Reflektim, persiatje në 550 vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot – Skenderbeut (6 maj 1405 – 17 janar, 1468)/
NGA SADIK ELSHANI*/Viti 2018 është shpallur Viti I Skenderbeut në tëre botën shqiptare, sepse shënojmë 550 vjetorin e ndarjes së tij fizike nga kjo botë, por shënojmë edhe 575 vjetorin e kthimit të tij në Kruje më 28 nëntor të vitit 1443, për të shënura kështu periudhën më të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Është ky 28 nëntor që përshkoi harkun pesëshekullor të historisë sonë e që do të vazhdojë sat ë rrojë edhe kombi ynë. Më 17 janar të vitit të largët 1468, Skenderbeu, Heroi ynë Kombëtar i mbylli sytë përgjithmonë për të kaluar në botën e lavdisë së përjetshme. Historia e një vendi, kombi është jetëshkrimi, bëmat e njerëzve të tij të mëdhenj. Skenderbeu me bëmat e tij e shkroi kapitullin më të ndritur, më të lavdishëm të historisë sonë kombëtare. U hapi shqiptarëve dyert e historisë botërore, i futi në faqet më të lavdishme të saj. Nga largësia shumëshekullore, në atë errësirë shumëshekullore, Skenderbeu përherë i ndricoi rrugën popullit tonë. Ishte dhe gjithmonë mbeti ylli ynë polar që na orientonte, na drejtonte, na tregonte rrugën e drejtë. U bë flamur, burim frymëzimi për të gjitha brezat e shqiptarëve, mishërim, personifikim i vlerave tona të larta kombëtare e njerëzore: trimërisë, burrërisë, nderit, besës. Skenderbeu simbolizon bashkimin kombëtar, qëndresën, synimet e popullit tonë për liri e pavarësi. Gjuha shqipe, flamuri Kuq e Zi, Skenderbeu, përbëjnë trkandshin e barabartë kombëtar, AND-në e kombit tonë. Hapi i parë i rëndësishëm që Skenderbeu ndërmori pasi y kthye ne Krujë më 28 nëntor të vitit 1443, ishte përpjekja e tij për t’i bërë së bashku të gjithë princat shqiptarë në Kuvendin e Lezhës më 2 mars të vitit1444, i njohur në histori si Besëlidhja e Lezhës. Ai si një strateg ushtarak i pashoq, nga më të mëdhenjtë që ka njohur historia e njerëzimit, e dinte mirë se bashkimi bën fuqinë. Tani janë bërë legjendare shtatë thuprat e Skenderbeut. Pastaj ai lidhi miqësi e aleanca me shumë vende të tjera, fuqi të asaj kohe. Kjo ëshë ajo formula magjike e Skenderbeut që duhet ta zbatojmë edhe sot për të ndërtuar një vend të fortë e të qëndrueshëm, të respektuar nga të gjithë.
Për 25 vite Skenderbeu i bëri ballë the e shpartalloi ushtrinë turke që ishte shumë herë më e madhe dhe më e pajisur se ushtria e Skenderbeut. Por Skenderbeu me shkathtësitë luftarake perdorte taktika, bënte manovrime që i fuste ushtarët turq në kurthe për t’i shpartalluar më lehtë. Qëndresa e Skenderbeut në Shqipëri ia ndali hovin pushtues ushtrisë otomane dhe në njëfarë mënyre e shpëtoi qytetërimin europian.
Poetët dhe shkrimtarët e Periudhës së Rilindjes sonë Kombëtare e ngritën lart figurën e Skenderbeut për t’ia ngjallë ndjenjat atdhetare shqiptarëve, për t’iu dhnë zemër për ta ringjallur kohën e lavdishme të Skenderbeut, për t’u treguar shqiptarëve se edhe pse jemi popull i vogël, mund ta çlirojmë dhe ta mbrojmë vendin tonë. Dikur këtë e ka bërë Skendrbeu. Edhe nga varri Skenderbeu u printe shqiptarëve: “Një zë i lartë që dolli nga varri i Skenderbeut/Kërkoni ju shqiptarë lirinë e Mëmëdheut”, janë vargjet e një kënge të krijuar nga populli.
