– Në gjashtë kategori, në garë ishin gjithsej 107 filma. Çmim filmit të regjisorit serb Ognjen Glavonić “Thellësia dy” –“Depth two” (“Dubina dva” në serbisht), i cili ballafaqon Serbinё me krimet e kryera gjatё luftёs nё Kosovё në fundshekullin e kaluar/
-Derisa ka vijuar DokuFest, nga Kalaja e Prizrenit është shikuar perëndimi i diellit nën tingujt e iso-polifonisë shqiptare, nga Grupi Jonianët/
PRIZREN, 14 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në qytetin e Prizrenit natën e kaluar është përmbyllë Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, DokuFest, edicioni i 15-të jubilar, me ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Kinemanë Lumëbardhi, pas vendimeve të jurive.
Në gjashtë kategori, në garë ishin gjithsej 107 filma, ndërsa në garën për filmin më të mirë të Ballkanit fituesi është filmi i regjisorit serb Ognjen Glavonić “Thellësia dy” –“Depth two” (“Dubina dva” në serbisht), i cili ballafaqon Serbinё me krimet e kryera gjatё luftёs nё Kosovё në fundshekullin e kaluar.
Tregimi i filmit, sipas prezantimit të DokuFest, është ky: “1999: Derisa NATO po bombardonte Jugosllavinë, një kamion me 53 trupa të vdekur zhytet në Danub pranë kufirit me Rumaninë. Asnjë hetim nuk ndërmerret. Më parë, në Suharekë, Kosovë: policia serbe tubon fshatarët. Një grua përjeton gjëra të tmerrshme, trupat zhduken në varret masive të largëta. Për njerëzit thjeshtë pothuajse nuk ka konsideratë. Ngjarje monstruoze, çdo dhe secila hollësi të organizuara në bazë të një logjistike të dhunës nga një shtet që zbaton një plan sekret vdekjeprurës kundër popullsisë së vet. ‘Dubina dva’ me sukses mat të vërtetën. Njerëzit mund t’i vrasin njerëzit, por jo edhe kujtimet”.
Deklarata e jurisë në përbërje Eric Hynes, Marek Septimus, Maria Bonsanti ishte kjo: “Për filmin të cilin të gjithë e konsideruam të përmbushur në aspektin kinematografik aq sa është shkatërrues moralisht, duke e përdorur një gjuhë për t’ia përshtatur temës së tij që e kombinon dëshminë në audio me pamje nga peizazhe të braktisura tragjikisht, duke e vënë shikuesin në pozitën edhe të reflektimit historik edhe të nëpërkëmbjes aktuale, dhe duke ofruar një betejë të shtresuar, emocionale dhe intelektuale të cilën nuk do ta harrojmë shpejtë, me admirim të thellë, mirënjohje dhe entuziazëm e shpërblejmë filmin ‘Depth two’ nga Ognjen Glavonic me çmimin Best Balkan Documentary”.
Organizatorët janë shprehur shumë të kënaqur me ecurinë e festivalit dhe falenderimet ishin edhe për iso-polifoninë për ngrohtësinë që solli me muzikën shqiptare nga jugu. Derisa ka vijuar DokuFest, nga Kalaja e Prizrenit është shikuar perëndimi i diellit nën tingujt e iso-polifonisë shqiptare, nga Grupi Jonianët.
Në DokuFest 2016, festivalin e hapur në 5 gusht me ceremoninë e zhvilluar në kinemanë mbi lumin Lumëbardh, sipas orgnizatorëve, u shfaqen 238 filma nga 57 shtete të botës, mes tyre Shqipëria e Kosova, që janë përzgjedhur nga një numër rekord – mbi 5 mijë aplikime.
Korrupsioni ishte tema qendrore e DokuFest 2016, ndërsa janë mbajtur punëtori, panele, debate, master klasa, ekspozita dhe një seri e organizimeve në kuadër të DokuNights, që kanë përfshirë edhe yjet botërorë si Omar Souleyman dhe Yasmine Hamdan.
DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.
Njoftimi i plotë dërguar nga Festivali: DOKUFEST XV SHPALL FITUESIT!
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, që u mbajt sot në Kinemanë Lumbardhi në Prizren, pas vendimit të jurisë, u shpallën fituesit e edicionit të 15 të Dokufest-it. Nga gjashtë kategori, në garë ishin gjithsej 107 filma. Në fund do të jepet edhe çmimi i publikut.
Duke arritur që për nëntë ditë të organizojë aktivitete nga më të ndryshmet, gjatë festivalit janë shfaqur 238 filma nga 57 shtete, janë mbajtur punëtori, panele, debate, master klasa, ekspozita dhe një seri e organizimeve në kuadër të DokuNights, që kanë përfshirë edhe yjet botërore si Omar Souleyman dhe Yasmine Hamdan, Prizreni edhe njëherë u kthye në qytetin ku gërshetohet kinemaja dhe kultura.
Ju lutem gjeni listën e fituesve më poshtë:
GARA PËR FILMIN MË TË MIRË TË BALLKANIT – FITUESI: THELLËSIA DY nga Ognjen Glavonić
Juria: Eric Hynes, Marek Septimus, Maria Bonsanti
Deklarata: Për filmin të cilin të gjithë e konsideruam të përmbushur në aspektin kinematografik aq sa është shkatërrues moralisht, duke e përdorur një gjuhë për t’ia përshtatur temës së tij që e kombinon dëshminë në audio me pamje nga peizazhe të braktisura tragjikisht, duke e vënë shikuesin në pozitën edhe të reflektimit historik edhe të nëpërkëmbjes aktuale, dhe duke ofruar një betejë të shtresuar, emocionale dhe intelektuale të cilën nuk do ta harrojmë shpejtë, me admirim të thellë, mirënjohje dhe entuziazëm e shpërblejmë filmin DEPTH TWO nga Ognjen Glavonic me çmimin Best Balkan Documentary.
Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË TË BALLKANIT filmin SOMETHING ABOUT LIFE nga Nebojsa Slijepcevic.
Deklarata: Juria deshi të falënderojë grupin e filmave të shkurtër tepër të fuqishëm që ishin në garë, si Postcards from Manila, A Short Family Film, dhe It Could Be a Film. Por filmi i cili qëndroi me ne gjatë gjithë javës është një film i vëzhgimit me respekt dhe kureshtje të madhe, një portret i vogël megjithatë i thellë i një vajze të re që ka një familjaritet të lindur me bashkëpunimin. Juria i jep mirënjohje të veçantë filmit SOMETHING ABOUT LIFE nga Nebojsa Slijepcevic.
Juria e njejtë zgjodhi FILMIN MË TË MIRË NGA REGJISORI BALLKANIK NË ARDHJE: TOURISM (TURIZMI) nga Tonci Gacina.
Deklarata: Për filmin i cili i qaset me ndjeshmëri të madhe, humor dhe humanitet një subjekti të cilit një tjetër regjisor thjesht mund ta përqeshte, një film që zë të gjithë ekosistemin, nga punëtorët deri te pushuesit, nga uji në ajër, me një kamerë të kujdesshme, të qetë dhe të gjithëpranishme. Ky është regjisori të cilin jemi shumë të emocionuar ta përcjellim në të ardhmen. Çmimi Best Balkan Newcomer i shkon filmit TOURISM nga Tonci Gucina.
Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË NGA REGJISORI BALLKANIK NË ARDHJE filmin DRUMS OF RESISTANCE nga Mathieu Jouffre.
Deklarata: Për filmin i cili merr formën e bashkëbisedimeve, një shkëmbim i hapur i kujtimeve personale, që e lejon të shkuarën të dalë në të tashmen si diçka relevante derisa gjithashtu e përdor dialogun dhe përcjelljen e përvojës si mjet rezistence; Juria i jep një mirënjohje të veçantë filmit DRUMS OF RESISTANCE nga Matthieu Jouffre.
