PERSONAZH/ Flet skenaristja dhe bashkëregjisorja e filmit ”Skënderbeu i pagjumë”, Angjelina Xhara/
-Serbët le të “lehin” historia flet vetë/
-Vepra e skulptorit Italian, Romanoli, për Skënderbeun në Roma e pashoqe/
-Që në kohën e Zogut u zhvillua një konkurs me 40 skulptorë të huaj, për skulpturën e Skënderbeut/
-Për 25 vjet rresht Skënderbeu mbrojti qytetërimin Europian dhe krishterimin nga pushtimi osman/
– Për Skënderbeun, strateg të fuqishëm e të pamposhtur, por edhe diplomat i madh, flasin arkivat e Vatikanit apo edhe të Stambollit/
– Jam e dashuruar me portretin mbi kalë të Skënderbeut, vepër e piktorit të madh shqiptar, Spiro Xega/
– Për betejat fitimtare legjendare, gravura madhështore gjermane të shek 16-17/
– Skënderbeu tregon lidhjet e lashta të kombit shqiptar me qytetërimin e lashtë europian
– Shumë piktorë të mëvonshëm, sikur janë frymëzuar nga aktori rus, Akaki Orava, që ka interpretuar shkëlqyeshëm kryetrimin shqiptar
– Në film kanë folur Moikom Zeqo “Piktori i Popullit”, Naxhi Bakalli “Skulptori i Popullit”, Thoma Thomai “Mjeshtri i madh”, Zhani Ciko.
Nga Albert Z. ZHOLI/
Një dokumentar interesant mbi figurën e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut nga dy profesioniste apasionante të filmit, Angjelina Xhara dhe Bujar Kore. Ky film del në kohën kur në gazetat më të mëdha të Serbisë, kjo figurë botërore cilësohet si serb. Deri aty arrijnë pseudohistorianët serbë, sa dhe Heroin tonë Kombëtar, që gjithë bota e njeh se kush është e “përvetësojnë”.
– Më tërhoqi vëmendjen titulli i filmit ”Skënderbeu i pagjumë”…Si dhe pse ky titull. Çfarë doni të thoni ju, si autorë, përmes këtij filmi të ri dokumentar?
-Tema e këtij dokumentari është përjetimi artistik që i kanë bërë brenda e jashtë vendit tonë, figurës legjendare të Gjergj Kastriot Skënderbeut…Ka mbi 600 vite qe shkruhen libra për të! Kryeqytet europiane mbajnë krenarinë e Heroit Shqiptar, përmes monumenteve e busteve te tij…Muze të njohura në botë kanë piktura monumentale me figurën e kryetrimit të pamposhtur…Gravura madhështore shprehin me një nivel të lartë artistik betejat legjendare…Për Skënderbeun janë bërë filma dhe janë kompozuar edhe pjesë muzikore deri opera…Nga Vivaldi, Fransua Franse e Fransua Rabële deri tek Abdulla Grimci
Duke pasur këtë objekt kompleks për filmin, ne duam të tërheqim vëmendjen, duke u mbështetur veçanërisht në portretin madhështor të Skënderbeut mbi kalë, se ai është i gjallë dhe shumë veprues në këtë fillim të mijëvjeçarit të tretë, kur Shqipëria troket në Europë. Skënderbeu është i pagjumë për fatet e këtij kombi…Ai është ndërmjetës i madh sepse është mik i vjetër i Europës. Për 25 vjet rresht Skënderbeu mbrojti qytetërimin europian dhe krishterimin nga pushtimi osman, me beteja fitimtare të zhvilluara në trojet shqiptare, përmes bashkimit te princërve shqiptarë dhe heroizmit të një ushtrie e populli të vogël që kreu një detyrë te madhe…
– Si lindi ideja e këtij filmi?
