A do të ushtrojë sovranitetin e saj Kosova edhe në veri të vendit, edhe pas tre nëntorit. Nëse logoja e Republikës së Kosovës hiqet nga fletëvotimet sipas kërkesës së Serbisë, a thua çfarë do të kërkojnë serbët pas tre nëntorit, respektivisht pas zgjedhjeve të tre nëntorit? Dokumentacioni i përgjithshëm administrativ në veri a do të ketë logo të Republikës së Kosovës kur janë në pyetje serbët e veriut të Kosovës. A do të largohen të gjitha barrikadat nëpër rrugët e Mitrovicës dhe jo vetëm të Mitrovicës. Këso dhe shumë e shumë pyetje tjera të ngjashme mund të shtroheshin në këtë vështrim. Për këto dhe për shumë gjëra të tjera sot mund të thuhet ashtu e kështu. Neve qytetarëve të brengosur për fatin e vendit na intereson të dimë qysh tash se a do të ketë shtrirje të sovranitetit të plotë të vendit në veri të vendit edhe pas tre nëntorit të këtij viti?/
Shkruan: Cenë Pushkolli/cenpushkolli@hotmail.com/
Në të përditshmen më të lexuar të vendit, respektivisht më të lirin nga të gjitha gazetat e vendit, “Tribuna të datës 9 shtator”, në faqen e parë dhe të tretë ishte shkrimi: Veriu, neutral ndaj statusit edhe pas zgjedhjeve”, që shumë qytetarë të Kosovës dhe jo vetëm të Kosovë janë brengosur për fatin e vendit pas tre nëntorit të këtij viti. Arsyeja e brengosjes është akoma më e madhe pasi që tash tre ditë pas publikimit të këtij shkrimi nuk pati reagime nga qeveria dhe institucionet e Kosovës. Reagimi do të ishte shumë i mirëpritur për faktin që do t’i largonte brengosjet e qytetarëve. Më lartë ne shtruam disa pyetje që vërtetë duan përgjigje nga kompetentët e institucioneve të Kosovës. Ndoshta përgjigjen në këto pyetje e din institucionet e Kosovës, ndoshta edhe për këto pyetje është biseduar në “Bruksel”, mirëpo përgjigjen masa e gjerë popullore ashtu si edhe autori i këtij vështrimi nuk i din. Do të ishte mirë të prononcohen kompetentët e institucioneve të Kosovës lidhur me këto pyetje, bile-bile do të ishte mirë të thuhet edhe kjo: se serbët e veriut a do të kenë tretman të njëjtë me qytetarët tjerë të Republikës së Kosovës, respektivisht a do të jenë “të dëgjueshëm” ndaj shtetit të Kosovës? Në këtë pyetje në njëfarë mënyre është përgjigjur Edhe Ivica Daçiç ku pos tjerash ka thënë: …Marrëveshja e 19 prillit me Prishtinën është neutrale në raport me statusin”, ndërkaq këshilltari i presidentit të serbisë Marko Gjuriq akoma më keqë kishte deklaruar: …me daljen në zgjedhje dhe formimin e organeve lokale, Beogradi nuk po mundohet të integrojë komunat me shumicë serbe nën autoritetin e Prishtinës por po krijon komuna serbe neutrale në raport me statusin e Kosovës”, përkundër kësaj, “…pavarësisht këtij arsyetimi politik, serbët që sot përfaqësojnë komunitetin që jeton në komunat veriore, mohojnë se do të dalin në zgjedhje”.
Kurse njëri ndër liderët e serbëve në veri të Kosovës, Marko Jakshiq deklaron:”…heqja e simboleve shtetërore nuk ndryshon pozicionin e tyre në raport me shtetin e Kosovës, Tribuna e 9 shtatorit fq. 3” Duke u mbështetur në mos reagimin e institucioneve të Kosovës si edhe në deklarata të zyrtarëve serb të veriut dhe të Beogradit, brengosja e qytetarëve të Kosovës për fatin e veriut të vendit vërtetë është e arsyeshme!