- Presidenti Thaci: Ishte gjithmonë i pathyeshëm dhe i papërkulur përballë çdo sfide. Baca Adem tërë jetën ia kushtoi Kosovës !
- Presidenti Thaçi shpall tri ditë zie për vdekjen e veprimtarit Adem Demaçi/
-Kryeministri Haradinaj-Familjes Demaçi: Rezistenca dhe kontributi juaj deri në ditët e fundit të jetës ishin dhe do të jenë frymëzim për gjeneratat e reja/
PRISHTINË, 26 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/Adem Demaçi, veprimtar e simbol i rezistencës shqiptare në Kosovës ka ndërruar jetë në moshën 82 vjeçare.Lajmi u bë i ditur sot, pak më parë, në seancën e Kuvendit të Kosovës, e cila u ndërpre pasi u mbajt një minutë heshtje.
“Ka ndërruar jetë mësuesi jonë, njeriu që i dha 28 vjet të jetës së tij nëpër kazamatet serbe. Ai ka ndërruar jetë, por vepra e tij do të lartësohet e kujtohet për sa të ketë jetë”, u shpreh nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, që po kryesonte seancën.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkruan:Është shumë e vështirë ta pranojmë që simboli ynë i rezistencës, baca Adem, ka ndërruar jetë. Ishte gjithmonë i pathyeshëm dhe i papërkulur përballë çdo sfide. Baca Adem tërë jetën ia kushtoi Kosovës dhe ne gjithmonë do ta kujtojmë si udhërrëfyes dhe do ta kemi si zë ndërgjegjeje popullore. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shprehet: Prehu në paqe Baca Adem! Gjithë jetën i shërbeve dhe gjithë jetën e nderove atdheun. Përjetësisht atdheu do ta nderojë e kujtojë veprën dhe emrin tënd.
Lidhja Demokratike e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Demaçi dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar kombëtar, Adem Demaçit.
LDK thekson se, Adem Demaçi ishte simbol i rezistencës kundër regjimit të Serbisë në Kosovë, duke mos u nënshtruar asnjëherë para dënimeve drastike dhe dhunës së regjimit serb.
Qytetarët dhe populli i Kosovës do ta përkujtojnë përherë veprën kombëtare të Adem Demaçit dhe veprimtarinë e tij në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës
***
Kryeparlamentari Veseli: Adem Demaçi, frymëzimi dhe krenaria jonë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shkruan:Me 17 shkurt të këtij viti, isha për vizitë të Baca Adem për t’ia uruar përvjetorin e 10-të të pavarësisë. Ndonëse i sëmurë, në asnjë moment nuk tregoi shenja dobësimi. I fortë dhe plot vullnet si gjithmonë. E patëm lënë të takoheshim sërish, por kësaj here në Kuvendin e Kosovës. Fati nuk e deshi që ai të vinte. Por, Adem Demaçi do të rrojë me ne, derisa të ekzistojë edhe ky popull, për lirinë e të cilit ai barti mbi supe vuajtjet dhe përpjekjet më të mëdha.
Jo vetëm Kosova, por mbarë kombi shqiptar është i tronditur sot nga humbja e një ndër bijve më të shquar. Me kurajën, sakrificën dhe atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai u bë simbol i rezistencës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri e barazi në trojet e veta.Vepra e tij shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës, në bazë të themeleve të shëndosha, të vlerave të lirisë e demokracisë.
Lamtumirë Adem Demaçi, heroi i Kosovës, frymëzimi dhe krenaria jonë.
Ngushëllime, Kosovë.
***
Haradinaj ngushëllon Familjen Demaçi
PRISHTINË, 26 Korrik 2018-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ngushëlluar Familjen Demaçi pas ndarjes nga jeta të veprimtarit dhe simbolit të rezistencës së çështjes kombëtare, Adem Demaçi:”Me dhembje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të pathyeshëm të çështjes kombëtare, simbolit të rezistencës intelektuale, Adem Demaçi.
Rezistenca dhe kontributi juaj deri në ditët e fundit të jetës ishin dhe do të jenë frymëzim për gjeneratat e reja se si duhet dhe punohet për vendin, andaj lavdi e përjetshme punës dhe veprimtarisë suaj.Në emrin tim dhe të Qeverisë së Kosovës ju shprehë ngushëllimet më të sinqerta, familjes, të afërmve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Kontributi dhe sakrifica e simbolit të rezistencës Adem Demaçi, në kohërat më të vështira për Kosovën ishin frymëzim dhe guxim për arritjen e synimeve të qytetarëve për krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës”.
Ramush Haradinaj,
Kryeministër i Republikës së Kosovës
***
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një bisede telefonike ka pranuar ngushëllimet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, për vdekjen e veprimtarit të shquar, Adem Demaçi.Duke vlerësuar lart figurën e Adem Demaçit, në emër të qytetarëve të Shqipërisë, presidenti Meta e ka ngushëlluar edhe tërë popullin e Kosovës.Presidenti Thaçi e ka falënderuar homologun e tij shqiptar për ngushëllimet dhe ka theksuar se Adem Demaçi ishte frymëzim i rezistencës jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, duke u shndërruar në ndërgjegje kombëtare.
