vjeçare të shtypit shqiptar në Amerikë, në do të ndeshemi me disa të dhëna interesante dhe heraherës mjaft të papritura.
Ne jemi kureshtar të dimë para së gjithash se sa gazeta dhe revista kanë parë dritën e botimit gjatë kësaj periudhe. Dhe ne jemi krejt të befasuar të mësojmë se nuk ka patur ndonja një duzinë botimesh të tilla, por plot 82, sipas përllogaritjes sonë. Ky numër tregon se ka patur afërsisht dhjetë botime të reja për çdo dekadë.
Sikundër mund të pritej, numri i gazetave është tepër më i madh se sa ai i revistave. Ne kemi konstatuar se përpjestimi është përafërsisht 5 gazeta për çdo një revistë. Kështu, nga numri i përgjithshëm prej 82 të përkohshmesh, 66 janë gazeta, ndërsa revista –17.
Numerikisht, shtypi para Luftës së II-të Botërore ishte më pjellor se sa në periudhën e pasluftës, megjithëse periudha e mëparshme ishte dhjetë vjet më e shkurtër (38 me 48 vjet). Afro dy të tretat e të gjitha botimeve që kemi identifikuar në këtë studim, kanë qenë botuar para Luftës së II-të Botërore. Krahasuar me atë periudhë, aktiviteti i shtypit në periudhën e pasluftës ka rënë në mënyrë dramatike.
Në studim janë përcaktuar edhe afatet e zgjatjes së jetës individuale të gazetave. Të dhënat nuk janë të plota për periudhën e pasluftës. Por gazetat dhe revistat e paraluftës, në përgjithësi, kanë një nivel mjaft të lartë mortaliteti. Gati 50 përqind e tyre (25 nga numri i përgjithshëm prej 52) janë zhdukur brenda vitit, 40 përqind të tjera ose nja 22 kanë zgjatur nga dy deri në tre vjet, tre kanë zgjatur midis 4 dhe 9 vjetësh, dhe vetëm dy kanë vazhduar për më shumë se 10 vjet: Liria në Boston, tani në vitin e saj të 51-të, dhe Dielli, zonja e madhe apo patriarku i shtypit shqiptar, tani në vitin e saj të 83-të.
Në pjesën më të madhe, këto gazeta dhe revista kanë qenë botuar si javore, dyjavore, mujore ose dymujore. Por ka megjithatë disa përjashtime. Për një periudhë prej katër vjetësh, në dekadën e dytë (1915-19), në udhëheqjen editoriale të Kostë Çekrezit, Dielli u botua çdo ditë. Kjo ishte pasojë direkte e aktivitetit intensiv patriotik të shqiptarëve në Amerikë, pas Luftës së Dytë Botërore, kur fati i Shqipërisë ishte varur në qime. Në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, një gazetë, Illyria, tani në vitin e saj të katërt, është duke u botuar në Bronx, N.Y. dy herë në javë; ndërsa në skajin tjetër të spektrit, Albanian Catholic Bulletin, në rajonin e San Franciskos, është botuar rregullisht një herë në vit, duke filluar nga viti 1980.
Sikundër është rasti tani, ashtu edhe në të kaluarën, shtypi shqiptar ka folur shpesh në më shumë se në një gjuhë. Mbi 30 botime kanë qenë shtypur në shqip dhe anglisht dhe të paktën katër prej tyre kanë botuar edhe materiale në frëngjisht dhe italisht.
Ku kanë qenë botuar ato?
Një pyetje që të vjen në mënyrë të natyrshme në mend është kjo: Në cilët qytete dhe shtete kanë qenë botuar ose janë duke u botuar tani gazetat dhe revistat shqiptare? Duke filluar nga viti 1906 e deri në kohën tonë, botimet shqiptare kanë qenë botuar në dhjetë shtete dhe 21 qytete në të gjithë vendin. Nga pikëpamja rajonale, nga të 80 botimet, vendin e botimit të të cilave ne e dimë, shumica më e madhe, 66 që të jemi të saktë, kanë qenë botuar në East Coast, nja një duzinë në Midwest, dhe vetëm 3 në West Coast.
