Ese nga Rafael Floqi/
Shtetet e Bashkuara vendosën një rekord të ri për rastet e reja të përditshme të koronavirusit, duke u përplasur me rekordin e 12 milionë të infektuarve. Megjithatë, i ftohti i dimrit, gripi dhe, sezoni Covid, këtë vit sapo ka filluar. Megjithëse jemi të lodhur nga maskat dhe distancimi shoqëror, ne jemi bërë më të mirë në përballimin e tij. Por testi ynë më i madh ka akoma për të ardhur. Kjo është “Dita e Falënderimeve”, Thanksgivings.
Pse shqiptarët nuk thonë shpesh “Faleminderit”?
Kuptimi i fjalës shqipe wshtw mjaft domethënës “I falemi nderit” Po pse e kemi zor ta themi. Aq më tepër se ne si shqiptarë. Vini re sa shpesh e përdorin “ Thank You “ amerikanët. Aq shpesh sa e kanë zbehur ngjyrimin e fjalës, aq më tepër me mesazhe me tekst ku e shkurtojnë në një fjalë pa zanore “THNX” . Që më duket se është e njëjta gjë, si në shqip “FLM”. Por madje dhe kur e shqiptojmë e përtypim mes dhëmbësh atë fjalën një pasthirrmë gjysmake në “Falm..derit” dhe duket sikur në vend të nderit , themi ‘der(r)it” në mos më keq ‘menderit’.
Kur prindërit i mësojnë fëmijët të jenë të sjellshëm dhe të thonë “Faleminderit”, “Ju lutem,” dhe fjalë te tjera të zakonshme dhe me edukatë, nuk është gabim të supozoni se ata thjesht u mësojnë atyre sjellje të mira. Por, me siguri nuk keni menduar se ata po mësonin sekretin e lumturisë së përhershme. Shprehja e mirënjohjes ka përfitime psikologjike të shëndetit. Mirënjohja i ndihmon njerëzit të ndiejnë emocione më pozitive, të shijojnë përvoja të mira dhe të përmirësojnë shëndetin e tyre.
Sipas studimeve njerëzit që praktikonin mirënjohjen ishin më optimistë, ndiheshin më mirë për jetën e tyre dhe gjithashtu ushtroheshin më shumë sesa ata që përqendroheshin në gjërat negative, duke nënkuptuar që praktikimi i mirënjohjes ndikoi në mënyrën pozitive të mendimit të tyre. Ndihmon në zhvillimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve “Në qoftë se kujtohemi t’u themi faleminderit njerëzve që janë këtu me ne, do ta kemi më të lehtë të kujtohemi t’i themi faleminderit “Atit tonë që është në qiell”, thonë të krishterët. Dhe ndoshta kjo traditë e krishterë është më e ngulitur tek amerikanët , pasi dhe legjenda apo fakti i ardhjes të pelegrinëve të anijes “Mayflower” dhe takimi dhe bashkëjetesa me indianët mbështeteshin në konceptin kristjan të mirënjohjes.
Shumë njerëz që nuk thonë kurrë faleminderit thjesht nuk i vërejnë ose vlerësojnë gjestet e këtij lloji. Atyre u mungon inteligjenca dhe ndjeshmëria e nevojshme emocionale për të kuptuar mirësinë e njerëzve të tjerë ose përpjekjet për ta bërë jetën e tyre më të lehtë. Ata marrin gjithçka që ju bëni për ta si të mirëqenë, sepse kjo është ajo që ata presin nga ne. Kjo mungesë e ndjeshmërisë mund të bëhet kronike. Këta njerëz mund të bëhen edhe më kërkues ose armiqësorë me kalimin e kohës. Nëse filloni t’u thoni jo kërkesave të tyre në një moment, ata do të reagojnë negativisht. Kur kjo të ndodhë, ju ndoshta pyesni veten “Pse e bëra atë për atë person?” Sidoqoftë, është e rëndësishme të kalojmë atë ndjenjën e sikletit dhe madje edhe të fajit për të kuptuar një fakt shumë të thjeshtë: nuk jeni ju, janë ata. Mosmirënjohja ka arsye konkrete psikologjike.
