Bisedoi: Zyba Hysen Hysa/
– Sa më larg vendlindjes shkojmë, aq më të fortë bëhen litarët që na lidhim me të, litarë të padukshëm, me fuqi magjike, se askush nuk e kupton, se si gjithë jetën, na mbeten në mendje kujtimet e fëmijërisë, apo të asaj pjesë jete që kemi kaluar atje dhe si çdo njeri, dhe ju Zoti Demaku, keni ato “litarët” tuaj që të mbajnë mbërthyer për të qënë përjetësisht i lidhur me vendlindjen?
Së pari ju përshëndes nga veriu i largët, nga vendi i Vikingëve të lashtë, nga Suedia ku njeriu dhe jeta e tij janë të shenjta. Nga vendi ku edhe më herët ka lulëzua letërsia, nga vendi ku dikur edhe këta vetë kanë ikur nga këtu nga mjerimi që kishin, sikur edhe ne bëmë nga trojet tona, nga vendi ku edhe sot ka respekt fjala, gjuha, letërsia dhe njeriu pikë së pari. Po ta them të drejtën me vendlindjen çdo njeri e lidhin shumë gjëra sepse atje njeriu merr hapat e parë të jetës sikur fëmija kur fillon të ecën, njeriu aty bënë fillimet e çdo gjëje, e kjo njeriun e bënë krenar dhe ndjehet madhështor me atë, dhe asnjëherë në asnjë moment vendlindja nuk mund ti largohet nga mendja. Por, edhe pse jemi larg prapë se prapë ne jemi mundua që të mbajmë një lidhje shpirtërore me atje. Ne këtu mundohemi që në mënyrë të thjeshtë ta jetojmë jetën e vendlindjes, ta prezantojmë atë në ketë truall të huaj, përmes fjalës së folur, fjalës së shkruar, prezantimit të së bukurës, të kulturës e traditës sonë. Por kjo nuk është e lehtë, sepse na mungon shumëçka, edhe pse kushtet dhe mundësit për një gjë të tillë këtu ku ne jetojmë dhe veprojmë ekzistojnë.Një udhëtim në vendlindje, lë mbresa të veçanta te çdo bashkëkombës, që jeton larg Atdheut të shqiponjave.Një natyrë e njëjtë e përshkon tërë atdheun, nga Veriu deri në Jug. Është një natyrë emocionuese për ata, të cilët për herë të parë, por ndoshta edhe që pas ca kohësh, kthehen në vendlindje dhe magjepsen nga pamjet më interesante, të cilat njeriu thotë se vetëm natyra shqiptare ka ditë t’i krijojë. Kjo është në të gjitha viset shqiptare, duke u nisur nga Veriu, me fushëgropën e Llapit, nga pjesët kodrinore – malore të malit të Albanikut, në perëndim dhe maleve lindore kosovare, në lindje dhe deri ne pjesët më jugore të vendit: Gjirokastra, Saranda, Poliçani, Delvina, Çorovoda, Përmeti, Tepelena, Selenica, Memaliaj, Himara, Orikumi, Libohova, Konispoli dhe Këlcyra.
– Nëpër botë ka shqiptarë të emigruar, si u përshtatët me jetën e atjeshme?
-Më shumë se 15 milionë shqiptarë në të gjithë Botën.Faktet tregojnë se shqiptarët kanë emigruar në vite në gadishullin Iberik, Turqi, Greqi, Bullgari, Rumani, Amerikë dhe vende të tjera. Mbështetur në një sërë dokumentesh arkivorë, shpjegohen se ku u vendosën dhe si e ruajtën gjuhën, kulturën arbëreshët e Italisë, arvanitasit e Greqisë dhe të tjerë, deri në ditët tona, me gjithë trysninë e kohës për t´i asimiluar. Që në vitet e para të erës sonë, shqiptarët synonin të vendoseshin në brigjet jugore të Italisë, në zona që u siguronte atyre mbrojtje. Asnjëherë nuk ka pasur një regjistrim të saktë për emigrantët e hershëm shqiptarë në Greqi, pa i ngatërruar këta me shqiptarët që ishin në trojet e tyre, që në vitet 1912-1913 mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë.