Nëse bëjmë një hulumtim shtet për shtet, do të shohim se Massachusetts kryeson me 42 botime, ose me më shumë se 50 përqind të numrit të përgjithshëm. New Yorku zë vendin e dytë me 22 ose me rreth një të katërtën e numrit të përgjithshëm. Revistat që mbeten, gjithsejt 18, janë të përhapura në 8 shtete, duke përfshirë Connecticut, New Jersey, Ohio, Michigan, Illinois, Missouri, Colorado dhe California.
Një hulumtim qytet për qytet e vë Bostonin në ballë të parë me 23 botime. Kjo është e kuptueshme, duke marrë parasysh se Bostoni historikisht ka qenë qendra kombëtare dhe kulturore e emigrantëve shqiptarë në Amerikë. Qyteti i New Yorkut është në vendin e dytë me 19 botime. Ndërkaq, nëse krahasojmë periudhën e paraluftës me atë të pasluftës, shohim se ka ndodhur një ndryshim i roleve midis Bostonit dhe New Yorkut. Bostoni ra nga 19 botime në periudhën e paraluftës në 4 në periudhën e pasluftës, kurse numri i botimeve te New Yorkut u bë dyfish e më shumë në periudhën e pasluftës, duke u rritur nga 6 në 13. Shifrat tregojnë se qysh nga Lufta e Dytë Botërore, New Yorku ka qenë qendra udhëheqëse e shtypit në Amerikë. Arsyeja për këtë është se në periudhën e pasluftës, New Yorku u bë magneti kryesor për “Emigracionin politik” shqiptar, duke tërhequr dhjetra mijëra azilantë, duke përfshirë një numër të madh intelektualësh dhe njerëzish profesionistë. Shtypi për ata ishte një instrument i natyrshëm dhe bile i pazëvendësueshëm për artikullimin e pikëpamjeve të tyre për çështjet e ditës, mbi të gjitha ato politike dhe fetare, sidomos në lidhje me Shqipërinë dhe Kosovën.
Shtypi politik, fetar dhe edukativ-letrar
Nëse shqyrtojmë karakterin apo programin e shtypit shqiptar në këtë vend, shohim një konstrast që të çudit midis periudhës së paraluftës dhe të pasluftës, të paktën në dy fusha: politike dhe fetare. Le të analizojmë të parën politikën. Në të gjithë historinë e shtypit të emigracionit shqiptar, mund të numërojmë afro një duzinë me gazeta dhe revista thjesht apo kryesisht politike. Ky është shtypi që mund të quhet shtypi i partisë ose partizan, i përbërë nga organe zyrtare të partive, kominiteteve apo grupeve të organizuara politike.
Tani, në periudhën para Luftës së Dytë Botërore, politika ka qënë pika kryesore e diskutimeve në shtypin shqiptar. Ndërkaq, është një gjë që të ngjall kureshtjen fakti se vetëm një botim ka qenë formalisht dhe zyrtarisht politik për nga natyra. Kjo ka qenë gazeta Albania, organ i Partisë Politike dhe Kombëtare që u botua në worcester, Mass nga 1908 në vitin 1920. Në kontrast me këtë, në periudhën e pasluftës, ne mund të numërojmë të paktën 11 botime politike, që është reflektim padyshim i të ashtuquajturit emigracion politik të shqiptarëve në Amerikë, i përbërë nga azilantë apo refugjatë që erdhën këtu si pasojë e fatkeqësive të shkaktuara nga Lufta e Dytë Botërore, plus persekutimet politike dhe ideologjike në Shqipëri dhe Kosovë pas luftës. Klima e favorshme politike në Shtetet e Bashkuara dha mundësi për botime të tilla si Shqiptari i Lirë, organ i Komitetit Shqipëria e Lirë: Shërbestari i Shqipërisë i Partisë Demokratike Agrare “Balli Kombëtar”; Lidhja e Prizrenit, e botuar nga Lidhja e Prizrenit në Mërgim; Atdheu i “Lëvizjes së Legalitetit”; Lajmëtari i të Mërguemit i Bllokut Kombëtar Indipendent e kështu me radhë.