Dita e kthimit të Skenderbeut në Krujë më 28 nëntor të vitit 1443 u bë një ditë që e përshkoi tërë historinë tonë, ditë që jo rastësisht përkon edhe me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, pikërisht më 28 nëntor të vitit 1912. Edhe zgjimi, ringjallja atdhetare e shqiptarëve të Kosovës lidhet me emrin e Skenderbeut. Ishte pikërisht manifestimi madhështor i shënimit të 500 vjetorit të vdekjes së Skendrbeut në Kosovë që i dha hov lëvizjes për liri e pavarësi. Keto ngjarje po ndodhnin vetëm dy vite pas rënjes së Rankoviqit, ministrit famëkeq të Punëve të Brëndshme të Jugosllavisë. Atë vit mori hov edhe botimi i një vargu të veprave letrare e historike, ndër të tjera: “Historia e Skenderbeut” e Marin Barletit, “Historia e Skenderbeut” e Nolit, “Bashkëluftëtarët e Skenderbeut” e Ali Hashorvës. Këto libra dhe shumë të tjera ngjallnin ndjenjat, krenarinë kombëtare që kulmuan me demonstratat e studentëve ne Prishtinë në nëntor të viti 1968. Dhe 40 vite më vonë, më 17 shkurt të vitit 2008 Kosova u shpall shtet i pavarur. Të gjitha rrjedhat, ngjarjet historike që kanë ndodhur më vonë, burimin e kanë te ajo periudhë e lavdishme, te bëmat e Skenderbeut. Skendrbeu ishte oksigjeni që e mbajti gjallë frymemarrjen e një populli që po lëngonte nën pushtimin shumëshekullor Otoman, e mbajti gjallë shpirtin, shpresën, ëndrrën e popullit tonë për liri e pavarësi.
Nuk ka shembull në historinë e kombeve tjera (me ndonjë përjashtim të rrallë) që një figurë si Skenderbeu që ka 550 e vite që nuk është në këëtë botë e të jetë mjaft i pranishëm edhe sot në jetën tonë të përditshme. Skenderbeu më tepër se një emër, një njeri, është një vizion, është një epokë, është mbijetesa e një kombi. Skenderbeu nuk simbolizon vetëm forcën e muskujve, por edhe mencurinë, zgjarësinë, urtësinë, intelektin. Ishte një figure interesante që frymëzonte, që ka gëzuar adhurimin e figuarave të njohura jo vetëm të kohës së tij, por edhe kohërave të mëvonshme dhe vazhdon edhe ne ditët tona. Shkrimtarë e filozofë i kushtuan vepra, poetët i thuren vjersha e poema, piktorët ia pikturonin portretin, kompozitorët i thurën vepra muzikore, opera (Vivaldi).
Në kohën e Skendrbeut ishte Europa ajo që i kishte drejtuar sytë kah Shqipëria, shpresat për mbriojtjen e saj i kishte mbështetur te Skenderbeu. Shqipëria e kohës së Skenderbeut i ofronte Europës vlera të larta morale, qëndresë, mbrojtje. Edhe sot Shqipëria duhet të shkojë në Europë duke i ofruar asaj vlerat tona kombëtare e njerëzore dhe jo duke iu lutur, duke iu përkulur, duke i kërkuar lëmoshë asaj. Kjo është ajo porosia e madhe e Periudhës së Lavdishme të Skenderbeut që vjen në ditët tona. Kur shqiptarët e ndjekin shembullin, rrugën e Skenderbeut, atëherë janë në rrugë të drejtë, rrugë të mbarë. Skenderbeu na ka treguar se edhe një vend sado i vogel qoftë, kur udhëhiqet nga një udhëheqës këmbëngulës, largpamës me dinjitet e karakter të fortë, atëherë edhe ai vend mund të bëhet një vend i rëndësishëm që gëzon autoritet në arenën ndërkombëtare. Gazetari dhe publicisti Virgjil Kule e ka quajtur Skenderbeun “Kryqtari i fundit”, por ai është edhe kalorësi i përhershëm i lirisë që gjithmonë frymëzon, ngjallë shpresat e popujve liridashës.
Në një shkrim për Shekspirin lexova edhe këto fjalë: “…Atëherë pse t’i ngritet përmendore Shekspirit? Une përgjigjem, jo për lavdinë (famën) e Shekspirit, por për nderin e Anglisë”. Kjo vlen edhe për Skenderbeun. 550 vite më parë Skenderbeu e mbylli me lavdi e dinjitet kapitullin e jetës së tij mbi këtë toke dhe me bemat e tij i ka siguruar vetes vendin e përjetshëm në faqet më të ndriyura të historisë së Shqipërisë dhae asaj botërore. Prandaj, Skenderbeu nuk ka nevojë për përmendoret e shqiptarëve, por shqiptarët kanë nevojë për përmendoret e Skenderbeut. Dhe përmendorja më e madhe që shqiptarët mund t’i ngrenë Skenderbeut është: Ndërtimi i një shteti të fortë, të qëndrueshëm, funkcional e demokratik, me shqiptarë të bashkuar, anëtar i denjë i familjes europiane – si dikur në kohën e Skenderbeut.
Kur e shoh gjithë këtë anarki, plogështi që i ka kapluar dy shtetet shqiptare, udhëheqësit e pavendosur e të korruptuar, më vjen të bërtas deri ne kup të qiellit: Zgjohu, o Gjergji ynë! Ku je, o Skenderbe?
Lavdi e përjetshme Heroit tonë Kombëtar, Kryezotit të shqiptarëve, Gjergj Kastriot – Skenderbeut!
Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.
Filadelfia, janar, 2018