Ju ndoshta keni hasur në njerëz që kurrë nuk ju thonë faleminderit dhe kanë menduar pse sillen kështu. Sipas psikologut Pinhas Berger nga Universiteti i Tel Avivit, njerëzit që kurrë nuk thonë falënderime humbasin mundësinë për të krijuar marrëdhënie të kënaqshme shoqërore. Ata gjithashtu potencialisht pengojnë në rritjen e tyre emocionale.
Faik Konica ishte i bindur se për ta quar një komb përpara pos anëve pozitive dhe pos lëvdatave duhet t’ia tregosh edhe dobësitë dhe të metat që i posedon, dhe jo rastësisht në krejt veprimtarinë e tij shpesh hasim fjalë fyese për vendin dhe për bashkëvendësit e tij. Në shkrime Konica del urryes kundrejt shqiptarëve, ngase nuk mund t’i gëlltite dot budallallëqet e shumta që ata i posedonin, nuk mund të pranonte se kombi i tij përbëhej nga kaq shumë njerëz kokëtrashë, nuk mund të pranonte faktin se si populli i tij merrej me gjëra të kota dhe nuk ushqenin ambicie për ditë më të mira.
E tek shqiptarët si duket krenaria e tyre proverbiale s’i le të shprehin mirënjohjen për punën e dikujt në favor të tyre “ Ne jemi një komb i ftohtë, shkruante Konica ku secilido mendon për veten e tij… Ata shqiptarë për të cilët bota thonë se janë “të egër”, shqiptarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, por përkundrazi, janë shqiptarë të mirë… sikur të kish njerëz t’u jepnin të kuptonin [t’i ndërgjegjësonin]. (Vepra 3, f. 100). Por si qysh?
Njerëzit që nuk thonë kurrë faleminderit (sepse nuk duan, ose nuk dinë si ta thonë) zhvlerësojnë ose minojnë vlerën e gjesteve dhe përpjekjeve pozitive të njerëzve të tjerë. Kjo ka një ndikim në shoqëri. Kështu, ata përfundimisht do të marrin përsëri atë që i projektojnë botës: mosbesimin dhe armiqësinë.
Historia e “Ditës së Falënderimeve” dhe “Festa e gjelit”?
Por le të kthehemi tek Thanskgiving- “Dita amerikane e Falënderimeve” që është një festë federale në Shtetet e Bashkuara, e festuar të enjten e katërt të Nëntorit. Ajo filloi si një festival i vjeljeve, dhe sot e kësaj dite pjesa kryesore e festimeve të Falënderimeve mbetet “Darka e Falënderimeve”. Darka tradicionalisht përbëhet nga ushqime dhe pjata autoktone të Amerikës, përkatësisht: gjel deti, patate (zakonisht pure), gravy, (një farë çervishi) kunguj, misër, bishtaja, boronica (tipike në formë salce) dhe (ëmbëlsirë) pie me kunguj. Falënderimet vlerësohet si fillimi i sezonit të festave vjeshtë-dimër ku hynë dhe Krishtlindjet dhe Viti i Ri.
Kur po diskutoja me një komshiun tim të ri shqiptar, ngjitur shtëpisë për festimet e “Thanksgiving këtë vit mes pandemisë. Nëna e tij që ka pak kohë që ka ardhur nga Shqipëria e pyeti, se çfarë është kjo festë. “ Festa e gjelit “ iu përgjigj ai. Në pamje të parë duket si një darkë familjare ku mbreti është mishi i gjelit të detit dhe aq, por jo ajo ka një domethënie më të madhe të ngulitur në psikologjinë kolektive amerikane.
Ngjarja që amerikanët zakonisht e quajnë “Falënderimi i Parë” u festua nga Pelegrinët pas korrjes së tyre të parë në Botën e Re në tetor 1621. Kjo festë zgjati tre ditë dhe, – siç tregohet nga i pranishmi Edward Winslow – morën pjesë 90 amerikanë vendas dhe 53 pelegrinë. Kolonistët e New England ishin mësuar të festonin rregullisht “falënderime”, ditë lutje duke falënderuar Zotin për bekime të tilla si fitorja ushtarake ose fundi i një thatësire, ndaj u quajt kështu.
