Nga Petro Luarasi/
Politikanët tanë ‘’të madhërishëm’’ me shumë zell përsërisin në fushata elektorale se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të bëhet një Zvicër e Ballkanit, por vetën në rast se do ia besojnë atyre pushtetin, përndryshe… Por keq e mos më keq venë punët e hallemadhes me ta apo pa ata, sepse mendësia dhe veprimtaria e palëve mbetet allashqiptarçe.
Sa për zviceranët ata kanë patur pak ‘’të madhërishëm’’ por shumë mend e kurajo popullore. Ata ndihen krenarë dhe të përgjegjshëm të vlerësojnë heroin e tyre legjendar, Vilhelm Telin, i cili pati kurajon t’i kundërvihej mëkëmbësit të perandorit të Austrisë, i cili urdhëronte popullin t’i gjunjëzohej një kapeleje mbi stap anembanë kantoneve të Zvicrës, si symbol i pushtetit perandorak. Kush nuk bindej burgosej, i keqtrajtohej familja dhe i konfiskohej pasuria. Nga legjenda mësohet se për mosbindje Vilhelm Teli u detyrua të godiste me shigjetë mollën, të vendosur mbi kryen e të birit!
Episodi u gdhend në përjetësi nga vargjet shileriane:
Prej kësaj koke, ku vendosën mollën,
Liri e re më e mirë do blerojë;
E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë,
Një jetë e re po lulëzon gërmadhash.
Në përfundim Vilhelm Teli e goditi sundimtarin barbar me shigjetë në zemër, frymëzoi popullin për kryengritje dhe zuri vendin e merituar në historinë e popullit zviceran, i cili historikisht e ka dëshmuar se si e mbron lirinë , pavarësinë, begatinë e dinjitetin në një rend nga më demokratikët.
Përkthyesi i kryeveprës së Shilerit ‘’Vilhelm Teli, atdhetari Skënder Luarasi, me dhimbjen e Shqipërisë hallemadhe ka shkruar: ‘’Bota(zviceranët) nga balta bëjnë heronj, ndërsa ne heronjtë i bëjmë baltë!’’ Vërtet aq shumë heronj e personalitete të jashtëzakonshëm që i kanë shërbyer vendit dhe botës, por që harrohen, përgojohe, përbalten dhe populli nuk edukohet dhe as ndërgjegjësohet me veprën dhe mësimet e tyre të vyera, mbi atdhedashurinë dhe sakrificat që duhet të bëhen. Prandaj duhet të edukohemi që të kuptojmë se Shqipëria do të bëhet si Zvicra nëse e duam mbi gjithçka dhe sakrifikojmë për vendin tonë si zviceranët. Në mënyrë simbolike e shtoj pyetjen: A i gjunjëzohemi Shqipërisë apo kapeles së sundimtarit të rradhës?
Johann von Schiller (1759-1805) cilësohet si dramaturgu më i shquar
Gjerman. Kryevepren e tij Vilhelm Teli e perktheu Skender Luarasi n[ vitin 1934.
Antinghauseni
A paska pasur aq guxim fshatari,
Me mjet të vet, pa ndihmë të bujarve?
Kur paska kaq besim në vetvete,
Nuk ka nevojë, jo, për forcën tonë;
Shkujdesur mund të zbresim ne në varr,
Duke menduar që fuqi të ra
Do rritin madhërin e njerëzisë.
(Vë duart mbi krye të djalit, i cili qëndron më gjunjë para tij.)
Prej kësaj koke, ku vendosën mollën,
Liri e re më e mirë do blerojë;
E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë,
Një jetë e re po lulëzon gërmadhash.
………………………………………
Antinghauseni
Djal’ njihe mir’ kët’ popull prej barinjsh!
E njoh unë q’e udhëheq n’luftë;
Unë e kam parë qysh luftoi në Favenc.
Po le të vijnë e të na vënë zgjedhë;
Ne s’do ta mbajmë kurrë atë zgjedhë.
– Im nip, mëso të dish prej ç’fisi je!
Mos flak margaritarët e vërtetë
Për hir të një shkëlqimi të gënjeshtërt.
Ji prijës i një populli të lirë,
Që të bën veten fli nga dashuria
Dhe qëndron tok me ty në luft’ e vdekje;
Kjo qoftë bujaria që të mburr.
Forco cilsit’ e trashëguara t’gjakut;
Atdheut besnik shiko t’i rrish më pranë
E ta pushtosh me gjithë zemrën tënde;
Këtu ësht’ e forta rrënjë e forcës sate;
Atje, në vend të huaj, qëndron vetëm,
Si i dobëti kallam q’e thyen shqota…
Fragmentet ”E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë…”, ”Atdheut, besnik shiko ti rrish më pranë…”,etj. mësuesi i letërsisë S.Luarasi i dha si temë hartimi në gjimnazin e Shkodrës më 1935, ku shumë nxënësit Qemal Stafa, Vasil Llazari, Arshi Pipa, Xhemal Broja, etj. shkruan hartime të shquara. Kështu bëhej edukimi i rinisë me literaturë përparimtare për të mbrojtur dhe begatuar atdheun sikurse zviceranët.
THANAS GJIKA says
Z. Petro S. Luarasi ka te drejte. Na duhen njerez me kurajo civile.
Ne kohen e diktatures u kultivua formimi i Lajfenit, i cnjeriut, si e quajti Kadareja. Ky tip njerezor eshte i kundert me tipin e njeriut te lire, e njeriut qe punon e lufton me inisiativen e vet.
Shoqerine tone po e paralizojne lajfenet, servilet, njerezit qe bejne kompromis me te keqen per pak para, qe shesin voten per 20-30 mije lek te rinj duke mos e kuptuar se po t’ia japin voten njerezve te ndershem do te krijohet nje qeveri qe do ta zhvilloje vendin shpejt dhe do t’i fitojne ato 20-30 mije leket cdo muaj me punen e tyre.