
Një pamflet kundër fantazive historike të gazetës greke “Protothema”
Nga Rafael Floqi
Ka një lloj shkrimi që nuk lind nga kurioziteti shkencor, por nga ankthi identitar. Artikulli i gazetës greke Protothema me titullin hipokrit “Sa ‘shqiptar’ ishte Gjergj Kastrioti?” i përket pikërisht këtij zhanri: jo histori, por industria e mohimit. Ai nuk kërkon të kuptojë Skënderbeun; kërkon ta zhbëjë. Dhe për ta bërë këtë, përdor një arsenal të vjetër ballkanik: fenë si etni, gjeografinë si komb, dhe anakronizmin si argument.
Që në rreshtat e parë, artikulli bën atë që çdo tekst ideologjik bën kur nuk ka guxim të mohojë drejtpërdrejt: shtiret se pyet. Pyetja “Sa shqiptar ishte Skënderbeu?” nuk është pyetje, por një akuzë e kamufluar. Ajo sugjeron se shqiptaria e tij është e pjesshme, e dyshimtë, e negociueshme. Dhe kjo nuk është rastësi. Skënderbeu është problem për nacionalizmin grek sepse ai e shkatërron një dogmë qendrore: se ortodoksia është pronë etnike greke dhe se Ballkani i krishterë lind vetëm nga Athina.
Le ta themi qartë: kjo nuk është hera e parë që bëhet kjo përpjekje. Është vazhdimësi. Që nga shekulli XIX, historiografia nacionaliste greke ka ndërtuar një model të qëndrueshëm përvetësimi: çdo figurë ballkanike që është e krishterë, ortodokse, e famshme dhe europiane, duhet të kalojë patjetër nga filtri “grek”. Nëse nuk flet greqisht, do të ketë folur. Nëse nuk ishte grek, do të ketë qenë epirot. Nëse nuk ishte epirot, do të ketë qenë bizantin. Dhe nëse nuk ishte asgjë nga këto, do të shpallet “i paqartë”.
Një nga shtrembërimet më të rënda të Protothema është barazimi i Epirit me Greqinë. Ky është një mashtrim terminologjik i qëllimshëm. Epiri në Mesjetë nuk ishte shtet grek, as komb grek, as projekt grek. Ishte një hapësirë gjeografike e përzier, pa identitet kombëtar modern, ku shqiptarët ishin faktor politik dhe ushtarak dominues¹. Ta quash Epirin “grek” dhe të nxjerrësh nga kjo përfundimin se Skënderbeu ishte grek, është si të quash Perandorinë Romake “italiane” dhe Cezarin “italian”.
Ironia është se vetë burimet që citojnë autorët grekë i rrëzojnë. Marin Barleti, burimi themelor për Skënderbeun, e quan atë Princeps Epirotarum, por po ai, në çdo faqe, flet për shqiptarët si subjekt historik më vete². Ky dyzim nuk është kontradiktë; është dallim midis gjeografisë dhe etnisë. Vetëm propaganda i ngatërron qëllimisht. Por Protothema nuk ndalet këtu. Ajo ringjall një tezë që do të duhej të ishte varrosur bashkë me nacionalizmat e shekullit XIX: “Skënderbeu ishte grek sepse ishte ortodoks”. Kjo tezë nuk është thjesht e gabuar; është ideologjikisht agresive. Ajo mohon ekzistencën historike të shqiptarëve ortodoksë, bullgarëve ortodoksë, rumunëve ortodoksë, vllehëve ortodoksë. Me një fjali, ajo i shpall të gjithë këta “grekë të pavetëdijshëm”.
Por historia nuk funksionon si katekizëm kombëtar. Ortodoksia është fe, jo komb. Në Mesjetë, identiteti fetar ishte shpesh më i rëndësishëm se ai etnik, por kurrë nuk ishte i barabartë me të³. Të pretendosh sot se çdo ortodoks mesjetar ishte grek, është njësoj si të pretendosh se çdo katolik ishte italian. Edhe gjuha përdoret si armë manipulimi. Greqishtja, thonë autorët, ishte gjuha e Skënderbeut. Sigurisht që ishte një nga gjuhët e kulturës dhe liturgjisë. Po ashtu si latinishtja për mbretërit francezë. A i bën kjo francezët romakë? Apo anglezët latinë? Vetëm një mendësi kolonizuese mund ta përdorë gjuhën e kishës si provë etnie.
