Sopranoja me famë botërore Inva Mula është pranuar ditët e fundit anëtare e Akademisë Botërore të Artit dhe Shkencës, (World Academy of Art and Science).
Në një postim në rrjetin social Facebook, sopranoja me famë botërore, Inva Mula, falenderon të gjithë miqtë dhe adhuruesit për mbështetjen e artit të saj.
“Pranimi im si anëtare e Akademisë Botërore të Artit dhe Shkencës është një ngjarje jo vetëm për mua, pasi unë e ndaj këtë me të gjithë ju së bashku”, shkruan sopranoja Inva Mula. Sekretari Shkencor i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave , Fatos Tarifa, duke vlerësuar pranimin e sopranos së famshme Inva Mula, anëtare të Akademisë Botërore të Artit shprehet se “është një nder i madh që i bëhet Invës dhe padyshim na gëzon dhe na bën të ndjehemi krenarë të gjithëve ne, miqve e kolegëve të saj, anëtarë të Akademisë sonë”.
* * *
Akademia Botërore e Artit dhe Shkencës (WAAS) është e përbërë nga 730 anëtarë të kulturave të ndryshme, kombësive dhe disiplinave intelektuale, të zgjedhur në bazë të reputacionit që kanë në art, në shkencat natyrore dhe sociale, si dhe ato humane. Anëtarët e WAAS janë të emëruar nga anëtarët e mëparshëm dhe zgjidhen drejtpërdrejt prej tyre. Të zgjidhesh në WAAS konsiderohet si një nga nderet më të larta që mund t’i jepet një shkencëtari.Anëtarët përbëhen nga artistë me emër, politikanë, shtetarë, ish-kryetarë të vendeve të ndryshme, kryetarë të instituteve të kërkimeve, si dhe biznesmenë. E themeluar në vitin 1960 nga individë të ndryshëm të interesuar nga ndikimi i dijes që po rritet gjithnjë e më shumë, aktivitetet e saj synojnë të japin zgjidhje botërore për pasojat sociale dhe implikimin politik të dijes.Mes anëtarëve themelues të Akademisë kishte shumë anëtarë të dalluar në fushat e tyre, si Lord John Boyd Orr, Harold D. Lasswell, Robert Oppenheimer, Earl Bertrand Russell etj. Akademia shërben si një forum për reflektime mes shkencëtarëve, artistëve dhe dijetarëve për të biseduar për problemet jetësore të pavarësisë njerëzore ndaj kufijve politikë ose limiteve, qofshin ato shpirtërore ose fizike, një forum ku këto probleme mund të diskutohen objektivisht, shkencërisht, botërisht dhe të lira nga interesat ose ndjenjat rajonale, për të arritur në zgjidhje që firmojnë të Drejtat Universale të Njeriut dhe i shërbejnë interesave të të gjithë njerëzimit. WAAS është themeluar në besim tek fuqia e ideve krijuese, ide reale me fuqi efektive, për të ndryshuar botën. Motoja e saj është “lidership në mendim që çon në veprim”. Shpirti i akademisë mund të shprehet në fjalët e Albert Einstein: “Krijimtaria e mendjeve tona duhet të jetë një bekim dhe jo një mallkim për njerëzimin”. Çdo anëtar ndan ambicien (sikurse thanë Themeluesit në manifestin e tyre në vitin 1960) për të rizbuluar gjuhën e mirëkuptimit të ndërsjelltë”, duke tejkaluar dallimet në tradita, gjuhë dhe struktura sociale, të cilat bashkohen në mendimin krijues dhe përpjekjet e vazhduara për të shpërbërë konfliktet që janë të fshehura mes republikave njerëzore. Zbulimet shkencore dhe inovacioni teknologjik vazhdojnë të prodhojnë instrumente për një fuqi të pashembullt për plotësim ose shkatërrim. Ne njerëzit, gjithnjë e më shumë, po marrim në duart tona të ardhmen e evoluimit të trupave tanë, mendjeve tona, civilizimet që ne krijojmë dhe vetë planetin në të cilin ne jetojmë.Kështu që është e domosdoshme që të drejtojmë atë që bëjmë në saj të asaj që dimë dhe të drejtojmë atë që dimë nga ajo që ne vlerësojmë. Qëllimi i themeluesëve të Akademisë ishte që kjo të funksionojë si një Universitet Botëror informal në nivelet më të larta shkencore dhe etike, në të cilën kuptimi i thellë i njerëzimit dhe kuptimi i plotë i përgjegjësive do të bashkohen”.
* * * *
Sopranoja e njohur, Inva Mula, e lindur më 1963 në Tiranë, ka një aktivitet shumë të ngjeshur artistik dhe ka debutuar me sukses në operat më të njohura në botë.
E bija e Avni Mulës (bariton) dhe ruses Nina (soprano), Inva Mula hyri në rrugën e muzikës që e vogël. Ndoqi studimet në Liceun artistik “Jordan Misja” dhe më pas në Konservatorin e Tiranës. Në vitin 1987 fitoi konkursin “Këngëtarja Shqiptare”, më 1988 konkursin “George Enescu” në Bukuresht. Pas katër vjetësh në 1992 fiton konkursin ”Butterfly” në Barcelona. Ajo ka kënduar role të mëdha të operas botërore si Violetën, Antonia, Xhildën në skenat prestigjioze si Metroplitan të Nju Jorkut, Operan e Parisit, Vjenës etj.Në filmin “Elementi i pestë” në 1997 i jep zërin këngëtares në rol Lucia di Lammermoor në skenën “The Diva Dance”. Sopranoja Inva Mula ka marrë pjesë në koncerte dhe me tenorin e famshëm spanjoll, Placido Domingo, në 1993 merr një çmim në Operalia-n e parë të Placido Domingos në Paris. Ajo ka bashkëpunuar me tenorë të famshëm në operën e Bastille-s në Paris, në Bruksel, në Mynih dhe në Oslo.
Në vitin 1996 mori pjesë në operën Medee të Luigi Cherubini-t në Francë. Në 1998 rikthehet në operën e George Bizet “La Jolie fill de Perth”. Më vonë ajo luajti në “Ivan IV” të Bizet-it në Paris. Në vitin 2001 luajti në teatrin “La Scala”, Itali, pjesën e Verdit “Falstaff” dhe Riggoleto-n në Arenën e Veronës. Ka marrë pjesë rregullisht në “La Scala” ku luajti Lucia di Lammermoor, La bohème, Manon (2006). Sopranoja e fmashme ka luajtur gjithashtu disa herë dhe La traviata-n në qytete të rëndësishme si Tokio, Bilbao, Orange, Trieste dhe Toronto, etj. Sopranoja e famshme është nderuar edhe nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me Urdhrin “Nderi i Kombit”. (Klotilda Saracini)