Operatori i njohur i Televizionit Shqiptar, Bujar Kore, m’u afrua me këtë temë sepse kishte bërë xhirime të shumta të monumenteve të Skënderbeut nga Europa deri në Amerikën e largët. Me një bashkëpunim të mirë krijues u ngjiz, filmi fillimisht në skenar letrar, që u miratua nga strukturat e RTV Shqiptar, për realizimin me xhirime te mëpastajme të bëra në Shqipëri e jashtë saj. Kështu xhiruam në mes të Romës, në sheshin Piaza di Albania, ku është vendosur monumenti i Skënderbeut mbi kalë, vepër e skulptorit Italian, Romanoli…Në film episodi merr një realizim të plotë me xhirimet arkivale të kohës, kur është bërë inaugurimi i monumentit, në vitin 1937. Që në kohën e Zogut u zhvillua një konkurs i plotë, ku morën pjesë me projektet e tyre 40 skulptorë të huaj. Dokumentari mbas prologut, hapet me monumentin ne qendër të Tiranës, ku bëhet inaugurimi në një miting madhështor. Më pas jepen te ndërthurura fakte dhe ngjarje kulmore të historisë skënderbegiane, duke kaluar në kuadro të xhiruara në dy muzetë në Tiranë e në Kruje. Kështu vazhdon filmi që theksin kryesor e ve tek krenaria jonë, kur për Heroin tonë legjendar flasin humanistë të mëdhenj europianë e botërorë. Për Skënderbeun –strateg të fuqishëm e të pamposhtur, por edhe diplomat i madh, flasin arkivat e Vatikanit apo edhe te Stambollit…Për Capitanus Generalis, flasin me gjuhën e artit të vërtetë, piktorë të mëdhenj të huaj si Rembrand e Delakrua. Flasin për betejat fitimtare legjendare, gravura madhështore gjermane të shek 16-17. Mijëra faqe librash shkruajnë historinë me germa të arta. Vepra e Marin Barletit e shkruar menjëherë pas vdekjes se Skënderbeut do të botohej në Venecia, në vitin 1504 e do përkthehej në të gjitha gjuhët europiane…
– Sipas teje, Angjelina, cili është episodi më emocionant i filmit?
-Filmi fillon me një prolog plot ritëm që tregon emocionalisht e vizualisht, kush është objekti i këtij dokumentari. Për mua, jam e dashuruar me portretin mbi kalë të Skënderbeut, vepër e piktorit te madh shqiptar, Spiro Xega. E kemi përdorur shpesh si lajtmotiv. Ashtu siç kemi përdorur edhe disa kuadro nga filmi rus “SKËNDERBEU”, si pika nevralgjike të dokumentarit. Kemi bërë një konstatim, se shumë piktura të mëvonshme, sikur janë frymëzuar nga aktori rus, Akaki Orava, që ka interpretuar shkëlqyeshëm kryetrimin shqiptar. Them se kemi krijuar një metaforë emocionale në film me portretin e Skënderbeut, qe i kthyer në atdhe përkulet me aq mall para tokës mëmë, duke e paralelizuar me puthjen që i bën Papa i Romes kësaj toke të lashtë, ne kohët moderne.
-Mendoni se e keni shteruar objektin e këtij filmi?
– Tema e Skënderbeut është një temë e pashtershme burimore. Ne realizuam një film, ku spektatori do te mësojë e përjetojë emocionalisht si vjen Skënderbeu ne ketë fillim mijëvjeçari. Kohët e fundit, monumentet dhe librat e shkruar për Skënderbeun, tregojnë se sa i etur është shqiptari kudo në botë për lartësimin e një figure të tillë madhore. Intervistat e ndërthurura në dokumentar me studiues, skulptorë e piktorë të shquar, i japin filmit një mbështetje vertebrale. Konsulent i filmit dhe njëkohësisht pjesëmarrës aktiv në tregimin kinematografik, me mendime të fuqishme, është Doktori i Shkencave, Moikom Zeqo.
Personalitete të shquar si historiania e njohur, Dr. Valentina Duka, shkrimtari e studiuesi Ylli Polovina, “Piktori i Popullit” Naxhi Bakalli, “Skulptori i Popullit” Thoma Thomai, “Mjeshtri i madh” Zhani Ciko, me fjalën e tyre përgjatë filmit, sjellin emocione te vërteta studimi e krijimi të kësaj teme madhore. Grupi realizues me gjithë përpjekjen e tyre pasiononte sipas detyrave të kryera, kanë gjetur një ekuivalencë të bukur kinematografike për një film të ri dokumentar, që flet përmes dokumentit arkival por edhe zbulimeve të reja studimore për figurën më emblematike të popullit shqiptar. Montazhi i regjisorit me përvojë, Lulzim Sula, sjell surpriza në pasurimin e gjuhës filmike televizive e kinematografike. Kamera e operatorit të ri Ermal Kore, në xhirimet e sotme, sjell një atmosferë të bukur krijuese me imagjinate dhe shprehje të veçanta filmime.
-Po për anën financiare si e zgjidhët xhirimin e këtij filmi..
– Një temë që nuk doja ta prekja, sepse më vjen keq si në këto vite shtohen ata që kane miliona dhe nuk japin për artin në përgjithësi. Po nuk je patriot, nuk je njeri. Dashuria fillon nga pragu, ku të ka rënë koka. Nejse, ne patëm mbështetjen e Televizionit Shqiptar dhe të një sponsori të vetëm, që e ka emrin e nderuar, Mehmet Malo, President i Eurosport. Falënderojmë nga zemra të gjithë bashkëpunëtorët në diasporë nga Roma deri ne Trieste e Kalabri, nga Gjeneva deri në Detroit, nga Prishtina e Shkupi deri në Londër e Bruksel, që na dhanë materialet e tyre të çmuara për përjetësimin në një film te ri dokumentar të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Filmi ka vlera të veçanta aktuale (pasi të gjithë duan ta përvetësojnë këtë Hero të madh), sepse siç e ka theksuar edhe shkrimtari ynë i madh Kadare… Skënderbeu tregon lidhjet e lashta të kombit shqiptar me qytetërimin e lashtë europian.