Shqiptarët, në periudha të ndryshme të historisë kanë emigruar, duke krijuar edhe kolonitë e tyre kryesisht në Itali dhe Greqi. Ne krahasim me Greqinë pseudoortodokse qe s’njeh minoritete nacionale, arbëreshët e Italisë katolike kane ruajtur me besnikëri gjuhen, traditat, kulturën dhe shpirtin shqiptar, qe nga Mesjeta e Skënderbeut, e deri ne këto çaste.
Por kur kemi të bëjmë me Skadninavin të ikurit e parë nga Kosova arrijnë në qytetin suedez Uddevala gjatë vitit 1985, por shumë prej tyre kanë marrë përgjigje negative të azilit dhe janë kthyer sërish në vendlindje. Por në Suedi do kemi mërgimtarët e parë shqiptar sa duket diku nga viti 1958. Por ikja masive do vijon pas viteve 90-ta. Kjo është koha e reprezaljeve të regjimit të diktatorit serb Slobodan Miloshevic ndaj shqiptarëve, te cilët me plotë të drejtë kërkojnë pavarësi dhe shtetësi në Krahinën e tyre. Gjatë vitit 1991 mbahet referendum nga ana e popullatës shqiptare të Kosovës ku 90 % e qytetarëve marrin pjesë në të, e 98 % te tyre përkrahin pavarësimin e vendit nga Serbia dhe regjimi diktatorial i Millosheviçit. Suedia gjatë viteve 1960 deri ne vitet 1970 ka marre fuqi punëtore nga Jugosllavia, por në këtë fuqi nuk kanë hyrë shqiptarët. Kryesisht si fuqi punëtore kanë emigruar në Suedi serbët, sllovenët dhe kroatët, për shqiptarët as qe ka mendua kush për kushtet dhe jetesën e tyre në këtë kohë.
Gjatë viteve 1980 dhe 1990, në Suedi fillon ajo vala më madhe e refugjatëve shqiptarë nga Kosova. Momentalisht sipas disa statistikave por jo zyrtare ne Suedi duhet te këtë mbi 60000 shqiptar. Një gjë është për tu lakmua dhe për tu mbështetur sepse shqiptarët këtu në këtë vend nordik kanë gjetur vetën dhe janë sistemua ashtu si më mirë në jetën e këtushme, çka është për lakmi. Edhe vet shteti ndihmon në të gjitha aspektet e jetës, duke fillua nga familja, vendosja, punësimi e deri tek shkollimi. Është ndoshta shteti i vetëm në botë që financon shkollim e fëmijëve të huaj pa pagesë me të gjitha atributet sikur për fëmijët vendës.
– Sa dhe si njihet Shqipëria në Suedi? A kemi ne ambasadë në Suedi dhe si janë lidhjet e emigrantëve me këtë ambasadë, a kujdeset ajo për ju, pra ndjeheni se keni një mëmëdhe që kujdeset edhe nga larg? Nëse jo, pse ndodh kjo?
-Me ardhjen tonë këtu vendasit kanë fillua të marrin njohurit e para për shqiptarët dhe vendlindjen e tyre, por me tepër këta kanë ditur për Kosovën sepse shumica e te ardhurve këtu janë kosovar, por fal punës së shoqatave kulturore, intelektualëve, poetëve, shkrimtarëve dhe publicistëve tanë në mënyrë të denjë është bërë prezantimi edhe i shteti amë Shqipërisë këtu. Pra vendësit kanë njohuri për dy shtetet tona. Këtu në Mbretërinë e Suedisë kemi dy Ambasada shqiptare, por ato janë ambasada e jo me tepër, ato kujdesën ndoshta për vete.
Këtu dua të potencoj se shoqata ku unë aderoj Qendra Kulturore Shqiptare Migjeni në Borås të Suedisë me mjaft sukses prezanton gjuhën, kulturën dhe traditën tonë këtu, është mjaft aktive në vënien e lidhjeve me vendlindjen përmes organizimit të aktiviteteve kulturore e letrare këtu dhe në vendlindje. Bashkëpunimi me poet, shkrimtar, shoqata të ndryshme ne vendlindje, binjakëzime mes shkollave suedeze me ato shqiptare si në Kosovë njashtu edhe në Shqipëri, binjakëzim bibliotekash si është rasti i Bibliotekës Durrës me atë në Borås, vërja e kontakteve mes Shkollës së lartë këtu në Borås me Universitetin Akademia e biznesit në Tiranë, me ndërmjetësimin e QKSH Migjeni, por asnjëherë me ndonjë këshillë apo përkrahje të ambasadave apo dy shteteve tona. Ka tetë vite qe boton revistën në shqip “Dituria” shtatë vite me radhë emiton program në gjuhën shqipe në Radio dituria për bashkëkombësit që jetojnë dhe punojnë këtu e nga qershori i vitit që shkoi me mjaft sukses ka fillua emetimi ne një programi Televiziv në gjuhën shqipe këtu, e gjithë këtë me mbështetje dhe ndihmë të shtetit suedez.
