QSPA/
Shuhet në moshën 91-vjeçare Mario Brunetti, një nga personalitetet arbëreshe më të rëndësishme të fushës së politikës, të gazetarisë dhe të fushës studimore. Protagonist i historisë politike dhe sociale të Italisë së Jugut që nga vitet 1950.
Mario Bruneti lindi në fshatin arbëresh Plataci, por jetoi dhe e zhvilloi veprimtarinë e vet në Kozencë. Ishte gazetar profesionist dhe themelues i disa organeve të shtypit, ku spikat kontributi i tij si drejtues i periodikëve “Prospettiva socialista”, si dhe i revistës “Sinistra Meridionale”.
Ai ishte president i Qendrës për Studime Politike dhe Ekonomike të Kalabrisë (Cespe.Ca), si dhe drejtues i Institutit Mesdhetar Jugor (MeMe). Bruneti është autor i botimeve dhe eseve të ndryshme mbi “çështjen e jugut”, mbi politikat ndërkombëtare dhe për problemin e pakicave gjuhësore në Evropë. Si deputet i Parlamentit italian për tre mandate, ai ka qenë një nga zërat më të fuqishëm për mbrojtjen e kauzës arbëreshe në Parlament. Ishte prezantues i ligjit 482 për ruajtjen e gjuhëve të minorancave, veçanërisht asaj arbëreshe, ku ai loboi fuqishëm për mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave arbëreshe, por edhe të vlerave të pamohueshme të Luftës Antifashiste, për lartësimin e të cilave ai dha një ndihmesë të jashtëzakonshme si një nga studiuesit e veprës së filozofit arbëresh, Antonio Gramshi. Ai drejtoi me përkushtim për shumë vite edhe Fondacionin “Antonio Gramshi”, ku pati një veprimtari të gjerë kulturore e shkencore, që spikati me botimin e fakteve dokumetare mbi jetën dhe veprën e këtij personaliteti, si dhe të origjinës së familjes Gramshi.
Është autor i shumë veprave studimore dhe eseistike, ku vlen të përmendim: “La piazza della rivolta – Microstoria di un paese arbëresh in età giolittiana”, “Il coraggio della coerenza”, “Le cose del Mondo”, “Il rovello permanente”. Gjithashtu, ka shkruar tekstet me natyre didaktike dhe studimore:“ Imparare l’Albanese – Të mësojmë shqip”, “Minoritetet e vjetra dhe të reja kulturore – Përcaktimi i një harte të pranisë dhe pasurive që duhen ruajtur”, “Chi Dona trandanda”, “Fjalor italisht-shqip”, në bashkautorësi me studiuesin Damiano Guagliardi.
Homazhet për nderimin e Mario Brunettit zhvillohen sot në Kalabri. I shprehim ngushëllime të sinqerta familjes, miqve të tij dhe të gjithë arbëreshëve për këtë humbje të madhe.