Dyqind e tridhjetë e një vjet më parë, Presidenti George Washington e deklaroi të enjten, e 26 nëntorit një ditë “Falënderimesh”, një ditë për amerikanët për të njohur “mundësinë për të krijuar në mënyrë paqësore një formë qeverisjeje për sigurinë dhe lumturinë e tyre”. Në 1863, kur Presidenti Abraham Lincoln i shndërroi Falënderimet një festë kombëtare, vetëm disa muaj pas Betejës së Getisburgut, ai kasnecoi, “Bekimet për të korra të frytshme dhe qiej të shëndetshëm në mes të një lufte civile me përmasa dhe ashpërsi të paparë … Ato janë dhuratat e hirshme të Zotit të Madhërishëm, i cili, na ndëshkoi ne me zemërim për mëkatet tona, megjithatë na e ka kujtuar mëshirën. Ndaj më është dukur e përshtatshme dhe e duhur që ato ( falënderimet) të pranohen solemnisht, me nderim dhe mirënjohje si me zemër dhe një zëri si një kremtim nga i gjithë Populli Amerikan “.
Politikë “pёr drejtësi” racore me “Thanksgiving” e parë
Në një kohë kur Amerika po lodhet nën peshën dhe kontradiktat e historisë së saj, erdhi dhe përkujtimi i 400 vjetorit të hedhjes së spirancës, së anijes “Mayflower” ( Lulja e majit”në këto brigje. Në kohën kur vendi është detyruar të përballet me trashëgiminë e dobët të skllavërisë dhe racizmin sistematik që u rrit nga ai “Mëkat Origjinal” shkruajnë aktivistë radikalë që kërkojnë rishkrimin e Historisë së Amerikës parë me këndvështrimin e sotëm kujtojnë se statujat që përkujtojnë heronjtë e Konfederatës janë rrëzuar dhe hequr. Janë shfaqur “monumente të reja”, siç janë fjalët Black Lives Matter të pikturuara me shkronja të verdha fluoreshente në pragun e Shtëpisë së Bardhë.
Vetëm disa javë më parë Presidenti Donald Trump njoftoi krijimin e Komisionit 1776 për të promovuar “arsimin patriotik” dhe “mrekullinë e historisë amerikane” si kundërpeshë ndaj Projektit 1619, johistorik, antiamerikan e suportuar nga gazeta prestigjioze e majtë New York Times, një seri arsimore të botuara në internet, me emrin e vitit kur u sollën skllevërit e parë në Virxhinia. Sipas këtyre “historianëve” që i shohin të gjitha momentet historike si dallime racore. Dhe se gjoja Amerika nuk është vend i lirisë po i ndërtuar si vend i mëkatit të parë të skllavërisë duke u shoqëruar me paragjykime antisociale dhe raciste nga ana tjetër duke mos gjykuar njerëzit nga sjelljet dhe karakteri por nga ngjyra e lëkurës. Pasi duke qenë i bardhë, ti je racist qysh në lindje dhe non sense të tilla si faji i “whiteness”.
Ku përshtatet zbarkimi i anijes Mayflower brenda historisë amerikane? Çfarë rëndësie duhet t’i kushtojmë ardhjes së këtyre kundërshtarëve anglezë? Si e informon ajo ngjarje në të tashmen?, pyet gazetari i BBC , Nick Bryant i cili është njeri që mbështet këto ide.
Ndoshta është një gabim të shikosh ardhjen e Mayflower si ndërveprimin e parë midis kolonëve të bardhë dhe indigjenëve të Amerikës së Veriut. Kontaktet me evropianët kishin vazhduar për të paktën një shekull, pjesërisht sepse tregtarët e skllevërve kishin në shënjestër amerikanët vendas. Kur pelegrinët dolën në breg, disa anëtarë të fisit Wampanoag dinin të flisnin edhe anglisht.
Mayflower është një dokument historik domethënës, “djepi i përkundës i lirive tona”, siç e tha një historian në mënyrë evokuese. I nënshkruar nga Pelegrinët dhe të ashtuquajturit të huaj, mjeshtrit, tregtarët dhe shërbëtorët e tyre duke kërkuar liritë fetare sollën me vete idenë për të krijuar një koloni të suksesshme, që ra dakord të miratojë “ligje të drejta dhe të barabarta për të mirën e Kolonisë”. Që eksperimenti i parë në vetëqeverisjen e Botës së Re, disa studiues madje e shohin atë si një lloj Magna Carta Amerikane, një model për Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e SHBA. Pra nuk është vetëm puna e gjeli, apo jo?
