-Arkeologu, bibliografi, bibliotekisti, eseisti, albanologu, u lind në Arbnesh të Zarës, më 10 tetor 1930, në familje arbëreshe/
-Shuhet akademik Aleksandër Stipçeviq, vlerësohet kolos i ilirologjisë/
-Arkeologu, bibliografi, bibliotekisti, eseisti, albanologu, u lind në Arbnesh të Zarës, më 10 tetor 1930, në familje arbëreshe/
PRISHTINË-ZAGREB, 1 Shtator 2015/ Ministëri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Kosovës, Arsim Bajrami, shprehet se me pikëllim të thellë ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të kolosit të ilirologjisë, akademik Aleksandër Stipçeviq.
“Bota akademike humbi arkeologun, bibliografistin, bibliotekistin, eseistin, albanologun, por edhe mësimdhënësin e shumë gjeneratave. Ndërsa, qytetarët e Kosovës, por edhe të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, humbën njeriun që më së miri solli te ne frymëmarrjen ilire”, shkruan ai në telegramin e ngushëllimit drejtuar familjes Stipçeviq.
“Me veprën e tij, akademiku Stipçeviq ka bërë vend meritor në historinë botërore. Ndërsa, ne do ta kujtojmë gjithmonë edhe si mikun më të madh, që me pendën e tij, me veprimtarinë shkencore, u bë roje e historisë tonë kombëtare”, thekson ministri Bajrami.
Media kosovare raporton se, akademiku, ilirologu i njohur me përmasa botërore, arbëreshi nga Arbanasi Aleksandër Stipçeviq, ka ndërruar jetë.
Ai është ndarë nga jeta dje në Zagreb në moshën 85 vjeçare.
Arkeologu, bibliografi, bibliotekisti, eseisti, albanologu, u lind në Arbnesh të Zarës, më 10 tetor 1930, në familje arbëreshe.
Shkollën fillore e të mesmen i kreu në Zarë, ndërsa arkeologjinë më 1954 në Zagreb. Ka doktoruar më 1977 në temën “Simbolizmi religjioz te ilirët “, gjatë viteve ‘70 -73 ligjëroi në Universitetin e Prishtinës-katedrën e historisë, lëndën “Hyrje në arkeologji”, ndërsa në Universitetin e Zagrebit ishte i angazhuar që nga viti 1971 deri në pensionim më:1997, ku njëherit kishte ushtruar edhe funksione me përgjegjësi, tërë veprimtaria e tij shkencore-edukative është përqendruar në Zagreb.
“Veprimtaria shkencore e Aleksandër Stipçeviqit, zhvillohet në disa drejtime, ndërsa dy prej tyre mbesin kryesore: arkeologjia edhe bibliologjia, kurse gjatë studimeve ka zgjua interes çështja ilire.”(Aleksander Stipčević s Poštovanjem, faqe 281).
Stipçeviq është dekoruar me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Bujar Nishani, president i Republikës së Shqipërisë.
Në Wikipedia shkruan se Aleksandër Shandri Stipçeviq është ilirolog, historian dhe letrar arbresho-kroat.
Aleksandër Stipçeviq lindi në Arbnesh të Zarës në Kroaci më 1930. Është njëri nga ata bij të arbëreshëve të rrethit të Shkodrës, të cilët treqind vjet më parë u shpërngulën në rrethin e Zarës. Ka studiuar arkeologjinë dhe ka drejtuar një varg institucionesh e projektesh që lidhen me bibliotekat, historinë e librit, botimet enciklopedike etj., deri në Akademinë e Shkencave në Zagreb. Që nga viti 1987 është profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku mban kursin e historisë së librit, sociologjisë së librit dhe bibliografisë. Është autor i një numri të madh veprash për ilirët dhe historinë e librit: Historia e ilirëve, Arti i ilirëve, Simbolet e kultit te Ilirët, Bibliografi për ilirët, Historia e librit, Censura në biblioteka, Interpretime albanologjike etj. Më shumë se dyzetë vjet emri i tij identifikohet me rezultatet më të reja të studimeve ilire./b.j/
Sadik Elshani says
U shua edhe nje vigan i shkences dhe kultures sone kombetare. Burre i urte, shkencetar i shkelqyer – u prehte ne paqe!
Eugjen Merlika says
Nderim e respekt kujtimit te nje njeriu te ditur, qe ka punuar gjithe jeten e Tij per kulturen tone e qe, fatmiresisht, eshte i gjakut tone. Paqe shpirtit te Tij ne boten e amshuar!