FILMI MË I MIRË DOKUMENTAR NDËRKOMBËTAR I METRAZHIT TË GJATË – FITUESI: OLEG AND HIS RARE ARTS nga Andrés Duque
Juria: Carlos Ramos, Jetmir Idrizi, Luke Moody, Nick Pinkerton, Rachael Rakes
Deklarata: Oleg and His Rare Arts është një dokumentar i pazakontë muzikorë që lejon personazhin ta udhëheq filmin, një personazh i paimitueshëm të cilit i jepet hapësira dhe koha në të cilën mund ta shpalosë veten në kohën e tij të mirë. Montimi është i çuditshëm dhe i shkathtë, duke i zgjedhur momentet e buta, të shkëlqyera, rrëfyese në kohë të përsosur, duke ndryshuar në vazhdimësi në mes të interpretimeve të gjata dhe të shkurtra.
Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË DOKUMENTAR NDËRKOMBËTAR TË METRAZHIT TË GJATË filmin ON FOOTBALL nga Sergio Oksman.
Deklarata: Filmi shumë tërheqës i Sergo Oksman e sajon strategjinë e tij – një sekuencë e xhirimeve me kamerë kryesisht të rregulluar, duke dokumentuar bashkimin e regjisorit me babanë e tij të larguar gjatë periudhës së Kupës Botërore në Brazil – dhe nuk e braktis orientimin e tij edhe përballë tragjedisë: Tragjedisë së një adhuruesi, dhe tragjedinë e të birit. Ashpërsia e qasjes së Oksmanit e zmadhon më shumë se sa e qetëson ndikimin emocional të imazheve, në një film i cili në mënyrë elokuente, thjesht e shpreh shkallën në të cilën sporti mund të luaj rolin e një kanali komunikimi në mes të burrave të heshtur e të tërhequr.
FILMI MË I MIRË DOKUMENTAR NDËRKOMBËTAR I METRAZHIT TË SHKURTËR – FITUESI: IMPRESSIONS OF A WAR nga Camilo Restrepo
Juria: Carlos Ramos, Jetmir Idrizi, Luke Moody, Nick Pinkerton, Rachael Rakes
Deklarata: Impressions of a War pikturon një fotografi të fuqishme dhe të thellë të konfliktit të brendshëm të 70 viteve të fundit në Kolumbi. Duke u larguar nga papërsosuria e gazetave vendore, Camilo Restrepo krijon një univers të shkëlqyer ku këto të meta janë të pranishme në strukturën e filmit, duke theksuar një kombinim të pasur dhe kuptimplotë të shtresave që i drejtohen aspekteve historike, politike dhe njerëzore të rajonit.
Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË DOKUMENTAR NDËRKOMBËTAR TË METRAZHIT TË SHKURTËR filmin THE PARK nga Randa Maroufi.
Deklarata: The Park ofron një vizion të guximshëm koreografik të rinisë marokene. Dekonstruktimi i regjisorit të fenomenit ‘selfie’ na jep një vetëdije më të lartë për politikën dhe kompozimet artificiale të këtyre imazheve. Secila kornizë është e mbushur pamje të brishta të testosteroneve si friza antike gati për tu shkatërruar.
FILMI MË I MIRË PËR TË DREJTAT E NJERIUT – FITUESI: HOMELAND (IRAQ YEAR ZERO) nga Abbas Fahdel
Juria: James Longely, Mustafa Kerem Yuksel, Tue Sten Muller
Deklarata: Një dokumentar monumental dhe i papërkulur që me qetësi shpalos rutinën ditore të një familje irakiane që vërtitet buzë një tragjedie, Homeland e personalizon çmimin e vërtetë të luftës përmes vështrimit plot respekt të regjisorit.
Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË PËR TË DREJTAT E NJERIUT filmin STARLESS DREAMS nga Mehrdad Oskouei.
