Nga Anton Çefa/
“Mund të dukej se shqiptarët të vendosur prej një kohe shumë të gjatë në bregun tjetër të Adriatikut, nuk do të kishin ruajtur veçse nje kujtim të vagëlluar për bëmat e Heroit të Krujës. Po s’është kështu dhe fjalët që thuhen mbi mosmirënjohjen e popujve nuk mund t’u zbatohen këtyre shqiptarëve. Në qoftë se pushtimi i huaj nuk lejon që t’i ngrihet një monument Kastriotit të madh në vendin e tij lindor, në qoftë se Sfetigradi, të cilin sllavët e kanë quajtur me të drejtë “fortesa e shenjtë” nuk është veçse një grumbull gërmadhash, emrin e Heroit do të vazhdojnë ta bekojnë dhe kujtimin e tij do ta lavdërojnë sa të rrahë edhe një zemër shqiptare në të dy gadishujt.”
Elena Gjika (me pseudonimin Dora D’Istria) 1).
Që nga shek. XV, populli ynë ka krijuar legjenda e gojëdhëna, ka kënduar këngë për Skënderbeun dhe trimëritë e tij, dhe këndon edhe sot e kësaj dite.
“Populli në tregimet e tij, nga dashuria e madhe dhe nderimi për këtë hero legjendar, nga autoriteti dhe mënçuria e tij, e ka rritur atë me një bukuri klasike, me përpjestime të mëdha, ndonjëherë hiperbolike, por që ky hiperbolizëm ka një lidhje shumë të kuptueshme dhe organike me luftërat që mishërojnë aspiratat popullore dhe me figurën e një udhëheqësi të madh popullor.”, ka shkruar Qemal Haxhihasani.2). Shpesh, edhe në paraqitjen e tij, populli ka futur elemente legjende. “S’ka pasë si Skanderbegju. Ai ka qanë me fletë nan sqetull. Mustaqet i kishte katër pllamë më njan’ anë e katër më tjetrën. Kur luftonte Skanderbegju, iu bajshin sytë xhak, ene qitte duhm prej gojet” – thuhet në një gojëdhënë të mbledhur në fshatin Macukull të rrethit të Matit. 3).
Në shumë gojëdhëna dhe këngë Skënderbeu bën veprime të çuditshme, të jashtëzakonshme: çanë shkëmbinj, bën që të rrjedhin kroje nga shkëmbi, ndalon ujërat e lumejve, fluturon me kalë, etj.
Në një rast, “Skënderbeu ishte me një fuqi të vogël në Rraicë. Ballaban Pasha me nji fuqi të madhe, po vinte nga lindja, nga drejtimi qi ndodhën katundet Llabunisht, Velçan, etj. Për me i dalë në ballë, Skënderbeu çau nji shkamb 10 – 15 m., qi i kishte zanë rrugën e ky shkamb sot quhet “Shkambi i Skënderbeut.” 4).
Një herë tjetër, “Skënderbegu po shkonte me ushtrinë e tij në Malin e Pëshkashit, atje ku quhet “Maja Skanderbeg”. Ishte tue garendë dhe ushtreja e tij kishte etje të madhe. Skanderbegu s’kishte gajle për vetvedin, por i dhimsesh ushtreja. U ndal pra çaty ke Maja Skanderbeg, nxuer shpatën, ja nguli shkamit e tha: “Këtu dalç! Ene fup duel nji kru me ujë shumë të ftofët, sa me plasë bastanin. Piu xhithë ushtreja ene vetë Skanderbegju. Manej ky nguli shpatën pak ma teposhtë e tha: “Këtu hupç! Edhe me të vertetë hupi i xhith ai uj. Sot e kësaj dite ujët e atij kroji aty del e aty hup. Këti kroji i thonë: “Gurra Skanderbeg” dhe asht çudi me e pa. (Peshkash – Mat, 1929) 5).