***
PDK: Adem Demaçi ishte burim frymëzimi për lirinë
Partia Demokratike e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Demaçi, si dhe gjithë popullit të Kosovës, për ndarjen nga jeta të veprimtarit të shquar kombëtar dhe simbolit të rezistencës, Adem Demaçi.Me atdhedashurinë e tij të jashtëzakonshme, ai nuk pushoi kurrë së angazhuari për atdheun dhe asnjëherë nuk u dorëzua përballë sfidave.Vepra e Adem Demaçit shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës në bazë të themeleve të shëndosha të vlerave të lirisë e demokracisë.Trashëgimia që la pas ai, ka për të mbetur gjallë dhe do të shndrijë si pishtar për të ndriçuar rrugën e shumë brezave të tjerë.
I përjetshëm kujtimi për Adem Demaçin.
***
KOSOVA, TRE DITË ZIE PËR VDEKJEN E VEPRIMTARIT ADEM DEMAÇI
-Presidenti Thaçi shpall tri ditë zie për vdekjen e veprimtarit Adem Demaçi/
Në nderim të figurës së veprimtarit të shquar, Adem Demaçi, i cili sot ka ndërruar jetë, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bazuar në kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, i ka shpallur tri ditë zie në Kosovë, përkatësisht ditën e premte, të shtunë dhe të diel.Gjatë këtyre ditëve të zisë, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës do të ulet në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore brenda dhe jashtë vendit.Presidenti Thaçi e ka marrë këtë vendim duke u mbështetur në Ligjin nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, Ligjin 03/L-132 për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës dhe në Ligjin 03/L-038 për Përdorimin e Simboleve Shtetërore të Republikës së Kosovës.Veprimtari i shquar, Adem Demaçi, do të varroset me nderimet më të larta shtetërore.
***
KUVENDI MBLIDHET NESËR NË SEANCË KOMEMORATIVE, NË NDERIM TË JETËS DHE VEPRËS SË ADEM DEMAÇIT
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, sonte në orët e vona ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, pas vdekjes së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.
Në nderim të tij, Kryesia mbajti një minutë heshtje.Kryeparlamentari Veseli, në emër të Kuvendit dhe në emrin e tij personal, u shprehu ngushëllime familjes Demaçi dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës, për humbjen e, siç e cilësoi Veseli, heroit të kombit, Adem Demaçi.Kryesia njëzëri vendosi që nesër në orën 11:00, Kuvendi të mblidhet në seancë komemorative, në nderim të jetës dhe veprës së Adem Demaçit.
Po ashtu, u vendos që seanca plenare e Kuvendit, e ndërprerë sot, të vazhdojë të hënën, në orën 10:00.
***
Lëvizja VETËVENDOSJE: Adem Demaçi, vigan në panteonin e kombit
Lëvizja VETËVENDOSJE shprehet: Ngushëllime popullit shqiptar dhe liridashësve të gjithë botës.
Vdekja e Adem Demaçit pikëllon rëndë gjithë shqiptarët, e në fakt gjithë liridashësit. Në këto momente dëshirojmë t’i gjendemi pranë sidomos familjarëve e të afërmve të familjes Demaçi. Veprimtari i cili kurrë nuk u dorëzua e nuk u thye, as prej dekadave të burgut, sot nuk është më mes nesh. Por më e pranishme se kurrë është flaka e atdhetarisë, ideali që ai ndezi në zemrat tona.
Nuk ka aktivist të Lëvizjes që nuk është edukuar në frymën dhe në shembullin e Adem Demaçit, i cili ka qenë dhe do të jetë përgjithmonë busulla dhe fari, jo vetëm për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por për çdo subjekt të sotëm apo të ardhshëm që synon emancipimin e popullit tonë.Adem Demaçi mishëronte si askush tjetër të gjitha virtytet e tiparet e veprimtarit që nuk reshti asnjëherë së preokupuari e angazhuari për popullin e kombin. Fjalët nuk gjenden për ta përshkruar angazhimin e tij që mbetet një simbol i pashlyer, e dhembjen e madhe, por vepra e tij monumentale do të përndritë gjithmonë shqiptarët, e shembulli i tij do të frymëzojë të gjithë ata që kombin dhe atdheun e vënë mbi vetën e gjithcka tjetër.Adem Demaçi vdiq, por ai është i pavdekshëm. Vigan në panteonin e kombit, me shpirtin e tij të fortë, me parimet e tij të panegociueshme, me vlerat e tij njerëzore e universale, ai e mposhti çdo gjakatar e çdo tiran. Qëndresa e tij do të mbetet frymëzim, vepra e tij do të jetë mësimi ynë.Je i përjetshëm në zemrat e shqiptarëve, baca Adem!
***
SHENIM: Federata Pan-Shqiptare e Amerieks VATRA i shpreh ngushellimet me te thella Familjes Demaci per humbjen e njeriut te tyre te dashur, luftetarit dhe simbolit te rezistences ne Kosoven e okupuar, luftetarit te paepur per Liri. Pushofte ne paqe shpirti i Mandeles se Kosoves!