Deklarata: Një film dokumentar i një hijeshie të rrallë, Starless Dreams eksploron botën e brendshme të grave të burgosura në Iran me një saktësi emocionale të pashlyeshme dhe ndjeshmëri ndaj subjektit të tij.
FILMI MË I MIRË PËR AMBIENTIN – FITUESI: WHEN TWO WORLDS COLLIDE nga Heidi Brandenburg dhe Mathew Orzel
Juria: Defne Koryurek, Diego Mas Trelles, Martin Horyna
Deklarata: Patëm një ndjenjë shumë të fuqishme për sinqeritetin e punës, përkushtimin e përzemërt dhe respektin për personazhet dhe njerëzit e përfshirë. Prandaj, do të donim t’i falënderonim regjisorët dhe ekipin për sjelljen e një barbarizmi aq të madh që mori jetët dhe rrezikoi jetesën e shumë të tjerëve. Do të donim t’ia jepnin çmimin filmit When Two Worlds Collide.
Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË PËR AMBIENTIN filmin THE WOODS DREAMS ARE MADE OF nga Claire Simon
Deklarata: Do të donim t’i jepnim një mirënjohje të veçantë punës e cila paraqiti një sfidë aq të madhe për ne. Ne e falënderojmë regjisoren dhe ekipin e saj që na dha rastin ta shohim ekologjinë nga një këndvështrim tërësisht ndryshe. E falënderojmë për sfidën filmin The Woods Dreams Are Made Of.
FILMI MË I MIRË I SHKURTËR – FITUESI: IMPORT nga Ena Sendjevic
Juria: Anri Sala, Barbara Orlicz – Szczyputa, Christopher Tidman
Deklarata: Juria e shpërblen me çmimin e parë një vështrim intim në natyrën absurde të fillimeve të reja. Përmes përdorimit të teknikave vizuale unike për kohën e tyre, ai eksploron një temë që është edhe sot relevante. Një vështrim i çuditshëm në Migrimin, Ndarjen, Integrimin, Pranimin dhe Familjen në kërkim të një normaliteti të ri.
Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për FILMIN MË TË MIRË TË SHKURTËR filmin FRANKFURTER STR. 99A nga Evgenia Gostrer
Deklarata: Një fotografi e çastit e një jete të rëndomtë të pak ditëve më parë e treguar në mënyrë unike përmes stilit të veçantë të animuar. Një përzierje e animacionit me dokumentar, që nuk kombinohet shpesh në rrëfim, formohen bashkë në mënyrë të përkryer për të eksploruar këtë marrëdhënie.
GARA KOMBËTARE – FITUESI: PERFORMANCË nga Dritëro Mehmetaj
Juria: Blerta Basholli, Christoffer Olofsson, Eriola Pira
Deklarata: Për mjeshtrinë në formën e filmit të shkurtër artistik në një histori të plotë dhe imponuese të dy studentëve dhe negociatave të tyre të përditshme në skenë dhe jashtë saj. Performanca autentike, skenari i zgjuar dhe regjia bindëse ia del të shpalos ëndrrat dhe luftërat e personazheve me një kujdes dhe integritet që refuzon përfundimet e lehta në lidhje me profesionin e tyre të zgjedhur apo vetë-vlerësimin.
Juria e njejtë zgjodhi për “Çmim Special” në kategorinë për GARËN KOMBËTARE filmin I KISSED YOU KISS ON YOUR GIRLFRIEND’S CHEEK, IT WAS STILL WET nga Samuel Weniger, Dardan Zhegrova
Deklarata: Për bastisjen e tij ambicioze në një drejtim të ri, me pamje joshëse në aspektin vizual, poetik dhe zanor, që kombinohen për të krijuar një film të shquar.
ÇMIMI I AUDIENCËS
“Batusha’s House” Tino Glimmann dhe Jan Gollob
ÇMIMI I BANKËS PROCREDIT PËR EKOVIDEO-N MË TË MIRË
Fituesit e garës EkoVideo jane:
Besnik Boletini
Indrit Loshi
Agon Veselaj