“Kur luftonte Skanderbegu me turqit, fluturonte me kalë, nga Deja në Kunorë të Lurës, në Varosh, në Gurë të Bardhë e në Kala të Darsit; prej knej në Kala të Bruçit, në Shtjefen, në Bazje, ne Malin Skanderbeg e në Sarisalltik në Kru. Kur ja dote puna binte ene në Lezhë, në Shkodër e në Durrës.” (Bazje, Mat).6)
Për t’u vënë në dukje është që urimet e mallkimet e Skënderbeut realizoheshin gjithnjë. Po e ilustrojmë këtë fakt me shembuj.
“Kur erdhi Skanderbeu n’Shingjergj, tanë katuni i dul përpara me rroba t’bukra. Skënderbeu i la ket uratë: -Shingjergji gjithi rroba t’bukra majtë! Meqenë se e priti edhe me kangë e me valle, na e la: Shingjergji qoftë i përparu gjithherët! Prej kësaj urate Shingjergji asht e ka qenë, i gjithi në ballë të katuneve (prej uratës qi i dha Skënderbeu). (Shëngjergj – Tiranë) 7).
“Kur erdhi Skënderbeu n’Bizë t’Shingjergjit, ai ven pat mjaft njegull. Skënderbeu, ka s’ju da mjegulla fare tha: “Kti veni njeglla mos iu hjektë asiherë! Ene sot ky ven rri gjithi me njegull.” 8).
* * *
Po japim ndonjë prej gojëdhënave që ka botuar historiani Atë Marin Sirdani në librin “Ndriçime të historisë , të kulturës dhe të artit shqiptar”, botuar nga ‘Shpresa”, Prishtinë, 2002 :
Nderimi ma i madhi
“Kishte formue Skanderbegu nji trup të zgjedhun ushtrije prej ma se dy mi shqyptarësh, të cilët per dishiplinë, trimni e besniki s’kishin shokë në botë. Shpesh e shpesh u gjindte në mjes të tyne e u kujdeste me dijtë deri punët e nevojat ma të voglat e tyne. Disa herë hate në tryezë me ta, e mbas ndonji ngadhnije i u falte atij qi kishte diftue ma tepër trimni edhe i ipte me pi me qelqen e vet.
Në luftën e Torviollit, posë sa oficierave, qi ishin da në shej, kjenë edhe tre ushtarë të gardës qi diftuen nji trimni aq të madhe sa gjithkënd lanë pa mend. Skanderbeu mbasi i dariti me dhanti të çmueshme ata e oficirat qi ishin da në shej, i grishi në darkën kombëtare t’asaj nate, dhe i u fal tuj pi e u dha me pi me qelqen e vet në mjes të brohorive e duartrokitjeve të kohortës pretorjane. N’e nesre i rrethuem Skanderbegu prej komandarve, vizitoi të plaguemt njipernji tuj u dhanë zember e tuj u kujdesë t’i mjekojshin sa ma mirë. Me ket sjellje shtoi dashtninë e ushtarve, edhe mzi pritshin me u shndoshë e me rrokë armët, per me dhanë jetën nen flamurin e njai mbreti aq zembermirë, po t’ishte e mundun, nji mi herë. Të treten ditë thirri mbarë ushtrin edhe veçoi me dhanti të çmueshme gjith ata qi kishin tregue nji trimni të veçanët, me nji gzim e ambelsi qi i gzote ma tepër se shpërblimi.” 9).
Stima e meritueme
Hamza Begu, pris i vlerët i turqve, i muejtun keqas prej Skanderbegut, u ngushtue me hikë me gjith ushtri rrugë e pa rrugë. Skanderbegu e ndoq e e damtoi gjithnji e tuj mos i pa pshtim vetit, ke njifte zembren e gjanë të Skanderbegut, ktheu dalë me gjith ushtri e me sy të përvajshëm e luti me pasë dhimbët per ta e mos me i shkue dam. Skanderbeu e priti me çehre aq të mirë e i pergjigji me fjalë aq t’ambla e t’nierzishme sa gadi shkrehi në vajë jo veç robt por edhe ushtrin e vet. Per me u dhanë nji farë ngushëllimi e me u sigurue se nuk do të hiqshin kurr farë të keqje prej tyne bani qi t’hajshin bukë në tryezë me te, e mbarue së ngranmi urdhnoi t’u raditte të gjithve gjithshka mujshin me pasë nevojë, e, marrë nji farë shpërblimi kjen lirue me shkue. Tuj vu oroe Skanderbegu se disave po u vite keq ke ishte aq zembergjanë e i dhimbshëm, e qi prap do të vijshin me luftue kundra si, thotë se, sa herë do te xete rob kurr nuk do t’i shkote dam, por perherë do të kishte dhimbë per ta, e s’do të lete kënd me i marrë me t’keq.
