Nga Valentin Lumaj,/
Michigan, 6 Shkurt 2018/
Brenda harkut kohor të një jave, komuniteti shqiptar ne Michigan priti dy mysafirë të pazakontë, që vinin për herë të parë në Michigan, Gjergj Kastrioti-Skendërbeu the Pandeli Majko.
Ardhja e Gjergjit u paralajmërua bujshëm muaj më parë nëpërmjet idhtarëve të tij, individë të zellshëm në ide dhe praktika. 550 vite pas vdekjes, Skëndërbeu nga amshimi, i ushqeu shpirtërisht këta njerëz vullnetmirë, i frymëzoi, dhe i mblodhi rreth sofres së urtisë. Skënderbeu bashkoi edhe një herë shqiptarët, “Princat” e të gjitha Shoqatave krahinore, të prirë nga kryetarët e kulteve fetare, dhe formuan edhe një herë në miniaturë Kuvendin e Lezhës. Pothuajse çdo të dielë qysh nga mesi i Tetorit u mblodhēn, diskutuan, debatuan, pregatitën dhe shtruan rrugën e ardhjes së Skënderbeut. Gjergji, në këtë udhëtim të gjatë një vjeçar ne trojet dhe zemrat arbnore, më së pari zbarkoi në Michigan, në Kishën e Zojës Pajtore të Shqiptarëve. Ai erdhi ashtu madhërishëm mbi kalë, me shpatën ngrehur si ngadhnjimtar, me përkrenaren kurorë si mbret i përjetshëm shqiptarëve.
Penat e arta të mendjeve më të ndritura te historisë, profesorë nga viset shqiptare, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Arbëreshë të Italisë, dhe nga diaspora, rikthyen te gjallë Skënderbeun ne Simpoziumin historik për nder te tij. Gjatë këtij vargu pafund ligjëratash, faktesh e zbulimesh te panjohura, njerëzit përcollën për shtatë orë me sy te fiksuar dhe mendje iluminare ligjëratat e tyre, ku Gjergji shfaqej herë si Pirroja Epirit, herë si Aleksandri i madh, por që ishte vetë Skanderbeg; IN PE RA TO RE.
Kjo ardhje, sa imagjinare po aq edhe reale e Mbretit të Epirit, pati një jehonë të gjerë në media televizive, rrjete sociale, në gojët e shqiptarëve, dhe u përhap në Shqiperinë amë e në vise të tjera. Kjo ringjallje dhe ardhje e parë e Skënerbeut, ishte ringjadhje edhe për ne. E njemë se kemi nevojë per një prinjës të tillë, kuptuam se ai akoma jeton me ne, na frymezon, na bashkon dhe na udhëheq.
Sapo Gjergji u largua dhe pa u shuar ekoja që la pas, në rrethe të ngushta u fol për një vizitë të Ministrit të Diasporës Pandi Majko. E pakuptimtë kjo ardhje fill pas ikjes së Skënderbeut. Ndoshta mendoi se Gjergji do t’i hapte rrugën, që ky ta kishte më të lehtë hyrjen. Megjithatë, ai kishte mundësi te vinte me Gjergjin, pasi ftesën e kishte qysh muaj përpara, si ai, edhe ministrja e Kulturës. Le që nuk erdhën t’a nderojnë Gjergjin në Simpozium, por as edhe një përgjigje apo përshëndetje nuk denjuan të japin. Janë të vegjël ta kuptojnë se në fakt Skënderbeu dhe Simpoziumi do t’ju kishin bërë nder këtyre.
Pandi erdhi mbas “Kuvendit te Lezhës”, dhe i gjeti shqiptarët në Michigan akoma të bashkuar rreth Gjergjit. Por siç thotë malësori i vjetër “urtia mbas kuvendit dhe trimëria mbas luftës s’kane vlere”, po ashtu u hamendësua se kjo vizitë e Pandit do të ishte e pavlerë.