Kur kalojnë te familja Kastrioti, autorët grekë e shndërrojnë konfuzionin në strategji. Herë janë “maqedonas”, herë “serbë”, herë “bizantinë”. Kjo lëvizje e vazhdueshme nuk është pasuri interpretimi; është mungesë prove. Në të kundërt, dokumentet janë kokëforta: Gjon Kastrioti sundonte Krujën; aleancat e tij ishin shqiptare; territori i tij ishte shqiptar. Edhe Papa Piu II, i cituar shpesh jashtë kontekstit, e quan Skënderbeun “princ i Shqipërisë”⁴.
Pastaj vjen Mali Athos – karta e fundit e mistifikimit. Po, Reposhi u bë murg. Po, Gjon Kastrioti bleu një kullë. Dhe po, ajo quhej “Kulla e Shqiptarit”. Ky është fakt. Ajo që nuk është fakt është përfundimi se kjo e bën Skënderbeun grek. Mali Athos ishte qendër pan-ortodokse, ku kishin prona serbë, bullgarë, rumunë dhe shqiptarë. Nëse Athosi prodhon grekë, atëherë Hilandari qenka grek dhe Stefan Nemanja helen. Një absurditet që flet vetë⁵.
Edhe kultura popullore shtrembërohet. Pretendohet se nuk ka këngë shqipe për Skënderbeun. Ky pohim është thjesht i pavërtetë. Tradita arbëreshe është një arkiv i gjallë i kujtesës shqiptare dhe i kultit të Skënderbeut⁶. Që këto këngë u ruajtën jashtë Shqipërisë osmane nuk është provë mungese, por provë represioni. Kur përmenden suliotët, himariotët, arvanitasit, bëhet i njëjti mashtrim: identiteti i shekullit XIX projektohet mbi shekullin XV. Këta ishin komunitete shqipfolëse ortodokse që u helenizuan më vonë. Historia nuk lejohet të shkruhet me prapaveprim. Ironikisht, dokumenti më shkatërrues për tezën greke citohet nga vetë Protothema. Në letrën drejtuar Mehmetit II më 1461, Skënderbeu firmos si “sundimtar i Epirit dhe i Shqiptarëve”⁷. Kjo fjali e vetme e rrëzon gjithë ndërtimin ideologjik. Shqiptarët janë subjekt më vete. Epiri është hapësirë. Pikë.
Feja e Skënderbeut përdoret si karikaturë logjike. Artikulli pranon se ai lindi ortodoks, u rrit mysliman dhe vdiq katolik. Ky fakt i vetëm duhet të mjaftonte për të mbyllur debatin. Por Protothema nuk e mbyll, sepse nuk kërkon logjikë. Nëse feja përcakton kombësinë, Skënderbeu ishte njëherësh grek, turk dhe italian. Historia serioze nuk e duron këtë grotesk.
Pse atëherë ky shkrim? Sepse Skënderbeu është i papërshtatshëm. Ai është ortodoks që nuk u bë grek. Shqiptar që u bë simbol europian. Hero që nuk i bindet mitologjisë helenocentrike. Dhe për këtë arsye duhet relativizuar, zbehur, copëtuar. Por historia nuk ka nevojë për leje. Gjergj Kastrioti ishte shqiptar në origjinë, europian në vizion dhe universal në simbolikë. Çdo përpjekje për ta mohuar këtë nuk është debat, por frikë e grekëve nga e nga e vërteta e historisë së tyre.
Bibliografi
Noel Malcolm, Kosovo: A Short History, London, 1998.
Marin Barleti, Historia de vita et gestis Scanderbegi, Romë, 1508.
Paschalis Kitromilides, Enlightenment and Revolution, Harvard University Press, 2013.
Pius II, Commentarii, shek. XV.
Paschalis Androudis, “Historical and Archaeological Evidence for the ‘Albanian Tower’ on Mount Athos”, Byzantium, 2002.
Giuseppe Schirò, Canti popolari albanesi d’Italia, Palermo, 1923.
Fan S. Noli, Historia e Skënderbeut, Boston, 1947.