Sa më kujtohet vitin 2012 kishim mysafirë nga republika e Shqipërisë në festimin e pesë vjetorit të shoqatës sonë dhe njeri nga mysafirët në fjalën e tij sa me kujtohet mua u shprehë se ne qenkemi ambasadorë të vërtetë të vendit tonë, çka na dha shtytje dhe kuraja për një punë dhe angazhim edhe më të madh në prezantimin tonë këtu.
– Në librin tënd “Një aventurë me drojën e një emigrant “pa atdhe”’, vura re një fakt, se shqiptarët nuk i njohin si kombësi elite, por is “popullsi dygjuhëshe”, mendoni ju që në arenën ndërkombëtare, politikanët tanë nuk bëjnë prezantim dinjitoz të kombit tonë dhe si të duket fakti që kur shkojnë nëpër institucionet ndërkombëtare nuk flasin shqip? Të lutem, më jepni mendimin tuaj se si mund të prezantohemi ashtu siç na takon në botë dhe kush duhet ta bëjë këtë?
Unë shkrova librin “Sadulla Zendeli Daja në aventurën e një emigranti të pa atdhe” dhe dua ta them atë se çfarë më shtyri në këtë. Unë e thash edhe me lartë se ne në mërgatë kemi intelektual, poet, shkrimtarë, publicistë, njerëz të aftë por ata nuk kanë përkrahje nga askush, kjo është defekti në jetën tonë. E Daja, si e quajmë ne leksikografin më të madh dhe me të njohur në përpilimin e fjalorëve së pari suedisht – shqip e tani edhe atij shqip-suedisht, meriton një prezantim, meriton një përkrahje morale, një mbështetje në punën e tij, e ne duhet të jemi krenar që ne kemi në mërgatë një të tillë. Se Daja është edhe pishtar i mbajtjes së mësimit të Gjuhës amtare në Suedi me hapjen e paraleleve në shkollat suedeze ne vitin 1976 për herë të parë. Në fakt dua të them se ne mundohemi te bëhemi më të ditur se të tjerët e në realitet të tjerët nuk e humbin vetën por ata e ngjisin lart atë çka ata kanë.Çështja e gjuhës është më shumë rëndësi mendoj unë kur kemi të bëjmë me përfaqësimin tonë jashtë trojeve tona. Mendoj se çdo herë dhe në çdo vend duhet të përdorët shqipja, ajo është gjuha jonë, gjuha e nënës, dua ta them këtë se suedezët janë shumë të mençur në ketë drejtim dhe gjuhën amtare që fëmija e mësojnë në shkollë e quajnë me këtë emër, pra është e jotja, në këtë rast e jona. Por ne jemi ata që jemi, kam vrenjtur edhe në Tiranë edhe në Prishtinë se më me kënaqësi përdorim një gjuhë të tretë se atë amtare në biseda, e kjo nuk është në rregull.
– Si mendoni ju, emigracioni shqiptar do të jetë përherë masiv?
-Një sëmundje mija vjeçare, unë në shkrimet e mia e quaj kështu, këtë plagë kancerogjene të popullit tonë. Një plagë që është aktuale nga koha e Skenderbeut e deri në ditët e sotme bashkëkohore dhe se as sot nuk ka të ndalur. Unë ndjej se emigrimi do jetë aktual edhe për shumë gjenerata në trojet tona, do jetë një e keqe që do na përcjellë edhe shumë kohë e këtë me vet fajin tonë dhe punën tonë jo të mjaftueshme në ndërtimin e drejtë të jetës në vend. Ne jemi ata që japim vlerësime kuturu për shumë gjëra por nganjëherë edhe vlerësime se prapështi kur kemi të bëjmë me të ligat që na vinë dhe vet i krijojmë duke i radhitur ato në rezultate e në të kundërtën ato janë fiasko për ne.Edhe suedezet e kanë pasur emigrimin si plagë e brengë një kohë, por sot jo, e pse edhe ne mos te jem ata që do e ndalojmë një të ligë të tillë?
