
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/
U lind në Gjakovë më 24 prill 1906, në një familje me origjinë nga Margegajt. Në moshën 8-vjeçare mbeti jetim dhe shkollimi i tij kaloi nën tutelën e figurës më me ndikim në Malësinë e Gjakovës, Bajram Currit. Mësimet fillore i kreu në vendlindje dhe në Shkodër. Nën influencën e kujdestarit të tij, arrin të fitojë një bursë studimesh në Austri, ku krahas gjimnazit përfundoi edhe edukimin akademik.
Pas kthimit në Shqipëri, ka marrë në ngarkim angazhime lidhur me zhvillimin e arsimit në vend. Duke filluar nga viti 1935, ka punuar si mësues i historisë dhe i gjeografisë, është emëruar në krye të Drejtorisë së Arsimit në Ministrinë përkatëse, ndërsa më pas i është besuar posti i “Komisarit të Naltë të Shkollave Shqipe në Tokat e Lirueme”.
Në shtator të 1943-shit, u caktua si nënkryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Në kabinetin e pastajmë të Rexhep Mitrovicës, mori postin e ministrit të Arsimit. Nga fundi i vitit 1944, largohet në mërgim, periudhë që mbahet mend për riorganizimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, që do ta udhëhiqte gjer më 1992-shin.
Në vitin 1994 u dekorua me titullin “Naim Frashëri” të klasit të parë.