Nga Anton Çefa/
Kanuni përbën në vetvete tërësinë e normave të së drejtës zakonore, të frymëzuara nga tiparet morale të shqiptarit. Populli ynë e ka formësuar që herët ligjësinë shpirtërore të jetës me atë pasuri morale aq fisnike, aq të dalluar nga popujt e tjerë dhe aq të vlerësuar nga të huajt; atë ligjësi që i kishte themelet tek burrëria, nderi, besa, miqësia, dashuria e pakufishme për liri dhe atdhe dhe gatishmëria për t’u flijuar për to. Është kjo pajë shpirtërore që i ka frymëzuar dhe karakterizuar kanunet, mbi bazën e të cilave janë qeverisur dhe kanë organizuar jetën e tyre malet tona.
Kanunësia zakonore është një dëshmi e pakundërshtueshme e një rangu të lartë qytetërimi të një populli. “Nevoja e një ligji zakonor apo të shkruem, ka shkruar Ardian Ndreca, dallon popujt e qytetnuem prej atyne barbarë, mbasi popujt me ligje kanë ma tepër mundësi me mbijetue dhe me u imponue në rrjedhën e shekujve”. 1).
Kanuni është një përmbledhje ligjesh e normash të pashkruara, të trashëguara brez pas brezi, që pasqyrojnë gjendjen ekonomiko-shoqërore të një shoqërie. Një përkufizim të qartë të Kanunit tonë na e ka dhënë përkthyesi në gjuhën anglishte dhe studiuesi i vëmendshëm i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, Leonard Fox. “Kanuni, ka shkruar ai, është shprehja dhe pasqyrimi i karakterit shqiptar, një karakter i cili mishëron një moralitet të pakompromis të bazuar në drejtësi, nder, dhe respekt për veten dhe për të tjerët” 2). Shënojmë këtu se Kanuni i Lekë Dukagjinit është mbledhur dhe kodifikuar prej Atë Shtjefen Gjeçovit, dhe botuar mbas vdekjes së tij, në vitin 1933, në revistën “Hylli i Dritës”. Ndërsa Kanuni i Skënderbeut u mblodh, u kodifikua dhe u botua nga Dom Frano Illija në vitin 1993.
Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, bëri disa ligje kanunore të veçanta që i përshtateshin kohës dhe krahinës së tij, dhe që morën emrin “Kanuni i Skënderbeut”, që është një dëshmi e gjallë e virtyteve tona etnike, dhe e shquan atë në jetësimin, ruajtjen dhe lartësimin e vlerave morale, që përftojnë personalitetin autentik e origjinal shqiptar.
Heroin tonë e ka karakterizuar gjithnjë urtia e maleve tona, jo vetëm në sjellje, por edhe në qëndrimet e veprimet e peshuara mirë, mbështetur në mënçurinë dhe përvojën e pasur jetësore si dhe në taktin e tij të përmbajtur. Me këto cilësi të larta sa mendore sa morale, ai pati fituar edhe të drejtën për të bërë pleqërime sipas ligjeve të Kanunit, deri në atë shkallë sa që Kanunin e trojeve kastriote, të quajtur “Kanuni i Arbënisë”, tradita popullore e lidhi me emrin e Skënderbeut. Quhet edhe Kanuni i Arbënit, sepse Arbënì quhej principata e Kastriotëve.
Kanuni i Skënderbeut “shtrihej në Shqipërinë Qendrore ndër krahinat e Principatës së Kastriotëve e të ndikimit të tyre: Krujë, Mat, Dibër, Valm (Elbasan), prej lumejve Mat-Fand në veri e deri poshtë lumit Shkumbin (Librazhd) në jug, dhe prej Detit Adriatik në perëndim e deri në kufijtë më lindorë të Dibrës e të Ohrit në lindje.” 3).
Gojëdhëna tregon që Skënderbeu dhe Leka diskutonin normat kanunore dhe shpesh kishin edhe kontradikta. Në një rast, ata diskutuan çështjen e vlerës së njeriut lidhur me marrjen e gjakut. Skënderbeu i dha të drejtë Lekës, edhe pse kishte tjetër mendim, që “Çmimi i jetës së nierit asht nji, si për të mirin si për të keqin”, sepse “Sejcili mbahet i mirë dhe i thotë vedit: ‘Jam burrë’ e i thonë: ‘A je burrë!”… “Prandej gjaqet i la Leka si nja-nja: del i miri prej të keqit e i keqi prej të mirit. Shpirt për shpirt, se dukën e falë Zoti”4).
Gojëdhëna të tjera flasin gjithashtu për pleqërime në bazë të kanunit që Skënderbeu bante me Kokë Malçin, një plak i mënçur i Kurbinit, dhe me pleq të tjerë. Heroi ynë këshillohej me të dhe pleq të tjerë të urtë jo vetëm për çështje kanuni, por edhe për çështje lufte.
* * *
Edhe pse jashtë teme, më vjen mbarë të shtoj këtu këto rreshta: Aq i madh qe autoriteti i Skënderbeut, aq e madhe qe dashuria e respekti për të, sa kur Lekë Dukagjini, një nga më të pabindurit prej princërve, që kishte luftuar me Skënderbeun për jetë a vdekje, jep lajmin e vdekjes së Skënderbeut dhe, duke e vajtuar me gjamë, e quan “Prindi e zoti i Arbërit”:
“Tundu shkundu Shqipëri
Ejani zonja e bujarë,
ju të varfëra dhe ushtarë,
eni qani me pikëllim
sot ju mbetet pa prind
Pa babanë që ju këshillonte
………………………..
Prindi, zot i Shqipërisë
Qëmenatë sot na vdiq
Skënderbeu s’është më”. 5).
Pak burra shteti e strategë lufte kanë fituar nga popujt e tyre titullin e lartë të “Babait të Kombit”. George Washingtonit amerikanët i kanë dhënë një atribut të tillë. Ndërsa përsa i përket vlerësimeve me përmasa botërore, për Heroin tonë mund të perifrazojmë me përafërsi fjalët që ka thënë për Linkolnin Stephen S. Wise: “Qe verdikt apo profeci, njëlloj është – Skënderbeu nuk është i Shqipërisë, ai i takon botës; ai nuk i takon kohës sonë, por kohëve; por edhe pse ai i takon të gjitha kohëve dhe gjithë popujve, ai është yni, sepse ai qe shqiptar”. 6).
Referenca:
- Ardian Ndreca, “Ndikimi i Kanunit në ruejtjen e identitetit shqiptar.”’, Hylli i Dritës”, nr. 1/ 2007, f. 42.
- Leonard Fox, Introdaction, in ‘Kanuni i Lekë Dukagjinit – The Code of Lekë Dukagjini’, Gjonlekaj Publishing Company, New York 1989, p. xix.
3).“Kanuni i Skanderbegut”. Mbledhë e kodifikue nga Dom Frano Illija; Editrce La Rosa”, f. 15.
4). Kanuni i Lekë Dukagjinit, kodifikuar nga Atë Shtjefen Gjeçovi, Gjonlekaj Publishing Company, NY, 1989, f. 169.
5). Akademi e Shkencave e RPS të Shqipërisë – Instituti i Kulturës Popullore, “Epika historike 1”.
6). William Safire, “Lend Me Your Ears – Great Speeches in History”, p. 185.