“Si mund t’i them: “Sa e lumtur jam”, kësaj bote?!/
Kur qiejt, dhimbjen e grumbulluar, ia përplasin furishëm kësaj Toke?!”/
KUR POEZIA I KALON KUFIJTË E IBRAVE/
Mendime rreth poezisë së Lumturi Ymeri/
Shkruan: DRITA LUSHI/
Lexoj një, dy, tre poezi në një rrjet social,e më mbeten në atë pjesë të memorjes ku shijohet e bukura. Prandaj, kërkoj e kërkoj më shumë, derisa marr në dorë tre librat e Lumturi Ymerit, vargu i së cilës si një magjistar, të bën të ndalesh…Atëherë mbaj sytë, vëmendjen, përqëndrohem në libra, e mandej duke shijuar dhe ndjerë poezinë e saj, kuptoj që ato(librat), s’mbajnë dot atë peshë që përçon poezia e saj tek lexuesi.Edhe në autorë me emër, ka periudha, që poezitë përsërisin njëra –tjetrën, madje ndihet një lloj monotonie, zbehtësie, përgjumje, uniformiteti e lexuesi duket sikur lexon të njëjtën poezi në njëzet të tilla(!).Ky “fenomen”,nuk ndodh tek Lumturia.
Të larmishme dhe të veçanta, poezitë e saj, aty ku duket se ngjasojnë, aty ndërrojnë stil, duke na sjellë një gjetje-veshje të re që na befason.
“Sonte qenkam e burgosura
Mes verës e vjeshtës
Hënës dhe ëndjes
Frymës dhe brymës
Luleve e lutjeve
Mekjeve e stepjeve”
-Shkruan ajo ,duke përshkruar një “gjendje” përmes krahasimeve , simboleve, e përjetimeve, mes konkretes dhe abstraktes duke na dhënë një përshkallëzim poetik dhe emocional të veçantë.
Në fund të fundit, emrat janë thjesht një veshje e sipërfaqshme, që na bëjnë të kthejmë kokën, kur dikush na kërkon apo thërret. Është e qartë që poezia nuk fle brenda emrave; Poezia fle dhe zgjohet brenda shpirtit sa herë që zemra dhe dejet marrin hove ndjesish nga realiteti, ku gjithpërfshirja e emocioneve negative dhe pozitive shpërthejnë në mrekulli fjalësh e poezish sa të vjen të mos dalësh më prej tyre. Ekzaktësisht këto,ndiej kur lexoj poezitë e Lumturi Ymeri(Bersava).
“Ta rrokullis këtë gur prej zemre…
Pa le të më bjerë…këmbëve! “
-Shprehet poetja, duke na përçuar një peshë emocionale t fortë, brenda këtij dyvargëshi.
Poezitë e saj janë të lira,e fjalët gjejnë njëra tjetrën pa vështirësi, me një natyrshmëri lakmuese, e një forcë shprehëse dhe bindëse, të pëlqyeshme nga një spektër i gjerë lexuesish.
Gjithmonë kam qene e bindur, që përpara se të jesh poet, duhet të jesh njeri. Nëse nuk je njeri, s’mund ti futesh dot jetës ndër deje, s’mund ti lëvrish në gjak’.
E po s’bëre këto, as ajo s’të fal dot ndjesi të forta, sy përtej sysh, vështrime përtej vështrimesh, zemër përtej zemrës, duar përtej duarve, jetë përtej jetës, që të mund te formëzosh stalagmite vargjesh, e të mrekullosh njerëz.
Lumturia ia ka arritur kesaj “magjie”,duke qenë të gjitha në një,dhe një në të gjitha.
Ajo ështe grua, shoqe, e dashur, mike, e keto i shpalos bindshëm si poete, duke u ndjerë brenda tyre.
Duke lexuar poezitë e Lumturisë dy cilësitë që mëvijnë shpesh në mendje dhe përsëris në(n)zë janë :“Fuqishëm dhe bukur”
Ajo prek çdo skutë të mendjeve njerëzore, të vetëdijes e nënvetëdijes sonë e rizgjon mjaft ndjesi, malli, dashurore, atdhetare, amësie e familjare.
Ndjenjat e saj janë ashtu si të çdo gruaje dhe bije, por vetem një poete, mund ti këndojë ndjenjës atërore keshtu:
“Ç’është kjo mungesë
Ojna-tisur në mall?
Mes yjesh mbetesh
At-je…ku tretesh?
ATI IM”
Ajo shquhet jo vetëm për gjetjet metaforike, por mbi të gjitha për ndërlidhjen e tyre çka është “sekreti”- le të them i poezive të saj.
Shpesh poezitë e saj duken si lojëza- fjalësh duke ndërtuar një stil të bukur femëror në vargje.
Ne “Shpirt alien”ajo shkruan :
I (pa)dukshëm, i (pa)njohur
i(pa)kapshëm, i mistershëm
i llahtarshëm, i (pa)vdekshëm.
Duke përdorur ndërtimin e vargjeve në mënyre leximi të dyfishtë, në një lojë gërme-fjalë-mendim, ajo e çon fantazinë pikërisht, brenda mendimeve e dyzimeve tona njerëzore, në pikëpytje, që secili mund ti japë përgjigjen sipas dëshirës.