Për të gjitha ato, vetëm për kohën e vetme kur Etërit Pelegrinë shfaqen më të madhe në imagjinatën kombëtare, është pikërisht në Festën e Falënderimeve, në atë festë para Krishtlindjes me pie me gjel deti dhe kunguj, kur e gjithë Amerika shton kaloritë dhe bashkohet i gjithë fisi. Kjo festë kombëtare rrjedh nga kremtimi që shënon korrjen e parë në vitin 1621, kur kolonët zbarkuan dhe u takuan me fisin Wampanaog me indianët e Amerikës. Kjo është paketuar si një akt i bashkëjetesës paqësore, një banket i shoqërueshëm që sugjeron se Etërit Pelegrinë u mirëpritën nga amerikanët indigjenë me krahëhapur. Megjithatë, shumica e asaj çka u mësohet nxënësve e shkollave amerikane në lidhje me këtë festë nuk i reziston shqyrtimit të ngushtë historik.
Sipas autorëve të duan të zhdukin kulturën dhe historinë amerikane , si vendi i lirisë, barazisë dhe ndjekjes së lumturisë që është në themel të kushtetutës amerikane aktuale amerikane e ta zëvendësojnë atë me vendin e mëkatit origjinal të skllavërisë, kjo është një mitologji, jo një histori. Ka pasaktësi të paqëndrueshme, thonë ata. Është menduar, për shembull, që mishi i gjahut ishte mishi kryesor që u ofrua. Menuja e sotme me paj e me gjel deti dhe kungull u shpik nga një botuese e revistës “Shekulli 19-të”, një Martha Stewart e kohës së saj, e cila kishte lexuar për atë festën e parë dhe kishte lobuar pranë Abraham Lincolnit për t’i kthyer Falënderimet në një Festë Kombëtare. Por sidoqoftë mit apo jo ç’të keqe ka ideja që përcjell lirinë e barazinë.
“Por është trillimi më i madh që është më i dëmshëm, shtojnë ata. Në një ritregim mashtrues, vendi i amerikanëve vendas në atë tryezë zakonisht është keqpërdorur dhe keqkuptuar. Falënderimet kanë inkurajuar idenë se amerikanët autoktonë përshëndetnin me kënaqësi kolonët evropianë të bardhë; ndihmuan në mësimin e të ardhurve të rinj se si të mbijetojnë në Botën e Re; jetuan së bashku në mënyrë harmonike; u bashkuan së bashku për këtë festë dhe pastaj u zhdukën nga historia.
Falënderimet janë bërë si pasojë thonë ata një vello amerikane, një mantel i padukshëm nën të cilin janë fshehur të vërtetat e papërshtatshme të historisë për shekuj me radhë ndaj si të tilla duhet të mos festohen e të hiqen si puna e statujave.
Megjithëse kishte një ndjenjë qetësie në ato vitet e para, kryesisht për shkak se fisi Wampanoag dëshironin aleatë kundër një fisi rival, ajo shpejt u shpërbë. Amerikanët vendas u bënë viktima të kolonëve; pre e grabitjeve të tyre tokësore, shfrytëzimit të burimeve të tyre natyrore dhe sëmundjeve fatale të importuara nga Evropa, nga të cilat ata nuk kishin imunitet. Të gjitha këto tensione shpërthyen në një seri luftërash midis banorëve autoktonë të Anglisë së Re dhe kolonizatorëve që u grabitën tokat atyre.
“Etërit Pelegrinë pohuan gjithashtu dominimin e racës së bardhë, shpesh me forcë vrasëse. Gjatë këtyre viteve të para, në një cikël vrasjesh për hakmarrje, kishte masakra në të dy palët. Por është trillimi më i madh që është më i dëmshëm. Në një ritregim mashtrues, vendi i amerikanëve vendas në atë tryezë zakonisht është keqpërdorur dhe keqkuptuar. Falënderimet kanë inkurajuar idenë se amerikanët autoktonë përshëndetnin me kënaqësi kolonët evropianë të bardhë; ndihmoi në mësimin e të ardhurve të rinj se si të mbijetojnë në Botën e Re; jetuan së bashku në mënyrë harmonike; u bashkuan së bashku për këtë festë përplasjeje dhe pastaj u zhdukën nga historia. Është një rrëfim i vlefshmërisë koloniale; të pranimit të sajuar; të akomodimit të së bardhëve. Është një histori që pranon me vlerë nominale një vulë kolonie të projektuar nga Massachusetts Bay Colony, e cila paraqet një indigjen amerikan gjysmë të zhveshur duke iu lutur anglezëve për “Come Over and Help Us.”, pohojnë ideatorët e këtyre teorive.