Me nji zembër kaq të dhimbshme e të mirë Skanderbegu kishte fitue nji stimë aq të madhe deri nder anmiq, sa faqe thojshin se ‘Shoqi i Skanderbegut nuk kishte le e as nuk do te letë në botë.” 10).
* * *
Të dhënat më të parat për jetën, veprimtarinë, luftat e Skënderbeut, i kemi nga Dimiter Frengu (Dhimiter Frangu), arkëtari i Skënderbeut, vepra e të cilit është mjaft e rrallë ndër ne:“Historia e Glorisi Gesti etVittoriose Imprese, fatte contra Turchi, dal Sig. Don Gjorgio Castriotti, Detto Scanderbeg, Principe d’Epiro.” 11).
Frano Bardhi, (1606 – 1643) Leksikografi i parë shqiptar, historian, folklorist dhe etnograf, në vitin 1636, botoi në Venedik veprën “Gjergj Kastrioti i Epirit, i quajtur përgjithësisht Skënderbeg, princ shumë trim e i pathyeshëm i shqiptarëve” si polemikë për të hedhur poshtë mendimin e pathemeltë të një peshkopi bosnjak bashkëkohës, i quejtur Jan Tomku, i cili i mohonte Skënderbeut prejardhjen shqiptare. 12).
Bardhi na ka dëshmuar që populli kishte thurur këngë për trimëritë e bëmat e Skënderbeut dhe i këndonte ato. Bardhi shkruan: “Një numër i madh vajzash, në mes të rrezikut të luftës, atëherë kur çdo gjë të shtinte frikën e ushtrisë turke, mblidheshin çdo tetë ditë në mes të rrugëve, në qytetet ku ai kishte qenë zot, dhe këndonin lavdinë e kryetrimit të tyre të vdekur . . . ” 13)
Frang Bardhi thekson gjithashtu se “ . . vazhdimisht deri në ditët e sotme, bashkëkombasit tanë flasin për te (Skënderbeun) dhe këndojnë me zë të lartë timëritë e tij nëpër gostitë dhe e quajnë Skënderbeun tonë, për autonomasi “Kulçedra e Arbërit”, d. m. th. Dragoi i Epirit”. (Franciscus Biancus, Georgius Castriotus, Venetiis 1636, f. 71. 14).
Në “Relacione dërguar Vatikanit mbi vizitën e Pukës, qershor 1637” , Bardhi shkruan: “Sipas zakonit të të moçemve, ndër gostitë e tyre nëpër rrugë e punë këndojnë me zë të lartë trimëritë e burrave të tyre të mëdhenj, dhe sidomos të të pathyeshmit zot, zotit Gjergj Kastriotit, të quajtur Skanderbe, dhe të të shkelqyeshmit Lekë Dukagjinit, princit dhe zotit të tyre.”15).
Po ashtu, historiani venedikas, humanisti Antonino Sabeliko, ka shkruar që në vitin 1487 , “ . . . populli, i mahnitur nga adhurimi i lartë i këtij burri, sikur të shikonte tek ai diçka që kalonte mundësitë njerëzore, e lartësonte kujtimin e princit të dashur me këngë solemne. Më kanë treguar burra të denjë për t’u besuar, se mu në mes të zjarrit të luftës, kur gjithçka shungullonte nga armët e barbarëve (turqve), grumbuj vajzash kishin zakon të mblidheshin javë për javë në sheshe (kryqëzime rrugësh) të qyteteve, ku ai kish sunduar dhe të këndonin lavditë e princit të tyre të vdekur, ashtu siç bënin edhe të moçmit në gostitë e heronjve të mëdhenj.” 16).