Ajo vërtet shquhet për gjetje të befasishme, por ato janë aq të natyrshme sa të duket vërtetë se e sheh poeten që :“ndal diellin në ikje”
“zbrazen ditët nga barku i dritës,
ngrij në pritje,
të ndal diellin në ikje”
Kur lexon poezitë e Lumturisë, i ndien aq të vërteta, sa të duket se i ke ditur gjithë jetën, vetëm se s’ke mundur ti shkruash. Ndihesh aq brenda tyre, sa pohon me buzëqeshje ose rilexim …
“Malli s’ka
As duar, as thonj
E prapë se prapë!
E gërryen shpirtin
Të gjejë një vend,
E prapë se nxë…!”
Ajo e krahason lotin me planetin më të vjetër në galaktikë, duke përshkallëzuar e kaluar përtej poezisë, si vijon:
“Loti ishte pa qenë ne,
Planeti më i vjetër në galaktikë
Ku lindën e qanë perënditë
Zotët e mitët e shkatërruan
Kur tradhtuan e flijuan perënditë
Sot jemi ne,
Në këtë Tokë
Zotër e robër”
Ajo të drithëron me ndjenjat amësore, të vëna në puthje, mundime, gëzime dhe lot, kur kujton vitet e birit të saj qysh në lindje.Kush më mirë se një nënë-poete do shkruante për ndjenjën dhe marrëdhënien më të adhurueshme në botë mama-fëmijë?
“U rrite jeta ime,
Majë gishtash
Vij të të puth në ballë,
Ti zbret lotëve të mij
Si njëzetre vite më parë…”
Poezitë e saj i shpëtojnë skemës moralizuese , të cilat s’kanë asnjë lidhje me artin e mirëfilltë,por ajo di të bëjë që përmes artit, natyrshëm të na përcjellë mësime.
Poezitë e saj janë gjetje interesante, në larmi tematike dhe formëzohen në fytyra të reja vargjesh, sa herë që ajo vendos ti hedhë ato mbi letër.
Zhytem nën Lega
eci me Jardë
ndizem në Omega
ngrij nën Gradë
Më lini pak në
Qetësi,
tani që jam
….NJERI….
Ajo i thotë kështu miqësisë:
“Ëngjëll, e di, s’je,
sigurisht, dhe un’ jo!
Por më ndje!
Kur shpirtin vë
pasqyrë përpara teje,
edhe ti shihe aty
vetveten. . . . . “
Ajo duket se ecën në nje tra ekulibri me fjalën, por çuditërisht ecën pa dridhje, por me akrobatësira mahnitëse, me lëkundje të hijshme që veç të ndjellin të lexosh më tej.
Të mahnit mënyra e ndërtimit të një poezie, ku ajo shpalos ndjenjën e saj për fëmijët, si ndjenja më kuptimore dhe ekzisteciale në botë.
Tru-
trup-
trung
jam tani!
Terr-
tmerr-
ferr
ishte dje!
TRE
Akuj-
avuj-
uj’
qesh përherë!
Shpreh-
shpresë
shpend
do jem nesër!
Ditë-
dritë
ndrit-
tek fëmijtë
E mi,
të mitë,
të mirtë!
Tre,
trembem-
tretem
për ta”
Fjalë të ngjashme me plus ose minus gërmash i “ngjit” sup më sup poetikisht, duke na dhënë një radhë rritëse ndjesish, si njerëzore por mbi të gjitha një shije poetike dhe muzikore fantastike siç ndodh(jo vetem) në poezinë e mësipërme.
Poezia për Lumturinë është:”Vlim i shpirtit, kondensim në muret e mendjes”
E si e tillë, avujt aromatikë të petale-zuara në poezi ngjyra-jete-njerëzish do vazhdojnë parreshtur të vijnë drejt nesh të kondesuara në memorje!
Ajo guxon në poezinë e saj; nuk rri besnike e një forme, e një skeme, e një fjale apo e një teme;
“Nën dritën e abazhurit sonte
cepin e jorganit tërhiqe
hidhe tej
mbulomë me frymën tënde!”– shkruan ajo në poezinë “I(magji)natë përvëluese..”duke guxuar të flasë hapur poetikisht atë ç’ka të tjerët e mendojnë heshtur;Ajo vazhdon më tej:
“Grise dhe copën e tyltë
që mbulon atë hark epshndjellës
të nënbarkut
që mbaron në
trekëndëshin e zjarrit…”
Një pikë e fortë e Lumturisë është,se ajo shkruan mjaft hapur, duke i vënë çdo ndjenje, ndjesie, emocioni, gjendjeje,e dukurie emrin e vet.Kjo e ndihmon shumë të na shpalosë e të ndiejmë deri në ind, ç’ka ajo shpreh dhe ndjen duke u bërë dhe ne lexuesit, pjesë e ndjesive të poetes.Kur arrihet kjo, poeti ka fituar betejën themelore të artit të fjalës së shkruar.
Përgjithësisht poetet s’mbahen mend për numrin e librave, që kanë lënë;as për titujt, kopertinat apo numërin e faqeve libërorë;
Ata kujtohen e njihen pikërisht për poezitë që kanë mbetur në memorje e kujtesë.
Unë kam bindjen se Lumturia është njëra nga to.Poezitë e saj kanë kaluar kufijtë e librave, dhe kanë hyrë në portat e kujtesës së lexuesve. Përpos të gjithave, mua më mjafton të them se ajo ështe një krater i hapur, llava e të clit ështe në rrjedhjë të vazhdueshme dhe do të vazhdojë të na befasojë me ngjyrësimin e saj poetik.
Dergoi per Diellin: @ Drita LUSHI
Janar 2014
Shqipëri