“Falënderimet janë bërë si pasojë një vello amerikane, një mantel i padukshëm nën të cilin janë fshehur të vërtetat e papërshtatshme të historisë për shekuj me radhë, thonë këta farë studiuesish, si Nick Bryant, në shkrimin “Në 400 vjetorin e Mayflower : cfarë dimë gabim rreth etërve pelegrinë”. Shkrim i cili ka brenda një nonsens ‘ndonëse pranon se Thanksgiving është një mit, përpiqet ta hedhë poshtë me përgjithësime historike dhe wshtw krejt i ngjashëm me ta që rrezojnë statujën e Kolombit që s’ka asnjë lidhje me historinë e SHBA, përveç faktit se zbuloi Amerikën.
“Megjithëse kishte një farë qetësie në ato vite të hershme, kryesisht për shkak se fisi Wampanoag dëshironte të regjistronte aleatë kundër një fisi rival, paqja shpejt u shpërbë. Amerikanët vendas u bënë viktima të kolonëve; pre të grabitjeve të tyre tokësore, shfrytëzimit të burimeve të tyre natyrore dhe sëmundjeve fatale të importuara nga Evropa nga të cilat ata nuk kishin imunitet. Të gjitha këto tensione shpërthyen në një seri luftërash midis banorëve autoktonë të Anglisë së Re dhe kolonizatorëve
“Kjo, pra, është një histori më shumë e konfliktit sesa e bashkëpunimit, e gjakderdhjes, jo e vëllazërisë. Festat e Falënderimeve ndonjëherë mbaheshin për të festuar fitoret mbi Amerikanët Vendas. Etërit Pelegrinë pohuan gjithashtu dominimin e racës së bardhë, shpesh me forcë vrasëse. Gjatë këtyre viteve të para, në një cikël vrasjesh për hakmarrje, kishte masakra në të dy palët. Por egërsia e kolonëve të bardhë ishte groteske. Ndarja racore ka qenë prej kohësh vendosja e paracaktuar e jetës amerikane, dhe ata kolonët e parë të bardhë shënuan vijën e ngjyrave në gjakun e amerikanëve vendas. Megjithatë, deri më sot, Etërit Pelegrinë vazhdojnë të portretizohen kryesisht si vetë viktimat e persekutimit, azilkërkuesit origjinalë që ikën nga intoleranca fetare e atdheut të tyre.”, përfundon ai.
Kjo, pra, është një histori më shumë e konfliktit sesa e bashkëpunimit, e gjakderdhjes, jo e vëllazërisë. Festat e Falënderimeve ndonjëherë mbaheshin për të festuar fitoret mbi Amerikanët Vendas, thonë këta autorë, që kanë të njëjtin mentalitet si ata rrëzuesit e statujave si të Kolombit apo të baballarëve të kombit e tjerëve që luftuan për heqjen e skllavërisë si presidentit dhe gjen. Ulisess Grant . Ide të përkrahura nga krahu radikal i demokratëve në kongres si Alexandra Ocasio Cortez dhe disa universitete prestigjioze si Harvard dhe Princeton University, që janë bërë vatra të indoktrinimit të ekstremit të majtë dhe të rivlerësimit të historisë së SHBA dhe aktivistë kundër fjalës së lirë.
Sipas këtij gjykimi edhe znj. Cortez duhet ta ndërrojë mbiemrin, pasi ka mbiemrin e një konkuistatori spanjoll, Hernán Cortés de Monroy y Pizarro Altamirano, Markezi i Parë i Luginës së Oaxaca-s që drejtoi një ekspeditë që shkaktoi rënien e Perandorisë Azteke dhe solli pjesë të mëdha të asaj që tani është Meksika kontinentale nën sundimin e Mbretit të Kastiljes në fillimin e shekullit të 16-të , që emërtoi Gjirin e Kalifornisë me emrin e tij “ Deti i Cortezit”.
Mjerisht kësisoj studiuesish nuk e kuptojnë se historia e djeshme nuk mund të shihet në dritën e idealeve dhe të mentalitetit të sotëm.