Në fushën fetare gjithashtu ekziston një përpjestim mjaft i theksuar midis botimeve të paraluftës dhe të pasluftës. Nga 8 organet fetare që kemi identifikuar, vetëm njëri është botuar para luftës. Ky ishte Shqipëria, organ i Komunitetit Fetar Muhamedan Shqiptar, që u shfaq për një kohë të shkurtër në Waterbury, Ct., në vitin 1918. Shtatë botime të tjera fetare apo kryesisht të natyrës fetare janë: Jeta Muslimane Shqiptare, Zëri i Bektashizmës, dhe Përpjekja jonë, të gjitha organe të Komunitetit Mysliman; The Vineyard dhe Drita e Vërtetë, të dyja organe të Komunitetit Ortodoks; dhe Jeta Katolike Shqiptare dhe Albanian Catholic Bulletin, që janë produkt i Komunitetit Katolik. Rritja në numër e periodikut fetar, pjesërisht i dedikohet themelimit të disa faktorëve të katolikëve dhe myslimanëve shqiptarë në Amerikë, dhe pjesërisht si reaksion i politikës antifetare të regjimit komunist në Shqipëri. Vërtet, pjesa më e madhe e shtypit të pasluftës shquhet jo vetëm për karakterin e tij nacionalist, por edhe për qëndrimet e tij të forta antikomuniste.
Botimet me një program që vë theksin mbi kulturën dhe studimin, datohen që në vitin 1920, me shfaqjen e gazetës Studenti në Springfield, Mass. Studenti u botua nga Skënder Luarasi, i biri i Petro nini Luarasit. Një tjetër gazetë e ngjashme, e quajtur gjithashtu Studenti, u shfaq një vit më vonë në Boston.
Revista Letrare pati një ekzistencë të shkurtër në vitin 1927 në watertown, Mass. Në periudhën e pasluftës, Shoqëria Letraro-Amerikane në Boston botoi The Albanian-American në mesin e viteve 1950, duke patur për editor dramaturgun e dëgjuar Vasil Alarupi. Revista më e vonshme e këtij lloji është Albanica, një revistë akademike dhe letrare, e botuar nga Arshi Pipa në New York. Albanica ka tërhequr një numër shkrimtarësh të njohur dhe ka mundësinë të bëhet një revistë shqiptare me ndikim në këtë anë të Atlantikut, nëse do të ketë një vështrim më të gjerë përsa i përket zgjedhjes dhe trajtimit të materialeve të saj.
Në përgjithësi, shtypi në amerikë ka qenë më aktiv në fushat që kanë të bëjnë me politikën, edukimin dhe shoqërinë, dhe më pak aktiv në fushat letrare dhe artistike. Si pasojë, suksesi i tij ka qenë gjithashtu më i madh në këto kategori.
Udhëheqja e shtypit shqiptar
Shtypi shqiptar në Amerikë është po aq produkt i nevojave dhe i preokupimeve vitale të kombit shqiptar, sa dhe është krijesë e disa figurave shqiptare në Amerikë. Në këtë kuptim, shtypi është një listë e pothuajse të gjithë udhëheqësve më të shquar të komunitetit shqiptaro-amerikan, sidomos në periudhën e vet të formimit dhe më vitale, kryesisht nga viti 1906 në vitin 1924.
Lista e këtyre udhëheqësve është e madhe dhe impozante. Ajo përfshin Nolin, Faik Konicën, Kristo Dakon, Kristo Floqin, Kostë Çekrezin, Parashqevi Qiriazin, Midhat Frashërin, Skënder Luarasin, Mihal Gramenon dhe të tjerë më pak të shquar. Nga këta, më aktivi nga të gjithë ka qenë padyshim Konica. Konica ka qenë i lidhur ngushtë me nja një gjysmë duzine botimesh, më shpesh si editor apo drejtor menaxher. Këtu përfshihen Dielli, Flamuri, Trumbeta e Krujës, Shqiptari i Amerikës, Bota e Re, Purteka dhe Kombi në Rrezik. Figura tjetër më aktive ka qenë Çekrezi, editor i kujdesshëm i Diellit në vitet e para, editor i revistës Illyria në vitin 1916, dhe i Adriatic Review në vitet 1918-1919 dhe, më në fund, themelues i gazetës Liria në Boston në vitin 1941. Përsa i përket Fan Nolit, emri i tij figuron kryesisht në lidhje me Diellin, Adriatic Review, dhe revistën Republika që u shfaq në vitet 1930-33.