Në tekstin e filmit në një çast thuhet:
“Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vjen i pagjumë për fatin e shqiptarëve edhe në agimin e mijëvjeçarit të tretë…Troku i kalit të tij troket në dyert e Europës si një mik i madh i vjetër”. -Serbët le të “lehin” historia flet vetë.
Si do ta cilësonit sot lirinë në krijimtarinë kinematografike?
Sot liria e krijimit është më e madhe por edhe vështirësitë e realizimit janë më të mëdha. Ngaqë kam munguar për vite me radhë në emigracion, rend të arrij kohën e humbur… Në kohën tjetër filmat bëheshin me një komoditet të madh, kishin kohën e caktuar të realizimit shumë bashkëpunim. Tani të gjithë vrapojmë dhe ka shumë stërmundim, stres, lodhje.
Një ndër skenaristet më të vjetra shqiptare, femrat konkurrojnë meshkujt në këtë gjini krijuese?
Në art nuk ka punë gjinish, je femër apo mashkull. Kur të zë muza nuk pyet shumë se çfarë gjinie i përket. Ne, në kinematografi kemi emra të shquar grash e vajzash artiste të mrekullueshme, por ato duhet të mbështeten pak më shumë, tani në kohët e vështira të tranzicionit apo dhe më tej.
Box
Serbët të “verbuar” nga madhështia e Skënderbeut
· Të gjithë në këmbë të mbrojmë figurën legjendare të Skënderbeut! Paradoksi dhe çmenduria e historianëve serbë:
· Heroi Ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti mendohet se lindi më 6 maj 1405 në Mat –vdiq 17 Janar 1468, në Lezhë.Askush se beson (çmenduri serbe) por është e vërtetë. Më datën 16 janar dy prej gazetave më të mëdha të Beogradit, “Kurir”, dhe “Telegraf” kanë pasur një shkrim, ku e cilësojnë Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotin, se ai është serb…:
“Origjina serbo-ortodokse e Gjorgjes nuk është në diskutim. Historiani anglez Eduard Gibbon në librin e tij “Historia e venitjes dhe rënies së Perandorisë Romake” e vitit 1788, në mënyrë të qartë ka shkruar se Kastriotiç e ka origjinën nga dinastia e vjetër serbe e Braniloviçëve të Zetës. Ngaqë janë harruar nga historianët serbë, këta heronj janë duke rënë në errësirën e harresës, apo thjesht po konfiskohen dhe përvetësohen nga njerëz të tjerë! Një fat i tillë i ka ndodhur kalorësit serb dhe gjeneralit të Papës, Gjorgje Braniloviç Kastriotiç, të cilin shqiptarët e kanë deklaruar për heroin e tyre kombëtar. Madje, edhe flamurin e tij e kanë kthyer në simbolin e tyre kombëtar.
Gjyshi i Gjorgjes u shpërngul në Janinë të Epirit, si Kefalija serb (në shtetin mesjetar serb: i pari i pleqësisë së qytetit). Babai i tij, Gjon Gjorgje Kastriotiç është quajtur Princi i Epirit, krahinë që përfshinte Matin, Mirditën dhe Dibrën. Nëna e tij, Vojislava ishte princeshë me prejardhje serbe nga familja e Tribaldas”, shkruajnë gazetat serbe me germa të kapitale.
Emblema
· Gjatë një betejë të furishme kundër turqve që zgjati përtej muzgut, Skënderbeu urdhëroi disa nga ushtarët e tij të gjenin një tufë me dhi, e u lidhën pishtarë të ndezur brirëve të tyre dhe dërgohen në drejtim të rreshtave të ushtarëve turq gjatë natës. Turqit besuan se u sulmuan nga trupa të shumta shqiptare dhe u larguan me mendimin se u mundën që në numër. Për shërbimin e rëndësishëm të marrë nga ana e këtyre kafshëve, heroi ynë vendosi të përvetësojë imazhin e kafshës si emblemë të tijën, në përkrenaren e tij.
Realizimi i filmit
Skenariste: Angjelina Xhara
Regjia: Bujar Kore dhe Angjelina Xhara
Operator: Ermal Kore
Regjisor montazhi: Lulzim Sula
Konsulent: Dr Moikom Zeqo
Gjate kohëve të fundit, kur është kthyer nga emigracioni, ka realizuar 6 filma dokumentarë:
-LIRIKË SHPIRTI
-PAK DIELL EDHE PËR NE
-KTHIMI NË REDINA
-VATRA E SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
-MARGARITA…
-SKËNDERBEU I PAGJUMË