Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Fakulteti i Filologjisë (më parë Fakulteti Filozofik) i Universitetit të Prishtinës, ku në vitin 1974 u themelua Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare /
Prishtinë-Traditë dhe njohje ndërkombëtare/
-Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e katër sesione derit tash dhe i sivjemi është jubilar – i tridhjetë e pesti/
-Mes mëse 120 pjesëmrrësve nga shumë vende të botës, përfshirë Shqipërinë e Kosovën, studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht, këtë vit për herë të parë marrin pjesë arbëreshë nga Zara, qytet bregdetar në Kroaci/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI /
PRISHTINË, 15 Gusht 2016/ Në kryeqytetin e Kosovës, sot në mesditë, u hap Seminari XXXV Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, me një solemnitet në Universitetin e Prishtinës-Fakultetin e Filologjisë, ku edhe është themeluar. Në ceremoninë ku morën marrin pjesë edhe krerë të institucionave të Kosovës, ambasadorë, akademikë dhe seminaristë, e para foli dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, e cila tha se të flasësh për historikun e Seminarit është të sikur të flasësh për jetën e Fakultetit të Filologjisë në veçanti dhe të Universitetit të Prishtinës në përgjithësi.
“Një rrugëtim i vështirë, me shumë peripeci, por gjithnjë në kërkim të ngritjes dhe avancimit të dijes, në kërkim të forcimit të bashkëpunimit ndërakademik dhe në kërkim të promovimit të vlerave tona në botë, një tubim i lartë shkencor dhe kulturor që ka arritur të shndërrohet në një institucion të rëndësishëm ndërkombëtar dhe me impakt të lartë në avancimin e shkencës dhe të kulturës, në zbërthimin e gërshetimit të gjuhëve e të kulturave të ndryshme me shqipen dhe në avancimin e studimeve gjuhësore, letrare dhe kulturore të shqipes në shumë qendra botërore universitare”, tha dekanja Rugova.
Kryeministri Isa Mustafa, e cilësoi Seminarin si një prej ngjarjeve e cila e përfaqëson më së miri identitetin dhe kulturën shqiptare.
“Seminari pa asnjë dyshim tani më është një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kulturës shqipe ku bashkohen njohës të gjuhës shqipe, të letërsisë dhe të kulturës dhe për disa ditë ata shkëmbejnë dijet e tyre, komunikojnë dhe mësojnë gjithnjë duke avancuar edhe me tutje dijet albanologjike. Ky seminar tanimë ka traditë dhe njohje ndërkombëtare. Është bërë shenjë identifikuese e Kosovës dhe e Prishtinës dhe kjo të gjithë neve na bënë nder”, theksoi kryeministri Mustafa.
Kryeparlamentari, Kadri Veseli, në fjalën e tij falënderoi themeluesit dhe profesorët të cilët i kanë dhënë jetë Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
“Ky është një shembull i mirë do të thoja për institucionet e Republikës së Kosovës, një traditë shumë e mirë e promovimit të Kosovës e cila do të duhej të ndodhte jo vetëm në këtë fushë ,e cila po tregon dhe po besoj veçanërisht në fushën e zhvillimit tonë ekonomik në mënyrë që të kemi sa më shumë investitorë që investojnë në Kosovë, ta njohin Kosovën ashtu si besoni dhe të vini sot në Kosovë me dhjetëra e qindra studiues të albanologjisë”, tha kryetari i Kuvendit, Veseli.
Në një fjalë rasti, drejtori i Seminarit, Rrahman Paçarizi, ftoi rektorin, prorektorët dhe autoritetet akademike që vendosin për valorizimin e punës shkencore në Universitetin e Prishtinës të kenë parasysh faktin se Seminari nuk është institucion i izoluar i albanologjisë, por institucion që krahas promovimit të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, synon ta ndërlidhë albanologjinë me shkencën dhe letërsinë botërore.
“Studimet kontrastive e ndihmojnë albanologjinë. Injorimi i tendencës për përfshirjen e albanologjisë në shkencën dhe letërsinë botërore shpejt mund ta shndërrojë Seminarin në një institucion lokal të dijes që sillet rreth vetvetes”, theksoi Paçarizi.
Ai Seminarin e vlerësoi ngjarjen më të madhe kulturore dhe shkencore të albanologjisë. “Këtë vit jemi të lumtur t’ua urojmë ditëlindjen e 80-të, disa prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqiptare, Ismail Kadaresë, Rexhep Qosjes dhe Adem Demaçit”, u shpreh drejtori Paçarizi.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj, dhe kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, folën gjithashtu në ceremoninë e hapjes së Seminarit duke vlerësuar faktin se, “tashmë ka një traditë të gjatë dhe është afirmuar në katër anët e botës” dhe se, “ky organizim shkencor synon të promovojë gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe është dëshmi e gjallë që këto institucione kanë potencial për prodhim të dijes dhe shkencës”.
Deri në 26 gusht, kur përmbyllet, tre temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore do jenë: Gjuhësi -Varietetet e shqipes; Letërsi – Koncepti i tjetit në letërsinë shqipe; Kulturologji – Media dhe kultura në epokën e internetit.
Programi bazë i Seminarit XXXV është: Kurse intensive të mësimit të shqipes (tre shkallë); Ligjërata të veçanta të gjuhësisë; Ligjërata për letërsinë shqiptare; Ligjërata për kulturën shqiptare; Referime shkencore; Ligjërata të përgjithshme; Tryeza të rrumbullakëta.
Mes mëse 120 pjesëmrrësve nga shumë vende të botës, përfshirë Shqipërinë e Kosovën, studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht, këtë vit për herë të parë marrin pjesë arbëreshë nga Zara, qytet bregdetar në Kroaci.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974. Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëvetë Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme.
Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e katër sesione derit tash dhe i sivjemi është jubilar – i tridhjetë e pesti. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Pas çlirimit të Kosovës në qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.