(KUSHTUAR LOKEMADHES SË KOMBIT E NËNËS ATDHETARE)/
Xhemail Peci/
“E ku të shkruhen ndë kartë,/
Fjalët e gjuhës së zjarrtë?!”/
Naim Frashëri/
1.
Sa herë të kujtoj Ty,/
Shipërinë e shoh në zemër,/
Shqipërinë e shoh në sy./
Sa herë í kujtojmë Ata,/
të kujtojmë Ty,/
Haso Topullin tek hiqte valle,/
dhe burrin me opinga baroti,/
Mihal Gramenon kur pendës së tij shkroi:/
se Haso Topulli nuk nxorri asnjë pikë loti,/
tek në dorë í tundej si shqiponjë shamia,/
s’qante dot Haso Topulli,/
se qante Shqipëria./
Se herë që mblidhet Kosova kreshpëruar,/
me zemër të përgjakur dhe me shpirt të lënduar,/
në Kështjellë të Kujtesës – Kështjella e Qëndresës,/
sa herë që dhembjet e shkeujve në gjakun që vlon,/
me ankthin e kohës t’í shporrë hithra e ferra gjakon:/
ato Shenja të Shenjta, e ehu Ajo Kanjushë e Verdhë,/
kushtrimin e brezave dhe kushtrimin e gjyshërve,/
me kësulën e bardhë mbi sy,/
epikën legjendare vargjeve e derdhë:/
eja loke, e ma jep martinën,/
përmbi shkëmb, o ta vë opingën!/
Është Kënga e Kamber Loshit,/
e Kënga e të Gjitha Këngëve,/
nëpër gëzhojat e melodive të barotit çelur,
është vet firmammenti í shqiptarëve,
gjak mbi vetullat mbledhur:
Nanë moj Nana e Bajram Currit,
si shqiponja n’maje t’gurit.
2.
Me shaminë e bardhë si dëbora e kreshtave të Shkëlzenit,
me sytë si shqiponja e Ilirisë Lidhjes së Prizerenit,
kënga iu fal Drinit e Ibrit, Vjosës dhe Bunës,
shqotave dhe sufierinave, Pashtrikut e Lubotenit,
iu fal Shkumbinit siç iu fal dhe Erzenit,
mes Scillës dhe Haridbës e në Shtratin e Prokursit,
Tivarit dhe Dubovikut, Prevezës dhe Artës,
Tiranës, Tropojës dhe Kukësit,
Ti Shqipëri u dhe gji nga gjiri í Rozafës,
Ti Shqipëri u dhe sy nga sytë e shkabës:
Mëmëdhe quhet toka…
Arbëria matanë detit,
Gitarë me mall të valë,
Kangjelë e Zjarrtë e Poetit,
e qumësht í Teutës zemrat ua ndezi eshkë e strall,
në zemër lirinë, Kosovën në gjoks, Shqipërinë në ballë,
ecur Plisabardhët mbi majën e shpatës,
siç ka ecur gjithmonë Kosova,
në prush, në flakë, në zjarr,
e Shqipërisë shqiponjë: përballë shqotës dhe shtrëngatës.
3.
Ti Nënlokja e Kombit,
me peshën e moteve të mëdha mbi supet,
dhembja kurrë s’të theu e hasmi kurrë s’ta pa pikën e lotit,
e toka mbolli farën e plumbave dhe shtroi sofrën e barotit,
Ti Djemtë Atdheut ia fale si Lule,
Ti Dardanja e Urtë,
Ti Nënlokja Trime,
Kosovarja Ti,
Krutanja Ti,
Shamibardha e Tropojës Ti,
Shamibardha e Ajkunës mbi Bjeshkët e Rugovës – Ti,
Ti Nënë Zahideja,
E Jasharajve Ti,
Shqipëria Ti.
Sa herë të kujtojmë Ty,
oshëtima e vargjeve të Fan Stelian Nolit,
na vie si gjëmim me bubullima,
na vie siç í vente Isa Boletini Vlorës me opinga:
Mbahu Nëno, mos ke frikë…
Gjaku i Djemve t’u bëftë Dritë.
Na vie siç vie dhe gjëmima e vargjeve të Hilë Mosit:
Ah Shqypni, mos thuej mbarova!
4.
Lokemadhja Ti,
Nënlokja Ti,
Kreshnikja Ti,
epikë fishtjane e epikë kreshnikësh Ti,
gërshetë e thurur psherrëtimash lulevirgjëra,
Ti Praneverë e Ilirisë – si trëndafil përmbi bokërrima:
Cufa e Bardhosha na është mbushë Kosova…
Në një cep të Ilirisë e mu në zemër të Dardanisë.
E diku larg,
kur zemër e Kosovës pak nga pak pikoi gjak:
e ndalën diku, të Ëmën e Jusuf Gërvallës!
U dha lajmi,
e shpirtrat e shqiptarëve í shtrëngoi si lak,
po gjurmët e gjakut me zë trëndafilash,
sfidë u bëjnë ndeshtrashave,
se është zemra dhe shpirti í Shqipërisë,
që u hapë portat Shamibardhave.