Kur mendojmë për Diellin, normalisht ne mendojmë për dy apo tre nga editorët më të shquar të tij, si Noli, Konica dhe Çekrezi. Por në fakt, lista e editorëve të Diellit është mjaft e gjatë dhe shumë prej tyre janë figura mjaft të njohura. Kanë qenë njëzet editorë dhe zëvendës editorë në historinë e gjatë dhe dramatike të Diellit. Përveç Nolit, Konicës dhe Çekrezit, lista përfshin Kristo Floqin, Kristo Dakon, Paskal Aleksin, Eftim Naçin, Denis Kamburin, Bahri Omarin, Loni Kriston, Andon Frashërin, Andrea Elian, Nelo Drizarin, Peter Tikon, Qerim Panaritin, Athanas Gegajn, Refat Gurrazezin, Xhevat Kallajxhiun, Eduard Liçon dhe Arshi Pipën. Ne gjithashtu do të përmendim emrin e presidentit të tanishëm të Vatrës, z. Agim Karagjozi, që është duke shërbyer përkohësisht si editor i Diellit, duke pritur caktimin e një editori të përhershëm. Lista, mund të shtojmë, nuk është në një rend të rreptë kronologjik.
Si një shënim, duam të kujtojmë se Qerim Panariti, me 19 vjetët e tij të shërbimit si editor i Diellit (1944-1963), e ka mbajtur këtë punë më gjatë se çdo editor tjetër. Megjithatë, rekordin për kohën më të gjatë si editor në historinë e shtypit shqiptar në Amerikë e ka mbajtur Dhimitri Nikolla (Trebicka), që ka botuar Lirinë në Boston për 47 vjet, nga 1943 deri në vdekjen e tij në vitin 1990.
Dy shembuj të gazetave shqiptare në SHBA
Meqë Dielli dhe Liria janë dy gazetat më të vjetra dhe më të njohura shqiptare në Shtetet e Bashkuara, një analizë e shkurtër e secilës prej tyre do të dukej normale. Këto gazeta përfaqësojnë gjerësisht emigrantët shqiptarë në këtë vend. Në faqet e tyre janë pasqyruar aktivitetet, arritjet dhe dështimet, evolucioni ekonomik dhe kulturor, diskutimet, grindjet dhe pozicionet në terrenin gjithnjë të ndryshueshëm në Shqipëri.
Dielli është shëmbulli më i suksesshëm i një gazete shqiptare në Amerikë. I parë historikisht, ai është botimi më i rëndësishëm, më me influencë dhe më me prestigj i emigrantëve shqiptarë në këtë vend.
Mbi të gjitha, orientimi ideologjik i Diellit ka qenë nacionalist. Ndërkaq programi i saj specifik ka ndryshuar ndër vite me ndryshimin e rrethanave. Në tre vjetët e parë (1909-12), objektivi i saj kryesor ka qenë sigurimi i autonomisë për Shqipërinë brenda Perandorisë Otomane. Në vitin 1912, vitin që Shqipëria arriti pavarësinë, gazeta u bë organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës – Vatra, 12 vjetët e mëpastajmë ishin vjetët më aktivë dhe më të rëndësishëm historikë. Gjatë kësaj periudhe, preokupimi kryesor i gazetës ka qenë që të sigurojë sovranitetin e Shqipërisë dhe integritetin e saj territorial, pas kaosit të shkaktuar nga Lufta e Parë Botërore, sikurse dhe përkrahja e përpjekjeve për të vendosur një shoqëri demokratike në Shqipëri. Pas dështimit të eksperimentit demokratik të Peshkop Nolit në Shqipëri në vitin 1924, ideologjia dhe politika e gazetës ndryshuan papritmas në drejtim të qëndrimit të djathtë dhe të qendrës, një lëvizje që shkaktoi një çarje midis forcave të Nolit dhe të Konicës. Në dekadat që pasuan, ky ndryshim reflektoi në mënyrë suksesive platformat monarkiste, pro-fashiste (për një kohë të shkurtër) dhe antikomuniste. Sot, gazeta Dielli është e respektuar për moshën e saj të nderuar, politikën e saj demokratike dhe mbi të gjitha për rolin e shquar historik që luajti në vitet e para të rinisë së saj.