– Ju jeni gazetar, shkrimtar, poet… çfarë shkruani zakonisht më me pasion, ku e gjeni veten më shumë? Çfarë tematike kanë shkrimet tuaja që botoni në shtyp? Ku e gjeni kohën që shkruani dhe sa libra keni botuar? Ç’plane keni për të ardhmen porsa i përket fushës së krijimtarisë?
-Po e thatë me vend këtë, se me shkrime kam fillua të merrem që herët në bankat e Shkollës fillore, e pasion e kam poezinë, por tani kultivojë edhe prozën. Kohëve të fundit kam pasur si projekt realizimin e intervistave me figura të ndritshme të kulturës, traditës dhe shkrimit në shqip, çka dhe kam realizua këtë në tri vëllime botuar deri më tani nën titullin “Kujtime nga diaspora I, II dhe III” e kam në dorë edhe vëllimin e katërtë. Thënë realisht kohë ecën, nuk mjafton por atë duhet shfrytëzua maksimalisht në mënyrë që të del diçka në dritë. Unë kryesisht shkruaj për mërgimin, vendlindjen, njeriun, këto janë tema të cilat i kam për zemër. Kohëve të fundit kam fillua të merrem edhe me përkthime, kështu që këto ditë me doli nga shtypi libri im i parë i përkthyer nga suedishtja dhe se jam i kënaqur me atë çka kam bërë dhe me kritikën rreth librit. Kam botua deri me tani 14 tituj, e kam në dorë dy libra në dorëshkrim, besoj se do i botoj gjatë pjesës së parë të këtij viti.
– Cili, apo cilët janë shkrimtarët shqiptarë dhe të huaj që preferoni t’i lexoni? A keni ndonjë idhull? Po në Suedi keni shoqatë shkrimtarësh dhe si funksionon ajo?
-Po i adhuroj shumë shkrimtarët tanë dhe punën e tyre bërë me vite, Çajupi ka lenë mbresa në mua, Naimi, por ai i cili prekë thellë ndjenjat tona është poeti i mjerimit e që ne e ndjejmë këtë edhe sot në vatrat tona, pra Migjeni. E adhuroj Nazmi Rrahmanin dhe Spassen e madh. Këtu adhuroj Astrid Lindgren.Po ne kemi këtu Shoqatën e shkrimtarëve shqiptar, anëtar i së cilës jam që nga fillimi dhe jam i kënaqur me punë që ne bëjmë përmes saj. Por dua të them se unë jam edhe anëtar i Shoqatës së shkrimtarëve të Suedisë.
– A keni miq të vërtetë dhe sa u besoni atyre, jeni zhgënjyer nga ndonjë mik idealesh? Po me suedezët krijoni marrëdhënie miqësie, si bëhen këto lidhje, apo janë popull i ftohtë? Ndjehet diskriminim racial atje dhe çfarë problemesh ka aktualisht komuniteti shqiptar në Suedi?
Po tek unë nga vendlindja atje thonë me një fjalë popullore se “Miqtë janë krahët e njeriut”, kjo ka domethënie të madhe, por sot ka pësua shumë, sepse miku më nuk është ai që duhet të jetë, interesi ka prishur njeriun. U besoj miqve, por edhe jam zhgënjyer shumë herë nga ta, kjo është koha bashkëkohore, koha e interesit e thash me lartë.
Kam edhe miq suedez dhe jam krenar me atë dhe ndihem mirë në mesin e tyre, sepse janë njerëz me traditë, me kulturë dhe ajo më kryesorja kanë respekt për njeriun. E thonë atë se janë njerëz të ftohtë, por ndoshta klima dhe vendi i tyre e bënë ketë, por në përgjithësi njeriu kalon mirë me ta. Unë dhe miqtë e mi më të cilët punojmë këtu bashkë ndihemi mirë në mesin suedezve, sepse ata janë ata të cilët na inkurajojnë në punën tonë dhe në prezantimin e çdo gjëje pozitive të kulturës dhe traditës sonë në këtë vend nordik.