Sa herë që të kujtojmë Ty,
i kujtojmë ATA,
Atdhetarët si të parët,
o sa herë që të kujtojmë Ty,
Shqipërinë e shohim në zemër,
Shqipërinë e shohim në sy,
Vallen e Haso Topullit,
kur iu vra Çerçiz Topulli,
në këngën polifonike-
kur iu vra Çeço Bukuria:
Në u vra nga trimëria,
Namn’ e morri Shqipëria.
5.
E kur bajonetat serbe bebëzat përgjakën të lulekuqeve,
në rafalet dhe në breshëritë e automatikëve,
mbi filizat e njoma që supet kishin mbështetur mureve,
ikonat mesjetare, hijenat dhe gjarpërinjtë me sprijat dhe shtrigat,
gjymtyrët e Atdheut me zinxhirët e tankeve lidhnin shëlligat,
në vaj dhe në lot i mblodhi dhembjet Shqipëria,
në gjak dhe në lak, në zjarr dhe në hekur,
litarin në fyt e thikat ashtin prekur,
përreth hijenat prapë me shëlligat,
gjarpërinjtë në gjak me katallanët dhe shtrigat,
lebetitej kujës, dhembjes dhe gjamës la me gjak Dardania,
e Thirrja erdhi si Zë í Shenjtë,
shprushur prushin e shekujve me ballët tek liria:
Dardania Diell Dardanësh,
Zë e Zemër, Gjuhë dhe Gjak í Shqipërisë,
si Shenjë e Shenjtë e Gitarës së Poetit,
Zë í Zemrës së Jusufit e Zë í Zemrës së Bardhoshit:
T’falemi Shqypni!
U fal një komb í tërë,
para atyre Varreve si përpara vetë Djepit të Lirisë,
Altarit të Shenjtë kur u fali Rozafa fletë fatosave te kombit,
e që lindi prapë në çerdhet e veta shqipet e Kastriotit,
e gjokset digë ia vunë para grykës së topit,
e celula të para si plis í bardhë mbi vetull Nëntor për Nëntor,
Oso Kuka i bëri Kullat e Arbërit – Kulla të Barotit:
Nëntor për në Nëntor,
me gjokset si Tomor e me ballët për në Vlorë.
6.
Sa zemra dhe sa pena u shkrinë për Shqipërinë,
si në krismat e pushkëve ogurbardha të Tahir e Nebih Mehës:
Dy me dy mijë!
E dridhën në themele tek krimeve po kalbej – vetë Perandorinë,
në Pranverën e Përgjakshme të Motit të Madh 1981,
Pena dhe Pushka e zgjuan Dardaninë,
e në currilat e Gjakut të Janarit të Gërvallëve,
në frëngjitë e Kullave të Marsit,
e në Lumenjtë e Gjakut të Jasharajve,
prillit dhe nëntorëve, gjokseve dhe krahanorëve,
Shqiponjë e Ilirisë Kosova iu falë Lirisë:
E Ilirisë Kosova.
O Bacë, Jusuf ka me ardhë se s’ka që e ndalë,
O Bardh, ka me zbardhë Dita e Madhe e Motit të Madh,
se dardha pikë nën dardhë:
O Shpirtndritur,
O Zemërbardhë,
O Prijatarë.
Drini í Bardhë e Drini í Zi:
Cufa, Bardhi edhe Ti,
Një Shqipëri,
në Fushat e Përgjakura të Dardanisë,
Kalorësit e Lirisë,
e vallen prapë e heqë Fustanella e Ilirisë,
dhe flatrat sërish í hapin shqiponjat,
kur lart fluturojnë përmbi kreshtabardhat,
mbi Dheun e Arbërit – Nuse Malesh,
Tre Mijë Vjet Shqypni mbi Dhe,
si Zotit vet – ti veç Lirisë í falesh,
Flamurin në ballë e Plisin si borë mbi vetull:
Përkrenarja e të Madhit Skëndërbe.
7.
Nuk është Vojsava që rri vetmuar mendimet duke tretur,
në gurët e çmuar të oratorisë së Fan Stelian Nolit,
Gjergjin dhe Hijen e Tij tek pret,
si Zonjë Bujare në Dheun e Vet,
kur Hyjnitë Ilire Lisit të Dodonës iu falen si Orakullit,
as Doruntina vetëm nuk është,
Konstantinin me Besë të dhanun,
tej nëntë maleve legjendave duke pritur.
Me Gjuhën e Gjakut dhe me Gjuhën e Gurit,
shpalosur e me kokën e shqiponjës plagosur,
e kuqja e Flamurit ka rënë mbi një Nënë,
Në Tokën Jetike Një Zemër Epike e Një Nëne Kreshnike.
Me Shaminë e Bardhë si majat e maleve të Tropojës,
sfidë i bën Vajit të Ajkunës,
Omerin tek vajtonte në Bjeshkët e Rugovës:
Nanë, moj nana e Bajram Currit,
si shqiponja n’maje t’gurit.
