Rreth romanit “Shtatori i gjëmës së madhe”, të shkrimtarit e publicistit Skifter Këllici/
Shkruan Raimonda MOISIU/
Kësaj here shkrimtari e publicisti Skifter Këllici, nëpërmjet penës së tij ngadhnjyese na ka sjellë një histori tronditëse, interesante dhe krejt e vecantë si temë që deri më tani nuk është trajtuar në letrat shqipe dhe në letërsinë artistike post komuniste të Diasporës. Autori përshkruan imazhin e fuqishëm të ankthit dëshpërues, dhimbjen dhe mbijetesën, duke kërkuar të ripërcaktojë epokën e njohur, energjitë e saj reformiste në kohën kur terrorizmi islamik do të triumfonte dhimbshëm mbi idealet demokratike, që solli një nga tragjeditë njerëzore më të tmerrëshme në misionin qytetërues në historinë amerikane e atë botërore, çoi botën perëndimore drejt llogores, mes luftës e frikës, të mundurës e të pamundurës, të moralshmes e të pamoralshmes, vlerës e antivlerës, jetës e mbijetesës, dhe impulseve të modernizimit për ta sfiduar atë! Si qytetar shqiptaro-amerikan, intelektual, shkrimtari e publicisti Skifter Këllici, me një narrrativë të sintetizuar e ambicioze, me fuqinë e mrekullueshme të një mendje të shëndoshë e të mprehtë, na ka ofruar një këndvështrim të vecantë rreth asaj c’ka prodhoi tragjedia- gjurmët dhe hijen që la pas. Por si edhe të tjerët, autori ka qënë dëshmitar i ngjarjeve që u shpalosën herët atë mëngjes dhe që kanë kujtime të gjalla sot e kësaj dite. Shkrimtari Skifter Këllici duke qënë se i përket edhe fushës së publicistikës, është përpjekur mjeshtërisht për t’i bërë sinoptikën letraro-artistike, kombinimin e modernes me tradicionalen, një prej ngjarjeve më të mëdha që tronditi botën. Ngjarja zhvillohet vetëm në dy ditë dhe të gjitha episodet në situata jashtëzakonisht të ndërlikura, pasqyrohen me një vërtetësi të besueshme. Kombinimi i përkryer i këtyre situatave në krijimtarinë letrare-artistike, dëshmon bazën e një libri artistik të sukseshëm, e cila është e vështirë për tu realizuar, por sic e përmenda më lart autori lëvron edhe fushën e publicistikës dhe kjo e ka bërë të sukseshëm që ia ka dalë duke na dhënë librin.”Shtatori i gjëmës së madhe”. Duke e lexuar romanin humbet brenda subjektit, kupton inteligjencën dhe ndjesinë e realitetit në marrëdhëniet dhe raportet që autori ndërton në situata paralele, në përshkrimin e personazheve brenda asaj drame tragjike të jetës dhe hapësirës shpirtërore e njerëzore në të përditëshmen e njerëzve të thjeshtë, të mirë, vuajtjes dhe dhimbjes së asaj c’ka po përjetonin. Autori sjell personazhe të kulturave të ndryshme dhe me finesë në përshkrimin dhe ndërlikueshmërinë e jetës së tyre ka përcjellë një mesazh të fortë; se dashuria dhe dhimbja, paqja dhe ngrohtësia njerëzore nuk i përket vetëm një kulture por ajo është e kudo gjendur. Shkrimtari Skifter Këllici përcon energjinë emocionale të trishtë e të begatë, të dhimbëshme e të lumtur, besimit e mosbesimit, frikës e pafuqisë, apelit midis dashurisë dhe sigurisë, me ulje e ngritje, guximit e mbijetesës, së tashmes e të kaluarës, përqëndrohet – në përvojat jetësore të personazheve dhe na jep sfondin e unitetit shpirtëror të kulturave të ndryshme në “Shtatorin e Gjëmës së madhe”. Romani zë fill me gjurmët e jetës të një sërë personazheve, të cilët i japin frymë subjektit si pjesëmarrës në tërë dramën e atyre dy ditëv me pikëllimin dhe zemërimin e tyre. Historia e dasmës së gazetarit të CNN-it Stiv Ferguson me punonjësen e avionëve të aeroportit ndërkombëtar “Logan “ të Bostonit, -Zhaklinë Kramer dhe përfshirja në këtë dasëm si të ftuar të miqëve të tyre amerikanë, shqiptaro-ameriknaët Besim Vokshi, Rrok Camaj, arbëreshi Marko Muzaka, të cilët punojnë në Kullat binjake të Neë Yorkut e gazetarin Sokol Kama nga Tirana i cili punon me Zhaklinën në aeropotin bostonian, është boshti kryesor i ngjarjeve