Ardhja e “Ministrit të shqiptarëve që jetojnë jashtë Atdheut”, duhej të ishte një lajm i madh dhe i gëzueshem. Shqiptarët në Diasporë më në fund janë të përfaqësuar, dhe jo të harruar. Takimi duhej të ishte i gjerë dhe gjithpërfshirës, pasi ministri është i të gjithëve, si rregull. Në fund të fundit, Konsujt dhe Ambasadorët nuk kanë nevojë për ministra. Nevojë kishte familja Rranxburgaj për një vizitë, për një mbështetje të paktën morale, në një kohë kur Kisha zemërgjerë amerikane i ka hapur dyert, për t’a mbrojtur nga deportimi. Por Ministri i Diaspores nuk ka kohë as tagër që të dëgjojë dhe të ndjekë nga afër cilat janë problemet e shqiptarëve në emigracion. S’ka kohë sepse orari i ngjeshur i drekave dhe darkave nuk ja lejon. Nuk ka as tagër. Është ministri i gjysmës së popullsisë shqiptare. Nje mërgatë stërmadhe prej dy million e gjysëm shqiptarësh të deportuar nga vendi amë Shqipëria për 27 vite me rradhë. Një emigrim në kohë paqeje, me përmasa që i tejkalon shumë herë emigrimin e Shqiptarëve pas vdekjes së Skënderbeut dhe rënies së Krujës.
Pandi e di mirë se me 27 vite në politikë dhe administratë, është një përfaqësues i denjë i asaj klase apo kase politike shqiptare që pasi kanë sunduar dhunshëm Shqipërinë, nëpërmjet vjedhjes dhe blerjes së paskrupullt të vullnetit politik të popullit, kanë plaçkitur çdo gjë me vlerë, kanë futur ne vella-vrasje mijëra shqiptarë anë-e-kand, kanë kriminalizuar një jetë të tërë shoqërore nëpërmjet zhvatjes, rrushfetit, krimit ordiner dhe drogës. Sado që luan ëmbëlsisht rolin e të pastrit, nuk del doti i papërlyer. Dënimi vlen si për veprim ashtu edhe për mos veprim. Në qoftë se je me të vërtetë i pastër, atëherë mos prano që të të hedhin në Diasporë si peshqir për të fshirë njollat e gjakut dhe të krimit të shefit tënd.
Zoti ministër, këta shqiptarë që i ke në patronazh, pasi i deportoni me hir nga Shqiperia, dhe më pas deportohen me pahir nga Amerika, ku të shkojë shqiptari shkretë. Por veç xhepit tuaj, të shkretë mendja dhe shpirti juaj, jo ata. Pasuria e vërtete nuk futet ne xhep. Përmbas perdes së buzëqeshjes, fshihet dhimbja e përditshme dhe e përjetshme e ndërgjegjes tuaj, për ate çfare po ju shkaktoni shqiptarëve. Pasuri e vërtetë janë ata mijëra të rinj, të shkolluar, që enden rrugëve të Shqipërisë për një vend pune dhe s’e gjejnë. Pasuri jane elitat që digjen, pasuri është diaspora si pjesa më e virtytshme shqiptare. Jam viktima juaj zoti ministër, njëzet vite shkollim me një shpresë dhe një ëndërr për të qenë dikush nē atdheun tim dhe të Skënderbeut, që gjithmonë më rriti krenarinë me shumë se kockat. Ju dhe kasa shumëngjyrëshe politike, ma shuat ëndrrën dhe ma vratë shpresën përgjithmonë. Fillova dhe filluam nga hiçi një jetë të re në këtë vend që dikur për partinë tënde të origjinës, ishte nje armik i betuar, porse neve na doli një vend i bekuar, i cili na priti, na dha bukë e na dha flatra edhe një herë. Amerika dhe Skënderbeu ma ringjallën ëndërrën dhe shpresën se shumë shpejt, demonët do t’i kalojnë ferrit dhe bekimi do të derdhet mbi Shqiperinë tonë të lashtë. Unë e di se Juve e ndieni këtë. Prandaj keni frige nga Diaspora, Prandaj kërkon të futesh ne Diaspore si ujku me qime të bardhë, paçka se disa mendojnë se erdhi nëna dhia. Nuk keni tagër moral te na përfaqësoni Zoti minister. Kthehuni mbrapa ne strofullen tuaj dhe mos i shko nga mbraba Skënderbeut si miza që i ka humbur kali.
Shenim: Shkrimi është në kuadrin politik dhe jo personal.