Pandemia dhe Festa e Falënderimeve
Por le të lemë historinë dhe t’i kthehemi të sotmes. 2020-ta do të mbahet mend, si një vit i pikëllimit dhe vështirësive të mëdha në historinë e Amerikës dhe të gjithë botës. Amerikanët janë përsëri në luftë – me njëri-tjetrin politikisht dhe me virusin. Dhe, si në 1863, shumë do të mungojnë në festimet e këtij viti – dhe mbi 240,000, të vdekur nga koronavirusi sipas numërimit të fundit dhe 12 milionë të infektuar. Të gjithëve na duhet kohë për të mbajtur zi dhe për të shëruar tok me ata që duam. Por koronavirusi vazhdon të na testojë duke na mbajtur larg edhe nga festat. ‘
Një miku im shqiptar profesor i Historisë Amerikane A.Z , dhe pse republikan, mendon se Biden fitoi pasi përmendi në debatin presidencial karrigen bosh në festën e Thanksgiving. Prapë Thanksgiving dhe politikë. Vdekja nuk ka pse të bëhet pjesë e politikës, sëmundja nuk njeh parti. Mjerisht ka ndodhur.
Na thuhet se tubimet e vogla në ambiente të mbyllura mund te nxisin dhe arrijnë kulmin me infektimet me raste koronavirusi. Madje guvernatori Murphey i New Jersey, ka aprovuar një urdhër për të mos u grumbulluar më shumë se 10 veta për darkë. Familja dhe miqtë kur bëhen bashkë me dhe pa maska sepse ashtu duken “mirë”. Dhe nuk është fakti pse vetëm njerëzit asimptomatikë janë shkaktarët e pjesës më të madhe të kësaj përhapjeje. Është po ashtu edhe fakti se ne nuk duam të mendojmë keq për të dashurit tanë. Ne duam t’u besojmë atyre dhe të besojmë se ata nuk do të na dëmtojnë. Dhe kjo i bën shumë nga traditat tona të Falënderimeve, -me komoditetin që kërkojmë dhe zakonet të cilat ne dëshirojmë – veçanërisht. mjaft të rrezikshme në mes të një pandemie.
Çdo familje do të duhet të peshojë mirë rreziqet e festimit të Falënderimeve, personalisht ose në mënyrë virtuale. Kjo llogaritje duhet të varet nga nivelet e transmetimit të sëmundjes në komunitet, aksesin lokal në kujdesin shëndetësor, moshën dhe kushtet themelore mjekësore së të afërmve tanë. Ndërsa këshilla jonë dhe opsioni më i sigurt është të festojmë festën brenda vatrave tona shtëpiake ose praktikisht, disa amerikanë do të marrin pjesë në tubime edhe më të mëdha festive. Por edhe për ato familje, ka mënyra për ta zvogëluar rrezikun. Por është habi se guvernatorët që ndalojnë dhe darkat familjare, nuk thonë gjë për tubimet e protesta politike. Hipokrizia e guvernatorit të Kalifornisë Gavin Newsom që ndalon njerëzit të festojnë , shkon vetë në darkë mondane pa maskë dhe me shumë donatorë madje mjekë, shpjegohet me thënien “ bëni si them unë mos bëni si bëj unë” ka revoltuar mjaft kalifornianë.
Pavarësisht nëse jeni duke pritur dikë apo jeni mysafir, dijeni nivelin tuaj të rehatisë me të qenit në ambiente të mbyllura kundrejt natyrës, distancimin shoqëror dhe mbajtjen e maskave. Kërkoni nga të gjithë të tjerët që do të bashkohen me ju ta marrin në konsideratë gjithashtu.
Lërini të gjithë të dinë se çfarë bëjnë të tjerët. Adoleshentët nuk janë të vetmit që janë të ndjeshëm ndaj presionit të bashkëmoshatarëve. Ne që të gjithë jemi. Shumica e amerikanëve kanë veshur maska që nga pranvera, dhe mbajtja e maskave është rritur që atëherë (nga 78% në prill në 89% në qershor, sipas Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve). Dhe një shumicë e të rriturish sipas CDC, gjithashtu kanë mbajtur distancën 2 metra larg, duke shmangur vendet e mbushura me njerëz, duke larë duart, duke shmangur restorantet dhe anuluar aktivitetet sociale për të zvogëluar rrezikun e infektimit të tyre me Covid. Ndërsa jo të gjithë i bënë të gjitha këto gjëra në mënyrë të vazhdueshme ose të përshtatshme, njerëzit po përpiqen. Anëtarët e familjes suaj ndoshta janë gjithashtu. Bëni të ditur se i keni vërejtur dhe i vlerësoni veprimet e tyre.