dramatike të trishta e të dhimbëshme të atyre dy ditëve. Ideja që përcjell autori në atë zymtësi është se këto imazhe të akumulura nga jeta e tyre kanë një efekt të fuqishëm,- shënjat e përvojës tronditëse e të menjëhershmëe, përkundrejt ndjenjës së brendëshme që përputhen me dramën e atyre dy ditëve ogurzeza. Amerikanë, shqiptarë, aziatikë, latinë, po maturoheshin mbanin gjallë sensin e lindjes e rilindjes, të së cuditëshmes dhe rrezikut për jetën, mes dëshirës së fortë për të mbijetuar dhe instikteve të zymta të simbolit tragjik të terrorizmit –Të dy kullave. Dashuria e Stiv-it me Zhaklinën si edhe vendosja paralele e një seri ngjarjesh të lidhura me imazhin shpirtëror të saj, janë gjetje moderne të autorit dhe e bën këtë rrëfim tejet interesant, mban lexuesin në një tension dhe shumë pranë realitetit e të vërtetës. Autori Këllici më një mendësi artistike e filozofike, me një impuls të jashtëzakonëshëm, ironi e sarkazëm, brengë e dhimbje, trishtim e pikëllim, dashuri e dhëmbshuri i sjell këto jo vetëm si imazhe traumatike e brutalitet të kapura nga gjëma e kohës, roli i zymtë i jetës me shpresën për të mbijetuar, por sic e kam shprehur edhe më lart na ka dhënë sfondin e unitetit shpirtëror të kulturave të ndryshme, unitet ky edhe humanist që lindi spontanisht për të përballuar gjëmën! Kjo është një arritje e jashtëzakonëshme, madje edhe më të shquar se në vizionin e tij bazë dhe e realizuar me kompromis në formën thelbësore të fabulës, duke pohuar se asnjë gjykim i vecantë ka ndonjë përparësi thelbësore mbi cdo gjë tjetër, duke sjellë në fund të përshkrimit të dy ditëve pothuajse refleksive, -impulset që kanë metastazuar dhe forcën në fytyrën e tragjedisë, guximin për të kuptuar e kujtuar. Këta njerëz janë vërtet në vështirësi, trishtim e dhimbje, por ata janë edhe të tejmbrojtur me dashurinë dhe shpresën e mbijetesës!
Romani “Shtatori i gjëmës të madhe”, në fakt ka personazhe kryesore dhe nga ata që vijojnë më pas, të portretizuar me ngjyra plot kontraste në kushtet e një terrori të egër, personazhe të mirëvendosur dhe përvojat e ditëve të tragjedisë konkurrojnë në kapituj alternativë, zbërthehen edhe shkaqet e pasojat e ngjarjeve. Shkrimtari dhe publicisti Skifter Këllici me botimin e këtij romani në përvjetorin e dhjetë të kësaj tragjedie të dhimbëshme shpreh jo vetëm solidaritetin me popullin amerikan dhe shqiptaro-amerikan, por ai iu bën edhe homazhin bashkëkombasve të tij shqiptaro-amerikanë, Frrok Camaj, Mon Gjonbalaj e Simon Dedvulaj, viktima të akteve terroriste të 11 Shtatorit 2001 kundër shtetit simbol të lirisë e demokracisë, që kërcënuan në mënyrën më të ashpër paqen e sigurinë botërore.
Libri “Shtatori i gjëmës të madhe” është historia e triumfit mbi tragjedinë, shpresës mbi dëshpërimin, dhe jetës mbi vdekjen. Shkrimtari Skifter Këllici ka guxuar kësaj here duke zgjedhur të potretizojë sulmet e 11 shtatorit me zemrat e guximit e dhëmbshurisë, me dëtyrimin shpirtëror që shkrimtari ka ndaj shpirtit shqiptar, audiencës të thjeshtë të lexuesve, mbart vlera të padiskutueshme, do të gjejnë shumëcka të vlerësuar nga kritika e kohës, modelin e sinoptikës artistike të gjurmëve të gjëmës, vërtetësinë e thelbit të personalitetit të cdo personazhi, duke i bërë jehonë ngjarjeve tragjike të atij shtatori tragjik, që tronditi jo vetëm kombin amerikan dhe mbarë botën, por edhe ndërgjegjen, ndjeshmërinë shpirtërore dhe humbjen e jetëve të pafajshme, mes të cilëve edhe të bashkëatdhetarët tanë. Dhe shkrimtari me zemrën e guximit e të ndjeshmërisë, më përshkrimin e hollësishëm të “Shtatori i gjëmës së madhe”, në kontinentin amerikan, me talentin e stilin e tij të jashtëzakonëshëm, ka sjellë një prurje të re, të vecantë e interesante në letrat shqipe, -simbolikën e dhimbjes dhe të ardhmen e njerëzimit.
Hartford CT, Mars 2014