A mendon ti që letërsia shqiptare nga e politizuar, është kthyer në shkrimtarë politikë? A mund të jesh krijues i lirë nëse merr favore nga politika, sidomos në Shqipëri, ku politika ende është në kundërshtim me krijuesit e vërtetë?
-Eh, kjo është e cila ne nuk na është dashur, por thotë një fjalë popullore “Koha e ha kashtën”.Unë tani jetoj në një vend ku politika është larg nga jeta e njerëzve, është nga çdo gjë dhe më beso çuditem kur jam atje kur dëgjoj gjëra të tilla, por ne jemi mbrapa më shumë gjëra këto vitet e fundit, në vend se te ikim përpara ne numërojmë ne vend duke menduar se kemi bërë përparim, por jo, është kundërta si thotë ajo fjala “tre hapa mbrapa e një para”, por jeta vazhdon. Dhe atëherë edhe ata që nuk kanë erë në poezi bëhen poet, edhe ata që nuk kanë erë në gjuhësi bëhen gjuhëtar siç ndodhë tek ne. Se sot kush do mund të publikoj pa kurrfarë kriteri, e kjo e dëmton dhe shkatërron imazhin e një letërsie me famë botërore.
– Ju jeni për vazhdimin e “miteve” në letërsi? Ku është e keqja e kësaj tradite? Mendoni ju që letërsia e vërtetë shqipe nuk është kjo që propagandohet? Mendoni ju se ka krijues brilant që nuk po e shikojnë dritën e diellit prej egoizmit të shkrimtarëve politikë, se gjoja vetëm ata janë ajka e letërsisë?
Mendoj se nuk ka diç të keqe në këtë drejtim. Bëjë një krahasim me këtë që kultivohet këtu dhe shoh se edhe këta mbajnë këtë traditë dhe respektojnë mitet e tyre, pse mos te respektojmë edhe ne ato mite të cilat me shekuj mbajtën gjallë letërsinë tonë popullore. Por e keqja është se politika prish çdo gjë edhe fe edhe kulturë e le më letërsinë.
– Si mendoni ju, a duhet të ketë një Lidhje Shkrimtarësh dhe Artistësh shqiptarë mbarëkombëtarë, se kjo formë, ku secili më vete mbledh disa shokë e miq, si të fejohej, a të martohej, apo të festonte ditëlindjen, vetëm duke e uruar dhe e lëvduar dhe kaq, asgjë nuk organizohet, asgjë nuk kalon në sitën e kritikës artistike… Jeni i mendimit se shtetit sot nuk i intereson letërsia dhe arti si në komunizëm, por njerëzit që bëjnë letërsi dhe art?
– Po ndoshta do ishte mirë, por kështu si jemi, kam mendim se nuk arrihet dot, sepse edhe në këtë lami ne jemi të ndarë, pra nuk ka mundësi të jemi unik e të bëjmë atë më të mirën në ruajtjen dhe kultivimin e traditës sonë letrare, sepse secili do ketë interesat dhe atëherë do jetë me vështirë. Nëse ne do jemi a polikë, do ishte me vlerë dhe do realizonim atë çka edhe Rilindësit tanë bënë vite me radhë, por kështu si jemi pak vështirë. Po ne kemi kohëve të fundit shoqata shkrimtarësh në shumë vende të botës, por se vështirë të arrihet një koncenzus për një bashkëpunim të mirëfilltë në ketë drejtim. Por shpresa mbetet e të shohim.
– Ndonjë mesazh për krijuesit shqiptarë…
– Ta çojmë përpara atë çka Rilindësit bënë më vite sepse meritojmë më shumë dhe të jemi krah për krah me letërsitë e popujve të përparuar sot.
–Faleminderit Zoti Sokol Demaku që pranuat të bisedonit! Suksese në krijimtari dhe mbarësi në familje!