Liria, organ i Organizatës së Lirë Shqiptare, është zyrtarisht një gazetë joideologjike, jopolitike dhe jopolemike. Ajo vazhdimisht ka pretenduar se është një gazetë patriotike, që i është përkushtuar interesave jetësore të Shqipërisë, pikësëpari kundër kërcënimeve të ushtruara nga grekët dhe serbët.
Megjithatë, jozyrtarisht, për më shumë se katër dekada, kjo gazetë ka ndjekur një politikë lehtësisht të qendrës së majtë. Ajo në heshtje ka përkrahur regjimin socialist të Hoxhës, duke ekzekutuar imazhin zyrtar të një Shqipërie progresive të modeluar në Tiranë. Kjo është bërë kryesisht duke rishtypur tekste të artikujve nga shtypi shqiptar – që natyrisht kishin vulën e aprovimit qeveritar – dhe duke përhapur libra, revista, filma dhe prodhime të tjera të importuara nga Shqipëria. Si vetëmbrojtje, gazeta mori një qëndrim të tillë që linte të kuptonte se ajo nuk përkrah regjimin e Hoxhës si të tillë, por vetëm bën të njohur arritjet e popullit shqiptar, i cili e pat çliruar veten nga sundimi shtypës i bejlerëve dhe bajraktarëve të Shqipërisë së paraluftës.
Në të njëjtën kohë, Liria afirmonte devocionin e saj ndaj Amerikës dhe bënte thirrje për restaurimin e marrëdhënieve miqësore midis Shqipërisë dhe Amerikës. Bash para ardhjes së demokracisë në Shqipëri, gazeta kritikoi publikisht politikën represive të Shqipërisë staliniste. Që atëherë, ajo ka qenë një përkrahëse e fuqishme e forcave demokratike në Shqipërinë e re.
Midis këtyre dy gazetave, Dielli dhe Liria përfaqësojnë me një saktësi mjaft të madhe tendencat kryesore politike, ekonomike dhe sociale midis shqiptarëve etnikë në Amerikë. Por përveç këtyre gazetave kryesore, ka patur disa periodikë që kanë vepruar në periferi të shtypit etnik shqiptar si tërësi. Të shtyra nga një simpati e fuqishme për popullin punonjës dhe lëvizjet radikale, këto botime kanë bërë thirrje për një ristrukturim radikal të rendit të vjetër social në Shqipëri. Shembuj botimesh të këtij lloji janë Koha (Jamestown, N.Y., 1915-1919), Përlindja (Framingham, Mass, 1917), dhe Demokratia (Boston, 1938).
***
Në tërësi, aktiviteti i shtypit shqiptar në Amerikë ka qenë i konsiderueshëm dhe i vazhdueshëm, pa asnjë ndërprerje që kur lindi në vitin 1906. Ky shtyp ka bërë një shërbim të shquar në formimin e ndërgjegjes kombëtare, të unitetit dhe të qëllimeve të përbashkëta midis emigrantëve shqiptarë, që nga koha e “të ardhurve të parë” e deri në brezin e katërt të shqiptaro-amerikanëve. Gjatë të gjithë kësaj periudhe shtypi është përpjekur, kryesisht dhe pikësëpari, të mbrojë dhe të avancojë interesat kombëtare shqiptare. Kjo është e kuptueshme kur ne sjellim ndër mend se ideali kombëtar ka qenë gjithnjë fokusi dhe drita udhërrëfyese e shtypit shqiptar në Amerikë.
* U ribotua ne Diellin special te 28 nentorit 2014, e derguar nga shkrimtari Naum Prifti
*) U botua fillimisht anglisht në gazetën “Dielli”, Nr. 1-2, janar-qershor, 1993. U përkthye nga Çezar Kurti dhe u botua te “Illyria”, New York 6-8 tetor, dhe 10-12 tetor, 1994.