Alfons Grishaj/
Prova/
Prej kohësh m’ asht’ sos durimi./
Syt’ gremisen hijeve shterr,/
Neoret n’ prag të një gjëmimi/
Prej qenëve që lehin n’terr./
M’ faniten do shkarravina/
T’ mavijosuna qysh në djep/,
Shëmti, fjalë polovina,/
Leprozë krupë, lëkura shtrep’ /
Prov’, t’ kalova mijë herë,
Eh, sërish relike e hidhur…
Kalon lajmtar në timen derë?!
Qënien dytë e kam zgjidhur!
Mal me t’ vdekur kaluar n’rini,
Ferrit pa frikë pash më pash.
Plagë luftari pa agoni…
Zinxhirve t’ kuq përmes u rash.
Tash, kërkojn’ me më provu prap
A m’ ka mbet ndonji shkëndi,
Bash njata që janë veç skrap.
Jam brum’ njeriu, jo Perëndi!
Me politikanë të rremë
Me aktorë fallso, nuk ka shfaqje të bukur,
Të rremë politikanë, humbës pa meritë.
Burrëria e ulët … aksiomë e zhdukur,
Bishtuku nën ujë kurr nuk fal dritë.
Heshtja
Verbëri ësht’ heshtja kur fjalosesh me zgavër,
Pasqyrave t’ thyera ngërdheshet reflektimi.
Prej damarëve t’ këqij sakat mbet gjykimi,
Kompromis hibritesh mbjellur në kadavër.
Diftongu
Si një pendë qe, diftongu.
Zanoret hallka zinxhiri,
Faqes fletores bie gongu,
Shkëlqejnë si xhevahiri.
Dikur….
Dikur, kërceja fluturim mbi dyrdyl
Natën nën hënën e madhërishme,
Yjet e qiellit i mblidhja në zymbyl,
Pastaj stolisja vashën e magjishme.
Me gjakun e ndezur prej dlirësisë,
Me freskinë e joshjes djaloshare,
Me dhuntinë e paqes dhe mirësisë
Pajtoja nektarin e luleve ziliqare.
Asnjëherë nuk hasa lule t’ shëmtuar,
Veç tranzicion të gjelbër pranveror,
Bukuria e jetës në tokë përftuar.
Mesnatave magnetike ndriçon auror’.
Tani, ndjej mall për vrullin djaloshar,
Për çdo shok e mike që desha në jetë,
Kultin e fëmijërisë, Mësuesen e parë
Aromën e dijeve, engjëjt me fletë.
Me gotën e verës, O mik, Omar Khajam,
Prej kësaj jete… të falem në atë botë!
Se në kët’ kohë, veç njëri është haram…
Humbësi pashije që s’ ngre dot një gotë!
Dikur… është e sotmja, të dashurit e mi,
Nuk ka kohë, as moshë në hapësirë,
Kur shpirti të fluturojë në lartësi,
Çelësi mistik do çelë portën e lirë.
Dikush më tha
Dikush më tha:
“Shkruaj një gjëagjëzë!”
Shkrova një aforizëm.
Më pas u kthye:
“Shkruaj një bejtë!”
Shkrova një poezi.
Më shikoi drejt në sy:
“Shkruaj një fjalëkryq!”
Shkrova enigmën matrikse,
Jo, shiun e gjelbër.
Pastaj, m’u qas:
“Shkruaj një këngë!”
Pikturova një bilbil!
Lodhje
Askush s’ më lodh më tepër
Sa i shkolluari injorant.
Shkarravinat quan vepër!
Dhe veprën, Rocinant.
Ditëlindja e “buburrecit”
Mblidhen për të festuar “buburrecat”
Ditëlindjen e princit të kotësisë,
Harruan pse u mblodhën mistrecat,
Njëri-tjetrit duke i dhënë sisë.
Për vdekjen e armiqve ngren’ gotë,
Jo, për ditëlindjen princit t’hiçit?
Instikti i insektit i lë pa botë,
Çalë e zvarrë pas ziles ‘ kriçit.