Ismet Hasani, Suedi says
E respektuara znj Zyba Hysa,
keni zhvillua një intërvistë të qëlluar, të mirëfillët dhe mjaft domethënëse me shkrimtarin, poetin, publicistin, gazetarin dhe përkthyesin profesionist, prof. Sokol Demaku, i cili vetëm deri tani ka me dhjetra tituj të botuar. Është antar i Kryesisë se Shkrimtarëve Shqiptarë në Suedi, i Shoqatës se shkrimtarëve (suedez) i vetmi ndër shqiptarët dhe është kryeredaktor në revistën “Dituria”, kryeredaktor në Radio-Dituria dhe i Shoqatës “Migjeni” në qytetin Borås/Boros në Suedi.
Ju e respektuara Zyba,
keni prekë ato pikat më të ndieshme të vepritmarisë se prof Sokolit dhe na keni prezantuar njeriun e lexuar, njeriun e dijës dhe shembullin më eklatant se si duhet të veprohet në mërgim.
Këtu m’u rikujtua edhe intervista që ka zhvillua kohë më parë, me prof Sokolin moderatorja në Radio-Tirana, znj Kozeta Hoxha dhe të tj. ku prof Sokoli ka vue në spikamë thenien: “O zë i ëmbël! Sa bukur tingëllon gjuha amtare në vend të huaj!” Më pastaj ka dëshmua se: “Vendlindje nuk e kemi vetëm aty ku kemi lindur e jemi rritur, por edhe çdo atë vend ku jetojmë të lirë e të barabartë me nacionalitetet tjera, pa marrë parasysh prejardhjen, ngjyrën, besimin. Dhe një vendlindje të tillë e kemi edhe Suedinë, i cila, si shtet na ka ofruar e na ka dhënë atë që vendi ynë (ku kemi lindur e jemi rritur) nuk ka pasë mundësinë të na ofrojë e as të na japi, bile as më të domosdoshmën për jetën dhe ekzistencën…
Kam shumë e shumë për të thënë për prof. Sokol Demaku, por nuk më lejohet ta kapërcej pa e thënë se pakut këtë: ky njeri i leximit, mësimit, i dijes dhe kulturës, përveç se ka krijuar miq të shumtë suedezë, por ua ka mundësuar që po këta të lidhen edhe me shkrimtar,publicistë,shqiptarë nga Shqipëria, si: prof. Viron Kona, prof Murat Gecaj e shumë e shumë të tjerë, përmes të cilëve janë mundësuar shumë promovime të shumë titujve të shkritmarëve shqiptarë nga Suedia; poashtu edhe me shumë të tillë nga Kosova, Maqedonia e më gjërë dhe prof Sokoli është shndërrua në urë-lidhjeje, përmes se cilës kemi mbikaluar ujëra të turbullta, të thella ama shumë të rrezikshme, kemi kaluar në “toka të reja”, ku kemi takuar njerëz të mirë, me të cilët kemi krijuar miqësi të thella e të mirëfillëta dhe ato miqsi vazhdojnë dhe sa vijnë e shtohen. Përveç se këtyre prof Sokoli ka edhe shumë e shumë të mira të dhuruara shqiptarëve anë e kënd botës shiptare, asaj suedeze e më gjërë…
Prof *Sokolit i urojmë shëndet dhe suksese me rezultate të larta, drejt ngjitjes në majat e artit, shkencës, letërsisë dhe përparimit të mendimit njerëzor.
Juve, znj Zyba, po ashtu, ju rojmë shëndet dhe krijimtari të mirëfillë. Përsonalisht ju jam shumë mirënjohës për intërvistën dhe prezantimi i një inserti nga krijimtaria dhe veprimtaria letrare, por edhe ajo kombëtare e prof Sokol Demakut, përmes të cilit mund të krijohet një bindje mbi krijuesit, publicistët, botuesit e shumë titujve librash në Suedi e gjithandej.
Oh çfarë mrekullie, kur né në Suedi kemi njerëz të tillë si prof Sokol Demaku, i cili me këto aktivitete të tija, paraqet ashtu si një flamurtar e ambasador, i Mërgatës Shqiptare, atë që po veprohet në mërgatën shqiptare, ky vet prof Sokoli prinë dhe mban flamurin e MIQËSISË ndër njerëz, sepse ky e di se sa më shumë që afrohen e lidhen njerëzit në mes veti, aq më shumë flakën/zhduken dallimet midis tyre. Kjo është madhështore!
Përshëndetje!
Ismet Hasani, Suedi