Takimet e Falënderimeve këtë vit do të jenë pak si të bëni një udhëtim familjar në rrugë. Të gjithë ata që hipin në makinë duhet të ndihen të sigurt gjatë gjithë udhëtimit. Edhe nëse jeni një shofer i shkëlqyeshëm që zakonisht udhëton me shpejtësi 10 milje në orë, nëse gjyshja nuk ndihet e sigurt me atë shpejtësi, atëherë duhet të ngadalësoni shpejtësinë në mënyrë që ta ndihmoni të ndihet rehat.
Nuk ka asnjë plumb argjendi kundër koronavirusit, por ne kemi mjaft masa pjesërisht mbrojtëse që janë shtesa dhe janë shumë efektive kur shtresohen së bashku. Tani e dimë, për shembull, që njerëzit në ambiente të mbyllura me ajër me qarkullim të dobët mund të infektohen edhe nëse mbajnë maska. Ne kemi parë gjithashtu që të jesh në një turmë jashtë pa një maskë mund të jetë e rrezikshme. Synoni të paktën të mbani të paktën dy në tre nga këto masa si mbajtjen e maskave, distancën shoqërore dhe ajrimin.
“Sindroma e Çrregullimit e Ditës së Falënderimeve”
Katër vjet më parë, rreth kësaj kohe të vitit, një sëmundje e re e çuditshme emocionale u shfaq në të gjithë Amerikën. Mund ta quaj atë “Sindroma e Çrregullimit të Falënderimeve”. Dhe që atëherë, ajo është rritur në mënyrë të vazhdueshme në ashpërsi dhe përhapje. Ju ndoshta do t’i njihni simptomat në anëtarët e familjes ose, mjerisht, edhe brenda vetes tuaj.
TDS “ Thanksgiving Distress Syndrome” prek njerëzit që kalojnë festën e Falënderimeve me anëtarët e familjes me bindje të kundërta politike nga ato të tyret, nga e cila pak familje përjashtohen. Vuajtësit e kësaj sindrome shfaqin sjelljet e mëposhtme: Frikë nga darka e Falënderimeve me të afërmit nga pala tjetër politike, një tendencë për të pirë shumë dhe, më e keqja, një detyrim i pakontrollueshëm për t’u përfshirë në argumente politike të hidhura që i bëjnë të gjithë të pranishmit të ndjehen të mjeruar, të hidhëruar dhe të nxituar për t’u larguar. Kjo Sindromë është gjithashtu e lehtë për tu kapur dhe e vështirë për t’u kontrolluar pasi një familje të infektohet, dhe kjo prek partizanët e të dyja palëve në mënyrë të barabartë. Edhe pse nuk është zbuluar ende asnjë vaksinë për TDS, ka shpresa!
Duke ndjekur disa rekomandime dhe rregulla të arsyeshme të sjelljes, dhe duke bërë përpjekje për të qenë të vetëdijshëm dhe duke ushtruar një mënyrë vetëkontrolli, dëmtimi serioz për shumë miqësi për të ardhur keq mund të shmangen.
Frenoni detyrimin tuaj për të filluar një bisedë me fjalët “Unë thjesht jam i kënaqur që Biden fitoi” ose “Unë jam aq i shkatërruar se Trumpi humbi”. Apo pyetje të tilla idiote, si kush është më proserb ( tradhtar) Rama që shkon me Vuçiçin apo Basha që “fshehu “ kasetën e masakrës së Krushës? Pasi gëzim për triumfin ose pikëllimi për humbjet, bashkëbiseduesit tuaj, do t’i duken se janë, po aq fyese dhe sa dhe tërheqëse. Po pse të hapin gjyq, kur s’fitoni gjë ?
Ndonjëherë, me shumë përpjekje, mund të jetë e mundur të flasim për politikë me dikë që nuk pajtohet duke e bërë atë një diskutim abstrakt, p.sh “Çfarë mendoni se Trump duhet të kishte bërë ndryshe?” Për shembull, por darka e Falënderimeve nuk është vendi për t’u praktikuar kjo aftësi e vështirë diplomatike.