Vazhdimësinë e këngëve popullore shqiptare për Skënderbeun na e dëshmon F. Pukëvil, ish-konsull i Francës pranë Ali Pashë Tepelenës, në një vepër rreth udhëtimit të tij (1798 – 1801) nëpër More, Shqipëri, etj. . . . Ai thotë se djemtë e maleve të Çikës “i përdorin këngët e tyre që shtyhen në shekujt e Skënderbeut të lavdishëm, për të sharë dobësitë e osmanëve.” 17).
Edhe sot e kësaj dite, poetët popullorë thurin këngë në të cilat tregohen
bëmat luftarake, trimëritë, sjelljet e tij, etj.
Arbëreshët, gjithashtu, i kanë kënduar dhe i këndojnë Skënderbeut dhe bashkëluftëtarëve të tij: Pal e Llesh Dukagjinit, Pal Golemit, Nik Petës, Dedë Skurës, Pjetër Shinit, etj. “Këngët tona, shkruan De Rada, linden në kohën kur ra ora e madhe për prindërit tanë, të ngritur kundër dallgëve turke . . . Në to ndihet popullit arbëresh si rreze të hijshme dielli.” (J. De Rada, “Hyrje e ribotimit të Rapsodive, 1883-87”. 18).
Po japim këtu një këngë arbëreshe të kësaj periudhe:
Dedë Skura
Tek çuka e një kodrine,
Nënë hijën e një lisi,
Dergjej prapët Dedë Skura,
Trimi vëtë s’mund ta ftohte
Zjarrin e plagvet të tij.
Kaluan shokët krenarë:
Dedë Skurë, ngreu të shkojmë!
-Ecni, shokë, ju, me shëndet,
Unë s’vi dot me ju;
Veç ju lutem aty poshtë,
Kalin tim të ma mirrni,
Të mos cofi’ ai me mua
E t’ia shpini ju tim biri.
Kur të rritet, të ngjesh’ shpatën,
E t’i hipi kalit tim,
Se e shpie ai në luftë,
Mbi mizorët, q’i vranë t’anë,
Të ngopë zemrën time. 19)
Referenca:
1). Nasho Jorgaqi, “Antologji e mendimit estetik shqiptar 1504 – 1944”, Dora D’Istria , “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, Pjesa III, “Shqiptarët në mërgim, f. 130.”
2). Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë – Instituti i Kulturës Popullore: “Epika historike 1”, f. 127.
Më poshtë do të shënojmë vetëm “Epika historike 1”
3).“Epika historike 1.” f. 127.
4). “Epika historike 1”, f.128.
5). Epika historike 1, f. 129-30.
6). Epika historike 1, f. 130.
7). Epika historike 1, f.134-35
8). Epika historike 1, f.136.
9). Atë Marin Sirdani, “Ndriçime të historisë, të kulturës dhe të artit shqiptar”, Shpresa, Prishtinë, 2002, f. 332.
10). Po aty, f. 333.
11). Po aty, f. 318.
12). FESH, botuar në Tiranë më 1985, f. 68.
13). Frano Bardhi, “Gjergj Kastrioti i Epirit, i quajtur përgjithësisht Skënderbeg, princ shumë trim e i pathyeshëm i shqiptarëve”, f.102.
14). Epika hisorike 1, f.24.
15). Cituar simbas librit “Folklori shqiptar”, botuar nga Universiteti i Tiranës – Instituti i Folklorit, Tiranë 1972, f. 81 – 82).
16). Epika historike 1, f.23.
17). Cituar sipas autorit Ramadan Sokoli “Figura e Skënderbeut në këngët popullore”, në “Çeshtje të folklorit shqiptar 1”, botuar nga Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë – Instituti i kulturës Popullore”, f. 262.
18). Cituar sipas “Epika historike 1”, f.26.
19). “Epika historike 1”, f. 194-95.