Vetullat shkabë mbi harkun e përgjakur të Dardanisë,
epika e këngëve me zë gjaku e me shpirt të Shqipërisë:
Eja Loke, e ma jep martinën,
Përmbi shkëmb, o ta vë opingën.
Tek Qumësht i Rozafës e tek Balli i Nënë Ajshes,
nisë gjeografia e shenjtë e etnisë së Shqipërisë,
e shqiponja merr prapë flatrat në gjakun e të rënëve,
e këngët i merr në vargjet e poetëve,
e lahutën prapë ua jep kreshnikëve:
Është qëndisma e duarve të Marigo Postjes,
Dardanët si Diellit vetë i falen prapë Lirisë,
i falen si t’parët e tyre e si vetë Perëndisë:
Shqipëri Shqiponjë Kosovës,
Shqipëri e Çamëri Shqiponjës.
8.
Në ndjenjën e përgjakur të zemrës së përflakur,
në stuhitë e egra të shekujve përplasur dhe ngritur,
këmbëzbathur, plagosur dhe vuajtjeve cfilitur,
martirë, përgjakur dhe përpëlitur:
i thanë Diellit bëhu Nuse Lirie,
e gjakun ía falën Pranverave të Dardanisë,
si qumësht i ëmbël i nënës në buzët e fëmisë,
e nëpër djepa hodhën shtat e u bënë si plepa,
pendën nëpër libra e plisat përmbi shkrepa,
t’Rozafës Ninulat e kështjellat në kullat,
përkrenarja në plisat e burrat si lisat,
në gjokset rrufetë e në krahët vetëtimat,
në cohët e opingave mbanin bubullimat,
ngjeshur armë dhe rrethatore:
Mos ma shkel, o barin mbi vorre!
Currilat e gjakut tek rrënjët e pragut,
se s’shterrën as gurrat e as burrat me kullat,
as s’u shembën dhe as s’u trembën,
kohës kur i prinë në ballë:
SHQIPËRI TË QOFSHIM FALË!
9.
E Kulla e Gërvallajve,
si Agroni kohës i tha:
Vraje Vdekjen dhe Mbretin Blu,
Krajlin që ta shkelë barin mbi vorre,
dhe tradhtinë e zezë si nata,
Tradhtinë që përdredhë trupin si gjarpër:
Vraje Tradhtinë!
Edhe kur e këputi shpirtin fjala,
Rapsodi këngës prapë ia tha:
KUSH TË VRAU, JUSUF GËRVALLA?!
E koha në thinjat e saj si moshë biblike,
prapë i thirri kujtesës së kombit:
Dhashtë Zoti e vrasësit të mos jenë shqiptarë!…
Qau Janari me lot prej bore,
për një Djalë, Djalë Kosove…
E zemrën hasmi í zi, t’ia thente kurrë nuk mundi,
se ishte prapë koha, ajo që si fjala malet i tundi:
Unë kam djem plot,
dhe se ata janë në gjithë Kosovën.
E Derën e Shtëpisë – Ajo,
të mbyllur s’e mbante dot,
se Nënat e Bijve që hasmit tokën ia shtrojnë me barot,
nuk kanë kurrë as lot dhe as mort.
Oxhaku i Kullës së Dubovikut,
le të tymojë përgjithmonë,
Dritë paçin Kullat,
e Dritë U Bëftë Shpirti,
dhe Derën lereni të hapur,
se kështu e donte dhe Gitarë e Tij,
si Gitara e Federiko Garsia Lorkës,
Shqipëri Shqiponjë Kosovës,
Shqipëri e Çamëri Shqiponjës:
Ballkonin të hapur lereni,
si nëpër Këngët e Motit të Madh,
Varrin tek një qiparis a tek një lis,
e kali të hingëllijë gati për logun e luftës,
si kali i Nik Petës tek Kënga e Sprasme e Balës-
në penën e Gavril Darës – të Riut,
kushtrimi i penës është vetë kushtrimi i pushkës,
Flamurin dhe Armët tek koka t’ia veni,
se Konstantini í Vogël nuk ia ka dhënë Besën
Vetëm të Ëmës,
po edhe Doruntinës – në përgjigje të pyetjes:
Kush e solli Doruntinën?
10.
Se Shqipëria,
me ankthin e shekujve nbledhur në zemër,
í thërret një nga një dhe Emër për Emër:
Jusuf, Ju kam gjallë,
Bardhosh, të kam Djalë,
Kur kam lot e kur kam mall,
u kam eshkë e u kam strall,
Jam Çamëria e jam Kosova,
jam Janina e jam Prishtina,
jam Tetova e jam Tropoja,
jam Preveza e jam Tirana,
Lazarati, Konsipoli e Tivari,
djep pas djepi e djalë pas djali,
brez pas brezi e plis pas plisi,
kur kam lot e kur kam mall,
u kam eshkë e u kam strall:
JAM VET AJSHJA,
QË U PUTHË NË BALLË.
Janar 1982 – maj 2004.