Ekziston një e vërtetë psikologjike që qëndron në themel të këtyre rekomandimeve, që askush duket se nuk i pranon: Pavarësisht sa elokuentë mendoni se jeni, apo sa jeni të bindur që mendimet tuaja janë të vetmet të sakta, nuk ka gjasa të ndryshoni natyrën njerëzore. As mendimin e të tjerëve. Pranoni që nuk mund të fitoni asnjë luftë politike (njerëzit nuk ndryshojnë mendim sepse ne duam që ata ta bëjnë atë gjë të tillë), nuk ndryshohen opinionet me argumente, por ju nga na tjetër mund të arrini të prishni një darkë familjare, të ngjallni mëri, hatër mbetje dhe të dëmtoni ose shkatërroni seriozisht një marrëdhënie familjare. Mua më kanë qëlluar që edhe me miq në darka familjare pasi duke punuar në TV mi dinë mendimet u janë shmangur debateve pasi janë muhabet pa bukë. A ia vlen? Mos harroni se nuk ka mungesë të shokësh të një mendjeje me të cilët do të jenë të kënaqur të flisni për zgjedhjet pafund; kërkoji ato në një rast tjetër.
Të gjithë e dimë që të flasësh për politikë në tryezën e Falënderimeve, por dhe Vitit të Ri është e sigurt që do të përfundojë në një konflikt dhe fatkeqësisht, kur edhe masat e shëndetit publik për të kontrolluar pandeminë janë politizuar. Është më mirë ta pranoni këtë paraprakisht dhe të vendosni disa rregulla themelore. Qëllimi këtu është që të kemi një Ditë falënderimesh argëtuese dhe të sigurt; për të mos e ndryshuar mendjen e askujt. Në mënyrë që të vendosni rregulla themelore midis njerëzve me profile të ndryshme rreziku, duke shfrytëzuar më shumë shkencën e sjelljes sesa të shëndetit publik.
“Ju nuk doni të jeni Grinch që vodhi pushimet,” thotë Dr. Tony Fauci, Drejtori i Instituteve Kombëtare të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive. Pushimet na japin një mundësi për qëndrueshmëri dhe lidhje në familje, por ato gjithashtu lejojnë krijimtari në mënyrën se si ne festojmë.
Në mitologjinë amerikane të Festës së Krishtlindjeve, njihet Grinch një personazh i trilluar i krijuar nga Dr. Seuss. Ai njihet më shumë si personazhi kryesor i librit për fëmijë “Si Grinch Vodhi Krishtlindjet! “(1957) Ai është luajtur shprehur nga shumë aktorë të ndryshëm, Jim Carrey. Grinch përshkruhet si një krijesë leshtore, me bark, tenxhere, në formë dardhe, me hundë të butë, me një fytyrë si mace dhe personalitet cinik. Në përshtatjet me ngjyra të plota, ai zakonisht ka ngjyrë jeshile në avokado. Ai ka kaluar 53 vite, duke jetuar i izoluar në një shkëmb, me pamje nga qyteti i Whoville. Ai posaçërisht e urren sezonin e Krishtlindjeve, duke shënuar veçanërisht zhurmat e ndryshme të kohës së Krishtlindjes, duke përfshirë edhe këndimin e këngëve të Krishtlindjeve. Në pamundësi për ta duruar më shumë festën, ai vendos ta shkatërrojë atë një herë e përgjithmonë. Dhe ne nuk duhet të bëhemi të tillë apo jo?
Kjo Festë Falënderimesh mund të jetë një kohë për të rikrijuar traditat tona dhe për t’u kthyer në rrënjët historike sa amerikane dhe shqiptare, se gjithnjë pas Falënderimeve është dhe 28 Nëntori. Nëse përdorni ditën për të reflektuar në bekimet tuaja dhe bëni zgjedhje për të optimizuar sigurinë nga virusi në vend të ruajtjes së zakoneve familjare ju do të nderonit pikërisht qëllimin origjinal të George Uashingtonit, duke bërë Thanksgiving një festë ” të sigurisë dhe lumturisë” së familjes.
Dhe tani më falni nëse e kam tepruar me këto mendime. Ndërkohë, ju bëftë mirë!